Wednesday, December 8, 2010

Protestojnë studentët e Fakultetit të Mjekësisë: flet Taulant Muka

Intervistoi: Alban DACI

Taulant Muka, është student i vitit të pestë në Fakultetin e Mjekësisë, kryetar i Lëvizjes Studentorë në këtë fakultet dhe drejtues i revistës “Alb Medicus”.

- Taulant, si fillim dëshiroj të prezantoheni, kush jeni, çfarë viti po ndiqni në Fakultetin e Mjekësisë, çfarë rezultatesh keni në studime?

Unë, jam Taulant Muka, student i vitit të pestë Fakulteti i Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme. Si student, jam me rezultate shumë të mira, teorikisht i mirëpërgatitur, por praktikisht jo. Ky fakultet, ku kam studiuar, sot, pas pesë vitesh, kam arritur në përfundimin, se nuk më ka ofruar nivelin e kërkuar, përsa i përket mësimdhënies.

- Ju jeni kryetar i Lëvizje Studentore në Fakultetin e Mjekësisë. Çfarë mund të thoni më shumë rreth kësaj organizate studentore jo qeveritare?

I gjithë ky aktivitet ka filluar që në nëntor të 2008-ës, nga një peticion i nënshkruar nga shtatëqind studentë të Fakultetit të Mjekësisë në lidhje me faktin se mungonin strukturat e domosdoshme, si literatura, mjediset e papërshtatshme të auditorëve (gjatë dimrit, studentët qëndrojnë te veshur me xhupa dhe me shall, sepse bën shumë ftohtë dhe nuk ka një sistem ngrohje), për faktin se pedagogët nuk vinin në leksione, sepse bënin edhe angazhime të tjera të tjera profesionale në klinika private si mjek dhe në universitete private si pedagog. Ky peticion ju drejtuar Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të asaj kohe. Në fillim Dekani na mori me lajka, duke thënë, se kërkesat tona do të plotësoheshin, por duke parë që ato mbeten vetëm premtime dhe nuk u realizuan asnjëherë, themeluam revistën studentore “Alb Medicus”, në të cilën u trajtuan shumë problem të studentëve dhe me 25 mars krijuam Lëvizjen Studentore për reformimin e sistemit arsimor shëndetësor. Edhe Dekani i asaj kohe na mbështeti fillimisht për këtë iniciativë, por deri me datë 24 nëntor nuk u realizua asnjë nga kërkesat tona që i kishim paraqitur dekanit dhe pikërisht me këtë mori fillimin kjo lëvizje e madhe që po ndodh sot, Lëvizja Studentore, e cila kërkon dhe ka si objektiv kryesor reformimin e Fakultetit të Mjekësisë. Në Fakultetin e Mjekësisë vijnë prurjet më të mira të studentëve, ku përqindja më e madhe, por të mos thënë të gjithë, vijnë nga shkollat e mesme me mesatare mbi nëntë dhe për rrjedhojë shërbimi që duhet t’u ofrohet atyre duhet të jetë një shërbim elitar. Ne kërkojmë realizimin e sa më shumë praktikave për studentët në lëndët klinike. Kjo aktualisht në Fakultetin e Mjekësisë është një mangësi e madhe, sepse studentët në vit të pestë dhe të gjashtë nuk dinë të bëjnë procedura të thjeshta klinike, si për shembull: një pjesë e madhe e studentëve nuk din as matjen e tensionit që është më minimalja, nuk dinë të përdorin as stetoskopin, nuk dinë të interpretojnë një ekografi. Pra, nuk dinë atë që duhet të jenë baza e punës për një mjek familje në të ardhmen. Kërkojmë edhe probleme që lidhen me infrastrukturën, me librat ( janë akoma ato të viteve shtatëdhjetë, ku përmenden akoma Partia e Punës). Ndërkohë infrastruktura, si për shembull: biblioteka e Fakultetit të Mjekësisë është një bibliotekë që në hapësirën e saj mban maksimumi 30 studentë, duke parasysh se në Fakultetin e Mjekësisë studiojnë 300 studentë. Gjithashtu, kërkojmë metoda të reja mësimdhënie. Sot studenti në Fakultetin e Mjekësisë pyetet si në klasë të parë, ngrihet studenti në mësim dhe i thuhet nga pedagogu më lexo këtë pjesë të librit. Kjo gjë është e pakonceptueshme në çdo universitet të botës. Ne kërkojmë që përmes trajtimit të rasteve klinike, ne të përfitojmë jo vetëm nga ana praktike, por edhe nga ana teorike. D.m.th që studenti të evoluohet në zgjidhjen e problemit dhe jo vetëm të qëndroi indiferent, sepse e jep profesori zgjidhjen. Studenti duhet të jap zgjidhjen dhe gjykimin e tij për zgjidhjen e problemit në bazë të informacionit teorik që ai ka. Pavarësisht gabimeve që mund të bëj, ai kupton në këtë mënyrë, atij i jepet pavarësia për të gjykuar në formë të pavarur.

