Alban Daci
Traktati i Romës i 25 marsit të vitit 1957 (art. 99 e 104) kishte për qëllim
të krijonte stabilitet ekonomik e politik në Europë. Kontinenti europian kishte qenë dëshmitar i
konflikteve dhe i luftërave shkatërruese, të cilat kishin gjunjëzuar e mbajtur
peng si ekonominë e këtij kontinenti, ashtu edhe paqen dhe stabilitetin.
Bipolarizmi sovetiko-amerikan rrezikonte të anulonte plotësisht rolin e
Kontinentit të Vjetër, dhe për këtë arsye lindi si domosdoshmëri mes kombeve europiane
që të bashkonin fuqinë ekonomike e politike në një organizatë të përbashkët ndërkombëtare,
tek e cila do të pranonin të delegonin një pjesë të sovranitetit të tyre për një
të mirë më të madhe të përbashkët. Kjo ishte ideja fillestare e Komuniteteve
europiane.
Praktikisht, u mendua se duke pasur të njëjtat lidhje historike, të cilat
do të suportoheshin edhe nga interesat ekonomike, do të bëhej më i vështir ose
i pamundur një konflikt i armatosur.
Filozofia e Bashkimit Europiane do të ishte “e mira ime, rritja ime
ekonomike, kalon edhe nga e mira dhe rritja jote ekonomike” dhe për këtë arsye
duhet të jemi të “përqafuar” për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.
Pastaj u mendua që mallrat të mos shiteshin vetëm në një vend, por të
kishin mundësi të qarkullonin lirshëm edhe në vende të tjera me rregulla e
sisteme të përbashkëta, të cilët do të harmonizoheshin mes më shumë se 330 milion
njerëzve, të cilët do të bëheshin thuajse 500 milion duke pasur parasysh edhe vendet
kufitare që do të kishin lidhje me zonën Eurozonën. Kjo ishte ideja e një tregu
të përbashkët me një monedhë të përbashkët.
Shqipëria në fillimin e viteve ’90 dilte nga një regjim mizor, nga një
izolim ndërkombëtar dhe nga një sistem ekonomik katastrofal. Megjithatë,
dëshira e qytetarëve për të fituar demokracinë dhe për t’u bërë pjesë e
institucioneve ndërkombëtare perëndimore ishte e madhe. Askush nga qytetarët që
morën pjesë në lëvizjet e mëdha politiko-sociale të viteve ’90 nuk e kishin
menduar e besuar, se Shqipëria do të kalonte më shumë se dy dekada pa u
integruar në BE.
Sot jemi në 2012, pra kemi kaluar 22 vjet tratativa të pasuksesshme për të
hyrë në BE. Natyrshëm lind pyetje a i leverdis më Shqipërisë të besoi në një
integrim të plotë në BE? Së pari vetë BE, po kalon një fazë të vështirë
transitore për shkak të krizës ekonomike që po kalon. Të gjithë ekonomistët
thonë, se BE është në krizë, por askush prej tyre nuk ka gjetur formulën
magjike se si mund të dal nga kriza. Në këto momente shqiptarët nuk duhet të
shpresojnë si zgjidhje të vetme integrimin në BE, kur vetë kjo e fundit nuk është
e sigurt se çfarë të ardhme do të ketë. Disa mendojnë rishqyrtimin e
traktateve, disa të tjerë propozojmë traktate alternative, por të gjithë më një
pikë janë dakord, se kështu siç është BE nuk po funksionon.
Pra, ne shqiptarët kërkojmë të integrohemi në një organizatë ndërkombëtare
sui generis siç është BE, ku vetë anëtarët që e përbëjnë atë, nuk janë të
kënaqur dhe të sigurt për këtë krijesë që kanë ngritur në këmbë. Në këtë
kuptim, pikërisht në këto momente nuk është aspak oportune që shqiptarët të kërkojnë me çdo kusht të behën
pjesë e BE.
Së dyti, ç’është e vërteta, kjo klasë politike nuk është në gjendje të plotësoi
kushtet për integrim. Klasa aktuale politike nuk ka as eksperiencën
profesionale e as dëshirën politike që Shqipëria të integrohet në BE. Nuk është
arsye e mosintegrimit vetëm mungesa e
kalimit të ligjit për iminutet, por shumë arsye të tjera, të cilat kanë të bëjnë
me stabilitetin politike, me elementet e demokracisë si dhe me shtetin ligjor.
