Alban Daci
Kjo është sot aktualisht rinia shqiptare, e cila ka mbetur mes, si të
themi, dy ujërave, as në shpi e as në ezil (emigracion).
Të rinjtë shqiptarë janë
të dëshpëruar nga mungesa e punësimit dhe të frikësuar, se ndoshta nuk do të arrijnë
të gjejnë kurrë punë.
Të rinjtë shqiptarë janë mes dilemës të emigrojnë e të mos kthehen më kurrë,
apo të emigrojnë, të njohin Perëndimin e pastaj të kthehen për t'u përshtatur me
despotizmin ballkanas.
Të rinjtë shqiptarë janë mes dilemës që të rrinë me ore të tëra nëpër kafe,
se nuk kanë si të shtyjnë ditën, apo të mos dalin fare nga shtëpia, sepse nuk gjejnë
asnjë motivim.
Ka vite e vite që politika dhe politikanët kanë abuzuar dhe po tentojnë të abuzojnë
me rininë, energjitë dhe idealet e saja.
Rinia shqiptare për fat të keq shumë herë, të le përshtypjen sikur është
peng i një politizimi të tejskajshëm burokratik, korruptiv dhe neglizhues.
Rinia shqiptare është mes dilemës të shkollohet jashtë, dhe askush të mos e
respektojë në Shqipëri shkollimin e saj, apo të marr një diplomë të lehtë të
blerë me pak para në vend, sepse gjithsesi, tashmë miku, forca dhe paraja nuk “ngrenë
vetëm ujin përpjetë”, siç thotë populli, por ngre edhe njerëzit nga nivele më të
thjeshta në nivelet më të larta e të pamerituara sociale.
Rinia shqiptare është e lodhur dhe e dëshpëruar sa herë që shikon se vendi
i saj ka probleme, ka përplasje dhe prapambetje.
Rinia shqiptar është e lodhur vetëm duke qenë dëshmitare e proceseve të
shumta negative me karakter politiko-social që kanë ndodhur në vend.
Rinia shqiptar është e trishtuar tek sa shikon, se vendi i saj nuk ndryshon
dhe nuk arrin të dal qoftë edhe për një çast nga kolapsi politiko-social që
prej vitesh e ka pllakosur.
Rinia shqiptare është e trishtuar, kur shikon, se varfëria, braktisja e
pushtetit dhe mosinteresimi i politikave shtetërore po i errëson të ardhmen dhe
po i ve në dilemë të tashmen.
Rinia shqiptare është e lodhur për gjithçka, ndoshta edhe pse nuk arrin të
jetë vetvetja, si një forcë e madhe intelektuale dhe energjike duke qëndruar në
ballin e sfidave dhe në burimin e ideve dhe zgjidhjeve.
Rinia shqiptare është e lodhur dhe e trishtuar duke kuptuar, se ajo është e
politizuar nga një politikë imorale, e cila nuk shikon asgjë tjetër veç se
interesat e një pakice.
Rinia shqiptare i ka të gjitha mundësitë me qenë forca reale promovuese e këtij
vendi, i cili në vitet e fundit ka vuajtur shumë dhe ka parë nga të gjitha.