ALBAN DACI
Ngjarjet ndodhën shpejt nga viti 1990 deri në 2012. Fillimi ishte i madh,
premtues, dhe në pamje të jashtme i ri dhe i ndryshëm. Shqiptarët filluan të
besonin se kishin fituar kundër regjimit mizor dhe njerëzve që e kishin
ndërtuar dhe përfaqësuar atë për thuajse 50 vjet rresht. Shumë shqiptarë besuan,
ose më saktë donin të besonin me çdo kusht se një kapitull i ri po hapej për vendin
e tyre. Shumë familje të nderuara, që ishin shtypur dhe ishin përdhosur vetëm
pse kishin qenë nacionalist dhe që nuk e pranonin dogmën komuniste, më në fund,
filluan të besonin se nderi i tyre do të kthehej e bashkë me të edhe
perspektiva e një jetë të lirë e të ndershme.
Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, ora e ndryshimit u prish, u ndal në vend. Zelli i madh që qytetarët kishin,
ndoshta me të drejtë në ngjarjet e
viteve ’90, shumë shpejt filloi të kthehej në një melankoli turbulluese dhe
zhgënjyese. Menjëherë, në vijën e parë të
ndryshimit u panë po të njëjtët njerëz, të cilit kishin përfaqësuar të kaluarën
mizore, ose bijtë e tyre, të cilët, me djersën e qytetarëve kishin bërë jetën e
princave e princeshave, duke shëtitur e
duke u shkolluar në shkollat më të mira perëndimore.
Pikërisht këto njerëz, që jo vetëm kishin pasur lidhje me regjimin mizor,
por që kishin qenë mizor po aq sa regjimi që kishin përfaqësuar, filluan të
përdornin maskën e drejtësisë e të demokracisë për të grabitur çdo pronë që
shqiptarët e kishin ndërtuar me djersën e tyre të përbashkët. U bë një masakër
e vërtetë me privatizimet, ku pronën e morën më të fortë e ato që kishin lidhje
me pushtetin, dhe jo pronarët e vërtetë, të cilëve u ishte mohuar e drejta e
pronësisë për më shumë se 30 vjet.
Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi dhe vjedhja e pronës publike, njerëzit e
të kaluarës, të veshur me maskën e rreme të demokracisë,
filluan të ndërtonin të njëjtin model politik që shqiptarët, për fat të keq,
kishin trashëguar për më shumë se 40 vjet me radhë. Ata filluan ta ndërtonin
regjimin politik mbi baza të mirëfillta autoritare të stilit mafioz, duke
krijuar një rreth vicioz pushteti, ku qytetarët e ndershëm dhe familjet e
nderuara u përjashtuan dhe u luftuan njollojë si më parë. Gjithashtu, u ndërtua
një politikë antikombëtare, duke u stimuluar një emigracion i pakontrolluar,
nga i cili u larguan ( “dëbuan”) mijëra qytetarë, ku disa prej tyre nuk u
kthyen më kurrë.
Emigracionin e përdorën si të vetmen mënyrë për të shpëtuar e jetuar ato
qytetarë, të cilët nuk kishin trashëguar asnjë pushtet politik dhe nuk kishin
as mundësinë më të vogël të merrnin pjesën privatizime e përvetësime ekonomike,
sepse ato, si në kohën e regjimit, ishte bërë monopol vetëm për një grup të
caktuar njerëzish, të cilët kishin qeverisur duke shtypur e duke përjashtuar çdo
vlerë pozitive, që donte të bëhej pjesë e proceseve politike dhe ekonomike.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt nën nofkën ‘tranzicioni”, i cili thjeshtë po
trazonte zemrat dhe mendjet e qytetarëve të thjeshtë, por që nuk kishte të bënte
fare me tranzicionin politik. Vetëm tranzicion politik nuk mund të quhej, sepse
gjithçka ishte si më parë dhe nuk po bëhej asnjë përpjekje konkrete për të
konkretizuar një model të ri politik.
