DR.ALBAN DACI | 15/12/2010 |
SHEKULLI ONLINE
Vendimi përfundimtar për hyrjen e qytetarëve në zonën Shengen mbetet gjithmonë në kompetencat e Policisë së Kufirit, e cila mund ta kthejë mbrapsht qytetarin që nuk është në gjendje të plotësojë pikat e përshkruara më poshtë
Në një broshurë të titulluar "Informacione të rëndësishme për qytetarët shqiptarë", gjenden 8 pyetje dhe 8 përgjigje për situatën e pritshme pas liberalizimit të vizave. Nga ajo që kuptohet lehtë prej kësaj broshure të cilën e kanë shpërndarë ditët e fundit, ambasadat e Italisë, Greqisë etj, del se kalimi i kufirit nuk do jetë i lehtë për të gjithë. Veçanërisht probleme mund të kenë grupe të rinjsh ose çifte të moshuarish për shkak të mungesës së parave ose siguracionit shëndetësor.
Çështja e kërkesës për një shumë parash, megjithëse e pohuar apo e mohuar disa herë nga zyrtarë europianë është vërtet diskriminuese. 'Shekulli' pyeti gjatë këtyre ditëve një numër të huajsh që kalojnë kufjtë me shkak punën ose turizmin disa herë në vit dhe asnjë prej tyre nuka rrinte të konceptonte si kërkse normale, kërkesën që mund tu drejtohet shqiptarëve në kufi për të vërtetuar destinacionin e udhëtimit dhe posedimin e parave të nevojshme.
Më poshtë 8 sqarimet e ambasadës italiane dhënë për Shekullin pas interesimit tonë lidhur me historinë e Angelës që mund ta lexoni në këto faqe.
Duke gjykuar nga keto ndalime, mund te thuhet se vizat vertet hiqen, por stresi i kalimit te kufirit, lirshem, do egzistoje ende tek ne shqiptaret. Ndoshta per nje kohe te gjate.
1. Kur do të hyjë në fuqi liberalizimi?
Regjimi i ri i liberalizimit të vizave Shengen do të hyjë në fuqi ditën pas botimit të vendimit të Këshillit të Ministrave në fletoren zyrtare. Përpara këtij momenti, rregullat për lëshimin e vizave do të mbeten të pandryshuara si më parë.
2. Cilat do të jenë të drejtat e qytetarëve shqiptarë?
Qytetarët shqiptarë, pas mesit të dhjetorit do të kenë të drejtë të qarkullojnë lirisht në hapësirën Shengen, për cilindo motiv, për një periudhë kohore të plotë jo më shumë se 90 ditë në një gjashtëmujor, duke hyrë e duke dalë nga territori Shengen sa herë të dëshirojnë (90 ditë në gjashtëmujor do të llogariten duke mbledhur gjithë ditët e qëndrimit në territorin Shengen, edhe ato jo në vazhdimësi; gjashtë muajt do të fillojnë nga momenti i hyrjes së parë në territorin Shengen).
3. Cilat do të jenë rregullat për t'u respektuar?
Rregulla kryesore është ajo e periudhës së qëndrimit: në fakt liberalizimi i vizave i përket vetëm vizave afatshkurtra (deri në 90 ditë në 6 muaj), ndërsa mbetet e pandryshueshme rregullorja e vizave afatgjata (vizat kombëtare të tipit D; shiko pika 6). Qytetari shqiptar mund të qëndrojë në territorin Shengen 90 ditë në 6 muaj pa kërkuar vizë. Në rast se keni për qëllim të qëndroni gjatë, duhet të kërkojnë vizë pranë Zyrës konsullore përkatëse. KUJDES: kush do ta kalonte këtë periudhë, duke qëndruar në territorin e Vendeve Shengen më gjatë se periudha e lejuar, mund të përjashtohet (për pasojë ndalimin për të rihyrë) .
4. Cilët janë dokumentet e nevojshëm për hyrjen në zonën Shengen?
I vetmi dokument i nevojshëm për hyrjen në territorin Shengen është pasaporta biometrike. Duke konsideruar tarifat e larta të sistemit shëndetësor të Vendeve Shengen, gjithsesi është shumë e rekomandueshme prerja e një siguracioni shëndetësor përpara nisjes. Qytetarit, nëse i kërkohet, duhet të demonstrojë qëllimin, kushtet e mjetet e udhëtimit.
5. A do të jetë e detyrueshme marrja me vete e kartës së kreditit ose e lekëve kesh, e një bilete kthimi apo e një figuracioni shëndetësor?
