Alban Daci
SHBA vazhdojnë të mbeten fuqia më e madhe, e vetme dhe e padiskutueshme në
Botë. Megjithatë, SHBA mbeten më shumë ideali i vetëm e pozitiv për të gjitha
vendet e vogla që kanë qenë të pambrojtura e të shtypura nga doktrinat diktatoriale
të modelit sovjetik, ose stalinist-komunist. Shqipëria është një ndër vendet e
vogla, e cila mbijetoi jo nga interesi konkret që kishin SHBA mbi vende si
Shqipëria, por për shkak të filozofisë që kishin SHBA për të gjithë vendet e
vogla që pas Luftës së I u gjetën të pambrojtura, të shtypura.
Amerikanët e themeluan shtetin e tyre mbi principet e demokracisë duke
vendosur bazë absolute Lirinë, të drejtën për të ekzistuar, për të vendosur dhe
për të kërkuar çdo komb lumturinë, një term i ri për atë kohë, por iluministë
dhe i domosdoshëm.
SHBA si bazë të zhvillimit shtetëror, individual dhe social vendosën
demokracinë, duk imituar e përshtatur me kohën moderne modelin origjinal të
demokracisë së Athinës. Çdo doktrinë e politikës se jashtme e SHBA është përcaktuar
mbi principin e demokracisë, respektimit të identitetit kombëtar dhe zhvillimit
të lirë të aktiviteteve njerëzorë duke përfshirë edhe sipërmarrjen e lirë. Këto
elementë krijuan “Ëndrrën Amerikane”, e cila përbëhej nga dy pjesë në raport me
kombet e tjera: E para kishte të bënte me faktin se njerëz nga gjithë bota dëshironin
të shkelnin qoftë edhe njëherë në territorin amerikan për të përjetuar drejtpërsëdrejti
mrekullinë amerikane; Së dyti, shumë intelektualë të kombeve të tjera duke u
frymëzuar përmes studimeve të literaturës amerikane kërkonin që ëndrrën
amerikane ta aplikonin me sukses në vendet e tyre.
Shqiptarët bënin pjesë tek të dy pjesët. Shumë shqiptarë duke sfiduar
vdekjen u arratisën gjatë kohës së Regjimit për të emigruar drejt SHBA.
Gjithashtu, disa intelektualë duke studiuar fshehurazi literaturën amerikane nuk
reshtën kurrë duke u përpjekur me krijuar realitetin social amerikan në Shqipëri.
Këta ishin të gjithë disidentët e Regjimit, të cilët për shkak të ideve të tyre
liberale-demokratike, u shtypën, u pushkatuan, internuan.
Shqiptarët kishin një problem më të madh në lidhje me marrëdhënie politike
të SHBA, modelin e tyre të brendshëm
politik, social dhe ekonomik. Shqiptarët edhe po të arrinin të krijonin Amerikën
e tyre, ajo nuk do të ishte kurrë si SHBA, sepse ishte e rrethuar nga vende që
mbanin gjallë politikën shoviniste, aplikonin gjenocidin dhe kishin në fuqi
sisteme politike monarkike despotike, ose model stalinist-komunist të orientuar
drejt autoritarizmit absolute.
Prandaj, shqiptarët jo vetëm që nuk duhet të harronin kontributin e SHBA për
ekzistencën e tyre, jo vetëm duhet të vazhdonin të ëndërronin “Ëndrrën
Amerikane”, por duhet sa më shpejt dhe me realizëm të rivendosnin marrëdhëniet
dypalëshe me SHBA. Sigurisht nuk ishte e lehtë të ndodhte kjo edhe pse dëshira
popullore ishte e madhe. Them kështu, sepse shoqëria politike dhe ekonomike e
Shqipërisë në fillim të viteve ’90 ishte vite larg vizioneve dhe principeve
liberale e demokratike të SHBA.
Megjithatë, për ata që janë iluminist dhe besojnë tek ndriçimi i mendjes,
mjafton fryma dhe energjia për të bërë ndryshimin dhe ai ndodh. Kështu ndodhi
me të vërtetë edhe me shqiptarët në fillim të viteve ’90, të cilët falë frymës
dhe energjisë filluan menjëherë të përshtateshin në formën tre dimensionale me
modelin liberal-demokratik të SHBA.
Sigurisht shqiptarët nuk ja dolën vetëm, por patën një mbështetje të fortë
nga vetë SHBA e kjo bën pjesë tek filozofia e politikës së jashtme të tyre
sipas të cilës: Aty ku mungon demokracia dhe dëshiron të rilind, SHBA janë të
pranishme.
