Saturday, March 3, 2012

Aleanca Kuq e Zi është në vendin dhe kohën e duhur


Alban Daci

Aleanca Kuq e Zi ka ardhur në momentin e duhur dhe në kohën e duhur. Edhe pse ndodhem aktualisht për angazhime profesionale në zemrën e Europës mora veshtë me shumë dhimbje vrasjen e dy shqiptarëve në Maqedoni. Ky lajm më trishtoi për të vetmin fakt se shqiptarët akoma vazhdojnë të jenë viktima vetëm pse janë shqiptarë dhe pse janë autokton në shtëpitë e tyre.
Po ndiqja me vëmendje lajmet dhe nuk pash ndonjë analizë apo koment në lidhje me  këtë ngjarje të trishtueshme dhe të papranueshme. Krejt natyrshëm më erdhi në mendje pyetja: Ku janë analistët e famshëm shqiptarë? Dihet tashmë se në shtypin shqiptar qarkullojnë grupe tellallësh që flasin me gojën e tyre, por mendojnë mendjen e të tjerëve. Këto grupe tellallësh po t’i thërrasësh të shkruajnë kundër interesave të vendit dhe për të denigruar AK për interesat supreme të pushtetit janë gjithmonë të gatshëm.
Ndoqa me vëmendje intervistën e kryetarit të AK z. Spahiu në programin Top Story dhe më erdhi keq dhe neveri, kur po dëgjoja analizën e një analisti të vetë quajtur si të tillë. Para se të fillojmë të analizojmë fjalët e pavlera dhe krejt false të dala nga goja e këtij analisti është mirë të analizojmë vetë analistin. Kur u bë analist? Sa artikuj ka shkruar në shtypin e shkuar? Cili është emri i tij i vërtetë dhe përse e ka ndryshuar atë? Me sa jam i informuar emri i tij nuk është ai që ka sot të stilit anglosakson, por një emër tjetër që përdoret shumë në Shqipëri. Perse vallë një person duhet të ndryshoi emrin e tij? Ka ndodhur që disa pseudoshqiptar për interesa të rëndomta personale e kanë ndryshuar emrin nga emër shqiptar në atë grek. Pra, ka ndodhur rëndomtë që në vitet e fundit shumë shqiptarë të ndryshojnë e emrat e tyre. Mos vallë edhe analisti në fjalë duhet të ishte një servil i pastër anglosakson që të ndryshonte emrin e tij. Por në të vërtetë a mund të ndryshoi një  person vetëm përse ndryshon emrin? Jo nuk besoj! Është një histori mjaft interesante  e ndodhur në një zonë Verilindore të Shqipërisë që ka të bëj me ndryshim emërtimesh. Pas shumë diskutimesh ngrihet njëri që ishte përfaqësues i Partisë dhe thotë: Tërte ishit dhe Tërte jeni! Pra, kam përshtypjen se edhe analisti në fjalë Tërte ka qenë dhe si Tërte njihet. Për këtë arsye kot e ka ndryshuar emrin e tij.
Sipas analizës së tij keqdashëse dhe qorre, prezantimi i AK ishte një hiperbolë. Nuk e di se sa e kanë informuar për AK. Them kështu, sepse kjo lloj analistësh i marrin lajmet duke qëndruar në zyrat e tyre komode ose duke shërbyer në sallonet e pushtetit. Në zyrë zakonisht u shkon lajmi që ato kanë dëshirë të marrin. Ndërsa nga sallonet e pushtetit dalin vetëm lajmet e censuruara dhe të rregulluar sipas qejfeve personale. Unë, kam qenë i pranishëm në disa tubime të bëra nga AK. Aty kam parë qindra e mijëra djem të ri, të cilët besojnë tek forca e ndryshimi, tek Shqipëria dhe për këtë arsye duan ta dëshmojnë se janë krenar pse janë shqiptar. Aty kam parë intelektualë të rinj, docentë universitar, njerëz të thjeshtë të cilët kanë vetëm një dëshirë, të ndryshojnë realitetin e papranueshëm ku ndodhën ato dhe vendin i tyre. Kam qenë gjithmonë i mendimit se politikanët aktual shqiptar do të “vrasin” me duart e tyre karrierën e tyre politike.