Siç e përmendëm, hyrja në zonën Shengen, do të jetë e mundur për qytetarët shqiptarë vetëm me paraqitjen e pashaportës biometrike të vlefshme.
Megjithatë Autoritetet e Policisë kanë gjithmonë të drejtën e kryerjes së kontrollove dhe çdo qytetar duhet të demonstrojë, nëse i kërkohet, qëllimin dhe kushtet e qëndrimit të tij (p.sh. nëpërmjet prenotimit të hotelit dhe/ose biletës së kthimit) dhe të disponojë mjete financiare të mjaftueshme në lidhje me llojin, kohëzgjatjen e parashikuar të qëndrimit dhe shpenzimet për kthim në vendin nga i cili ka ardhur. Pra vendimi përfundimtar për hyrjen e qytetarëve në zonën Shengen mbetet gjithmonë në kompetencat e Policisë së Kufirit, e cila mund ta kthejë mbrapsht qytetarin që nuk është në gjendje të paraqesë sa më sipër.
6. Në cilat raste vazhdon të nevojitet kërkesa për vizë?
Lëshimi i vizës vazhdon të nevojitet në të gjitha ato raste në të cilat qytetari shqiptar ka për qëllim të qëndrojë në territorin Shengen për më shumë se 90 ditë në një gjashtëmujor dhe mendon të kërkojë leje qëndrimi. Tipologjitë më të shpeshta janë: vizë për studime, vizë për punë të varur, vizë për bashkim familjar. Pra për të studiuar ose për të punuar në Vendet Shengen është e domosdoshme, në çdo rast kërkesa për vizë.
7. Po në procedurën për kërkesën e vizave kombëtare do të ketë ndryshime?
Jo, procedura për vizat kombëtare afatgjata ( si studim, punë e bashkim familjar) do të mbetet e pandryshuar ekzaktësisht si më parë.
8. A mundet që pas liberalizimit, të hyjnë në shtetet Shengen edhe ata qytetarë shqiptarë që kanë pasur një urdhër largimi, ose ata të cilëve për një motiv tjetër u është ndaluar hyrja në zonën shenjen për një farë periudhe?
Absolutisht jo. Sigurisht që ndalimi i hyrjes në Vendet Shengen ruan të njëjtën vlefshmëri edhe pas liberalizimit të vizave. Personave, të cilët rezultojnë në Sistemin Informativ të vendeve Shengen, do t'iu refuzohet hyrja në kufi.
Sondazhi: 60 % e shqiptarëve drejt zonës Shengen brenda 6 muajve
Ministrat e brendshëm të Bashkimit Europian miratuan në fillim të muajit propozimin për udhëtimet pa viza në zonën Shengen të qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjë- Hercegovinës. Qytetarët e këtyre dy vendeve duke filluar nga 15 dhjetori do të mund të udhëtojnë me një pasaportë biometrike pa viza në vendet e BE-së që janë pjesëtare të politikës së përbashkët të vizave dhe ato që janë në zonën Shengen.
Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, tha se ky vendim duhet t'i inkurajojë këto vende për të kryer reformat e nevojshme për t'u afruar më shumë me BE-në.
Heqja e vizave pritet të lehtësojë kontaktet midis njerëzve, do të ndihmojë në marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit, si dhe do të krijojë një mundësi për popujt e këtyre vendeve ta njohin BE-në më mirë.
Megjithatë, BE-ja shpreh shqetësim në lidhje me abuzimin e mundshëm të kësaj të drejte.
Komisioni Europian ka krijuar një proces monitorues që synon të parandalojë rreziqet për abuzimin dhe keqpërdorimin e procedurave të kërkimit të strehimit.
Sipas një sondazhi, 60 për qind e qytetarëve në Shqipëri do të udhëtonin drejt zonës Shengen brenda gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm, pra, menjëherë në periudhën që hyn në fuqi qarkullimi pa viza në këtë hapësirë. Sondazhi i kryer nga instituti EUNACAL në Tiranë tregon, gjithashtu, se arsyeja kryesore e udhëtimeve do të jetë vizita te të afërmit dhe familjarët që punojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Por megjithë fluksin e pritshëm, asnjë destinacion europian nuk ka kaluar ende në top-listën e preferencave të shqiptarëve. Sipas disa statistikave të Sava Tours, e cila nga një sondazh me lexuesit në Shekullit Online del agjensia më e preferuar e prenotimeve në Shqipëri, destinacioni më i dashur për shqiptarët mbetet ende jashtë Europës. Ai është Dubai.