Dr. Alban Daci
27 dhjetor 2010
Gazeta Tema
Kush ka jetuar jashtë shtetit e ka shumë të lehtë të konstatoi se çmimet e biletave për të udhëtuar me avion nga Shqipëria drejt Europës janë absurde. Edhe para liberalizimit të vizave, shumë shqiptarë, që jetojnë jashtë, nuk kanë mundur me ardhur pranë familjeve, për faktin se çmimet e biletave janë aq shumë të larta, sa mund të konsiderohen të çmendura.
Teoria e rritjes së çmimeve në pragun e festave, është një teori e vjetër dhe katile që zbatohet rëndomtë vetëm në Shqipëri. Shqiptarët, jo që nuk shkojnë drejt Europës, për mënyrën e të jetuar dhe të bërit biznes, por shkojmë krejt drejt krahut të kundërt të saj.
Në pragun e festave, në Shqipëri, edhe çmimet e ushqimeve elementarë, pa të cilat nuk mund të jetohet, dyfishohen, trefishohen, katër afishohen...shumëfishohen.
Në çdo vend të Europës gjatë festave, çmimet e ushqimeve, dhuratave, rrobave, skontohen dhe jo rrallë herë përgjysmohen. Në Europë, gjatë festave, sidomos në prag të Krishtlindjeve, të gjithë qytetarët bëhen më të mirë, më tolerantë, më njerëzorë, kurse në Shqipëri, sikur festat i bëjnë më të këqij, më të pamëshirshëm dhe më pak tolerantë.
Shumë shqiptarë, që jetojnë në Europë dhe dëshirojnë shumë të kthehen për të festuar me familjet në Shqipëri, nuk munden për shkak të çmimeve të biletave. Biletat e avionit nga Italia për Shqipëri, në pragun e Vitit të Ri, historikisht kanë kapur tavane të çmendura çmimesh. Nuk kanë munguar, rastet kur çmimi i biletave të ketë vajtur edhe 1000 Euro. Ky është një çmim sa abuzues edhe absurd në të njëjtën kohë.
Absurd, sepse me 500 Euro mund të gjesh biletë avioni nga Italia për në New York, që zgjatë 8 orë udhëtim. Nuk janë të paktë rastet ku nga Italia në Gjermani, mund të shkosh me avion duke paguar vetëm 5 Euro për një biletë. Ndërsa, për dy orë pa një çerek udhëtim nga Italia në Shqipëri, çmimi 400 Euro i biletës nuk është tjetër gjë veçse abuzim.
Nuk janë të paktet rastet, kur shumë studentë, që janë me studime në Itali, kanë qëndruar një vit rresht për të ardhur pranë familjes, për shkak se nuk kishin para të blinin 400 Euro një biletë avioni. Me këtë lloj çmimi edhe ata që nuk janë me studime, por që punojnë çdo ditë, mendohen disa herë që të vijën apo jo për festa në Shqipëri.
Them se është absurd, pasi edhe shërbimi që të ofrojnë kompanitë shqiptare të udhëtimit, nuk e justifikojnë fare atë çmim bilete. Nuk janë të pakta rastet (ndodh pothuajse gjithmonë) që avionët të mos respektojnë oraret e vendosura në biletë. Një radhë duhet të vija nga Gjenova në Tiranë me një kompani shqiptare.
Sipas orarit duhet të niseshim rreth orës nëntë të darkës. Jo vetëm që nuk u nisem në orën nëntë, por kemi qëndruar sikur të ishim bagëti në aeroportin e Gjenovës deri rreth orën 4 të mëngjesit dhe askush nga kompania nuk po na jepte shpjegime. Madje nuk nguruan fare të kontaktonin me ne për të na kërkuar falje për situatën e krijuar dhe të na garantonin sa më shpejt një zgjidhje të duhur për të dalë nga situata absurde që po përjetonim me pa të drejtë.