- Duke pasur parasysh faktin, se ju jeni student i vitit të pestë në Fakultetin e Mjekësisë dhe gjatë periudhe keni fituar një eksperiencë të mirë për mënyrën se funksionon ky fakultet: A mendoni se përzgjedhja e studentëve për të vazhduar mjekësinë është bërë gjithmonë duke respektuar meritokracinë, apo janë përdorur edhe mënyrë të tjera, si miku, paraja etj?

Unë, vetë jam brezi i parë i maturës shtetërore. Mendoj se nga brezi im dhe për të tjerët që kanë ardhur mbrapa mendoj, se kanë ardhur me meritë.

- Ju shpesh i referoheni Kartës së Bolonjës. E njihni ju atë? A mendoni se Fakulteti i Mjekësisë plotëson standarde e kësaj karte? Për shembull, në Itali studentët kur mësojnë lëndën “Anatomi njëshi”, kanë në program dhe në dispozicion edhe shtatë atlase prestigjioze. Ju konkretisht, për “Anatomi njëshin”, sa atlase kishit në dispozicion?

Ne kemi vetëm një atlas anatomie që na e ofron Katedra e Anatomisë, i cili është bardh e zi dhe nuk është shumë i qartë në figurat që të ofron. Megjithatë, ai që ka dashur ka bërë akses në librat me literaturë në gjuhë të huaj, pavarësisht kostos së madhe. Karta e Bolonjës në Fakultetin e Mjekësisë, di se është aplikuar vetëm në dy pika: me futjen e sistemit të kredive dhe për diplomën suplementare. Ideja është që të ketë Kartë Bolonje duhet të ofrohet edhe infrastruktura që justifikon standardet e vënë nga ajo. Për shembull, çdo pedagog duhet të di një gjuhë të huaj, mundësisht njërën nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian. Shumë pedagog të Mjekësisë nuk dinë asnjë gjuhë të huaj, kjo është një mangësi e madhe në Fakultetin e Mjekësisë. Duhet të ketë libra që janë sipas standardeve të kohës dhe jo, siç ju thashë më sipër, të studiohet akoma me librat e viteve 70-të. Pedagogët duhet të jenë të formuar nga ana shkencore. Shumica e pedagogëve nuk kanë publikime dhe botime në revista prestigjioze shkencore. Madje, edhe pse është kjo situatë, pedagogët e vjetër nuk japin akses pedagogëve të rinj në mënyrë që të ketë frymë evropiane në këtë fakultet.

- Pra, ju po thoni se në Fakultetin e Mjekësisë janë një grup të “vjetrish”, që e kanë bërë monopol dijen dhe shkencën dhe nuk lejojnë depërtimin e talenteve të reja?

Pikërisht! Dhe ky shpjegim mund të jepet edhe nga fakti se janë bllokuar specializimet. Kjo ndodh se mjekët ekzistues kanë frikë nga të rinjtë dhe se ato mund të bëhen me të aftë duke i konkurruar. Ka shumë mjekë të rinj që i kanë mbaruar studimet jashtë dhe që kanë treguar se janë të zotë, por që nuk u ofrohen mundësitë për të dhënë mësim, ose për të bërë karrierë, se ato shikohen si rival nga të vjetrit dhe këto të fundit i largojnë ato nga detyrat kryesore profesionale dhe në ato të nivelit drejtues. Nga të dhënat që kam unë, pjesa më e madhe e profesorëve i kanë marrë doktoraturat dhe specializimet nga vitet 1997 deri në vitin 2000. Është e habitshme që, pothuajse, të gjithë shefat e katedrave i kanë marrë pikërisht tituj në këtë periudhë kohore. Ky fakt tregon se atyre ua ofroj sistemi dhe jo aftësia e tyre profesionale.

- Në fakultet evropiane funksionon, që në vitin e tretë, katërt, pestë dhe të gjashtë, sipas lëndëve, bëhen ato që quhen “korsi”. Studentët, të shoqëruar nga pedagogu i lëndës, shkojnë nëpër spitale dhe vëzhgojnë raste të drejtpërdrejta klinike (marrin pjesë si vëzhgues gjatë operacioneve të ndryshme në spitale). A funksionon kështu në Shqipëri? Ju që sot jeni në vit të pestë, në sa raste klinike ke marrë pjesë, të cilat kanë qenë pjesë e programit të studimeve dhe çfarë ke mësuar nga ato?

Unë, mund të kem marrë pjesë vetëm në tre operacione. Kjo ndoshta vjen edhe nga numri i madh i studentëve që jemi në grupe (jemi 24-25 studentë në një grup) dhe normalisht nuk mund t’u krijohet akses të gjithëve. Përfitimi që kemi marrë nga këto eksperienca nuk është shumë i madh, sepse shpesh në operacione krijohet një mjedis kafeneje, ku diskutohet për gjëra pa vlerë, ndërkohë që po operohet i sëmuri. Nga ana tjetër, edhe pse studentët e kanë të detyruar të bëjnë mjekun e rojës, këtu, në Fakultetin e Mjekësisë, nuk është se është i detyruar. Çdo studentë përpiqet t’i shpëtoj dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së disiplinës nga ana e pedagogëve. Për të këtë arsye ne i mëshojmë fort, faktit se duan të formohemi nga ana praktike

- Sot keni bërë një proteste përpara Ministrisë së Arsimit. Çfarë mund të thoni gjerë e gjatë në lidhje me këtë ngjarje?