Kështu SHBA jo vetëm u gjendën të pranishme në lindjen e demokracisë
shqiptare, por ato e mbrojtën nga sulmet e jashtme dhe e mbështeten nga atentatet
e brendshme.
SHBA kështu u kthyen bastion i kauzës shqiptare ne Rajon, sepse kjo e fundi
ishte kauzë e drejtë e një populli që kishte pasur vetëm vuajtje për më shumë
se 500 vjet. Duhet të theksojmë faktin se Politika e jashtme e Shqipërisë nuk
ka qenë aq e ndershme dhe besnike ndaj SHBA ashtu siç duhet të ishte në vërtetë.
Por në linjat kryesore të saj nga viti ’92 deri në 23 Qershor 2013 ka qëndruar
në linjën se SHBA janë partneri më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.
Mendoj se pa fitores së “Rilindjes socialiste”, për fat të keq po ndodh ajo
që mund të konsiderohet “Rilindja Enveriste” , e cila ishte armike e SHBA në çdo
vizion e princip. Pse po ndodh kjo? Rama me stafin e tij politik po cenon bazën
e principit liberal-demokratik e për rrjedhojë po çon drejt izolimit marrëdhëniet
e rëndësishme me SHBA.
Së pari Rama dëshmoi publikisht se ai është një udhëheqës që nuk din të
menaxhoi në mënyrë demokratiket preferencat e popullit të tij. Në kuptimin
politik kjo përkthehet “i pabesueshëm”. Ai nuk qe në gjendje të administronte siç
duhet çështjen e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Ai nuk zgjodhi rrugën
dhe modelin amerikan të transparencës dhe konsultës me qytetarët, por modelin
enverist që vendoste me mendjen e tij dhe pastaj me një të rënë tavolinës
kthehej në aksion. Rama po gabon rëndë, sepse qytetarët po i trajton njëlloj si
kur të ishte koha e Regjimit, pa harruar se shumë gjëra kanë ndodhur dhe
qytetarët janë të informuar.
Së dyti, Rama me stilin e tij të heshtjes dhe të pasigurisë dëshmoi tek
SHBA liderin e dyshimtë dhe jo partnerin e sigurt. Amerikanët preferojnë lider
të drejtpërdrejtë që gjërat i thonë në tavolinë, i diskutojnë aty dhe nuk
fshehin prapaskena.
Megjithatë, mund të themi se nuk mjafton vetëm çështja e armëve kimike
siriane që po trondit marrëdhënie me SHBA. Rama po tenton të cenoi në bazë
principet liberal-demokratike të shoqërisë që janë fort të dashura për SHBA.
SHBA nuk duan një shtet që ndërhyn në çdo gjë dhe kontrollon çdo gjë. Rama
po dëshmon modelin se ndërhyn në çdo gjë dhe kërkon të kontrolloi çdo gjë.
Modeli i tritolit i praktikuar nga Rama për rrëzimin e ndërtesave, sigurisht
nuk është modeli amerikan i funksionimit dhe zbatimit të ligjit. Gjithashtu,
fakti se Rama ka ndërhyrë dhe po vendos sistemin progresiv të taksave është një
sinjal tjetër i fortë se Shqipëria po largohet nga modeli Amerikan dhe po
kthehet për nga modeli sovjetik. SHBA e kanë dhënë sinjalin e tyre disa herë
përmes dhomës së tyre tregtare që është e pranishme në Shqipëri. Është
shqetësues fakti se SHBA si përfaqësia diplomatike që ndodhet në Tiranë ka më
shumë se një muaj që po hesht. Në praktikën diplomatike heshtja nuk është një
sinjal i mirë. Kjo është akoma edhe më e besueshme nëse e kemi fjalën për
historinë e përfaqësisë diplomatike të SHBA në Shqipëri e cila gjithmonë
preferonte të ndërhynte publikisht për të thënë fjalën e saj. Fakti që tashmë
hesht, do të thotë se SHBA janë të bindur se këshillat e tyre nuk dëgjohen më.
Shpresoj të mos ndodh një “Rilindje Enveriste” me frymëzim totalisht
antiamerikan dhe që do të filloi të doktrinoi me këtë frymë edhe popullin
shqiptar, i cili në çdo qelizë është pro amerikan. Marrëdhëniet mes Shqipërisë
dhe SHBA duhet të jenë të një aleance të përjetshme, të padiskutueshme e të
sinqertë, sepse ka vlerat të përbashkëta si: Patriotizmin, demokracinë,
bashkimin dhe vëllazërinë. Çdo lider që meriton të jetë udhëheqës i shqiptarëve
nuk duhet të vendos kurrë në diskutim marrëdhëniet me SHBA, por duhet të tregoi
vullnetin dhe dashurinë për t’i vënë në nivelet më të larta.