Shqipëria çalon në të gjitha fushat, të cilat janë shumë vite dritë larg
standardeve të BE. Të marrin vetëm njërin prej tyre. Shqipëria sot për shkak të
borxhit të brendshëm që ka, i cili kalon 60% nuk mund të bëhet kurrë pjesë e
Eurozonës. Nëse Shqipëria nuk arrin të bëhet pjesë e Eurozonës, atëherë vetëm
integrimi i saj në institucionet politike nuk do të kishte ndonjë impakt të
madh. Kështuqë, me klasën aktuale politike, Shqipërisë i duhen të paktën edhe 20
vite të tjera që të bëhet pjesë e të gjitha strukturave e institucioneve që
aktualisht ka BE. E rikthesoj aktualisht, sepse asgjë nuk është e sigurt që BE
të mbetet kështu siç është pa pësuar ndryshime të mëdha.
Një sëmundje e vjetër e shteteve që përbëjnë BE është fakti se edhe pse në
pamje të parë të kanë pranuar të delegojnë një pjesë të sovranitetit të tyre në
emër të mirës së përbashkët, në të vërtetë ato ndjekin interesat e tyre të
ngushta gjeopolitiko-nacionale.
Nga kjo lind pyetja a i leverdis Shqipërisë të bëhet pjesë e një organizate
ndërkombëtare, ku anëtare e saj është Greqia edhe me vonë mund të jetë edhe
Serbia? A jemi të sigurt se Greqia dhe Serbia do të bëjnë politikë komunitare
duke mbrojtur edhe interesat e shqiptarëve? Të gjitha këto janë pyetje
retorike, sepse përgjigjen e kemi të qartë ndër shekuj.
Gjithashtu, Shqipëria nuk mund të kërkoi integrimin e saj, për sa kohë ajo
nuk ka zgjidhur çështjen e kufijve të saj. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten
populli i vetëm në Kontinent që është i ndarë mes veti. Moszgjidhja e çështjes
së shqiptarëve në rajon, do të jetë një plagë e thellë dhe e rëndë për gjithë
Kontinentin.
Shqipëria së pari ka nevojë para së gjithash të krijoi një identitet
suksesi në forcimin e institucioneve shtetërore, forcimin e demokracisë,
rritjen serioze ekonomike dhe forcimin e personelit diplomatik të bazuar vetëm
e vetëm mbi meritokracinë.
Shqipëria ka nevojë të ndjekë një politik nacionale. Pra, të fus nacionin në
politike duke e transformuar politikën në formën sa klasik e aq moderne, në atë
që njihen emrin “politik nacionale”. Për
t’u realizuar të gjitha këto, Shqipëria duhet të pësoi një transformim të thellë
politik, i cili duhet të kaloi përmes rinovimit total të elitës aktuale
politike, që duhet të zëvendësohet me një frymë të re intelektuale.
Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se çështja e Integrimit që reklamohet
edhe pas dy dekadave nga “Qeveria Berisha” është vetëm një blof dhe nuk ka
asnjë fondament serioz. Shqiptarët thjeshtë do të humbin kohë nëse do të vazhdojnë
t’i besojnë këtij blofi ashtu siç kanë bërë në këtë periudhë sa të gjatë, aq
edhe të vështirë.
Berisha mendon dhe beson se njeh mirë psikozën e popullit të tij. Ai po
gabon rëndë. Ëndrra e vetme e shqiptarëve nuk është integrimi, për të cilin
duhet të paguajnë çdo lloj çmimi. Berisha është i gatshëm në formën e një
shantazhi të shes edhe detin, vetëm Greqia të jetë dakord dhe të loboi që
Shqipëria të marr Statusin e vendit kandidat. Asnjë shqiptarë nuk është dakord
që shkojnë në Europë me një sovranitet tokësor e politik të shitur e të
copëtuar. Para çdo forme bashkëpunimi ndërkombëtar, janë interesat kombëtare
dhe vetë ekzistenca e kombit. Nëse këto dy vlera të rëndësishme cenohen,
atëherë nuk ka kuptim asnjë lloj forme integrimit.