Alban Daci
Ka më shumë se një vit që zgjodha të hyj aktiv në politikë. E bera këtë gjë,
sepse kështu ishte e vetmja mënyrë që të tentoja të mbroja identitetin tim, të
familjes time dhe të qytetarëve të këtij vendi. Në dallim me shumë politikanë të
“vjetër” zgjodha ta bëj politikën përmes ideve, diskutimeve dhe kontakteve
direkte në terren me qytetarët. Kështu i dhashë mundësi vetës të njoh nga afër
realitetin e vërtetë social shqiptar. Ndër takimet e para që pata si përfaqësues i
Aleancës Kuq e Zi, ka qenë pikërisht në qytetin e Bulqizës. Në qendrën e
qytetit për shkak të kohës, improvizova një takim me banorët e zonës, të cilët në
atë kohë nuk kishin dëgjuar shumë për AK. U mblodhën menjëherë qindra njerëz, të
cilët më rrethuan mua, sikur unë të isha shpëtimi i tyre. Para syve të mi, mu
shfaqën fytyrat e lodhura e të vuajtura të banorëve të qytetit, që nuk ishin
aspak të lumtura. Dukeshin sikur lumturinë nuk e kishin njohur asnjëherë, ose e
kishin përjetuar shumë kohë më parë. Ngrita
kokën dhe pashë para meje njerëz të vuajtur. Ç’të shikoja? Njerëz që dëshpërimi
i tyre ishte bërë aq i madh sa kishte dalë dhe transmetohej edhe në aspektin
fizionomik. Thash me vetë çfarë t’u them këtyre për politikën. Këta nuk kanë
bukë me ngrenë në shpi. Nga t’ia nisja? Dikush aty afër mua afrua dhe më tha
mos ke 1000 lekë të vjetra, se nuk kam bukë në shpi. A thua se 1000 lekëshi im
do i shpëtonte jetën. Po nesër, po pasnesër, po pas një muaj çdo të bënte ai? Ju
thash, ju keni dy gjëra të çmuara, tokën nën këmbët e tua dhe zemrën tuaj
bujare. Të parën ua ka marrë politikë dhe ju ka lënë në varfëri, të dytën e
keni të plagosur nga jeta e vështira dhe për nga pamundësia për të jetuar.
Takimi i radhës pas qytetit të Bulqizës ishte ai i Peshkopisë. Pas një udhëtimi
skandaloz përmes një rruge plot gropa hyra në qytetin e Peshkopisë. Ç’të
shikoje? Një qytet të braktisur, i cili ngjasonte më një qytet që sapo kishte dalë nga lufta. Pash një realitet
të zymtë social për shkak të papunësisë, varfërisë dhe braktisjes së vëmendjes së
pushtetit ndaj qytetarëve. Aty ndoshta dëgjova ndër historitë më të dhimbshme që
ja kalonte edhe përshkrimit migjenian. Dikush
më tregoi se kishte shkuar një qytetar në një dyqan dhe kishte kërkuar të
blinte me 300 lekë të vjetra groshë. Nuk kishte më para. Pronari i dyqanit i
kishte dhënë 1000 lekë të reja dhe i kishte thënë nuk i dua të mi japësh më. Në
bulevardin kryesorë të qytetit silleshin lart e poshtë qytetarët sikur të ishin
të burgosur dhe bulevardi të ngjante me një korridor ajrimi. Silleshin lart e poshtë
se ishin të gjithë të papunë, por nuk kishin para të pinin as edhe për një kafe. Në
orën gjashtë të mbrëmjes binte terri mbi qytet dhe ai sikur të ishte me komandë
boshatisi i tëri.
Këto realitete më kanë shoqëruar kudo në të gjitha takimet e mia. Zhgënjimi
ishte aq i madh tek njerëzit sa pyetja më e shpeshtë që më bënin ishte se: a do
të bëhet ndonjëherë ky vend? Kështu siç janë gjërat zor se do të bëhet-thoshin
ata. Problemi më i madh është se deri tani në mjedisin politik shqiptar qarkullojnë
po të njëjtët maskarenjë, të cilët janë fajtorë për çdo gjë dhe duke ndërruar fytyrat
duan akoma të vazhdojnë të bëjnë me qytetarë gjera sipas qejfi . Si mund të ndodh
ndryshimi, kur tek partitë e reja vjen një person që ka pasur shtatë tesera dhe
të tetën e bën vetëm për të përfituar? Si
mund të ndryshoi ky vend, kur një person që ka qenë ish shërbëtor i sigurimit, është
shërbëtor i një X partie e kërkon përsëri të bëj karrierë tek një parti e re,
sepse kjo e fundit mund të fitoi? Si mund të ndodh ndryshimi, kur dikush që ka
qenë drejtues në kohën e Hoxhës, kërkon të bëhet anëtar i një partie të re, e
cila kërkon të bëj ndryshimin? Si mund të ndodh ndryshimi i madh, kur edhe partitë
e reja në listat e deputetëve do të fusin persona që thjeshtë kanë para, por
nuk ua ndjen fare për vendin dhe për qytetarët? Si mund të ndodh ndryshimi i
madh, kur tradhtari kërkon të shitet për patriot, sepse patriotizmi është në
modë? Si mund të ndodh ndryshimi, kur intelektualët e vërtetë mbahen larg nga
politika? Shqipëria është ndoshta i vetmi vend, ku intelektuali nuk ka asnjë vlerë
dhe në disa raste shihet edhe si problem. Për sa kohë politika shihet thjeshtë
si biznes dhe jo si mision për qytetarët, ky vend zor se do të ndryshojë. Për sa kohë
politika trajtohet mjet përfitimi dhe jo mjet shërbimi, ky vend zor se do të
ndryshojë. Për sa kohë, qindra, mijëra të rinj të shkolluar dhe energjetik keqpërdoren
dhe nuk janë pjesë serioze e projekteve politike, ky vend zor se do të ndryshojë.