Friday, January 14, 2011

Jemi të burgosurit e regjimit


Dr. Alban Daci

Një student nga Tunizia, publikon me emër të rremë një letër në një blog, ku shpjegon arsyen se përse brezi i ri është në protesta. Ai thotë, se për shkak të udhëheqësit tonë despotik Ben Ali, e ardhmja na është mohuar. Ne jetojmë mes frikës nga regjimi dhe dashurisë për Atdheun. Jetojmë mes censurës, varfërisë, pavendosmërisë për të qëndruar, ose për t’u larguar. Për ne, të rinjtë, revolucioni fillon nga fakti, se nuk kemi të ardhme në situatën aktuale që po jetojmë.

Rrëfimi i të riut- Bëj pjesë në brezin që po përjeton në Tunizi mbretërinë absolute të Ben Ali-së. Në lice, kolegj, gjithmonë kemi frikë të flasim apo të bisedojmë rreth politikës. “Nga do jemi të rrethuar nga spiunë, ose si ne jemi mësuar t’i quajmë “rojet e regjimit”. Askush nuk ka guxim të diskutoi në publik. Askush nuk ka besim kundrejt askujt, shërbimi informativ është bërë aq aktiv dhe i frikshëm sa kemi frikë edhe në familje të flasim, sepse asgjë nuk është e sigurt dhe vdekja krejt papritur mund të pres me krah hapur tek porta e shtëpisë, sepse dikush nga familja me dashje, ose pa qëllim, ka thënë diçka që nuk mund të thuhet.
Në këtë situatë të vërtetë terrori dhe tmerri, kemi zgjedhur si rrugë të sigurt heshtjen. Dalim në rrugë, shkojmë në shkollë, dalim në pazar dhe kthehemi në shtëpi pa thënë asnjë fjalë për politikën. Në vitet e liceut kemi filluar të mësojmë historitë dhe përrallat e familjes mbretërore. Mësojmë se kush janë edhe të afërmit e largët të Leila-s (first lady i Tunizisë), e cila ka nën kontroll të gjithë industrinë dhe që flitet se ka marrëdhënie edhe me mafien italiane.
Edhe pse jetojmë një censurë totale, një situatë tmerri, ku frika dhe vdekja për secilin nga ne ecin krah për krahu, ka edhe persona, të cilat marrin guximin të flasim mes tyre, por vetëm kaq, sepse as nuk bëhet fjalë që të kalojnë nga e folura në aksion. Sa më shumë që vazhdojmë të studiojmë në nivele më të larta të diturisë, arrijmë të kuptojmë se televizioni tunizian është më i keqi nga të gjithë, sepse çdo informacion që transmetohet është një himn në vete për Presidentin. Ben Ali, shfaqet gjithmonë sikur është në ditët më të mira të regjimit të rij, sikur vendi po përjeton mrekullitë ekonomike dhe politike. Gruaja e tij shfaqet gjithmonë me buzëqeshjen e saj false që nuk i pëlqen më askujt: ajo asnjëherë para syve të qytetarëve nuk është shfaqur e sinqertë dhe tashmë nuk i beson më askush “mirësisë së saj”.
Jetohet ose nuk jetohet. Ato të shtresës së mesme shoqërore akoma kanë dëshirë të besojmë se gjithçka po shkon për mrekulli në vend. Por, ky konstatim është thjeshtë një iluzion, sepse mjafton të hysh në bare gjatë orëve të pasditeve, për të kuptuar se ato mbushen plot e për plot me qytetarë të rinj, të cilët janë të dëshpëruar dhe të papunë.
Edhe policët, të cilët duhet të ruajnë rendin dhe të garantojnë jetën e qytetareve kanë frikë nga Ben Ali dhe oborri i tij. Nëse ju thua se je një afërm ose pjesë e oborrit të Ali-së, të gjitha portat i ke të hapura, në hotele të japin dhomat më të mira, parkimet janë falas, kodi rrugor pushon së ekzistuari. Kështu që Tunizia shndërrohet në një fushë loje virtuale. Po të jesh i privilegjuar i Alisë, nuk rrezikon asgjë, mund të bësh atë që dëshiron dhe mund ta përdorësh ligjin si të duash.
Interneti është i bllokuar. Faqet që sipas regjimit përbëjnë rrezik, nuk shfaqen fare nëse i klikon, ose dalin sikur janë jo ekzistuese. Jemi të mërzitur me këtë regjim dhe e dimë të gjithë se Ben Ali ka kërkuar të shesë një ishull tunizian, dëshiron të mbyll shkollën amerikane. Këto histori në rezervimin absolut dhe në censurën totale, tashmë, qarkullojnë në vend. Ne e duam vendin tonë, duam ta ndryshojmë atë, por nuk ka një lëvizje të organizuar që mund ta realizojë. Tribuja është gati, por mungon një udhëheqës që ta çojë përpara.
Korrupsioni, mungesa e ligjit, janë fenomenet kryesore që shumë herë edhe përse e duam vendin tonë, na bëjnë të mendojmë se rruga më e mirë për të shpëtuar nga ky realitet është arratisja dhe braktisja e tij. Megjithatë, ka ardhur momenti që për herë të parë të rebelohemi dhe të hakmerremi kundrejt kësaj familje mbretërore që posedon gjithçka, ta përmbysim këtë sistem aktual që na ka shoqëruar për vite me radhë.

