Vdiq në moshën 69-vjeçare Richard Holbrooke, gjiganti i diplomacisë amerikane, protagonist kryesor i paqes së Dayton-it. "Holbrooke i ka shërbyer për thuajse gjysmë shekulli vendit të tij që e donte shumë", - ka thënë Hillary Clinton në momentin që u ka konfirmuar gazetarëve vdekjen.
Shtetet e Bashkuara "kanë humbur një ndër mbrojtësit më të vendosur dhe një ndër shërbyesit më të devotshëm". Holbrooke të shtunën e kaluar ishte shtruar urgjentisht në spital për një gërvishtje të aortës si pasojë e një ataku në zemër. Për këtë arsye, mjekët kanë tentuar t'i bëjnë një ndërhyrje kirurgjikale. Fjalët e tij të fundit, siç ka thënë familja e tij për "Post", ka qenë: "Ndaloni luftën në Afganistan".
Presidenti amerikan, Barak Obama, është shprehur i pikëlluar për vdekjen e të dërguarit special në Afganistan dhe Pakistan, duke e përcaktuar si një "figurë unike" dhe "një gjigant të vërtetë të politikës së jashtme amerikane". Holbrooke - shkruan Obama në një komunikatë - lë kujtimin e "diplomacisë së tij të palodhshme, të dashurisë së tij për vendin dhe të kërkimit të tij të palodhshëm për paqen në vende të ndryshme të botës".
"Kur jam bërë president - ka konfirmuar - isha i lumtur që Richard pranoi t'i rishërbente përsëri vendit". Holbrooke diplomat i zoti dhe si njeri i drejtpërdrejt në bisedime, qe protagonisti i maratonës diplomatike me ish-presidentin Slobodan Milosevic për të ndalur krizën e Kosovës.
I lindur në New York më 24 prill 1941, biri një hebreu gjerman të arratisur nga persekutimet në Gjermani gjatë viteve '30, Holbrooke kishte një karrierë të gjatë diplomatike mbi shpatulla.
Në maj të vitit 1968 merr pjesë në negociatat e para mbi Vietnamin, si asistent i bisedimeve për paqe të Parisit. Me presidentin Carter bëhet zv.sekretari më i ri i SHBA-ve, i ngarkuar me çështjet e Paqësorit dhe të Azisë lindore. Ishte pikërisht më vonë Bill Clinton që e thirri në politikë duke e emëruar më parë si ambasador në Gjermani dhe në vitin 1994, zv.sekretar të Shtetit për çështjet europiane dhe kanadeze.
Në këtë rol, në vitin 1995, i besohet ndërmjetësimi në Bosnje. Ai me vendosmëri dhe me aftësi të lindur dialoguese e detyron Milosevicin të bëhet garantues i paqes në marrëveshjet e Dayton-it në dhjetor të vitit 1995.
Në vitin 1996, Holbrooke rikthehet për të bërë super ndërmjetësuesin fillimisht në krizën e qipriote dhe pastaj në ish-Jugosllavi, për Kosovën. Nga 1999 deri 2001 ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB. Në 2004 merr pjesë si këshilltar në fushatën elektorale të Senatorit John Kerry. Në vitin 2009 u emërua nga Obama si i dërguar special në Afganistan e Pakistan.
Kur Holbrooke bëri një vizitë në Ballkan bashkë me përfaqësuesin e lartë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kushner, shkoi edhe në Serbi, ku ndër të tjera bisedoi edhe me shumë politikanë serbë për Kosovën.
Ja si është prehur ai në lidhje me vizitën që bëri në Serbi: "Kur shkova në Beograd me Bernardin u thashë serbëve se ato u duhet të bëjnë një zgjedhje historike. Ata duhet të zgjedhin midis Kosovës dhe Europës. Nëse duan të integrohen në Bashkimin Europian, ata duhet ta kuptojnë se këtë nuk mund ta bëjnë deri sa të zgjidhet statusi i Kosovës.
Nëse zgjedhin Kosovën, ata humbasin dyfish, sepse Kosovën ata e kanë të humbur. Këtë e pranojnë edhe vetë serbët në biseda private, edhe serbët konservatorë. Madje, ata kanë një mënyrë për ta shpjeguar humbjen e Kosovës. "Millosheviçi e humbi Kosovën për ne", - thonë ata.
Nga ana tjetër, serbët kanë dy shqetësime të ligjshme: sigurinë fizike dhe të drejtat civile të pakicës në Kosovë, si dhe monumentet shumë të rëndësishme kulturore dhe fetare.
Vetëm leximi i këtij paragrafëve, na ndihmon të kuptojmë se ai ishte një mik i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës, sepse ai luftoi dhëmb për dhëmb me Hitlerin e Ballkanit, Sllobodan Miloshevicin dhe shpurën e tij naziste që shtypi, masakroi dhe dëboi shqiptarët e Kosovës nga trojet e tyre.
Ai nuk luftoi vetëm për Kosovën, por për stabilitetin në Ballkan. Me inteligjencën dhe mprehtësinë diplomatike, ai luftoi për stabilitetin në Ballkan ndaj dhe i këshillonte: "Dështimi ynë më i madh nuk është moskapja e Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit, por mungesa e stabilitetit si pasojë e moskapjes së tyre".
Vdekja e Holbrooke është një humbje jo vetëm për Diplomacinë dhe interesat amerikane në botë, por edhe për Kosovarët. Shumë shpejt Kosova do të përfshihet në bisedime me Serbinë, edhe pse SHBA-të, nuk do të marrin pjesë drejtpërdrejt në këto bisedime, jam i sigurt që nëse Holbrooke do të jetonte, si njeri që luftonte për paqen dhe që mbrojti kosovarët në kauzën e tyre të drejtë, do të luante një rol vendimtar që këto bisedime të ishin pozitive, transparente dhe demokratike sipas rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare në fuqi.