Monopoli, kontrolli i pushtetit me metoda mafioze e autoritare nga një pakice
njerëzish, bënë që shumë ngjarje tragjike të ndodhnin për vite me radhë, të
cilat patën objektiv të vetëm e të drejtpërdrejtë qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur. Në këtë atmosferë monopoli e metodash mafioze
e autoritare, le të themi, në vend u krijuan dy grupe të mëdha politike.
Këto grupe, edhe pse kishin emra “trendy”, nuk kishin asnjë ndryshim mes veti.
Për këtë arsye, rotacioni i pushteti nuk kishte fizionomi demokratike. Qeveritë,
që ndërroheshin, nuk sillnin asgjë të re, përveç faktit se ndërroheshin fytyrat
e personave që qeverisnin, por në mendje dhe në zemër ishin njësoj: mizor,
autoritar dhe krejt indiferentë kundrejt problemeve dhe halleve të qytetarëve.
Qytetarët, për vite me radhë në tranzicion, vazhduan të jetonin mes varfërisë,
emigracionit dhe pasigurisë për jetën. Ëndrrat e qytetarëve mbeten thjeshtë ëndrra
dhe ato nuk u bënë kurrë realitet. Një ndër ëndrrat më të bukura që shqiptarët
kishin ëndërruar në fillim të viteve ’90 ishte që “Shqipëria të bëhej si
Europa”. Shqipëria, jo vetëm që nuk e
realizoi këtë ëndërr, por aq sa i afroheshin qytetarët Europës duke emigruar,
po aq i largoheshin politikanët duke bërë korrupsion, afera mafioze dhe duke
përdorur egon personale për pushtet, si armën më të fortë të bërjes politikë.
Politika, çdo ditë që kalonte, largohej gjithnjë e më shumë nga qytetari,
dhe mbyllej në shpellën e saj të errët të mbushur me marifeti mafioze,
antidemokratike dhe antikombëtare. Qytetarët, me të drejtë filluan të humbnin
besimin tek politika dhe filluan ta konsideronin atë si keqen më të madhe
që kishte krijuar vetë njeriu kundër jetës së tij. Por, fajin atyre nuk ua
kishte politike si nocion, e cila që nga kohët e lashta përfaqëson artin e të qeverisurit nga njerëzit më të zotë
në shërbim të komitetit e shoqërisë. Politika, ashtu si qytetarët ishte një
viktimë, sepse kishte rënë në duart e personave të gabuar.
Njerëzit, nga lashtësia, edhe pse e kishin krijuar politikën, ato nuk e
kishin diktuar atë, por ajo i kishte diktuar duke bërë evolucion e kreativitet
social. Kjo kishte ndodhur për faktin, se politika, edhe pse ishte krijuar nga
njerëzit, si rrymë arti, kishte fituar
autonominë e saj dhe në të njëjtën kohë duke mbajtur ndjenjën e reciprocitetit
nuk ishte larguar kurrë nga njerëzit, por u kishte shërbyer atyre.
Kjo nuk kishte ndodhur me shqiptarët, sepse shqiptarët kishin qenë në 500
vitet e fundit gjithmonë të ndërvarur nga pushtimet dhe regjimet e huaja e për
këtë arsye nuk kishin arritur të krijonin një model origjinal e autonom
politik. Politika për shqiptarët kishte qenë diçka e çmuar dhe e panjohur, por
që gjithmonë ishte lakmuar. Pas pavarësisë, shqiptarët, arritën ta posedonin
politikën si art të krijuar nga të huajt
dhe jo si art origjinal të krijuar prej tyre e në shërbim të tyre. Duhet të
themi, se në një farë mënyre historia ka dokumentuar se politika dhe
politikanët shqiptarë që nga Pavarësia, janë mbrojtur, frymëzuar dhe
mbështetur nga klane e interesa krejt
antishqiptare e antiqytetare.
