Shumë vende të botës do të dëshironin një diasporë kaq të shtrirë e të pranishme nëpër botë siç është diaspora shqiptare. Historia e shqiptarëve nëpër botë është një histori e hershme dhe e mbushur me sukses e krenari. Megjithatë, të gjithë atdhetarët shqiptarë që kanë jetuar jashtë i ka ndjekur fataliteti i azilit të përjetshëm. Shqiptarët që nga koha e Ilirëve, e Skënderbeut, e Rilindjes kanë bërë histori dukë ndërtuar civilizime, kultura e shtete të huaja. Nuk duhet të harrojmë faktin se shumë Perandorë të Romës e Bizantit ishin më origjinë ilire. Ato ndërtuar botën moderne me ligje, ndryshuan konceptin e kohës e hapësirës. Nuk duhet të harrojmë se shumë pasardhës të familjeve më fisnike dhe familjarë të Skënderbeut erdhën në Itali e formuan komunitetin Arbëresh. Kontributi i arbëreshëve ka qenë i jashtëzakonshëm në pavarësinë e Italisë dhe në krijimin e forcimit të Republikës. Nuk duhet të harrojmë se mbreti Ali i Egjiptit ishte shqiptarë. Ai ndërtoi Egjiptin modern dukë i dhënë formën demokratike të institucioneve. Nuk duhet të harrojmë kontributin e vëllezërve Frashëri në rilindjen e Turqisë moderne. Rol të jashtwzakonshëm ka luajtur edhe komuniteti shqiptarë në Rumani. Nuk duhet të lëmë pas dore diasporën shqiptare në Amerikë të përfaqësuar në fillim nga figura si Noli, Konica e shumë fisnikë të tjerë që kanë ndikuar pozitivisht në Uashington për çështjen shqiptare. Diaspora shqiptare jo vetëm që ka bërë ambasadoren e Shqipërisë edhe kur ajo ishte e izoluar, por edhe ka punuar pareshtur për të mirën e saj. Ndërsa, fatkeqësisht optika e politikës shqiptarë për Diasporën ka qenë ajo e një lope për t’u mjelur kur është nevoja. Politika shqiptare vetëm ka marrë nga Diaspora dhe nuk i ka dhënë asgjë, as nuk ka marrë të paktën mundimin ta dëgjoj. Diaspora shqiptare ka nevojë të dëgjohet, sepse është një vlerë e jashtëzakonshme e pastaj i qan zemra për vendin mëmë, Shqipërinë. Shumë premtime politika shqiptarë ka bërë për Diasporën, por ashtu siç ka ndodhur edhe me qytetarët e thjeshtë, ajo nuk ka mbajtur asnjë. Sot Shqipëria ka nevojë për burime e eksperienca të jashtëzakonshme njerëzore. Prandaj, ka ardhur momenti që Diaspora të përfshihet konkretisht në shërbimin diplomatik, në institucione dhe sidomos në formën e këshilltarëve në departamentet më të rëndësishme që lidhën me reformat. Dështimi i radhës i integrimit të Shqipërisë në Europë, dëshmon një realitet të dhimbshëm, se politika shqiptare kaq mund të jap dhe nuk ka kapacitete për më shumë. Kjo është një arsye e fortë për të trokitur në dyert e Diasporës njëlloj siç bëri Ismal Qemali dhe duke i ofruar mundësi konkrete përfshirje në iniciativa dhe vendimmarrje. Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen e Diasporës, e cila mbetet vlera më e rëndësishme e lënë në harresë gjatë gjithë kësaj periudhe.