Tuesday, January 18, 2011

Europa, sot dhe nesër


Dr. Alban Daci
19/01/2011
Gazeta TEMA

Pavarësisht vështirësive aktuale në procesin e integrimit, kur mendohet Europa – në dimensionin e saj gjeopolitik- referimi nuk është për vendet e veçanta, por për Bashkimin Europian në kompleksitetin e tij.
Edhe pse zgjedhjet nacionale të vendeve kryesore europiane dhe pesha e tyre ekonomike mbeten burimet thelbësore dhe përcaktuese në politikat europiane, në bashkësinë e saj, Europa, nuk është më e thjeshtueshme me shumën e vendeve të saj. Nga këtu del vështirësia, pse jo pamundësia, për ta menduar Europën përtej tribunës së institucioneve të Bashkimit Europian.
Aktualisht, jo vetëm procesi i integrimit europian është në vështirësi, por edhe i gjithë kontinenti europian po kalon një fazë të veçantë si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik. Bashkimi Europian po kalon një krizë të thellë ekonomike për shkak të deficitit të fortë ekonomik të regjistruar në Greqi, Irlandë, Spanjë dhe Portugali.
Situata ekonomike që po kalon Bashkimi Europian është shumë komplekse, e cila është e lidhur me vlerën e Euro-s në këto vende anëtare dhe me vështirësitë që kanë po këto vende për të kontrolluar sistemet e tyre monetare nacionale. Presidenti aktual i Bashkimit Europian, Herman van Rompuy, e ka komentuar si më poshtë këtë moment të vështirë historik: “Jemi përballë një krize për mbijetesën tonë. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur mbijetesën e zonës Euro. Në fakt, nëse euro nuk do të mbijetoi, as edhe vetë Bashkimi Europian nuk do të mbijetojë”. Këtë janë fjalët që Presidenti i BE i ka lëshuar gjatë një takimi në Bruksel.
Gjithashtu, një ndër çështjet më kritike për Bashkimin Europian përveç situatës ekonomike është edhe mungesa e një lidershipi dhe i një vizioni të qartë për të ardhmen. Pikërisht mungesa e lidershpit është një ndër çështjet më kritike. Europa sot është shumë larg një “qeverie” në kuptimin juridik të fjalës dhe për këtë shkak nuk ka edhe një lidership të fortë dhe të njohur gjerësisht nga të gjithë.
Franca dhe Gjermania, dy vendet që tradicionalisht kanë luajtur një rol të tillë, në varg ose në konkurrencë, për arsye të ndryshme nuk janë më në gjendje të reagojnë si motor të procesit të integrimit ose si guitë për kontinentin europian. Gjermania, me një fushatë nacionale është linçuar për liruar ekonominë më të madhe të kontinentit nga impenjimet e tij me Europën.
Në librin e ri të tij «Shpëtoni lekët tona» (rescue our Money), presidenti i kaluar e federatës për çështjet gjermane, Hans Olaf Henkel, bashkohet me grupin që është në favor të ndarjes së zonës Euro në dy pjesë, me Europën Veriore (Gjermania, Holanda dhe Austria) në një grup dhe në grupin tjetër, le të themi, të Europës Jugore, si Spanja, Italia dhe Franca.
Realizimi i këtij propozimi për ndarjen e zonës së Euro-s në dy pjesë do të thoshte se Europa do të copëtohej dhe nuk do të identifikohej më si një identiteti i vetëm, ashtu siç dëshirojnë dhe preferojnë ta quajnë proeuropianët.
Europa jo vetëm që nuk po identifikohet më si një entitet i vetëm, por ajo duket sot e drejtuar nga disa shtete që janë pak të koordinuar mes tyre, nga opinione publike divergjente ose të fragmentuar dhe nga institucione të dobëta. Në këtë kontest Europa ka vështirësi të gjejë atë këmbëngulje që do të kishte nevojë për të reaguar si aktor global mbi skenën ndërkombëtare dhe, më tepër se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket të rindjejë rritjen në nivel global të vendeve në zhvillim, si Kina, India dhe Brazili.
Kjo që paralajmërohet në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku kanë lindur limitet e rolit të Bashkimit Europian si “fuqi civile globale” dhe janë më të dukshme mosmarrëveshjet me vendet në zhvillim mbi të gjitha në lëndën e tregtisë ndërkombëtare dhe negociatat mbi klimën.
Gjithashtu, ndryshimet e thella në fundin e dy dekadave të fundit dhe sfidat e reja të lindura në sistemin ndërkombëtar kanë pasur në mënyrë të paevitueshme rikthime mbi marrëdhëniet transatlantike, të cilat kanë hyrë në një fazë më të thellë – por në të njëjtën kohë të paqartë- ripërcaktimi.
