17/01/2011
SHEKULLI ONLINE
Konventa e Bazelit- është nënshkruar në Bazel më 22 mars 1989. Preambula e saj, ndër të tjera, nënvizon: “Të vetëdijshëm se mbeturinat radioaktive, mbeturinat e tjera të rrezikshme dhe lëvizjet e tyre përtej kufijve, rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, mendojmë, se mënyra më efikase për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe mjedisin nga rreziqet që shkaktojnë mbeturinat radioaktive, konsiston në zvogëlimin në minimumin e mundshëm të prodhimit të tyre si nga këndvështrimi sasior, ashtu edhe nga rreziku potencial. Shtetet duhet të jenë të vetëdijshëm të marrin masat e nevojshme për të bërë të mundur që administrimi i mbeturinave të rrezikshme (ku bën pjesë edhe mbeturinat radioaktive) dhe i mbeturinave të tjera, përfshijë edhe ato që kalojnë kufijtë nacional dhe eliminimin e tyre, të jetë i përputhur me mbrojtjen e shëndetit njerëzor, pavarësisht vendit ku lëndë të tilla mund dhe do të eliminohen. Shtetet duhet të parashikojnë derisa prodhuesi plotëson detyrimet që kanë të bëjnë me transportin dhe eliminimin e mbeturinave radioaktive dhe të mbeturinave të llojeve të tjera në mënyrë që të jetë i përshtatshëm me mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit njerëzor. Çdo shtet ka të drejtën sovrane (të drejtën absolute) të ndaloi hyrjen ose eliminimin, mbi territor, të mbeturinave të rrezikshme dhe të llojeve të tjera që mund të vijnë nga shtetet e tjera. Rinjihet në mënyrë të barabartë edhe tendenca në rritje për të dashur me evituar lëvizjet ndërkufitare të mbeturinave të rrezikshme dhe eliminimin e tyre në shtete të tjera, në mënyrë të veçantë tek vendet nën zhvillim. Shtetet duhet të marrin masat e nevojshme për të garantuar një shkëmbim të përshtatshëm të informacionit dhe një kontroll efektiv mbi lëvizjet ndërkufitare të mbeturinave të rrezikshme dhe të mbeturinave të tjera, qoftë në hyrje si dhe në dalje”.
Mbeturinat radioaktive dhe Europa- Mbeturina radioaktive janë materiali i përdorur në impenjimin paqësor të energjisë nukleare që përmban sostancë radioaktive dhe për të cilat nuk është parashikuar një ripërdorim. Mbeturinat radioaktive janë të gazta, lëngëta dhe të ngurta. Sipas nenit 197 të Traktatit të Themelimit të Komunitetit Europian për Energjinë Atomike: mbeturinat radioaktive nuk janë gjë tjetër veçse elementët e lëndëve djegëse rrezatuese. Në vitet e fundit, mund të themi se problemi i prodhimit, transportimit dhe eliminimit të lëndë radioaktive është bërë një problem serioz në Europë. Përveç konventave ndërkombëtare, si ajo Bazelit dhe e Vjenës, që janë adoptuar me procedura sa të ngjashme dhe të ndryshme juridike nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, në nivel institucional të Bashkimit Europian mungonte një normativë e përbashkët, e cila do të kishte për objekt mbeturinat radioaktive dhe llojet e tjera të mbeturinave që konsiderohen po aq të rrezikshme. Për këtë arsye, Bashkimi Europian në nëntor të vitit, që sapo lamë mbrapa, ka propozuar norma të përbashkëta për eliminimin e lëndëve radioaktive dhe për transportin e tyre. Centralet nukleare prodhojnë një të tretën e energjisë elektrike të konsumuar në BE, që do të thotë rreth 7000 metër kub mbeturina radioaktive në vit. Duke pasur parasysh faktin se mbeturinat radioaktive mbeten të rrezikshme edhe për miliona vite, duhet një strategji më e sigurt dhe më largpamëse në kohë për eliminim e tyre, ose për të zvogëluar në maksimum efektet e rrezikshme që ato mund të shkaktojnë tek njerëzit dhe tek mjedisi.
Normativat europiane- Një legjislacion i BE-së mbi sigurinë (ku përfshihet edhe siguria nga mbeturinat radioaktive) do të ndihmonte për t’iu përgjigjur edhe shqetësimeve të shprehura me zë të fort nga opinioni publik. Opinioni publik, nga rasti i aksidentit të Chernobyl-it të ndodhur në vitin 1986 në ish Bashkimin Sovjetik dhe të disa të tjerëve, siç është rasti i anijeve të fundosura kryesisht rreth brigjeve të Italisë, është shumë i shqetësuar me faktin se sasia e prodhimit të lëndëve radioaktive është në rritje, si dhe pse nuk ka transparencë se çfarë bëhet me ta si në rastin e transportit në një vend tjetër, ashtu edhe për eliminimin në territorin e shtetit që i ka prodhuar. Në një sondazh të kaluar rreth 82% e qytetarëve të intervistuar është shprehur dakord për një legjislacion në nivel të BE-së për të rregulluar administrimin e mbeturinave radioaktive dhe nukleare. Normat e përbashkëta për siguri të BE-së të propozuara për administrimin e lëndëve radioaktive dhe për eliminim e tyre propozojnë një zgjidhje afatgjatë. Të njëjtat normat do të aplikohen edhe për mbeturinat radioaktive të prodhuara në fushën e mjekësisë, industrisë dhe të kërkimit shkencor. Një autoritet i pavarur do të lëshojë licenca për ndërtimin dhe administrimin e vendeve të ruajtjeve të lëndëve radioaktive dhe do të verifikoi sigurinë e tyre. Dy vende të BE-së mund të bien dakord të administrojnë depozitat e përbashkëta, ndërsa do të jetë e ndaluar eksportimi i mbeturinave nukleare përtej BE-së. Opinioni publik duhet të jetë i informuar dhe i konsultuar mbi projektet e ndërtimit të depozitave të mbeturinave radioaktive.
