Saturday, November 9, 2013

Mafia politike dhe rinia peng i një 2 mijë lekshi


Nga – Dr. Alban Daci
Alban Daci
Ka plasur mania e 2 mije lekëshes pas skandalit të blerjes së votës së qytetarëve nga Stafi i Rilindjes ne zgjedhjet për kryetar bashkie në Korçe. Kjo kartëmonedhe po bëhet më shumë e famshme prej skandalit se sa prej vlerës reale monetare.
Të rinjtë kanë protestuar sot para Kryeministrisë duke hedhur kartëmonedha 2 mijë lekëshe false. Siç duket të rinjtë, le të gëzohen qoftë edhe për një ditë të vetme proteste duke i mbushur si asnjëherë tjetër xhepat me kartëmonedha false të prerjes 2-she, sepse origjinalet vazhdojnë t’i ëndërrojnë ngaqë shumica e tyre nuk punon, nuk ka punuar kurrë dhe nuk kanë as shpresa që mund të punojnë.
Rama gjatë fushatës premtoi hapjen e 350 mijë vendeve të reja pune. Megjithatë, ditët kalojnë dhe asgjë nuk duket ne horizont. Rama guxoi të bëj fushatë mbi punësimin, i cili vazhdon të jetë një plagë e rendë e shoqërisë shqiptare. Ç’fare kuptonte Rama me 350 mijë vende pune? Të shkarkonte militantët e PD dhe të punësonte 350 mijë militantë të Rilindjes? Vetë administrata duhet të jetë në rinovim duke ulur numrin e punonjësve, sepse speza publike është rritur shumë.
Megjithatë, Rama pavarësisht krizës, për të kënaqur partneret e fryu edhe më shumë administratën publike duke shtuar numrin e ministrave dhe zëvendës ministrave. Së pari, nuk është e këshillueshme strategjia e Ramës e “tokës së djegur” duke filluar nga fillimi në të gjitha fushat.
Jam dakord se Administrata e kaluar ka qenë e mbushur me militantë, sidomos ka qenë LSI, e cila bashkëqeverisje në atë kohë me PD. Më shumë se askush tjetër sëmundjen e militantëve pa kriter e futi pikërisht LSI në administratën shtetërore. Megjithatë, në administratë ka edhe specialistë shumë të mirë që kanë eksperiencë mbi 20 vjet dhe që shteti ka harxhuar para për kualifikimin e vazhdueshëm në këto 20 vjet.
Duhet të theksojmë faktin, se është pikërisht politika që e ka sëmurë qytetarin dhe jo qytetari politikën. Ka shumë specialistë në sektorë të ndryshëm që nuk duan të merren fare me politikë, por është politika që i kushtëzon mbi parimin e shantazhit për t’i bërë pjesë të saj.
Është e ditur tashmë teoria: “O me ne, ose kundër nesh”. Politika duhet të heq dorë mbi marrjen peng të qytetarëve duke e kushtëzuar jetën e tij vetëm në bazë të angazhimit politik, qofte të deshiruar ose edhe të sforcuar.
Gjithashtu, nuk mund të hapen vende të reja pune duke ndjekur teorinë e “tokës së djegur”, duke shkrire struktura, duke prishur ndërtesa, duke ndjekur një politikë të ndërhyrjes së fortë mbi iniciativën e lirë. Modeli i Shqipërisë evropiane nuk mund të jetë tritoli, i cili na kujton periudhën e dhimbshme të vitit ’97.
Jam dakord se në Shqipëri ka nevojë që ligji të funksionojë si ligjë dhe institucionet të respektohen. Megjithatë nëse kjo nuk ndodh në fillim nga vetë politikanët nuk ka kuptim që ta bëjnë vetëm qytetarët. Nuk mund të përdoret teoria e shtetit të fortë, kur nuk është i tillë, nuk ka qenë i tillë dhe nuk ka forcë për të qenë i tillë.
Shteti nuk mund ta nxjerrë një qytetarë në rrugë, nëse atij nuk i ka siguruar një rrugë tjetër alternative për të vazhduar me jetuar.

Shteti nuk duhet të jetë simboli që vetëm shkatërron ashtu siç po tenton Rama të na e demonstroi, por mbi të gjitha duhet të jetë një Shtet që ka plane konkrete për rimëkëmbje dhe rindërtim.
Nuk mund të ketë vende të reja pune, kur bllokohen punimet ne autostradën Elbasan-Tirane, e cila është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe është tashmë në kilometrat e fundit drejt përfundimit. Nëse ka shkelje shteti duhet të gjejë dialogun dhe mundësinë për të rivazhduar punimet duke mbrojtur dhe interesat e tij.
Duke njohur situatën e të rinjve që me diplome ose jo, me zanat ose jo, sillen pa punë në Tiran. Mund të them se 20 mije lekësha është vazhdimi i teorisë i marrjes peng të qytetarit nga politika.
Që në fillim të premtimeve për mijëra vende pune të premtuara nga Rilindja, kam qenë i sigurt që është thjeshtë premtim elektoral. Megjithatë, disa të rinj të dëshpëruar e morën si të vërtetë dhe e votuan. Thonë se kur njeriu është në dëshpërim ka tendencë t’i besoj kujtdo. Kështu edhe të rinjte që ishin në dëshpërim i besuan premtimit të Rames.
Megjithatë, unë, kam deklaruar që fillim të premtimit për vende pune se nëse nuk mbahet do të jem i pari që do të dal të protestoje para Kryeministrisë për mos mbajtjen e këtij premtimi.
Nuk mund të vazhdojmë të jemi në çdo qelizëtë jetës tonë peng i politikës dhe nuk duhet të tolerojmë askënd që të tallet me jetën dhe perspektiven tonë. Mendoj se të rinjtë para se të protestojnë për 20 mije lekëshen e votës, që është pjesë e një sistemi me te madh, duhet të protestojnë për vendet e punës të premtuara nga Rilindja dhe të pa mbajtura.
Nuk ka asnjë plan të madh të nivelit makroekonomik nga Qeveria për këto katër vjet që të ketë baza reale për të përmbushur premtimin e saj për 350 mije vende pune.
Gjithashtu, të rinjtë dhe qytetarët duhet t’i japin fund shitjes së votave “për dy lekë”, e cila ka sjelle pasoja të turpshme në nivel politik, shtetëror edhe kombëtar. Sistemi i politikës i blerjes së votës ka bërë që Parlamenti shqiptar të mbushet me injorantë, njerëz pa profil profesional, moral dhe njerëzore. Shume persona në Parlament janë me diploma të blera, pa shkollë, me precedentë vjedhje (vjedhje pulash ne kohën e regjimit), trafikant, ish bashkëpunëtor të sigurimit, biznesmen që nuk paguajnë detyrime.
Po këto njerez që kanë mbushur Parlamentin bëhen edhe ministra. Nuk është para me vlerë 2 mije leke që mund tu ndryshojë jetën, por personat dhe cilësitë e tyre qe do ju përfaqësojnë në politike dhe institucione.