Eksperti politik dr. Alban Daci thotë për “Bota sot”, se shqiptarët në Kosovë duhet ta marrin në dorë fatin e tyre, pasi politika është duke dështuar hapur dhe gjithnjë e më shumë është larg detyrimeve të tyre.
“Shqiptarët në Kosovë duhet të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendit të tyre, për sa kohë që politikanët nuk i përfaqësojnë
më ata, dhe që për arsye pushteti e privilegjesh janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin. Pra, nuk e kanë problem ta shesin ose ta keqpërdorin Kosovën”, thotë dr. Daci.
Ai vlerëson se politikanët e Kosovës e kanë humbur autoritetin e të qenit të pavarur në mendime, aksione dhe në përfaqësim të interesave kombëtare. Ai po ashtu shpjegon edhe shkakun se pse ka ndodhur një gjë e këtillë. “Kjo ka ndodhur për faktin se ato kanë frikë nga e kaluara e tyre, që gjasma lidhet me faktin se mund të kenë vrarë njerëz të pafajshëm në kohën e luftës ose për shkak të aferave mafioze që kanë kryerpas luftës”, thotë dr.Daci.
Ai shpresën e vetme e sheh tek ndryshimi i brezit apo kastës politike aktuale, në të kundërt mund të jemi shumë fatkeq. “Nëse në Kosovë nuk ndodh një rinovim total elitash politike, Kosova do të vazhdojë të jetë një fushë, ku të huajt luajnë topin e futbollit, kosovarët bëjnë rolin e tifozit dhe serbët mbajnë në dorë stilolapsat për të shënuar rezultatet në favorin e tyre”, thotë ai. Por, më e keqja është se bilanci për ne mund të jetë jo vetëm i keq, por edhe tragjik. “Çështja e veriut të Kosovës për fat të keq nëse nuk ndodh rinovimi i elitave do të jetë një telenovelë e modelit turk, që mund të ketë një fund tragjik për shqiptarët”, thotë dr. Daci.
Edhe eksperti Daci, e sheh si një burim të madh zgjidhjesh të situatave delikate kombëtare, madje ato janë shfrytëzuar edhe nga vetë politika, gjë që nuk po ndodh tani.
“Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për të ndërtuar shtetin modern shqiptar dhe për të mbrojtur kombin. Mjafton të kemi parasysh rolin e klubeve shqiptare, sidomos ato të Stambollit e Bukureshtit, në rolin që e kanë luajtur në themelimin e Lidhjes së Prizrenit”, thotë ai.
Ai gjithashtu përkujton sjelljen e mbretit Zog. “Duhet të kemi parasysh faktin se Ahmet Zogu e bëri shtetin modern shqiptar pikërisht me njerëzit e shkolluar në perëndim që u kthyen për të ndihmuar e modernizuar vendin e tyre.
Për fat të keq Shqipërinë dhe Kosovën po e qeverisin njerëz që janë të mbyllur në strofullat e tyre ballkanike dhe nuk kanë as aftësi intelektuale e as dashuri atdhetare e demokratike”, përfund Daci.