Alban Daci
Arsimi vlera më e lartë e Kombit tonë, duket se jo vetëm është shuar, por sikur
po fiket si një qiri i tretur nga korrupsioni e keqmenaxhimi. Çdo gjë në këtë vend po merr fund dhe kjo gjëmë
e madh që po ndodh nuk përbën asnjë shqetësim për pushtetin dhe politikën e
vjetër. Me paturpësinë më të madhe del Ministri i Jashtëm dhe thotë të mos
shqetësohemi për mbylljen e ambasadës tonë në SHBA, sepse për shkak të krizës kështu po ndodh me çdo
vend të Botës. Nuk e di kush qenka ato vende që po mbyllen dhe izolohen, sepse
i ka kapur kriza? Për veç Shqipërisë, asnjë vend tjetër.
E shkruaj këtë, për të treguar se ndjenja e fajësisë, e dështimit dhe
skandalit po shuhet tek pushteti aktual. Këtu në Shqipëri po ndodhin gjëra të
tmerrshme, që nuk ndodhin në asnjë vend tjetër dhe politika vjetër thotë se nuk
ka gjë, është krejt normale.
Sot arsimi shqiptar është në gjendje të mjerueshme. Te mjerueshme? Është
pak biles. Në Shqipërinë që Berisha mendon se e ka mbushur me HITECH dhe me
internet, kemi shkolla që nuk kanë çati, nuk kanë banjë, nuk kanë sistem
ngrohje, nuk kanë uji për të pi. Kjo është gjendja kastrofale e arsimit
shqiptar.
Sot të shkosh në shkollë duket një mision i pamundur. Arsimi shqiptar nga
një vlerë dhe një e drejtë për të gjithë, po kthehen në një ëndërr dhe
privilegj.
Qeveria më politikat saj të stimulimit të arsimit private, i cili lidhet me
interesat e tyre të ngushta, ka bërë që
arsimi publik të falimentojë. Kështu siç është sot situata, mund të shkollohen
vetëm të pasurit, kurse ata që janë të varfër janë të destinuar të mbesin
analfabet.
Arsimi nga një vlerë dhe një garanci për brezat dhe vetë të ardhmen e vendit është kthyer në një pazar, ku
politikanët mbushin xhepat e tyre të pangopur. Arsimi shqiptar ka nevojë për një
strategji kombëtare zhvillimi, ku figura e mësuesit të rifitojë identitetin që
ka pasur gjithmonë, si njeri që me misionin e tij përçon dijen tek brezat e ri.
Figura mësuesit do të respektohet si më parë, nëse ai paguhet ashtu siç e
meriton dhe nëse ai nuk keqpërdoret nga politika. Arsimi shqiptar do të rikthehet ne nivelet e
tij, vetëm nëse rrëzojmë këtë Regjim dhe
duke ardhur një elitë e re politikanësh, të cilët mendojnë dhe besojnë se pa
arsimim dhe shkollim nuk ka të ardhme.
Është antikombëtare dhe jo ligjore, që njerëz që janë në politikë të
pasurohen duke vjedhur fonde për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave,
duke bërë si pas qejfit tender për libra pa standard.
Arsimi shqiptar është në kushte të tmerrshme dhe duket sikur jemi kthyer
shekuj mbrapa, kur mësonin me llambë dhe shkruan me penë. Nuk mund ta tolerojmë
më këtë gjë, sepse po shkatërrojmë njëherë e përgjithmonë të ardhmen e fëmijëve
tanë e për rrjedhojë të vetë Shqipërisë. Të jesh analfabet në kohën e
globalizimit, jo për fajin tënd, por për faji të politikës, është sikur të ecësh
mbi një territor të minuar. Shqipëria është një vend që ka pushtetarë
analfabet, por nuk mund të ketë qytetarë analfabet. Politikanët e vjetër me
analfabetizmin e tyre origjinal, po duan t’i bëjnë edhe shqiptarët analfabet. Këtë
nuk do e lejojmë kurrë. Arsimi për shqiptarët është një sentiment i lashtë dhe
origjinal. Gjithmonë shqiptarët e kanë kërkuar dijen dhe kanë sakrifikuar për të.