Në këto 20 vite kemi dy fenomene krejt të ndryshme, të cilat janë rritur fuqishëm në të njëjtën kohë por të orientuar në drejtime të ndryshme. Kemi klasën aktuale politike, e cila me shumë shpërfillje ka rritur në maksimum pushtetin e saj ekonomik e politik duke lenë në harresë qytetarët  dhe sidomos të rinjtë që përbëjnë shumicën. Gjithashtu, kemi një klasë të rinjsh të cilët janë shkolluar, kanë kapur majat akademike, por që ndjehen të dëshpëruar dhe jo të respektuar nga klasa aktuale politike. Jam i sigurt se klasa aktuale politike do te “vritet” politikisht pikërisht nga dëshpërimi i klasës rinore të shkolluar në Perëndim dhe në Shqipëri. Në Shqipëri aktualisht ka shumë të rinj, të cilët me qëllim janë përjashtuar nga çdo vendimmarrje dhe aktualisht gëzojnë vetën statusin e vëzhguesit tek sa shikojnë që vendi i tyre qëndron në vendnumëro ose bën hapa mbrapa. Dëshpërimi i të rinjve shqiptarë për keqmenaxhimin e vendit nga klasa politike ka shkuar atje ku nuk durohet më.
Një çështje shumë e rëndësishme për rininë shqiptare është Integrimi i Shqipërisë në BE. Mjafton të analizojmë vetëm njërin nga 12 kriteret për të kuptuar me keqardhje se vendi ynë nuk do të integrohet kurrë me këtë klasë politike që ka. Një ndër 12 kriteret që duhet të plotësohet që Shqipëria të integrohet në BE është rekrutimi i punonjësit civil përmes meritës. Politika shqiptare sic e kam theksuar disa herë mbijeton duke u bazuar në raportin e ngushtë  që ka me militantin e rëndomtë, agresiv dhe të pashkolluar. Kjo ndodh për faktin se politika shqiptare nuk e shikon qytetarin në qendër të vëmendjes, por thjeshtë si numër votash për të mbajtur ose për ta marrë pushtetin. Në vitet e fundit në Shqipëri dhe jashtë ka mijëra të rinj të talentuar dhe të shkolluar që mbahen qëllimisht larg vendimmarrjes, sepse vendet e tyre janë të zëna nga militantët. Kjo ka bërë të mundur rritjen e ndjenjës së dëshpërimit tek çdo i ri. E dimë shumë mirë se sa më shumë rritet doza e dëshpërimit aq me e madhe bëhet dëshira për ta korrigjuar atë. Sot e vetmja forcë sociale dhe pse jo edhe politike që përfaqëson meritokracinë dhe i ka drejtuar sytë për nga rinia është Aleanca Kuq e Zi. Në këtë aleancë nuk është e nevojshme të njohësh një deputet për tu bërë anëtarë, nuk duhet të njohësh një ministër për tu angazhuar dhe nuk duhet detyrimisht të jesh pjesë e një klani për të pasur sukses. Çdo i ri i talentuar mund të bëhet pjesë e AK, sepse ajo është burimi i shpresës dhe krenaria e të qenit shqiptar.  Pra, çështja e Integrimit Europian është një çështje e rëndësishme dhe komplekse. Ky proces nuk mund të ndodh përsa kohë nuk ndryshon elita politike, mënyra e të bërit politikë.
            Po të kalojmë me atë që trajtuam në fillim, e cila ka të bëj me humbjen e dy të rinjve shqiptarë ne Maqedoni. E vetmja deklaratë që më bëri përshtypje në lidhje me këtë ngjarje ishte ajo e AK e cila ndër të tjera thoshte: ...ndjejmë keqardhje për humbjen e dy vëllezërve tanë. Deri më sot kishte një boshllëk të madh i cili lidhej me faktin se me shqiptarët mund të bëjë ç’të dojë, sepse ato janë të pambrojtur. Shqiptarët ndjeheshin aq shumë të pambrojtur dhe të diskriminuar saqë kishin filluar të kishin fobi faktin e të qenit shqiptarë saqë në shumicën e rasteve e mohonin se ishin shqiptar. Kjo është një ndër gjërat më të papranueshme që mund të ndodh me qytetarët e një vendi si Shqipëria. Ndërsa sot shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenar pse janë shqiptarë si dhe të besojnë më shumë se një e ardhme më e mirë po i pret. Sot shqiptarë kanë AK, e cila simbolizon çdo shqiptarë që kërkon dhe dëshiron një Shqipëri moderne dhe europiane. Sot çdo shqiptarë kudo që ndodhet duhet të bërtas me të madhe: “jam krenar që jam shqiptar”. AK erdhi në momentin dhe vendin e duhur. Ajo erdhi në Shqipëri që Shqipërinë ta bëj europiane, që shqiptarët të ndjehen krenar për identitetin e tyre, që të besojnë në të ardhmen e merituar e më të mirë, që të besojnë tek demokracia, meritokracia, drejtësia dhe progresi.