Tuesday, December 21, 2010

Fiton diktatori, humb populli


Dr.Alban Daci | 20/12/2010 |
SHEKULLI ONLINE

Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së kanë kritikuar ashpër zgjedhjet në Bjellorusi, duke thënë, se nuk ishin të lira, numërimi ka qenë i "mangët" dhe policia ka vepruar "me dorë të fortë" në dëm të opozitës.
Pawel Poncyliusz, deputet polak, që bën pjesë në skuadrën e vëzhguesve të OSBE-së, ka thënë për televizionin polak "Tvn 24" se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë do të japë një opinion negativ mbi zgjedhjet. "Opinioni nuk mund të jetë pozitiv.
OSBE do të nënvizojë disa përmirësime të vogla... por, le të themi të vërtetën, një vend, ku shpërndahet gjaku gjatë manifestimeve nuk është afër standardeve demokratike. Pres që opinioni mbi këto zgjedhje të jetë negativ", - ka thënë ai.
Fitorja e Lukashenkos - Mijëra opozitarë në shesh, përleshje dhe qindra arrestime kanë pritur në Bjellorusi fitoren për një mandat të katërt të presidentit Alexander Lukashenko.
Në pushtet, pa ndërprerje, që nga viti 1994, Lukashenko, duke kaluar në rezultat final edhe parashikimet e "Exit Poll", ka çuar në shtëpi një rezultat në favor të fitores së tij të barabartë, pothuajse me 80% në zgjedhjet e fundit të sapo realizuara. Përsëri, opozita kundërshtoi rezultatin final të dalë nga këto zgjedhje, duke e cilësuar si të "trokuar" dhe kërkoi që të ribëhen, pa Carin në krye.
Protesta në shesh - siç kishte ndodhur në zgjedhjet e fundit presidenciale të 2006, mijëra, ndoshta më shumë se dhjetë mijë manifestues, që deri në mbrëmje ishin mbledhur në Minsk, në sheshin kryesor të pavarësisë, kanë kërkuar të futen në pallat, ku kanë seli qeveria, parlamenti dhe komisioni i zgjedhjeve, duke shkatërruar dyert dhe dritaret, para se të largoheshin nga autoritet e policisë, që po ruanin ndërtesën.
Pas kësaj ngjarje, gazetarët kanë denoncuar arrestimin e mijërave protestuesve. Mes të ndaluarve, mund të jetë edhe një gazetar i AFP-së.
Opozita në burg - Opozita ka deklaruar se shtatë nga nëntë kandidatët në zgjedhjet presidenciale janë ndaluar, pasi u shpërnda një manifestim kundër presidentit. Sipas të njëjtave burimeve të opozitës, dy të vetmit kandidatë, që kanë arritur të arratisen nga ndalimi i autoriteteve policore janë Iaroslav Ramanshuk e Viktor Tereshenko.
Andrei Sannikov, Nikolai Statkevitch, Rygor Kastussev, Vitali Rymachevski, Vladimir Nekliaev, Ales Mikhalevic e Dmitri Ouss janë të gjithë në duart e policisë, këtë e pohojnë mbështetësit e tyre.
Si selitë e partive opozitare, ashtu edhe shtëpitë e liderëve të tyre kanë qenë objekt i kontrollove të policisë gjatë natës së manifestimeve, por këto informacione vazhdojnë të mos kenë një konfirmim zyrtar.
Akuzat për mashtrim - Disa të plagosur, mes të cilëve edhe një ndër kandidatët e opozitës, poeti Vladimir Nekliaev, ka përfunduar në spital me shembje cerebrale.
Për opozitën, edhe pse "Exit Poll" filo-qeveritar i dha 79.1% (dhe Komisioni zgjedhor foli për të dhënë paraprake që ishin rreth 89.1%, Lukashenko nuk do të kishte arritur 50% e domosdoshëm për të kaluar turnin e parë. Të dhënat janë falsifikuar, ky është lajtmotivi, që përsëritet në manifestimet e Minks, ku valëviten flamujt kombëtarë dhe ato të Bashkimit Europian.
Pavarësisht nga numrat preciz të dalë mbi këto zgjedhje, fitorja e "diktatorit të fundit të Europës", siç e përcaktoi George Ë. Bush, është - siç pritej e rreme dhe e kundërshtuar nga opozita.
Policia konfirmon qindra arrestime - Ministria e Brendshme bjelloruse ka konfirmuar "qindra arrestime" dhe Komisioni i zgjedhjeve nxitoi të jepte datën e inaugurimit të mandatit të ri për Lukashenko: brenda 19 shkurtit, ka deklaruar se do të bëhet. Policia filloi të japë numrat e arrestimeve të bëra gjatë manifestimeve në sheshin e pavarësisë (Minks).
"Deri tani janë arrestuar qindra persona", - ka deklaruar për 'Interfax' një zëdhënës i këtij dikasteri, "gjenden në një vend të veçantë të Departamentit të Brendshëm".
Diktatori - Bjellorusia me sa duket duhet të durojë edhe për katër vitet e ardhshme Lukashenkon, i cili, tashmë, ka 16 vjet (ishte viti 1994 kur u zgjodh për herë të parë) që po drejton me grusht të hekurt vendin, duke kontrolluar mediat, duke bërë të heshtë opozitën, duke përdorur shërbimet sekrete (në Minks quhen akoma KGB) në një komb me një ekonomi të grirë dhe të ndalur në vend numëro që nga kohët e ish-Bashkimit Sovjetik.
Lukashenko ka modifikuar edhe ligjin që parashikonte maksimumi dy mandate rresht. Tashmë, topi i lojës kaloi edhe mbi vëzhguesit e OSBE-së dhe vlerësimin e tyre, i cili është i pritshëm për nesër.
Më interesantja e Lukashenkos është fakti, se ai nuk mohon aspak faktin se qeveris më dorë të hekurt mbi qytetarët. "Është karakteristikë e imja stili i qeverisjes autoritare dhe unë gjithmonë e kam pranuar këtë", - thotë për shembull në dhjetë gusht të vitit 2003. "Një qeveritar ka nevojë të mbajë pikërisht popullin nën kontroll, dhe gjëja më e rëndësishme është që të mos rrënojë jetën e njerëzve".
Gjithashtu, aq i sigurt është në stilin me të cilin qeveris, sa ka deklaruar, që kemi trokuar votat. Këtë e ka thënë në një konferencë për shtyp përpara gazetarëve ukrainas: "Po, i kemi falsifikuar zgjedhjet.
Kam folur për këtë gjë me Perëndimin. Unë thash se 93.5% kanë votuar për mua si president. Këshilltarët e mi më thanë se kjo nuk është përqindje europiane (në traditën europiane nuk mund të fitohen me këtë rezultat zgjedhjet e zhvilluara në një proces transparent demokratik). Kështu që ne komunikuam rezultatin 86%. Kjo është e vërteta. Lukashenko këto komente i ka bërë gjatë zgjedhjeve të 2003-shit.
Shtetet e Bashkuara - Kritikojnë përdorimin e tepruar të forcës në dëm të opozitës. Këtë e ka shprehur në një komunikim ambasadori amerikan në Minsk, menjëherë pas represionit të bërë në një manifestim me mijëra pjesëmarrës, që kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Kush fitoi në këto zgjedhje dhe kush humbi - Në këto zgjedhje të zhvilluara në Bjellorusi, ashtu si edhe në katër të parat, ka fituar Lukashenko, një diktator i pamëshirshëm, që qeveris me dorë të hekurt duke mbrojtur interesat e tij personale dhe familjare dhe duke abuzuar mbi të drejtat dhe liritë e qytetarëve të tij.
Fitoi trukimi i zgjedhjeve mbi zgjedhjet e lira, fitoi tirania mbi demokracinë. Humbi Perëndimi me modelin e tij demokratik dhe fitoi carizmi i modelit Putin-rus. Fitimi i mandatit të katërt është një shembull negativ, jo vetëm për Bjellorusinë, por edhe për shumë vende të tjera, ku demokracia është akoma e brishtë dhe e pakristalizuar.
Fitorja e "tiranit të fundit në Europë", rrit shpresën dhe dëshirën, që edhe në vende të tjera të botës të lindin tiranë të tjerë, të cilët mund të vijnë në pushtet dhe të qëndrojnë përjetësisht përmes vjedhjes së votës së lirë. Këto zgjedhje treguan edhe një herë se demokracia mund të sfidohet nga tirania, nëse populli nuk e mbështet fuqishëm dhe deri në fund.

