Friday, March 8, 2013

Problemet e partive shqiptare


Alban Daci 

Qe kur lindi njeriu, bashkë me të lindi e mira po ashtu edhe e keqja. Politika lindi si një mënyrë për të rregulluar dhe për të administruar jetën e përbashkët. Normalisht përderisa politika përbëhet nga njerëzit, do të thotë se ka edhe politika të mira, por edhe politika të liga. Nga ky arsyetim del se partitë dhe sistemet nuk janë perfektë për sa kohë janë njerëzit aktorët kryesor.  Në botë janë njohur sisteme negative të karakterizuar si jo demokratike dhe sisteme politike pozitive që janë drejtuar drejt demokracisë ose përsosmërisë demokratike. Mendoj se sistemi politik shqiptar, është në një fazë të ndërmjetme, i theksuar nga mungesa e identitetit dhe paqartësia e linjës ideologjike.  Problemet e sistemit politik shqiptar lidhen me partitë politike dhe këto të fundit me historikun e njerëzve që i kanë themeluar. 
Mendoj se ndër problemet e para është fakti se sistemi aktual politik nuk ka pësuar shkëputje nga sistemi i kaluar. Kjo për faktin se të njëjtët personazhe që i përkisnin sistemit të kaluarën u bënë pjesë edhe në sistemin e ri. Kjo solli që linja e mendimit mbeti po e njëjti. Pra, mënyra e të menduarit dhe e të bërit politikë nuk ndryshojë.
Problem i dytë dhe ndoshta më i madhi është servilizmi. Kjo për mendimin tim ka mbetur si një virus nga e kaluara. Megjithatë, një arsye tjetër është se shumë lider politikë të sistemit aktual politikë dolën rastësisht nga ngjarjet historike, por pa pasur cilësi të vërteta prej lideri. Pra, liderët e politikës aktuale duke pasur cilës normale ose më pak se normalja ndjehen të pasigurt nga çdo qenie tjetër që mund të jetë me racionale dhe më e prehtë. Faktor tjetër i servilizmi brenda partive ose kryesisht kundrejt kryetarëve vjen edhe nga fakti se njerëzit që i rrethojnë kanë mungesë të theksuar të cilëve individuale. Për këtë arsye nuk ndjehen të sigurt dhe zgjedhin mënyrë e të bërit urë për të mbijetuar.
Problemi i tretë është injoranca. Nëse ka ndonjë sektor apo aktivitet njerëzorë, ku injoranca është tepër e pranishme kjo është politika. Pra, tashmë është krijuar bindja se të bëhesh politikanë i zoti në Shqipëri nuk ka nevojë të kesh shumë kualifikime apo të jesh i dalluar në fushën profesionale. Kusht i vetëm është të luash lojën, të shtiresh si lojtar i mirë dhe ta pasosh gjithmonë topin tek kryetari ose tek interesat e tij.
Problem i katërt është trashëgimia politike. Pra, për fat të keq partitë politike shqiptare janë të orientuara drejt modelit despotik, pra ku babai i trashëgon të birin ose të bijës. Problemi dinastik sjellë një ndër pasojat më të rrezikshme atë të mungesës së rotacionin. Mungesa e rotacionin sjellë pasoja negative mbi demokracinë duke rritur keqqeverisjen dhe korrupsionin.
Problemi i pestë është se politika shqiptare po kalon nga faza tradicionale tribale në fazën e re dhe moderne, atë klanore. Kjo do të thotë se politikën nuk e bëjnë figurat që drejtojnë partitë politike, por klanet ose grupet e interesit. Shqipëria është vend i vogël, pak i zhvilluar dhe kjo sjellë se ka vetëm një grup ose një klan i cili dikton tek të gjitha partitë një strategji të vetme. Pra, në politikën shqiptare nuk kemi shumëllojshmëri interesash dhe larmi vendimesh. Kjo e varfëron politikën shqiptare dhe e bën të brishtë demokracinë.
Këto janë vetëm disa probleme thelbësore të politikës shqiptare që pengojnë kristalizimin e demokracisë. Këto probleme mund të ndryshojnë vetëm duke u ndryshuar rendi shoqëror. Për sa kohë do të kemi një rend shoqëror me problematikat e mësipërme, politika shqiptare do të vazhdojë të jetë klienteliste, jo funksionale, jo komunitare, negative (despotike) dhe jo pozitive (demokratike).