Friday, August 10, 2012

Të gjithë së bashku të rrëzojmë “Regjimin Berisha”


Alban Daci

Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga “Regjimi i Berishës”.  Sot qytetarët nuk ndjehen vetëm të zhgënjyer nga “Regjimi i Berishës”, por edhe të braktisur, të poshtëruar, të zhytur në varfëri, në pasiguri për jetën dhe shumë shpejt drejt një totalitarizmi “alla Berisha”.
Sot ka vetëm një kategori të vogël personash, të cilët përpiqet ta mbajnë akoma në pushtet Berishën. Këto janë klane të rrezikshme, të cilat e shikojnë Shqipërinë si një vend që mund ta zhvatin, ta privatizojnë, ta pushtojnë, ta shesin. Ata, nuk mund t’i bëjnë të gjitha këto vetëm, por kanë lidhje interesash e politike me regjimin e Berishës.
Berisha një diktator mesjetar, i pa bindur dhe krejt agresiv po bën gjithçka për të mbajtur gjallë pushtetin e tij, tashmë të kalbur dhe të dalë boje.  Ka shumë arsye se pse Berisha duhet të largohet drejt një pensioni politik dhe drejt një llogaridhënie për thuajse 22 vite aktivitet politik, ku shumë ngjarje e fenomene social-politike në vend mbajnë firmën dhe emrin e tij.
Berisha erdhi me parullën e famshme “të qeverisim me duar të pastra”. Sipas të gjitha të dhëna, por mbi të gjitha sipas perceptimit të qytetarëve, sot korrupsioni jo vetëm nuk është luftuar, por ka arritur në instancat më të larta shtetërore. Berisha shumë herë akuzon PS, se brenda saj ka një grup miliarderësh, por harron faktin, se si brenda tij nuk ka mbetur njeri pa u pasuruar në mënyrë të paligjshme. Si ka mundësi që truproja e tij na paska galeri në Bulqizë! Ky qytet, i cili edhe pse realisht poshtë nëntokë ka pasuri të mëdha që janë të barabarta me miliarda dollarë, në sipërfaqe dëshmon varfërimin dhe keqqeverisjen që ka bëra Berisha në këto vite.
Berisha në fillimin e viteve ’90 erdhi me premtimet e tij të  për të bërë Shqipërinë si Europa dhe për t’u ofruar atyre demokracinë dhe lirinë, këto dy standarde shumë të rëndësishme shoqërore që shqiptarëve u kishin munguar për vite me radhë. Kanë kaluar dy dekada dhe Berisha nuk ka mbajtur asnjërin nga këto premtime entuziaste. Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Europë që Bashkimi Europian i ka dhënë të gjithë asistencën dhe mbështetjen e nevojshme për integrim dhe sot pas dy dekadash akoma nuk ka asnjë lloj sinjali se mund të integrohet para vitit 2021. Dështimi i radhës i çështjes së imunitetit, por jo vetëm, e lanë Shqipërinë akoma edhe për ca vite të tjera jashtë BE-së.  Shqipëria nuk mund të integrohet në Eruopë përsa kohë është qeverisur dhe drejtuar nga një politikë e vjetër. Nuk mund të ketë integrim të një vendi, nëse fillimisht mendjet e politikave të atij vendi nuk mund të reformohet dhe të orientohen drejt një rruge të re. Në rastin tonë konkret drejt BE-së.
Çështja e demokracisë një blof tjetër i madh i Berishës. Karriera politike e Berishës gjithmonë ka pasur përplasje të mëdha me principin e demokracisë. Kjo ka ndodhur për faktin, se Berisha mbetet një njeri i formuar me ide totalitare e antidemokratike.
Regjimi i Berishës është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare sepse ai tashmë ka marrë nën kontroll të gjithë institucionet, të cilat ka ditur t’i transformojë në institucionet të dhunës, shantazhit dhe zhdukjes së qytetarëve”, tha Spahiu. Kështu u shpreh kryetari i Aleancës Kuq e Zi nga qyteti i Delvinës.  Z. Spahiu ndoshta në këto momente është ndër të paktët politikan që ka kuptuar psikozën e Berishës, e cila ka një lidhje të ngushtë e tragjike me principin e demokracisë. Berisha asnjëherë nuk ua solli shqiptarëve demokracinë.
Berisha në vitin ’97, kur shqiptarët po vriteshin me njeri-tjetrin dhe ku shteti nuk ekzistonte, me egoizmin e tij prej mesjetari në një seancë qesharake parlamentare rizgjodhi vetën e tij si President. Berisha nuk mund të jetë me principe demokratike e nuk të sjellë demokracinë tek qytetarët, kur ai vetë e kupton lidhjen e tij me pushteti si të përjetshme. Prandaj, demokracia për të është blof i madh që qytetarët  e kanë pranuar për vite me radhë.
