Në njëzet vitet e fundit shumë shqiptarë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike në vend, u detyruan si e vetmja rrugë për shpëtim të merrnin rrugët e Europës dhe më gjerë. Shumë prej tyre u drejtuan drejt brigjeve të Italisë, me shpresën se aty do të gjenin mundësi më të mëdha punësimi dhe jetese.
Shumë prej këtyre emigrantëve në fillim të viteve ’90 u deklaruan me të drejtë edhe refugjatë politik, sepse largoheshin nga një diktaturë mizore dhe nga një realitet i egër jetësorë, ku imagjinata nuk mjaftonte për ta përshkruar nëse nuk e kishe përjetuar vetë.
Shqiptarët që u drejtuan drejt Italisë, të cilët edhe pse ja nisën nga zero dhe u përballën me paragjykime, me shumë punë dhe me një karakter të fortë e të vendosur, jo vetëm arritën të ndërtonin një jetë normale të barabartë edhe me standardin e qytetarëve Italian, por arritën të jenë një shembull suksesi dhe shprese për këdo që luftonte për një jetë më të sigurt dhe më normale.
Emigrantë shqiptarë që kanë punuar me vite me radhë në Itali, ka luajtur një rol vendimtarë edhe për ekonominë e familjeve të tyre në Shqipëri. Le të imagjinojmë pak sikur në këto njëzet vite të tranzicionit shqiptarë, të mos kishin kontribuar emigrantët me kursimet e tyre dhe për familjarët që vazhdonin të jetonin në Shqipëri. Shqiptarët, në ndryshim me qytetarët europian, në fillim të viteve ’90, u gjetën në aspektin ekonomik krejtësisht të zhveshur dhe të pambrojtur. Ata, nuk kishin asnjë lloj kursimi apo trashëgimie nga 50 vitet e fundit.
Nëse sot shikojmë, se shqiptarët kanë ndërtuar shtëpi të bukura, moderne dhe të shtrenjta, shumica prej tyre i kanë bërë vetëm me anë të kursimeve që kanë siguruar nga punë në emigracion. Jo vetëm kaq, por shumë shqiptarë arritën t’i blinin makinat e para në emigracion dhe i sollën edhe në Shqipëri. Pra emigrantë, me punën e tyre, arritën t’i ndryshonin fytyrën Shqipërisë, nga një vend që kishte njohur vetëm tollonat për 50 vjet, në një vend po njihte standardet e jetës normale.
Madje, kam një teori timen personale se emigracioni shqiptar kanë bërë shumë më shumë se sa ka bërë dhe duhet të bënte edhe vetë Shteti shqiptar në këto vite tranzicioni. Emigrantët me punën dhe kontributet e tyre në ekonominë shqiptarë, shumë herë kanë arritur të mbulojnë edhe politika ekonomike negative që ka ndërmarr shteti gjatë periudhës së tranzicionit.
Le të marrin si shembull punësimin. Në njëzet vitet e fundit shteti shqiptar ka dështuar përsa u përket politikave të punësimit. Sot, sikur këta emigrantë të mos kishin çarë dallgët e detit edhe në temperatura nën zero për një jetë më të mirë, do të ishin të pa punët e njëzet vjecarit të fundit. Jeta e tyre do të vazhdonte të ishte një rrënim ekonomik dhe një shkatërrim psikologjik si për ato ashtu edhe për familjarët e tyre.
Në Europë janë punësuar shumë të rinj shqiptarë, të cilët nëse nuk do kishin pasur guximin e forcën për të sakrifikuar për një jetë më të mirë, sot me siguri do të silleshin nëpër rrugët e qyteteve shqiptare, duke pirë kafe, duke luajtur bilardo ose siç po bëhet modë tashmë në Shqipëri, duke kaluar orë pafund në facebook. Shteti shqiptar vazhdon të dështojë për politikat e punësimit dhe sidomos për punësimin e të rinjve.
Këtu në Shqipëri, ndodh rëndomtë që të vjetrit vazhdojnë të punojnë në administratë dhe nuk duan të dalin në pension (dikush që ka punuar më parë si Drejtor i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Jashtme më ka thënë se: Në këtë Ministri ka shumë persona që janë në moshë pensioni dhe vazhdojnë të punojnë), kurse të rinjtë për rrjedhojë presin që të vjetrit të ndahen nga puna përmes vdekjes natyrore, dhe pastaj t’i zëvendësojnë . Derisa të vij ky moment, të rinjtë (të talentuar ose jo), do të rrinë nëpër bare duke pirë duhan dhe konsumuar makiato. Shqipëria, duke qenë së është vendi me moshë shumë të re dhe që ka një numër të madh të rinj të papunësuar, po humb një energji të madhe pune.