Në botën e globalizuar post-bipolare është bërë, në fakt, e vështirë për partnershipin transatlantik që të gjej një hallkë sa solide, aq edhe të përfaqësuar nga rreziku sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Pra, “sfidat e mëdha” nuk gjenden vetëm përbrenda Europës, por edhe në nivel global dhe planetar. Sot jemi përballë një sistemi shumë dinamik, në të cilën është ekstremisht e vështirë për të kontrolluar ritmin e ngjarjeve dhe të ndryshimeve të shpejta dhe të papritura që ndodhin.
Kompleksiteti dhe gjerësia e problemeve na bën më të vetëdijshëm nga fakti se duhet një sforcim i përbashkët në nivele të ndryshme (qytetarët, shoqëritë e organizuara, nivelet institucionale të decentralizuara, shtetet) për të krijuar dhe gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe të admirueshme për të krijuar një zhvillim të gjatë në kohë, i cili, natyrisht nuk është fryt i një ngjarje të vetme.
Kur të flasim sot për Bashkimin Europian ose për Integrimin Europian duhet të flasim për vetëdijen europiane dhe ndjenjën e përkatësisë në një “sistem të ekuilibruar”, ku qytetari ndjehet i mbrojtur dhe i aftë të marr pjesë në të gjitha ngjarjet në akt.
Procesi i Integrimit Europian është akoma shumë i gjatë në rrugën e tij. Ky proces është shumë i gjatë, si në aspektin institucional (derisa shtetet e vendeve anëtare do të heqin krejtësisht dorë nga sovraniteti), ekonomik, nëse BE-ja dhe Kontinenti do të jenë në gjendje ta kapërcejnë me sukses këtë situatë të rëndë që po përjetojnë, si dhe faktin se nëse disa vende si ato të Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të plotësojnë kriteret e Copenaghen-it duke realizuar integrimin e tyre të plotë me marrjen e statusit vend anëtar me drejta të plota.
Ja si e përshkruan Dominique Moisi në librin e tij “Gjeopolitika e Emocioneve” në faqen 208 të botimit në shqip në Shqipëri Europën, që do të jetë nesër: “Në procesin e pakundërshtueshëm të divorcit ndërmjet Bashkimit Europian dhe qytetarëve të tij, të paralajmëruar nga votat kundërshtuese franceze, holandeze dhe irlandeze në referendumet e zhvilluara për traktatin kushtetues, luajtën rolin e tyre edhe institucionet e Europës e sidomos Komisioni. Ato u bënë të burgosur të vetvetes, duke mos arritur dot gjithnjë e më tepër të lidheshin me ndjenjat dhe kërkesat e shoqërisë në një botë të tronditur nga thellësia e recensionit ekonomik. Si rezultat i saj, shoqëritë europiane kanë tentuar ta shohin Europën më tepër si pjesë të problemit se sa si pjesë të zgjidhjes së tij”.
Përshkrimi i bëri më sipër nga themeluesi i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IRI), më tepër se sa një parashikim për të ardhmen që është e panjohur është një përshkrim real për të tashmen që po përjeton BE-ja dhe Kontinenti.
Megjithatë, Europa si dhe procesi i Integrimit ka kaluar momente mjaft të vështira nga faza e parë që ishte vetëm në kuadrin e ideve të intelektualëve deri në atë që quhet faza e dytë që është implementimi i tyre me reforma konkrete. Në këto momente, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare me të vërtetë po kalojnë një moment të vështirë si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Por, jam i sigurt se Europa i ka të gjitha burimet dhe potencialet e nevojshme që projekti i Bashkimit të saj jo vetëm të mos dështoj, por të shkoj drejt realizimit final.
Realizimi final, që është më i drejti dhe më i suksesshmi, është ai i mendimit federalist që do të kurorëzohej me krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës. Ky është i vetmi opsion, që do të ishte i suksesshëm edhe përballë procesit të globalizimit. Pra, në një të ardhme jo shumë të largët duhet të bëhet i natyrshëm dhe i domosdoshëm kalimi nga Bashkimi Europian në Shtetet e Bashkuara Europiane. Ky do të jetë krijimi i një kontenitori solid, ku të rinjtë e sotëm mund të bëhen nesër protagonistët e vërtetë të demokracisë në Europë dhe mbrojtës të një metode komunitare efikase, legjitime, transparente dhe koherente.