Thursday, March 29, 2012

Demokracia në Histori


Dott. mag Alban Daci

Demokracia, nga këndvështrimi politik, është regjimi më i dëshiruar. Disa janë të mendimit se demokracia duhet të adoptohet nga të gjitha shtetet për të ndjekur “paqen e përhershme” të teorizuar nga Kant[1], një paqe që varet në mënyrë thelbësore nga forma demokratike e shteteve, që përjashton zgjedhjen e luftë dhe tenton të reagoi me një fuqi jo luftarake: “diplomacinë”.
Në realitet ky vizion është shumë i kritikuar nga realistët, të cilët janë të mendimit se shteti, edhe pse mund të jetë demokratik, nuk duhet të reagoi si i tillë –pra në mënyrë demokratike- për shkak të “gjendjes të natyrës”[2]. Në përgjithësi realistët mohojnë çdo raport mes natyrës së brendshme të ushtrimit të pushtetit në shtet dhe tendencës së tij për të pasur marrëdhënie paqësore me shtetet e tjera.
 Realistët i bazojnë kritikat e tyre mbi sjelljen e shteteve në sistemin ndërkombëtar si për shembull kriza e Falkland. Sigurisht sjellja në vazhdim e Shteteve të Bashkuara dhe Anglisë nuk mund të konsiderohet demokratike, përkundrazi ai është një veprim tipik despotik. Një konsideratë tjetër që duhet të bëhet është: nuk ka pasur kurrë një konflikt mes dy ose më shumë vendeve demokratike. Të gjithë konfliktet ka ndodhur mes regjimeve demokratike dhe jo demokratike ose ekskluzivisht mes regjimeve jo demokratike.
Duhet të nënvizojmë faktin se demokratizimi i sistemit ndërkombëtar është një proces i pandalshëm. Ky proces sipas Huntington[3] është i ndarë në valë. Vala e parë[4] (1828-1926) e konsideruar si më e gjata është përshkruar në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe është bazuar mbi lirimin e brendshëm që sillte në të njëjtë kohë edhe lirimin e shkëmbimeve mes shteteve dhe popujve.
Vala e dytë[5] fillon teorikisht në vitin 1922 dhe ka pasur një efekt të ndryshëm nga e para: vendet e mbetura jo demokratike kanë ndjekur eksperiencën e vendeve demokratike për shkak të ashtuquajturit “infektimi demokratik”. Ndërsa Azia, Afrika dhe Amerika Latine, si pasojë e kolonializmit europian, gjatë fazës së dytë, kanë importuar modelin demokratik të vendeve europiane.
Vala e tretë fillon me fundin e regjimit të Frankos në Spanjë dhe të transformimit demokratik të Portugalisë. Rënia e Bashkimit Sovjetik si pol i dytë dhe si rival ideologjik e ushtarak, ka lehtësuar propagandimin e demokracisë përmes efektit alone[6]Rritja ekonomike si asnjëherë më parë e realizuar falë modelit liberal, ka favorizuar penetrimin e kapitaleve në kontestet jo demokratike. Ajo ka sjellë edhe një proces liberalizimi politiko-ekonomik në shtetet jo demokratike. Nga moment e mbrapa demokracia nuk ishte një fenomen që përhapej vetëm për motive ekonomike por edhe ideologjike.
Në fakt demokratizimi është nxitur gjithmonë nga Perëndimi për të kundërshtuar totalitarizmin komunist. Rënia e Bashkimit Sovjetik ka implikuar përshpejtimin e penetrimit të demokracisë veçanërisht në ish shtetet satelite të Bashkimit Sovjetik. Duhet të theksojmë se pjesë e këtij transformimi u bë edhe Shqipëria me rënien e regjimit komunist. Idetë liberal-demokratike u bënë promovuese për proceset e rëndësishme politike dhe ekonomike. Për ish vendet satelite të Bashkimi Sovjetik, demokratizimi është përdorur edhe si formë publicitare për të siguruar ndihma ekonomike dhe politike nga vendet perëndimore. Kjo ishte e vetmja mënyrë që këto vende të kalonin boshllëkun e madh politik dhe ideologjik të trashëguar nga rënia e Murit të Berlinit si dhe krizën e ekonomike të shkaktuar modeli ekonomik i dështuar.
Një rindërtim tjetër interesant është i Doyle[7] ku flitet për flukset (valët) ose riflukset. Në mënyrë principate ka të bëj me lidhjen mes suksesit të demokratizimit dhe politikës ndërkombëtare përderisa ardhja e demokracive të reja koencidon me fundin e një efekti të rëndë global. Kjo ka ndodhur për shkak të fitoreve të shteteve demokratike në Luftën I Botërore[8] dhe pastaj pas mbarimit të Luftës së Ftohtë me rënien e grupit sovjetik[9]. Doyle në kundërshtim me Huntington nënvizon dhe një proces të kthyer mbrapa në disa shtete, që kanë kaluar nga liberal në diktatorial.
Pasi mbaron fluksi demokratik, fillon vetëm pak vite më vonë, faza e riflukseve që sjell kalimin e 10 shteteve nga liberal në diktatorial[10]. Ndërsa Lufta II Botërore krijon një fluks demokratizimi, me falimentimin e shteteve fashisteve si Italia, Gjermania, Austria dhe Japonia, pra shtete që kishin humbur ushtarakisht konfliktin botëror dhe që u janë përfshirë ndryshimeve të brendshme me reformave demokratike. Ky fluks i demokratikeve është përfunduar me ose pranimin e parë të demokracisë.
Doyle e përcakton periudhën që vazhdon pas përfundimit të luftës si periudha e riflukseve të mëdha, sepse regresi i disa shteteve në mos demokracinë kishte arritur majën më të lartë mes viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë[11]. Pra, demokratizimi nuk ka pasur suksese të stabilizuara në të gjitha shtetet, përkundrazi është dëshmuar i brishtë në shumë konteste. Modalitetet e adoptimit të modelit demokratik në një kontest të brendshëm të shteteve kanë bërë të mundur arritjen e një statusi global të homogjenizuar[12].
Lindja e “shpejtë” e disa demokracive ka krijuar një kategori të “demokracive difektoze”, ku demokracia është puro elektorale, por kërkesat e demokracisë[13] nuk kanë hapësirë. Fareed Zakaria[14] ka shkruar: “demokracia është i vetmi burim i legjitimitetit politik; dhe diktatorët si Husni Mubarak në Egjipt dhe Robert Mugabe në Zimbabve shpenzojnë para për të organizuar zgjedhje kombëtare që pastaj, pa dyshim fitojnë pa asnjë dyshim”.