Emigrantët kanë dhe vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishëm edhe për Italinë. Ato janë shumë të rëndësishëm për ekuilibrin e llogarive publike, funksionimin e tregut të punës dhe ofertës së shërbimeve dhe të personave dhe në perspektivë përfaqësojnë një kontribut të madh edhe për rritjen ekonomike.
Sipas Anna Maria Tarantola, zv/drejtoreshë e përgjithshme e “Banka d’Italia” ( në shqip “Banka e Italisë”): “Në një sistem ekonomik si yni, ku taksa e ndërvarësisë demografike (raporti mes numrit të personave më të mëdhenj se 65 vjeç atyre të moshës së punës) është i destinuar të rritet shumë, kontributi i forcave të reja, në mënyrë shoqërore dhe profesionale të integruar, është dhe do të jetë e një rëndësie të veçantë për mbajtjen e ekuilibrave makro-ekonomik dhe të financës publike, për funksionimin e tregut të punës, për dispozicionin e shërbimeve të personave”.
Nga ky këndvështrim del se të huajt janë një pasuri e madhe për Italinë. Një kontribut, në perspektivë, në rritje të ekonomisë. Hyrja e shpejt në treg e punëtorëve të huaj në ekonominë italiane ka bërë që kjo e fundit të ketë mundësi më të mëdha për të dalë nga kriza ekonomike.
Si në vendet e tjera të avancuar dhe të industrializuar, emigrantët (përshijë edhe ato shqiptarë) në Itali tentojnë të zënë kryesisht pozicione punë që vendasit nuk i preferojnë më. Për këtë arsye ka një simbiozë mes punëtorëve të huaj dhe atyre që janë vendas, me efekte minimale mbi punësimin e këtyre të fundit.
Disa vende të Europës, ka filluar ta shikojnë me skepticizëm rritjen e fluksit të emigrantëve dhe herë pas herë janë përpjekur ta ndalojnë. Si fillim duhet të jemi të vetëdijshëm se po përjetojmë globalizimin, ku kufijtë e shteteve po bëhen gjithmonë e me pak domethënës dhe më të dobët kundrejt lëvizjes ndërkombëtare të kapitaleve, njerëzve për shkak të zhvillimit të teknologjisë së komunikimit.
Sot bota po bëhet gjithnjë edhe më e vogël. Nëse më parë duhej shumë kohë që njerëzit të lëviznin nga një vend në një vend tjetër, për shkak të zhvillimit të mjeteve të komunikimit, ato duan vetëm pak orë. Nëse me parë duhej shumë kohë që një inovacion i fundit shkencor të përhapej dhe të vihej në shërbim të njerëzve si është për shembull rasti i vaksinave, ato sot duan vetëm pak orë ose maksimumi pak ditë që të arri në çdo cep të globit.
Pra, ato europian që mendojnë të ndalojnë emigracionin, duhet të kuptojnë se ky proces është tashmë i pandalshëm. E vetmja gjë që mund të bëjnë, është që ky fluks duhet të jeta sa më i kontrolluar duke respektuar të drejtat e tyre të garantuara nga e Drejta Ndërkombëtare në Fuqi.
Sot, Europa është reduktuar në një lloj Magna Helvetia, Një Zvicër gjigante, ende paqësore dhe relativisht e begatë, por që i mungon energjia rinore (pasi pavulosur kufijtë e saj për emigrantët kaq të nevojshëm), është e pafuqishme ushtarakisht, egoiste dhe krejt e palidhur, një muze i të shkuarës së saj, e dominuar nga frika dhe e mbytur nga ndjenja e rrezikut. Nëse do të rifitoi energjitë e domosdoshme për të qenë konkurrente me gjigantët e tjerë që po rriten dita ditës si Kina dhe India, ajo ka nevojë që t’i rihap kufijtë e saj për forca të reja punë (emigrantët), sepse shumë sektor të ekonomisë kanë shumë nevojë për ta.