Alban Daci
Hyrja e LSI në koalicion qeverisës më PD pati
komente të shumta dhe ç’është e vërteta në kuptimin ideologjik, politik dhe për
shkak të stilit politik që kishin bërë
liderët kryesor të këtyre forcave, ku nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër
njeri-tjetrit, koalicioni i tyre ishte sa absurd aq edhe i turpshëm. Absurd,
sepse si Ilir Meta ashtu edhe Sali Berisha kishin zgjedhur stilin e politikës së
ujkut, të gladiatorit, ku kundërshtari nuk është i tillë vetëm për programin dhe platformën dhe linjën
politike, por është armik i përjetshëm, sepse është kundër meje. Gjithashtu,
koalicioni i tyre u justifikua si koalicioni i integrimit. Në fakt ai
rezultoi koalicioni i skandaleve, i korrupsionit dhe që kishte vetëm një qëllim
të vetëm, mbajtjen e pushtetit me të gjitha privilegjet që rrjedhin prej tij,
qoftë legjitime ashtu edhe ilegjitime.
Edhe pse ky koalicion ishte i turpshëm dhe absurd,
ai vazhdoi të qëndroi në këmbë, sepse mes të dyja forcave politike që e
drejtonin, qëndronte pushteti, i cili jo vetëm i ka lakmuar por edhe i ka
joshur me të gjitha privilegjet e tij.
Komente dhe kuriozitete të shumta ka pasur nga politikanë, opinionistë
dhe qytetarë, nëse lideri i LSI do të rikthehej përsëri në gjirin e PS, nëse do
të rikthehej në koalicion me ketë forcë dhe nëse do e “tradhtonte” Berishën.
Mjaftoi ceremonia mortore të vetmit politikan
shqiptar në kuptimin filozofik, Arbër Xhaferrit, që Ilir Meta dhe Edi Rama të
ritakoheshin përsëri bashkë. Takimi i tyre u komentua pafundësisht në shtypin
shqiptar. Disa e cilësuan si takim kokë
më kokë, disa të tjerë si takim të rastësishëm me praninë edhe të politikanëve
të tjerë të PDSH. Kishte edhe nga ata
nostalgjikë, të cilët u gëzuar duke ribesuar, se Ilir Meta u rikthye
përsëri tek e Majta.
Shumë shqiptarë ankohen dhe e kërkojnë rotacionin
e pushteti. Rotacion do të thotë, që forcat politike, të cilat kanë qeverisur
për një periudhë të caktuar, përmes votës së qytetarëve duhet të kalojnë në
Opozitë. LSI është pjesë e qeverisjes bashkë me PD dhe kjo do të thotë, se të
dyja këto forca politike pjesë e një periudhe bashkëqeverisje që më shumë ka
njohur skandale, hapa mbrapa dhe dështime se sa suksese. Dështimi më i madhe i
qeverisjes nga këto dy forca politike mbeten mos integrimi i Shqipërisë në BE
dhe rritja e korrupsionit në të gjithë sektorët,.
LSI në mënyrë të theksuar ka krijuar kulturën e
antikulturës së shtetit. LSI është forca politike që në mënyrë të theksuar dhe
të dukshme krijoi dhe kultivoi ndjenjën e pandershmërisë kundrejt trupit
social, res publikes, Kombit, Atdheut ose, le ta quajmë, si të duam. LSI është
një ndër forcat politike në vend, e cila e goditi dhe e shkallmoj demokracinë
shqiptarë në zemrën e saj. Zemra e demokracisë është e vërteta dhe legaliteti
kundrejt institucioneve, përmes një ekuilibri transparent të realizuar mes
trupit social, Kombi dhe Shteti (institucioneve që ai përmban). Në Shqipëri, institucionet duket sikur kanë
humbur legalitetin dhe transparencën kundrejt qytetarëve, sepse ato janë kthyer në prona private të politikanëve
që janë në Pozitë.
Liria që sot posedojnë qytetarët është një lloj
“lirie skllavërore”, sepse ajo nuk ndjen interesin e të gjithëve duke
respektuar të mirën e përbashkët, por lirinë ad libitum, sepse fsheh rregullat,
injoron lirinë e tjerëve. Pra, është një Liri që gëzohet vetëm nga nja pakicë
politikanësh, të cilët me egoizmat e tyre dhe me injorancën primitive i
trajtojnë të gjithë qytetarët e tjerë sikur të ishin skllevër të komanduar dhe
të rrethuar nga pushtete e akte jo legale e transparente.
Lirie e ç’thurur e Qeverisë aktuale është mbajtur
në këmbë përmes një mekanizmi të mirëfilltë propagandistik, ku shumë media të
rëndësishme në vend janë kthyer në tellallë që i shesin popullit dëngla dhe të
pavërteta nga mëngjesi deri në darkë. Shkrimtari i famshëm Henry James në
tregimet e tij të titulluara The Paper
të publikuara në vitin 1903, ndër të tjera nënvizon: “Shtypi është qeni ruajtës
i civilizimit kudër çdo forme të një pushteti të fortë dhe autoritar”. Gjithë jemi dëshmitar të vidioklipit të
famshëm të transmetuar nga FIKS FARE, ku një ministër i LSI dhe një ministër
dhe zv/Kryministër i LSI po bënin hesape për “sukseset” personale. Edhe pse ishte një video, që e panë mijëra
shqiptarë dhe ku gjërat dukeshin qartazi, qeveria me një kontroll të
jashtëzakonshëm të shumicës së medieve të shkruara dhe televizive në vend e
propagandoi dhe e shiti sikur të ishte një montim dhe një fals keqdashës kundër
qeverisë.
Sovraniteti i popullit dhe liria e shtypit janë dy
gjëra simbitiotike dhe të pazëvendësueshme, arsyetonte Tocqueville. Nga Pozita
aktuale, në të cilën është aktore e fuqishme edhe LSI, mund të themi, se e dyta
është përdorur për të kërcënuar e sulmuar të parën në shërbim të qëllimeve jo
transparente të një pakice pushtetarësh. Nuk duhet të harrojmë faktin, se marrëveshja
e parë e Platformës Detare, e cila dështoi dhe zhvillimi i negociatave për
realizimin e një marrëveshje të dytë me të njëjtën qëllime me të parën, por
bëhen gjatë qeverisjes PD-LSI dhe është për t’u nënvizuar se protagonistë janë dy ministra të jashtëm që përfaqësojnë kuotat e kësaj të fundit.
Ky është rast flagrant i ad libitum, ku shumica në parlament, por jo në trupin social, përdorën
shumicën e saj në formë arbitrare kundër Kombit, ose të qytetarëve. Gjithashtu,
ky është rast tjetër, ku qeveria aktuale jo vetëm nuk ka legalitet, transparencë
me trupin social, por përdor mediat e
kontrolluara për të realizuar lirin e saj të shfrenuar me qëllimin e vetëm,
skllavërimin e shumicës qytetare.
Për këtë dhe për respektimin e rotacionit politik,
si pjesë e një periudhe bashkëqeverisje me PD, LSI pas 2013 duhet të dal në
Opozitë përmes votës së lirë të qytetarëve. Ajo as nuk mund të jetë, as nuk
mund të pretendoi, edhe as nuk duhet t’i ofrohet ndonjë mundësi e re për ndonjë
koalicion të ri qeverisës. Një koalicion i tillë, do të përkthehej një “pakt
kundër djallit, por duke mbajtur brenda vampirin”.