Ben Ali, 20 vjet diktaturë- Janë rreth dhjetë milion tunizianë të dënuar me heshtje. Presidenti Ben Ali nuk e toleron opozitën dhe në mandatin e tij të pestë qeveris
ës
, në pamje të parë, me mbështetjen e popullit. Në fakt, Tunizia demokratike është vetëm një ëndërr, të drejtat e njeriut dhunohen dhe mohohen hapur nëse bien ndesh me interesat dhe pushtetin e Ben Ali-së, disidentët përndiqen dhe shtypen. Ka më shumë se 20 vjet që Zine el-Abidine Ben Ali është në pushtet dhe qeveris. Ka më shumë se 20 vjet që kur kalon eskorta e presidenti trafiku s’postohet dhe bllokohet, rrugët boshatisen plotësisht dhe makina e Ali-së udhëton e vetme e me shpejtësi drejt destinacionit.
Ajo ruhet nga forcat e armatosura, nga agjentët civilë, të cilët vëzhgojnë me kujdes çdo fenomen apo person që mund të ndodhet edhe fare rastësisht aty afër, ku po kalon makina presidenciale. Ben Ali edhe pse në vendin e tij dhe për qytetarët e tij ka më shumë se 20 vjet që është një tiran shtypës, ai gëzon shumë mbështetje në Europë. Me Italinë ka një raport të privilegjuar që nga koha e Kraksizmit (Craxsimo) dhe deri në ditët e sotme.
Në lidhje me situatën aktuale në Tunizi, e cila mbetet shumë e tensionuar, ku mijëra qytetarë kanë dalë në sheshe për shkak të nivelit të lartë të pa punësisë, varfërisë dhe mohimit të drejtave të njeriut, Ben Ali ka bërë komentet e tij. Ai, me paturpësinë më të madhe, në një fjalim që ka mbajtur në televizion, të gjithë protestuesit të përfshirë në trazira i ka quajtur terroristë. Pra, ai është aq shumë mizor dhe tiran, sa edhe qytetarët e thjeshtë që protestojnë për më shumë mirëqenie dhe të drejta i quanin terroristë. Edhe pse situata është mjaft kritike në Tunizi, BE-ja, Franca dhe Italia nuk e kanë dënuar deri tani përdorimin e dhunës.
Shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, në veçanti, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar, duke vendosur respektimin e të drejtave të njeriut si kusht për përforcuar marrëdhëniet e Tunizisë me BE-në. “I kërkojmë qeverisë lirimin e menjëhershëm të gazetarëve, avokatëve, blogger-ve dhe të personave të tjerë të arrestuar që manifestojnë më mënyrë paqësore në Tunizi”, ka deklaruar zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancik.