Ka ardhur koha që këtë blof shqiptarët jo vetëm të mos e pranojnë më, por të zgjedhin alternativën reale, e cila përfaqëson identitetin e tyre kombëtar, historinë e tyre kombëtare si dhe zhvillimin e një demokracie krejtësisht origjinale me elementë të shumtë tradicional shqiptar. Kjo alternativë pa dyshim është vetëm Aleanca Kuq e Zi, e cila ka vizione, programe dhe ide për të ndërtuar një demokraci origjinale Kuq e Zi, e cila kombin e shikon si bazën e zhvillimit shtetëror dhe demokracinë si oksigjenin e pazëvendësueshëm të këtij zhvillimi politiko-institucional.
Siguria për jetën, sot është një ndër probleme kryesore që çdo shqiptarë përballet çdo ditë. Kronikat e zeza nga mëngjesi deri në darkë na japin lajme për krime makabre brenda në familje, për larje hesapesh, por vrasje të pafajshme dhe rastësore, për aksidentet e shumta. Pra, Shqipëria për një të huaj ngjason më një vend që ndodhet në një luftë civile ose në konflikt të armatosur me ndonjë vend tjetër.  Vrasjet makabre që ndodhin në familje, pjesa më e madhe e tyre ndodhin për shkak të varfërisë që ka pllakosur familjet shqiptare. Shumë familje vazhdojnë të jetojnë pa të ardhura, pa punë dhe duke marrë ushqime me listë. Kjo nuk është Shqipëria europiane, me të cilën vetë Berisha i mashtroi shqiptarët duke ua premtuar në fillim të viteve ’90.
Për sa kohë që shteti nuk arrin t’u garantojë jetën qytetarëve, këtë të drejtë baze e themelore nga ku rrjedhin të gjithë të drejtat e tjera themelore, vendi ynë nuk mund të konsiderohet një shtet në kuptimin klasik të fjalës dhe jo më demokratik e europian. Berisha sot ka humbur kontrollin mbi territorin. Për të besuar këtë mjaftojnë të përmendim rastin e Lazaratit si dhe rastin e ndërtimeve pa leje, të cilat çdo ditë e më shumë po mbijnë në bregdetin shqiptar si kërpudhat pas shiut. Shumica e ndërtimeve pa leje që po bëhen në bregdetin shqiptar kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtit. Siç ishte rasti i pallatit të Bashës që po ndërtohet në ujin e ftohtë nën emrin e vjehrrit të tij. Këtë rast e denoncoi nga Vlora Aleanca Kuq e Zi.
Berisha erdhi në fillim të viteve ’90 me pretimin për ta rrëzuar murin që ndante qytetarët e thjeshtë me ish zonën e Bllokut. Jo vetëm që nuk e mbajti këtë premtim, por ka rindërtuar Blloqe të reja me njerëzit e tij të pushteti. Disa nga këto zona janë tek qendra komerciale TEG dhe tek Gjiri i Lalsit.  Këto janë blloqet e afera korruptive të qeverive të drejtuara nga Berisha. E vetmja forcë politike në vend që i ka denoncuar këto është Aleanca Kuq e Zi, e cila ka thënë se: këto blloqet e reja të ndërtuar në mënyrë të paligjshme nga Berisha dhe klanet e tij, me të ardhur Aleanca Kuq e Zi  në pushtet do të konfiskohen dhe do u kthehen ish të përndjekurve politik, të cilët janë të harruar dhe të braktisur nga Berisha.
Berisha erdhi në fillim të viteve ’90 si një patriot i madh. Pa kaluar shumë kohë, fytyra e tij e vërtetë prej një tradhtari doli në pah. Ai tentoi të shiste platformën detare në detin Jon. Edhe pse nuk ia arriti këtij qëllimi, pas ishte Kolonel Myslim Pashaj që e denoncoi fuqishëm këtë akt të turpshëm, ai përsëri është në tratativa me palën greke për të arritur një marrëveshje para festimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë. Por, as këtë radhë nuk do të mund ta bëj dot, sepse Aleanca Kuq e Zi është vendosur për ta mos lejuar një gjë të tillë.
Këto janë disa nga argumentet më bindës se pse duhet të bashkohem të gjithë së bashkuar për ta dërguar Berishën në pensionin politik dhe përpara përgjegjësisë ligjore e morale për më shumë se 22 vite tranzicion, ku ai ka qenë protagonisti kryesor i ngjarjeve politiko-sociale. Duhet të bashkohem nën siglën Kuq e Zi, sepse kjo është e vetmja alternativë reale opozitare e “Regjimit Berisha”. Aleancat Kuq e Zi nuk synon vetëm të nxjerrë në pension Berishën, por në të njëjtën kohë të ndërtojë një sistem krejt të ri origjinal politiko-social të ndryshëm nga ky që është aktualisht.