Në Europë ka 143 centrale bërthamore- Sot ekzistojnë në mënyrë kompleksive 143 centrale nukleare në 14 vende të BE-së. Finlanda, Suedia dhe Franca kanë të ndërmend të ndërtojnë depozitat e para të BE-së në 15 vitet e ardhshme. Kjo është panorama europiane. Kohët e fundit edhe në Shqipëri po flitet shumë si për çështjen e mbeturinave të tjera, ashtu edhe për faktin se Shqipëria, pasi të ketë pranuar konventat ndërkombëtare, mund të jetë një vend transit për mbeturinat radioaktive. Si fillim, fakti që Shqipëria, për të përshtatur legjislacionin e saj me atë të BE-së, ratifikon konventat kryesore për lëndët radioaktive, si ajo e Vjenës, nuk përbën asnjë problem. Megjithatë, si Konventa e Vjenës dhe ajo e Bazelit, e kanë të shkruar të bardhën mbi të zezë se çdo shtet anëtar ka të drejtë sovrane të refuzojnë importimin e mbeturinave radioaktive në territor. Gjithashtu, vetë Konventa e Bazelit shprehet qartë në preambulën e saj, se: “Është shumë e shqetësuar me problemin e trafikut të paligjshëm të mbeturinave radioaktive, duke pasur parasysh se vendet në zhvillim disponojnë një kapacitet të limituar në administrimin e mbeturinave radioaktive dhe të llojeve të tjera që janë të rrezikshme”.
Mbeturinat radioaktiv dhe Shqipëria- Nga kjo e fundit del qartë, se përderisa Shqipëria është një vend nën zhvillim nuk ka kapacitete të mjaftueshme për administrimin e lëndëve radioaktive, qoftë edhe duke qenë një vend transit. Prandaj, Shqipëria le ta modernizojë dhe përafroi legjislacionin e saj me atë të BE-së, ku aspiron të aderoi si vend anëtar, por mos të pretendojë se është e gatshme për aksione konkrete, që kanë të bëjnë si me eliminimin e tyre, ashtu dhe me faktin e të qenit një vend transit. Shqipëria, duke pasur parasysh edhe skandalin e fundit mediatik, del qartë se është e kapur për fyti nga aferat korruptive deri në nivelet më të larta shtetërore. Ky është një fakt shumë shqetësues për ambientalistët, qytetarët dhe shumë ngazëllues për organizatat dhe klanet që merren me transportin e paligjshëm të mbeturinave radioaktive dhe mbeturinave të tjera të ngjashme që janë po aq të rrezikshme për mjedisin dhe njerëzit. Njerëzit që janë të veshur me pushtet, ligjin e përdorin si të duan, qoftë për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme ashtu edhe për të mbrojtur interesat e veçanta politike. Sot në botë një ndër bizneset të paligjshme dhe më fitimprurëse pas transportit të armëve, drogës është edhe ai i trafikut ilegal të mbeturinave radioaktive nga vendet industrializuara (vendet që i prodhojnë) drejt vendeve në zhvillim (që kanë një taks të lartë korrupsioni, destabiliteti ekonomik dhe ligjor). Mjafton të përmendim faktin se Afrika është pushtuar me mbeturinat radioaktive. Kjo ka ndodhur për faktin se ky kontinent ka gjithmonë lufta civile, ku klane të ndryshme ushtarake luftojnë për pushtet. Këto klane kanë vazhdimisht nevojë për armë, dhe në këmbim të këtyre të fundit, i kanë lejuar trafikantët të lënë në vend e pavend dhe pa asnjë kriter mbeturinat radioaktive. Shembull tipik i kësaj situate është sot Etiopia dhe në mesin e dytë të viteve tetëdhjetë ka qenë Somalia.
Shqipëria nuk ndryshon shumë nga Afrika- Njerëz që janë të veshur me pushtet për t’u pasuruar më shumë, mund ta kthejnë Shqipërinë në mënyrë të heshtur dhe pa u shqetësuar fare në oazë për mbeturinat radioaktive. Në Shqipëri, siç jemi tashmë dëshmitarë, shumë herë nuk zbatohet legjislacioni i brendshëm dhe jo më të pretendohet zbatimi i detyrimeve që vijnë nga e Drejta Ndërkombëtare. Për nga përmasat e shpërthimit, bombë atomike ishte ajo që ndodhi në Gërdec, vetëm se nuk kishte rrezatim jonizues. Nga ky shpërthim humbën jetën shumë njerëz të pafajshëm dhe akoma sot askush nuk ka marrë një dënim të formës së prerë. Le të imagjinojmë sikur në Shqipëri për interesa të disa personave të kalojnë mbeturina radioaktive dhe në rrugë e sipër të ndodh një aksident i papritur, pasojat do të ishin shumë të mëdha për të gjithë qytetarët dhe askush nuk do të mbante përgjegjësi. Koha ka treguar se lëndët radioaktive janë shumë të rrezikshme si për njerëzit ashtu edhe për mjedisin. Pasojat që lënë ato janë të pa ri riparueshme edhe për shumë vite me radhë, edhe pas 1 milion vitesh. Prandaj, të bëjmë kujdes duke mos luajtur me zjarr në kurriz të brezave që do të vijnë.