Përkeqësohet situata në Tunizi- Revoltat që deri tani po zhvilloheshin në qytetet periferike të Tunizisë, tani po i afrohen kryeqytetit. Është hera e parë që trazirat dhe protestat përfshijnë edhe kryeqytetin, kur qytetarët po përleshen me forcat e rendit. Demonstruesit kanë sulmuar ndërtesat e lagjes së punëtorëve të Ettadhamoun, 15 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, duke boshatisur rrugës dyqanet dhe duke i vënë flakës një banke.
Policia ka ndërhyrë duke siguruar edhe mbështetjen e ushtrisë. Sipas dëshmitarëve ka të vdekur dhe të plagosur. Në qendër të sulmeve nga ana e policisë së shtetit është edhe shtypi i lirë. Sipas agjencisë “Reporter pa kufij” ka shumë gazetar të arrestuar. Ky lajm është konfirmuar edhe nga rrjeti televiziv al- Jazeera.
Deri tani, sipas burimeve të opozitës flitet për më shumë se 50 të vdekur; qeveria deri tani ka pranuar se ka 14 viktima. Gjithashtu, flitet edhe për një numër akoma më të madh të plagosurish që gjenden në spital nën vëzhgimin e ushtrisë. Protestat masive kundër regjimit dhe papunësisë në Tunizi kanë filluar nga mesi i muajt dhjetor.
Këtë radhë mesa duket protestuesit, ku pjesa më e madhe e tyre janë të rinj, janë të vendosur ta çojnë aksionin e tyre deri në fund. Ato, tashmë e kanë kuptuar se regjimit diktatorial dhe mizor të Ali-së i ka ardhur fundi dhe vendi ka nevojë për një regjim të ri demokratik.

Rast i ngjashëm është Shqipëria- Ashtu si në Tunizi edhe në Shqipëri mijëra të rinj o sillen vërdallë pa punë nëpër qytete, ose largohen duke emigruar në vendet e europiane. Këtu në Shqipëri, jo vetëm të rinjtë që ndoshta nuk kanë një profesion dhe arsim të mirë, por edhe ato që kanë kryer studime të larta me rezultate edhe të shkëlqyere, mbeten pa punë se vendin e tyre e zënë militantët e rëndomtë të partive politike.
Shumë të rinj e shikojnë të ardhmen e tyre të zezë dhe të pa shpresë. Korrupsioni në vend ka kapur majat më të larta, ku morali politik dhe përgjegjësia ligjore për shumë politikanë kanë humbur kuptimin e vërtetë dhe tashmë nuk janë më në modë.
Ashtu si në Tunizi edhe këtu kemi shumë vite që qeverisemi nga politikan tiran të cilët kanë gllabëruar çdo sferë private dhe publike në vend. Qytetarët për ta janë thjeshtë numra votash dhe asgjë më shumë.
Ashtu si në Tunizi edhe në vendin tonë, mjafton të jesh i afërt ose pjesë e lidershipit drejtues dhe dyert i ke të hapura kudo. Nëse je i afërt i “Ali-ut” tonë, edhe policia të ka frikë, kodi rrugor nuk ka më vlerë për ty, makinën tënde mund ta lësh kudo dhe askush nuk guxon ta prekë me dorë. Nëse je i afërt i “Ali-ut” tonë, ligji për ty nuk ka vlerë më dhe atë mund ta përdorësh si të duash, edhe për tu pasuar duke abuzuar.
Nëse je një qytetar i thjeshtë, je i destinuar të zhytesh në stres, mjerim dhe ndoshta shumë herë edhe jetën mund ta kesh në rrezik, sepse siguria e çdo qytetari nuk përbën më prioritet për lidershipin tonë drejtues. Me ndryshim nga Tunizia, këtu tek ne po ndodhin nga të gjitha, që nga papunësia, korrupsioni edhe në nivele të larta, rritja e çmimeve dhe e varfërisë dhe askush nuk reagon.
Këtu tek ne duket sikur qytetarët e thjeshtë janë të lodhur, të dekurajuar dhe nuk kanë më besim për të ardhmen. Edhe të rinjtë, që janë energjia dhe e ardhmja e vendit, nuk lëvizin më për të kërkuar një jetë më të mirë, për të dërguar despotët dhe të papërgjegjshmit në shtëpi njëherë e përgjithmonë.

