Alban Daci
Një pyetje që kam dëgjuar shpesh duke diskutuar më miqtë e huaj është se:
Pse shqiptarët nuk e kuptojnë rëndësinë e lirisë, por shpesh e lënë pas dore atë
duke mos e kuptuar forcën e vërtetë që ajo ka. Në pamje të parë kjo ndoshta
duket paksa absurde, sepse pikërisht në sytë e të huajve, vendi ynë duket në
disa raste sikur ai ka liri me bejllëk.
Shumë persona ndërtojnë ku duan, edhe në ato vende ku është e ndaluar.
Sidomos këtu duhet të kemi parasysh rastet kur janë njerëz që kanë lidhje të tërthortë
me pushtetin ose janë vetë pushteti, atëherë nuk është habi që të nxjerrin si
ndërtim pa leje një kështjellë të ndërtuar që nga periudha e Skënderbeut dhe në
vendin e saj të ndërtojnë një pallat me hekura e shumë beton dhe mundësisht në
katin e parë të hapin për llogarinë e tyre një kazino “alla shqiptare”. Duhet theksuar se shqiptarët në mënyrë të
çuditshme e ndoshta antikonformiste kanë filluar të dashurohen marrëzisht pas
ndërtimeve të mbushura me hekur dhe beton. Edhe për ndërtimin e një tualeti të
vogël përdorin hekur e beton sa në Perëndim mund të ndërtoheshin dhjetëra shtëpi,
duke e përdorur betonin e hekurin të alternuar me materialet e tjera që janë të
domosdoshme për ndërtimet komforte. Kjo ndoshta ka mbetur si një dëshirë e
ndalur gjatë kohës së Hoxhës si dhe për shkak të psikozën që ky regjim krijoi
duke u mbushur mendjen shqiptarëve, se ato janë të rrethuar vetëm me armiq nga
të katërta anët.
Shumë persona kalojnë në semafor me të kuqe, sepse nuk kanë kohë e dëshirë
që të presin të dalë drita jeshile. Pastaj për këto persona kalimi me të kuq i
semaforit nuk përbën asnjë problem, sepse mund të përdor autoritetin e tij për
të injoruar policinë, ose në raste të tjerë me ndonjë “bakshish” të vogël, i
cili në shumë raste kërkohet hapur nga policët, të cilët qahen se kanë rrogën e
vogël dhe po qëndrojnë në shi ose në diell.
Disa të tjerë preferojnë të mos paguajnë taksa, sepse janë njerëz që kanë bërë
vota për partitë që janë në qeverisje ose sepse kanë dhënë kontribute të rëndësishme
me të holla për fushatat politike të partive që qeverisin. Në kohë fushatash,
shtëpitë e bizneset e qytetarëve, le të themi, në mënyrë simbolike dhe letrare
lyhen tek porta me ngjyra, sic bëhej ne kohën e romakëve me hebrenjtë, për të
treguar se cilat ishin shtëpi e padëshiruar dhe problematike. Kështu ndodh në
fushat politike shqiptare, ku shumë biznese etiketohet ose si mike dhe duhet
mbështetur e toleruar, ose si armike, qe duhet të shkojnë drejt falimentimit.
Disa qytetarë i hedhin mbeturinat në rrugë, në autobus, në plazh, nga
dritarja e makinës e ku të mundin, sepse ndoshta kërkojnë ndonjë kosh plehrash,
por nuk e gjejnë dhe në rastet kur e gjejnë nuk i afrohen dot afër sepse era e
shpifur të mbyt hundët dhe të pengon seriozisht frymëmarrjen. Ka nga ata që i
hedhin mbeturinat ku të duan, sepse nuk kanë kulturë qytetare si dhe nuk ka
norma administrative që do ua impononte një kulturë të tillë.
Pra, duke analizuar nga këto që u shprehëm më sipër, atëherë na lind ideja
sikur shqiptarët jo vetëm e kanë lirinë, por e posedojnë atë edhe në forma të
shfrenuara. E vërteta është krejt ndryshe. Liria ose më saktë vetë fjala “Liri”
mund të ketë kuptime të ndryshme dhe mund të përfshijë çështje të ndryshme dhe
të ngjashme në të njëjtën kohë.
Poeti Giorgio Gaber e cilëson lirinë
jo si një hapësirë të lirë pa limite, por sipas tij liria është pjesëmarrje. Ndërsa Gramsci e lidh lirinë pikërisht me cilësinë
e keqe të individualizmit italian. Sipas tij: “Ky individualizëm është
pikërisht i tillë? Mos pjesëmarrje aktive në jetën kolektive...do të thotë
ndoshta të mos jesh “partizan”, të mos jesh pjesë e asnjë grupi
ekzistues?...Nuk është aspak kështu. Do të thotë se tek partitë politike dhe
tek sindikalizmi politik...preferohen forma organizative të llojeve të tjera,
dhe në mënyrë precize “malavita”, mafia që mundësisht të kenë lidhje me atë, e
cila, le të themi, ndonjëherë padrejtësisht quhet “shoqëri e lartë”.
Ka kaluar më shumë se një shekull prej kur Gramsci shkruante këto fjalë
shumë domethënëse. Maurizio Viroli
profesor i Teorisë Politike në Princenton shkruante në lidhje me lirinë, se
ekzistojnë dy lloj lirie që janë të ndara dhe nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën,
“liria e shërbëtorëve” dhe liria e qytetarëve. Liria e shërbëtorëve konsiston në
faktin se ajo në shumicën e rasteve është e penguar dhe e limituar për të
arritur të mirën përfundimtare.
Ndërsa “liria qytetare” do të thotë se nuk i nënshtrohet ndonjë pushteti
arbitrar të ndonjë ose disa njerëzve. Në Shqipëri për fat tonë të keq ekziston
një pakicë për sa u përket numrave, por në shumicë për sa i përket forcës së
vendimmarrjes që ka të bëj me “lirinë qytetare”, ose më saktë të atyre që kanë
politikën si forcë të rëndësishme vendimmarrje dhe si stil jete.
Ndërsa ekziston një shumicë, për nga numrat, por pakicë për sa i përket
vendimmarrjes, e cila mund të quhet “liri e shërbëtorëve”. Kjo e dyta nuk është
asnjëherë në gjendje të realizoi deri në fund qëllimin final që do të
përfaqësonte interesat e një shumice. Përkundrazi, kjo shikohet nga liria e
pushtetarëve, si një liri me një status quo të përhershme, inferiore dhe të
kontrolluar.