Shqiptarët morën traditën, jo për faj të tyre, se shteti nuk duhet
respektuar, sepse ai është në dorën e të huajve. Kjo ide nisi të krijohej e të
kristalizohej që në fillimet e pushtimit otoman në Shqipëri. Pra, ndjenja e
antishtetit dhe mosrespektimi i institucioneve jo vetëm konsiderohej si diçka
pozitive, por përfaqësonte një farë krenarie, një mosbindje kundër pushtimit të
huaj.
Nuk dimë ndonjë rast, përveç Skënderbeut, që një lider të ketë ardhur në
pushtet me forcat e tij dhe përmes marrëveshjes, ose kontratës pozitive që
kishte bërë me qytetarët e tij. Pas Skënderbeut, deri në ditën e sotme, pas çdo
lideri që ka dal në skenën politike, ka qëndruar një hije misteri dhe
kurioziteti. për rrjedhojë edhe politika që ato kanë ndjekur, nuk ka qenë një
politikë origjinale në shërbim të vendit e qytetarëve, por një politike e
huazuar për të përfaqësuar interesa antikombëtare e antiqytetare.
“Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në
epitafin e saj do të shkruhet: Shqipëria lindi nga Zoti, Shpëtoi nga rastësia e
vdiq nga politikanët”- Faik Konica. Me siguri i madhi Konica ka pasur parasysh
faktin se të keqën më të madhe ky vend e ka pasur pikërisht nga politikanët e
saj, të cilët, jo vetëm që nuk e duan atë, por luftojnë kundër saj, duke
mbrojtur interesa antikombëtare e antiqytetare.
Shqipëria, edhe pse ka kaluar shumë vështirësi për shkak të politikanëve të
shitur e antikombëtar, ajo ka mbijetuar e tashmë ka mundësinë e saj reale të
rilind si kurrë më parë. Më në fund, shqiptarët, para syve kanë rastin unikal
të vëzhgojnë tek sa po krijohet një politikë origjinale shqiptare, e cila në
formën e artit të qeverisjes, përfaqëson vetëm interesat kombëtare e qytetare.
Ky është një model i ri dhe krejt i ndryshëm politik nga ai që kemi përjetuar
në 100 vite Pavarësi (Varësi të kontrolluar nga të tjetër). Kjo është një politik e re, sepse ka një
model të ri. Ka modelin origjinal shqiptar, të bazuar thellësisht në filozofinë
tradicionale shqiptare. Shqiptarët, për shekuj me radhë, gjënë më të shtrenjtë,
ndjesinë kombëtare, që popujt e tjerë e kishin përjetuar prej kohësh, nuk e
përjetuan kurrë me të drejta të plota. Por, sot, më në fund kemi një model të
ri politik, i cili bazohet thellësisht në ndjenjat tona kombëtare, për të cilat
kemi luftuar gjithmonë, por në të njëjtën kohë jemi privuar thuajse gjithmonë.
Ky model politik është i ri, edhe sepse po themelohet nga njerëz të rinj,
që nuk kanë lidhje me të kaluarën e ndërvarësisë politike dhe varësisë apo
servilizmit të interesave antikombëtare. Kemi qindra e mijëra të rinj, të cilët,
të frymëzuar e të betuar para simboleve kombëtare Kuq e Zi, po krijojnë një
model politik po Kuq e Zi në shërbim të vendit dhe të çdo personi që ndjehet
krenar pse është trashëgues i këtyre simboleve tona kombëtare. Qytetarët mezi e kanë pritur krijimin e kësaj
politike, e cila përfaqëson ëndrrat dhe
dëshirat e tyre historike e kombëtare. Çdo qytetar, që ndjehet krenar pse është
shqiptar, duhet ta mbështes këtë model politik, që ai të jetë i fortë e
gjithëpërfshirës, sa është edhe kombi shqiptar.