Jemi të burgosurit e Regjimit- Ashtu si edhe tunizianët edhe ne shqiptare jemi për vite me radhë të burgosur të regjimit politik, të një klase të papërgjegjshme politike e cila luan mbi interesat tona në shërbim të interesave të saja. Ne jemi të burgosur dhe të izoluar nga një regjimi politik i korruptuar që ka krijuar një sistem oligarkik dhe të pamëshirshëm kundër qytetarëve të thjeshtë.
Jeta jonë çdo ditë e më shumë po bëhet më e varfër dhe e pashpresë ndërsa jeta e politikave tanë çdo ditë kalon bëhet me e pasur, pushteti i tyre rritet në mënyrë absurde duke na zvogëluar të drejtat tona themelore.
Ne po jetojmë një epokë, ku politika është e pamëshirshme kundrejt nesh dhe ne ndjehemi të pafuqishëm përballë saj. Ne sot, për shkak të sistemit që kemi toleruar ndër vite, nuk jemi në gjendje të kemi të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tonë në duart tona. Ajo varet nga një grup oligarkësh, të cilët as nuk duan t’ia dinë se ne ekzistojmë dhe se kemi të drejtë të jetojmë me të drejta të respektuara.
Kjo situata ka dy zgjidhje. E para është që opozita aktuale të marr seriozisht kërkesat e qytetarëve dhe t’i udhëheq politikisht për realizimin e tyre. Opozita aktuale duhet të jetë e bindur, se me qytetarët (popullin) nuk bëhet shaka, prandaj ai duhet të respektohet. Së dyti, nëse Opozita nuk është e gatshme të ndërmarr këtë hap, atëherë një gjë të tillë duhet ta bëj vetë shoqëria cilivile. Avokatët, gazetarët, mjekët, ekonomistët, tregtarët... etj duhet të organizohen për të mbrojtur vetën dhe shoqërinë civile nga oligarkët.
Do të preferoja që të ndodhte e para, sepse organizimi i popullit nga opozita, do të thotë se shumë pasoja të padëshiruara që mund të ndodhin mund të shmangin, pasi kjo lloj lëvizje mund të ketë formën e një lëvizje politike demokratike. Ndërsa, po të ndodh lëvizja qytetare pa opozitën, ajo mund të jetë një lëvizje e paorganizuar dhe e pa qartë politikisht dhe për këtë arsye ajo mund të dal nga binarët e demokracisë duke u shendrruar e pakontrolluar dhe e rrezikshme.
Sot dhe këto momente Shqipëria, ka nevojë për lider transformues, i cili i favorizuar edhe nga situata aktuale do të bënte të mundur ndryshimet e mëdha politike. Them kështu, sepse aktualisht nuk shikoj ndonjë lider me cilësi profetike që mund të dal krejt rastësisht nga turma për ta udhëhequr atë drejt demokratizimit të vërtetë.
Një lider i spikatur transformues, që mund të bëjnë të mundur dërgimin e oligarkisë aktuale në shtëpi është kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili edhe pse nuk ka cilësi profetike, ai ka energji, forcë dhe vullnet për t’i udhëhequr qytetarët drejt realizimit të kërkesave të tyre imediate politike dhe ekonomike.
Edi Rama duhet të kuptoj, se qytetarët kanë vite që e presin këtë moment, prandaj ai nuk duhet të humb kohë, por duhet menjëherë tu bashkëngjitet atyre, dhe të gjithë së bashke me mjete demokratike të realizojnë alternimin demokratik të pushtetit.
Ne deri tani jemi të burgosur të këtij regjimi. Nëse duhet ta fitojmë lirinë dhe demokracinë e duhur, këtë regjim duhet ta rrëzojnë dhe ta dërgojmë njëherë e përgjithmonë në shtëpi.