Thursday, December 16, 2010

Tesera që "çan" malet... dhe Europën


Dr.Alban Daci | 16/12/2010 | SHEKULLI ONLINE

Dje, siç u bë e ditur hyri në fuqi liberalizimi i vizave drejt zonës Shengen për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kjo është një gjë mjaft e mirë, sepse shqiptarët për shumë vite kishin krijuar një bindje psikologjike, se janë të refuzuarit e Europës Perëndimore.

Më në fund edhe kjo barrierë psikologjike ndoshta thyhet dhe me të drejtë të gjithë kanë të drejtë të gëzojnë dhe të festojnë sipas dëshirës dhe mënyrës personale.

Megjithatë, nuk duhet të gëzohemi sikur e gjithë bota, tashmë, është e jona, dhe se nga ky moment hallet dhe mënyra e të jetuarit për shqiptarët do të ndryshojë.

Ajo që, dje bëri përshtypje, ishte fakti se Lulzim Basha, Ministri i Brendshëm u nis nga Aeroporti i Rinasit me një grup studentësh të rinj për të vizituar nga afër institucionet e Bashkimit Evropian dhe për t'u takuar me disa nga përfaqësuesit e lartë e këtij institucioni.

E para që dua të komentoj në lidhje me këtë ngjarje është fakti se me çfarë kriteri janë zgjedhur këta të rinj, që udhëtojnë përkrah Ministrit të Brendshëm për vizituar institucionet e Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit e lartë politik të tij.

Dikush do thotë mbi bazën e meritokracisë. Jo, e keni gabim, sepse për shtetin e sotëm shqiptar, fjala "meritokraci", është krejtësisht e panjohur dhe huaj, aliene në truallin shqiptar. Në "sistemin e sotëm" shtetëror shqiptar, meritokracia është aliene dhe persona e talentuar ju japin alergji shtetarëve, ato janë persona të rrezikshëm për ta, sepse dinë shumë dhe janë shumë të shkolluar. "Sistemi i sotëm" shqiptar, nuk ka asnjë ndryshim me sistemin enverist, apo me çdo sistem tjetër totalitar.

Rregulli bazë i këtyre sistemeve ishte se, një elitë e vogël e popullsisë që qeveris vendin, ofron dhe mban rreth vetes vetëm persona me aftësi të kufizuara, njerëz të paaftë dhe njerëz që nuk kanë asnjë lloj kreativiteti për të sjellë risi dhe modele bashkëkohore të standardit europian.

Besoj që kriteri i parë dhe më i rëndësishëm që është zbatuar për të përzgjedh studentët që ka marrë me vete ministri Basha, ka qenë fakti se nëse e kishin teserën e Partisë Demokratike.

Tesera e Partisë Demokratike jo vetëm që "çan" malet, por edhe Europën. Me këtë tesër mund të arrish në gjitha nivelet e shtetit shqiptar. Nëse atë nuk e ke, atëherë, është edhe më keq, se në ato rastet kur një person është klandestin në Itali dhe nuk gëzon asnjë të drejtë politike dhe sociale.

Pra, kushti i parë që ato studentë kanë plotësuar për të udhëtuar në kushte komode me Bashën drejt Europës ka qenë fakti se ato janë anëtarë të Partisë, bijë të Partisë, militantë, që kanë në curriculumin e tyre shumë pjesëmarrje në mitingjet e Partisë Demokratike jo vetëm në Tiranë, por edhe në çdo qytet të Shqipërisë.

Kushti i dytë edhe më i rëndësishëm se i pari, fakti se ato mund të jenë familjarë os të preferuar të ministrave, deputetëve, drejtorëve dhe diplomatëve të Partisë Demokratike. Kjo gjë jo vetëm se është bërë modë në "sistemin shqiptar", por është bërë krejt e pranueshme nga çdo kush që jeton në Shqipëri. Mjafton të përmendim emërimet që bëhen në të gjithë nivelet e administratës dhe të selive diplomatike.

Jam plotësisht dakord dhe ndoshta edhe i gëzuar që një grup të rinjsh po shkojnë me Ministrin e Brendshëm në Europë. Jam i gëzuar se këta të rinj kanë mundësi, më në fund, ta shikojnë drejtpërdrejt Europën dhe të kuptojnë, se sa larg nga ajo është Shqipëria.
Një ditë po qëndroja me një ish diplomat shqiptar, që ka shërbyer në Itali. Ai më tregoi një histori që e kishte përjetuar vetë dhe mua me mbeti në mendje.

"Kishin shkuar si delegacion diplomatik shqiptar në një qytezë të Italisë, në Rapallo, për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe. Sapo zbritëm në tek stacioni në qytezë (Rapallo) pamë një tabele, ku shkruante sot kemi festë, sepse festojmë 100 vjetorin e ardhjes së trenit të parë në qytet. Pasi bëmë disa hapa, folëm me zë të ulët me njëri-tjetrin, duke u shprehur se sa mbrapa qenkemi ne" - ky ishte tregimi i diplomatit shqiptar. Kjo ngjarje kishte ndodhur gjatë fundit të viteve të '80.

Kështu, jam i sigurt që do të ndodh edhe me studentët shqiptarë, të cilët sapo të zbresin në Bruksel, do të flasin me njëri-tjetrin duke thënë: "Sa mbrapa qenkemi ne! Po Shqipëria jonë nuk paska asgjë të përbashkët me standardet e vërteta të Europës".

Por do më gëzonte më shumë fakti, se nëse me Ministrin do të kishin shkuar studentët e talentuar, ato me rezultate të larta, por që nuk kanë asnjë mik, përveç diturive të tyre dhe dashurisë për Europën dhe shkencën.

Do të isha shumë i gëzuar sikur me ministrin Basha, të shkonin edhe qindra studentë të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët prej disa ditësh kanë protestuar, sepse duan më shumë standarde për një dituri të nivelit europian. Ata kanë protestuar, sepse duan që Mjekësia dhe Fakulteti i Mjekësisë të jetë i standardit europian.

U bë një publicitet se Basha shkoi me një grup të rinjsh pa viza për të vizituar Europën.
Megjithatë, dëshiroj që Basha, kur të kthehet të marrë me vete edhe qindra e mijëra të
rinj që kanë mbaruar studimet në Europë.

Këta, të rinj duke njohur "sistemin aktual shqiptar", edhe pse mbarojnë studimet, preferojnë të punojnë kamerierë dhe të qëndrojnë në Europë, se sa të vijnë në Shqipëri, ku vlerat e tyre nëpërkëmben dhe përdhosen nga disa naiv, që janë në krye të strukturave shtetërore.

Z. Basha, po shkon me të rinjtë në Europë, të cilët sapo ta prekin dhe njohin drejtpërdrejt atë, ka shumë mundësi që të mos kthehen më në Shqipëri. Prandaj, ka mundësi që ju z. Basha, do të ktheheni i vetëm në avion dhe sapo të zbresësh në Rinas, do të ritakosh përsëri të vjetrit shekullorë, që ke lënë këtu, në momentin e nisjes.

Ju, ndoshta në vetvete do të ndjeheni i vetëm dhe një i ri i vjetërsuar mes të vjetërve, por në publik do thoni, se ndjeheni mirë këtu në Shqipëri mes të vjetërve, sepse edhe ju, më në fund, po bëheni të vjetër si ata.