Monday, April 1, 2013

Marrëveshja Rama-Meta


Alban Daci

Duke ditur natyrën dhe linjën politike që LSI ka nuk kisha pikë dyshimi se ajo do të rikthehej në gjirin e të Majtës.  Gjithmonë kam qenë i mendimit se Meta do e braktiste Berishën vetëm në momentin, kur do e kuptonte se ky i fundit ishte i destinuar të humbiste në zgjedhjet e 23 qershorit. LSI është një subjekt politik pa ideologji, pa orientim politik dhe me një sukses të munguar në qeverisje. Në këto rrethana kjo parti nuk mund të qëndroi në Opozitë, sepse në rrethana të tilla nuk mund të mbijetoi në sistemin politik. Kështu ajo është e detyruar për shumë arsye mbijetese të kërkoi gjithmonë e me çdo kusht të jetë në qeverisje. Disa këndvështrime për këtë koalicion:

Marrëdhëniet Berisha-Meta

Në këto katër vite, marrëdhëniet e Berishës me Metën dukeshin sikur kishin kaluar nga marrëdhënie institucionale e formale edhe ne marrëdhënie miqësie e personale. Madje, Meta thoshte se Berisha vjen shpesh në shpinë time, sepse i pëlqen vera ime. Berisha me krenari thoshte se kjo është qeveri e suksesit dhe kjo falë edhe kontributit të LSI e dhe vetë Metës. Pra, dukej si gjithçka shkonte mirë, edhe pse para këtij koalicioni këta të dy kishin patur vetëm marrëdhënie konfliktuale politike. Nuk duhet të harrojmë akuzat e Metës në drejtim të Berishës për ngjarjen e Gërdecit.  Pastaj, duhet të theksojmë se Meta në shumë intervista ka deklaruar me krenari hapur formimin e tij Majtas. Pra, thellë-thellë Metën dhe Berishën nuk i lidhte asgjë tjetër veçse dëshira për pushtet. Në momentin që Berisha nuk garanton më pushtet, nuk garanton asnjë arsye që Meta të bashkëpunoi me të.

E Majta Europiane dhe e Majta Shqiptare

Shumë studiues thonë se ndarja klasike mes të Majtës dhe të Djathtës është shumë e hollë dhe thuajse e padukshme. Pra, sot në Europë është vështirë të thuash kush është e Majta dhe kush është e Djathta. Dallimi kryesor sot në Europë bëhet sipas kritereve qeverisëse: kush ka qeverisur mirë dhe kush ka qeverisur keq? Kush i ka mbajtur më shumë premtimet e kush jo? Kush forcë politike qëndron më pranë qytetarëve dhe kush nuk do t’ia dijë për ta. E Majta Europiane ndodhet në një krizë të thellë identiteti ideologjik dhe politik. Për ta besuar këtë mjafton të përmendim gjendjen në të cilën ndodhet e Majta italiane dhe ajo greke. Të dyja janë në një krizë të thellë, për faktin se me keqqeverisjet e tyre kanë humbur besimin tek qytetarët. Po bëj këtë parantezë për të bërë lidhjen me Internacionalen dhe me Papandreun që u bënë thirrje Metës dhe Ramës të lënë ndasitë e të bashkohen për të fituar. E Majta europiane dhe vetë BE duket sikur kanë disa standarde për partitë shqiptare dhe për vetë Shqipërinë. Nga njëra anë kërkojnë të miratojmë tre ligjet dhe ne të afrohemi me Europën dhe nga ana tjetër duan që Meta dhe Rama të bashkohen për të fituar zgjedhjet. E para, në Shqipëri duhet të vendoset parimi i ndëshkueshmërisë politike dhe ligjore. Ndëshkueshmëria politike është nëse kjo Qeveri nuk votohet në 23 qershor nuk duhet të votohet asnjëra nga partitë që e ka përbërë atë.
Ky koalicion me probleme të mëdha keqqeverisje njihet si koalicioni PD-LSI. Atëherë, sipas të Majtës europiane çfarë morali ka që LSI të bashkohet me PS dhe të jetë përsëri në qeverisje pas 23 qershorit edhe pse deri tani ka treguar se nuk dinë të qeveris. E dyta, kujt i shërben ky bashkim? Të majtës shqiptare? Shqiptarëve dhe Shqipërisë? Një gjë është e sigurt se ky bashkim nuk u shërben aspak njerëzve të ndershëm të këtij vendi. Në Shqipëri duket sikur parimi i ndëshkueshmërisë ligjore nuk ekziston dhe këtë nuk e do të ekzistojë as vetë e Majta europiane. Në këto katër vite kanë ndodhur disa skandale dhe deri tani nuk kemi asnjë përgjegjës. E Majta europiane duhet ta kuptojë njëherë e mirë se nëse nuk pranon dhe aplikon ndëshkueshmërinë, nuk mund të shkëputet nga e kaluara dhe nuk mund të rifitojë besimin e humbur të qytetarëve.

Koalicioni Meta-Rama dhe optika ndërkombëtare

Me sa po kuptojmë ky koalicion po kërkohet me çdo kusht nga Europa dhe jo nga SHBA. Për mua kjo përbën një shqetësim të madh. Së pari, kjo tregon se tashmë fati i Shqipërisë është në duart e Europës. Së dyti SHBA nuk janë më të interesuara për proceset politike në vend. Së treti, Shqipëria duhet të bëj zgjedhjen e saj mes SHBA dhe Europës. Vetë Europa është në një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Gjithashtu, Europa nuk ka qëndrim të unifikuar dhe stabile kundrejt nesh. Ndërhyrjet politike të Europës në Shqipëri nuk kanë qenë asnjëherë të suksesshme. Si mund të na jap këshilla një si Papandreu dhe një vend si Greqia, e cila ka falemintuar pikërisht nga politikat e gabuara që kanë zgjedhur partitë klasike të këtij vendi. Mendoj, se për Shqipërinë partner kryesor dhe i padiskutueshëm duhet të mbeten vetëm SHBA, ndërsa konsultativ dhe miqësor duhet të jenë vendet Europiane.

A ka risi koalicioni Meta-Rama

Shqipëria ka vite që lundron në tranzicionin e dhimbshëm ekonomik e politik. Shqiptarët tashmë kanë nevojë për një model të ri politik, për një mendësi të re politike dhe për figura të reja politike, me energji, vizione dhe me dëshirë të madhe për të bërë reforma të thella për të realizuar progresin ekonomik. Koalicioni Meta dhe Rama nuk sjellin asnjë të re në politikën shqiptare. PS është provuar në këto 22 vite se me çfarë mendësie qeveris. Gjithashtu, shqiptarët panë fare mirë edhe modelin qeverisës të LSI. Pra, nuk mendoj se pas 22 vitesh tranzicion, bashkimi i Metës me Ramës është ajo që shqiptarët kërkojnë pikërisht në këto momente. Shqiptarët kanë nevojë për njerëz që kanë një politikë të mirëfilltë patriotike-atdhetare, ku shqiptarët janë të parët dhe Kombi është mbi të gjitha.