[1] “Paqja e përhershme” e Kant, 1795 dhe me interpretimet e Bobbio 1999 “Atë që kishte dashur të afirmonte Kant [...] është se shtetet demokratike, ose homogjen për nga forma e qeverisjes, përdorin më me vështirësi luftën si mjet mes raporteve të tyre se sa shtetet despotike ose jo homogjen.
[2] Përcaktim i cilësive fillestare të njeriut për të justifikuar një koncept gjendjeje: ky është përcaktimi hobbesian (dhe jo vetëm). Ai pra (gjendja e natyrës) nuk është vetëm një kusht historik por një hipotezë e nevojshme që ka për qëllim të njoh problemin qendror që është origjina e fuqisë politike në raport pavarësinë natyrale të njeriut. 
[3] Valët e demokratizimit sipas Huntington në artikullin e Filippo Andreatta “Demokracia dhe politika ndërkombëtare: paqe e ndarë dhe demokratizimi i sistemit ndërkombëtar”; Revista Italiane e Shkencave Politike.
[4] Sipas Huntington industrializimi dhe urbanizimi e kanë shtyrë shoqërinë në mobilizimin politik. Një element tjetër i rëndësishëm është krijimi i klasës borgjeze  sidomos në Europë në krye të ndarjeve klasore sociale: klasa e mesme, klasa punëtore.
[5] Kjo valë fillon të jetë realisht efektive me mbarimin e Luftës Botërore dhe me fitimin e aleatëve.
[6] Efekti alone dhe përhapja e fenomeni të caktuar (në këtë rast demokratizimi në një zonë të caktuar gjeografike.
[7] Doyle (1983) përcakton në mënyrë të saktë momentet kritike në histori ku janë verifikuar flukset dhe riflukset sipas Huntington. Revista Italiane e Shkencave Politike 2/2005. fq. 223-224. 
[8] Vetëm pak vite para se të se Bota të përfshihej në Luftën I Botërore ishin rreth 16 demokraci (Zvicera, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Holanda, Danimarka, Suedia, Kanadaja, Argjentina, Franca, Australia, Norvegjia, Zelanda e Re, Kili, Greqia, Italia dhe Kolumbia). Procesi i demokratizimit në këto 16 shtete ka nisur nga viti 1832 dhe përfundon rreth vitit 1910.
[9] Një numër i konsiderueshëm i shteteve zgjedhin regjimin politik që është demonstruar më efikas mes shteteve (Waltz 1979). Për shembull, fundi i Luftës së Ftohtë dhe fundi i bllokut komunist kanë kontribuar në mënyrë vendimtare në Valën e Tretë të demokratizimit. Thuajse 20 shtete të ish Bashkimit Sovjetik janë përfshirë në reforma të brendshme demokratike.
[10] Riflukset demokratike godasin Kilin në vitin 1924, pastaj Italinë, Gjermaninë, Austrinë, Poloninë, Letonin, Estonin, Çekosllovakinë dhe Argjentinën.
[11] Kili, Libani, Uruguai, Kolumbia, Brazili, Filipinet, Ekuador, Peru, India, Siri Lanka, Salvadori, Turqia, Bolivia, Nigeria, Koreja e Jugut janë të gjithë shtete që kanë humbur statusin demokratik që kishin arritur në valën e riflukseve.
[12] Konkludimi është thuajse identik me atë të S. Panebianco (1997) i cili afirmon se  procesi i demokratizimit nuk është as universal dhe as i pakthyeshëm. Artikull i F. Andreatta Revista Italiane e Shkencave Politike, 2/2005. Fq. 226
[13] Kriteret e demokracisë sipas Diamond 1999: a) të drejtat civile e politike njihen dhe mbrohen; b) respekti i principit Rule of The Law; c) magjistratura dhe autoriteti administrim janë të pavarura; d) një shoqëri pluraliste dhe aktive dhe prania e mjeteve të komunikimit të mos vendosura nën kontrollin shtetëror/ose qeverisës; e) civilët ushtrojnë kontroll mbi ushtarakët.
[14] Gazetar amerikan me origjinë indiane, studiues i politikës ndërkombëtare pranë Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë si dhe ish drejtor i Foreign Affairs Magazine. Në librin e tij “Demokracia pa liri” kritikon instrumentalizmin e demokracisë nga ana e disa sistemeve autoritare de facto si burim të legjitimitetit politik, duke u bazuar mbi një kriter të demokracisë që do të jenë zgjedhjet kombëtare.