Thursday, December 26, 2013

Ç’po ndodh vallë mes SHBA dhe Shqipërisë


Alban Daci

SHBA vazhdojnë të mbeten fuqia më e madhe, e vetme dhe e padiskutueshme në Botë. Megjithatë, SHBA mbeten më shumë ideali i vetëm e pozitiv për të gjitha vendet e vogla që kanë qenë të pambrojtura e të shtypura nga doktrinat diktatoriale të modelit sovjetik, ose stalinist-komunist. Shqipëria është një ndër vendet e vogla, e cila mbijetoi jo nga interesi konkret që kishin SHBA mbi vende si Shqipëria, por për shkak të filozofisë që kishin SHBA për të gjithë vendet e vogla që pas Luftës së I u gjetën të pambrojtura, të shtypura.
Amerikanët e themeluan shtetin e tyre mbi principet e demokracisë duke vendosur bazë absolute Lirinë, të drejtën për të ekzistuar, për të vendosur dhe për të kërkuar çdo komb lumturinë, një term i ri për atë kohë, por iluministë dhe i domosdoshëm.
SHBA si bazë të zhvillimit shtetëror, individual dhe social vendosën demokracinë, duk imituar e përshtatur me kohën moderne modelin origjinal të demokracisë së Athinës. Çdo doktrinë e politikës se jashtme e SHBA është përcaktuar mbi principin e demokracisë, respektimit të identitetit kombëtar dhe zhvillimit të lirë të aktiviteteve njerëzorë duke përfshirë edhe sipërmarrjen e lirë. Këto elementë krijuan “Ëndrrën Amerikane”, e cila përbëhej nga dy pjesë në raport me kombet e tjera: E para kishte të bënte me faktin se njerëz nga gjithë bota dëshironin të shkelnin qoftë edhe njëherë në territorin amerikan për të përjetuar drejtpërsëdrejti mrekullinë amerikane; Së dyti, shumë intelektualë të kombeve të tjera duke u frymëzuar përmes studimeve të literaturës amerikane kërkonin që ëndrrën amerikane ta aplikonin me sukses në vendet e tyre.
Shqiptarët bënin pjesë tek të dy pjesët. Shumë shqiptarë duke sfiduar vdekjen u arratisën gjatë kohës së Regjimit për të emigruar drejt SHBA. Gjithashtu, disa intelektualë duke studiuar fshehurazi literaturën amerikane nuk reshtën kurrë duke u përpjekur me krijuar realitetin social amerikan në Shqipëri. Këta ishin të gjithë disidentët e Regjimit, të cilët për shkak të ideve të tyre liberale-demokratike, u shtypën, u pushkatuan, internuan.
Shqiptarët kishin një problem më të madh në lidhje me marrëdhënie politike të SHBA,  modelin e tyre të brendshëm politik, social dhe ekonomik. Shqiptarët edhe po të arrinin të krijonin Amerikën e tyre, ajo nuk do të ishte kurrë si SHBA, sepse ishte e rrethuar nga vende që mbanin gjallë politikën shoviniste, aplikonin gjenocidin dhe kishin në fuqi sisteme politike monarkike despotike, ose model stalinist-komunist të orientuar drejt autoritarizmit absolute.
Prandaj, shqiptarët jo vetëm që nuk duhet të harronin kontributin e SHBA për ekzistencën e tyre, jo vetëm duhet të vazhdonin të ëndërronin “Ëndrrën Amerikane”, por duhet sa më shpejt dhe me realizëm të rivendosnin marrëdhëniet dypalëshe me SHBA. Sigurisht nuk ishte e lehtë të ndodhte kjo edhe pse dëshira popullore ishte e madhe. Them kështu, sepse shoqëria politike dhe ekonomike e Shqipërisë në fillim të viteve ’90 ishte vite larg vizioneve dhe principeve liberale e demokratike të SHBA.
Megjithatë, për ata që janë iluminist dhe besojnë tek ndriçimi i mendjes, mjafton fryma dhe energjia për të bërë ndryshimin dhe ai ndodh. Kështu ndodhi me të vërtetë edhe me shqiptarët në fillim të viteve ’90, të cilët falë frymës dhe energjisë filluan menjëherë të përshtateshin në formën tre dimensionale me modelin liberal-demokratik të SHBA.
Sigurisht shqiptarët nuk ja dolën vetëm, por patën një mbështetje të fortë nga vetë SHBA e kjo bën pjesë tek filozofia e politikës së jashtme të tyre sipas të cilës: Aty ku mungon demokracia dhe dëshiron të rilind, SHBA janë të pranishme.
Kështu SHBA jo vetëm u gjendën të pranishme në lindjen e demokracisë shqiptare, por ato e mbrojtën nga sulmet e jashtme dhe e mbështeten nga atentatet e brendshme.
SHBA kështu u kthyen bastion i kauzës shqiptare ne Rajon, sepse kjo e fundi ishte kauzë e drejtë e një populli që kishte pasur vetëm vuajtje për më shumë se 500 vjet. Duhet të theksojmë faktin se Politika e jashtme e Shqipërisë nuk ka qenë aq e ndershme dhe besnike ndaj SHBA ashtu siç duhet të ishte në vërtetë. Por në linjat kryesore të saj nga viti ’92 deri në 23 Qershor 2013 ka qëndruar në linjën se SHBA janë partneri më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.
Mendoj se pa fitores së “Rilindjes socialiste”, për fat të keq po ndodh ajo që mund të konsiderohet “Rilindja Enveriste” , e cila ishte armike e SHBA në çdo vizion e princip. Pse po ndodh kjo? Rama me stafin e tij politik po cenon bazën e principit liberal-demokratik e për rrjedhojë po çon drejt izolimit marrëdhëniet e rëndësishme me SHBA.
Së pari Rama dëshmoi publikisht se ai është një udhëheqës që nuk din të menaxhoi në mënyrë demokratiket preferencat e popullit të tij. Në kuptimin politik kjo përkthehet “i pabesueshëm”. Ai nuk qe në gjendje të administronte siç duhet çështjen e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Ai nuk zgjodhi rrugën dhe modelin amerikan të transparencës dhe konsultës me qytetarët, por modelin enverist që vendoste me mendjen e tij dhe pastaj me një të rënë tavolinës kthehej në aksion. Rama po gabon rëndë, sepse qytetarët po i trajton njëlloj si kur të ishte koha e Regjimit, pa harruar se shumë gjëra kanë ndodhur dhe qytetarët janë të informuar.
Së dyti, Rama me stilin e tij të heshtjes dhe të pasigurisë dëshmoi tek SHBA liderin e dyshimtë dhe jo partnerin e sigurt. Amerikanët preferojnë lider të drejtpërdrejtë që gjërat i thonë në tavolinë, i diskutojnë aty dhe nuk fshehin prapaskena.
Megjithatë, mund të themi se nuk mjafton vetëm çështja e armëve kimike siriane që po trondit marrëdhënie me SHBA. Rama po tenton të cenoi në bazë principet liberal-demokratike të shoqërisë që janë fort të dashura për SHBA.