Meqenëse se Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, ditën e shtunë, bëri publike para medieve faktin skandal se në Fakultetin e Mjekësisë nuk bëhet mësim. Atëherë si mundet që një drejtues i arsimit të lartë të pranoj që në institucionin që ai drejton nuk bëhet mësim, dhe kjo e fundit është një ndër detyrat kryesore të këtij si drejtues. Para këtij fakti ne nuk mund të qëndronim indiferent. Sot, para Ministrisë së Arsimit, ishim për t’i kërkuar përgjigje Ministrit për kërkesat që i kishim dërguar ditën e premte dhe për t’i kërkuar shkarkimin e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, si hapi i parë të reformuar arsimin e lartë shëndetësor.

- Ju si Lëvizje Studentore kërkoni që pedagogët të jenë të pranishëm ne leksion, sepse ato, pothuajse, nuk vijnë fare, sepse kanë edhe shumë angazhime të tjerë profesionale: si punojnë në spitale shtetërore dhe private, punojnë si pedagog edhe në universitete të tjera private. A mendon se ky fenomen është shumë i përhapur jo vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe në shumë fakultete të tjera?

Ideja është se profesorët tanë janë shefa departamentesh, janë shefa pavioni në QUNT, janë mjek në spitale private dhe pedagog edhe në universitete të tjera private. Domethënë, me gjithë këtë ngarkesë që ata kanë dhe me mos angazhimin e tyre nëpër seminare, vijnë në leksione me duar në xhepa dhe na tregojnë histori të viteve 70-të. Ai që viktimizohet nga kjo situatë është pikërisht studenti, i cili, merr një formim të ulët profesionale. Sigurisht, një gjë e tillë ndodh edhe në fakultetet e tjera. Rëndësia e Fakultetit të Mjekësisë rritet më shumë, për shkak edhe të përgjegjësisë që do të ketë mbi supe mjeku i ardhshëm, sepse në dorën e tij mund të jetë pikërisht jeta e pacientit. Zgjidhja mund të jetë që të vendoset që pedagogët të punojnë ose në privat ose në shtet. Nuk mund të tolerohet që ata të jenë të shumë punësuar, duke bllokuar vendet e punës edhe për të tjerët dhe ndërkohë na lënë neve në këtë gjendje që, tashmë, është bërë edhe publike.

- Në Shqipëri vitet e fundit është bërë e udhës, që për kushtet e jetesës si drita, ujë, energji elektrike, edhe kur mungojnë nuk del qoftë edhe një qytetarë që të protestoj. Ndërsa, kur kemi të bëjmë për aksione politike dalin të gjithë me vrap ne shesh. Protesta juaj besoj se është e parë në llojin e saj në 20 vitet e fundit, ku studentët protestojnë se kërkojnë standarde me të larta në mësimdhënie dhe dituri. Politikanët shqiptarë, për çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre politike, ju bëjnë thirrje qytetarëve për të mbushur sheshet dhe për rastin tuaj, askush nga ata nuk ka pasur edhe interesin më të vogël për t’u dëgjuar se përse protestoni. Si e shpjegoni ju këtë?

Nuk di t’i jap shpjegimin e duhur. Ideja është së kjo lëvizje nis nga dëshira për të sjellë një cilësi në Fakultetin e Mjekësisë dhe shpresoj që edhe studentët e fakulteteve të tjera ta përfaqësojnë këtë ide. Ka ardhur koha t’i themi mjaft heshtjes indiferente. Ne jemi disa studentë që krijuam ca ndryshime në fakultetin tonë dhe duke parë pikërisht se këto ndryshime ishin të mundura dhe këtë përsipër këtë organizim madhor që është reformimi i plotë i sistemit arsimor mjekësor. Ne nuk kërkojmë që kjo lëvizje të politizohet, kërkojmë që të jetë një lëvizje studentore për të përfaqësuar interesat e të gjithëve, sepse ne jemi e ardhmja e këtij kombi dhe jemi ne ata që do të drejtojmë në të ardhmen.

- Ju keni një seri kërkesash, të cilat prisni që të aprovohen dhe të pranohen nga Rektorati dhe nga Ministria e Arsimit? Kush do të jetë hapi i radhës nga ana juaj, nëse ato nuk do të pranohen?

Ne kësaj radhe jemi të vendosur në realizimin e të gjithë kërkesave tona. Këto që kemi arritur janë vetëm hapat e para. Ndërkohë, së shpejti do e përshkallëzojmë lëvizjen tonë deri në marrjen e masave ekstreme.

- Për shembull, edhe me grevë urie?

Nuk e përjashtojmë! Jemi të vendosur në kërkesat tona, kemi pritur boll dhe nuk mund të presim më. Unë, për shembull, si student pesë vitet e jetës time kanë shkuar për një formim të dobët si ky që është sot. Kjo ka ndodhur jo për fajin tim, por për fajin të sistemit dhe të asaj që na ofrohet nga ky sistem.