****************************

Vëzhguesit nga Organizata Evropiane e Sigurisë (OSBE) thonë se kanë gjetur difekte serioze në zgjedhjet e së dielës
OSBE rrëzon zgjedhjet në Bjellorusi
Vëzhguesit nga Organizata Evropiane e Sigurisë (OSBE) thonë se kanë gjetur difekte serioze në zgjedhjet e së dielës në Bjellorusi, të cilat u fituan nga presidenti aktual, Alexander Lukashenko.
Vëzhguesit si nga perëndimi ashtu edhe nga Evropa Lindore - kanë kritikuar numërimim e votave.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme ka bërë thirrje për lirimin e katër kandidatëve të arrestuar pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale tashmë të diskutueshme në Bjellorusi.
Baronesha Catherine Ashton ka dënuar edhe dhunën që pasoi protestat kundër rizgjedhjes së presidentit Lukashenko.
Shefja e politikës së jashme të BE-së ka shprehur shqetësim të veçantë në lidhje me atë që dukej si rrahja dhe arrestimi i disa udhëheqësve te opozitës, përfshirë këtu një numër të kandidatëve për president.
Përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e saj në Bruksel, baronesha Ashton ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve nga autoritetet e Bjellorusisë.
Ndërkohë, Alexander Lukashenko, i cili ka ndërmarrë kohët e fundit hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me BE-në, u rizgjodh me gati 80 për qind të votave, por kundërshtarët e tij pohojnë se votimi ishte i manipuluar.
Një mision vëzhgues rus i pranishëm atje tha se zgjedhjet ishin të ligjshme.