SHBA nuk duan një shtet që ndërhyn në çdo gjë dhe kontrollon çdo gjë. Rama po dëshmon modelin se ndërhyn në çdo gjë dhe kërkon të kontrolloi çdo gjë. Modeli i tritolit i praktikuar nga Rama për rrëzimin e ndërtesave, sigurisht nuk është modeli amerikan i funksionimit dhe zbatimit të ligjit. Gjithashtu, fakti se Rama ka ndërhyrë dhe po vendos sistemin progresiv të taksave është një sinjal tjetër i fortë se Shqipëria po largohet nga modeli Amerikan dhe po kthehet për nga modeli sovjetik. SHBA e kanë dhënë sinjalin e tyre disa herë përmes dhomës së tyre tregtare që është e pranishme në Shqipëri. Është shqetësues fakti se SHBA si përfaqësia diplomatike që ndodhet në Tiranë ka më shumë se një muaj që po hesht. Në praktikën diplomatike heshtja nuk është një sinjal i mirë. Kjo është akoma edhe më e besueshme nëse e kemi fjalën për historinë e përfaqësisë diplomatike të SHBA në Shqipëri e cila gjithmonë preferonte të ndërhynte publikisht për të thënë fjalën e saj. Fakti që tashmë hesht, do të thotë se SHBA janë të bindur se këshillat e tyre nuk dëgjohen më. Shpresoj të mos ndodh një “Rilindje Enveriste” me frymëzim totalisht antiamerikan dhe që do të filloi të doktrinoi me këtë frymë edhe popullin shqiptar, i cili në çdo qelizë është pro amerikan. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA duhet të jenë të një aleance të përjetshme, të padiskutueshme e të sinqertë, sepse ka vlerat të përbashkëta si: Patriotizmin, demokracinë, bashkimin dhe vëllazërinë. Çdo lider që meriton të jetë udhëheqës i shqiptarëve nuk duhet të vendos kurrë në diskutim marrëdhëniet me SHBA, por duhet të tregoi vullnetin dhe dashurinë për t’i vënë në nivelet më të larta.