Në aeroport, ndër të tjerë, ishin edhe pasagjerë të moshuar dhe të sëmurë, fëmijë të vegjël që po prisnin nisjen. Kompania e udhëtimit jo vetëm që nuk na dha asnjë shpjegim, por as nuk ka ofroi asgjë, si dhe nuk na bërë asnjë dëmshpërblim për këtë pritje absurde, të pakuptimtë dhe të stërzgjatur. Gjatë kohës, që po prisnim në aeroport, mora në telefon një gazetar të njohur në Shqipëri, që ta bënte lajm rastin tonë. Ai u përgjigj: “Më vjen keq, por jam me pushime”.
Me të drejtë pasagjerët u revoltuan dhe kërkonin të gjenin në vesh të shurdhur të drejtat e tyre. Edhe pse pritëm deri në mëngjes në aeroport, më në fund u nisëm dhe erdhëm në Shqipëri pranë familjeve tona. Çdo gjë u la në harresë, sepse qytetarët nuk kanë më besim se duke e kërkuar të drejtën do e gjesh. Është krijuar një bindje e përgjithshëm tek shqiptarët, se për çdo padrejtësi, lere mos e kërko, se do të lodhesh kot dhe nuk do të dëgjoi njeri.
Faktin e mos respektimit të orarit nga kjo kompani shqiptare, kush ka udhëtuar me të e njeh shumë mirë. Ajo është krejt normale, saqë kur pasagjerët shkojnë në aeroport, ku qëndrojnë në pritje për t’u nisur, gjëja e parë që thonë është: “Kush e di kur do të nisemi, sepse për t’u nisur në orar as nuk bën vaki”.
E njëjta gjë ndodh edhe me udhëtimet me tragete, ku kushtet lënë për të dëshiruar. Banjat kur zgjohesh në mëngjes kanë shpërthyer dhe të qelbin me erë. Njerëzit, dikush me ndonjë batanije, dikush vetëm me çarçaf dhe ndonjë tjetër pa asgjë, shtrihen nëpër korridore të tragetit, sikur të ishin bagëti. As tragetet nuk e respektojnë asnjëherë orarin e nisjes që vendosin në biletë. Jo rrallë herë ndodh të qëndrosh në treg në portin e Barit, ose të Durrësit, deri në mëngjes pa u nisur.
Prandaj, nga ajo që thamë, me thënë të vërtetën, më shumë jemi vetë ne shqiptarët që i kemi vënë vetës tonë murin e lëvizjes së lirë se sa na e ka vënë Europa. Dëshiron të kthehesh për festa në Shqipëri, por nuk ke mundësi, sepse çmimi i biletës është shumë i lartë dhe i papërballueshëm. Dëshiron të kthehen në Shqipëri në festa, por nuk e bën, sepse je i sigurt se do të nisesh shumë më vonë se sa orari i biletës, dhe prindërit do të rrinë gjitha natën pa gjumë, duke ndjekur lajmet në televizor me ankthin dhe frikën e madhe se mund të dëgjojnë ndonjë lajmi të keq.
Këto lloj absurditetesh dhe abuzimesh kanë vazhduar që ndodhin për shumë vite me radhë mbi kurrizin tonë. Megjithatë, ashtu siç e thashë, ne shqiptarët kemi një ndjenjë të lartë harrese për fenomenet negative për jetën tonë, si dhe kemi një ndjenjë të madhe nostalgjie për ato pak fenomene pozitive, që mund të na ndodhin gjatë jetës.
Po vazhduam kështu, shumë shpejt do të harrojmë jo vetëm përjetimet negative, abuzimet, shkeljen e të drejtave tona, por edhe faktin se jetojmë dhe marrim frymë. Do të harrojmë, se ne jemi qenie njerëzore dhe që gëzojmë një seri të drejtash të garantuara nga Zoti, natyra dhe shteti. Ne po harrojmë, se kemi të drejta, dhe se kur na shkelen duhet të luftojmë me mjete legjitime deri në fund për t’i rifituar. Ne duhet të zgjohemi në mëngjes, duke i thënë vetës, jam gjallë dhe kam të drejtë të jetoj mirë, të jem i lumtur, të vij për festa pranë familjes, të lëviz lirshëm pa barriera absurde, të kërkoj të drejtat e mia të mohuara, të luftoj për t’i rifituar kur më mohohen.