Alban Daci
Në një botë të globalizuar dhe gjithnjë e më të hapur, ku
kufijtë nuk kanë më as vlerë virtuale dhe as fizike, ne Shqiptarët ndoshta jemi
të vetmit në këtë mjedis Lirie që kemi një mur të madh që na ndan ndërveti.
Ka ardhur momenti vëllezër që atë mur ta shembim njëherë
e përgjithmonë. Ngjarjet e fundit në Kosovë na
bindin që shembja e atij muri është e vetmja zgjidhje. Prandaj, të
gjithë masivisht nga Shqipëria dhe Kosova në mënyrë krejt paqësore me datë 28 nëntor
të mblidhemi tek Pika e Morinit për të vënë themelet e bashkimit real kombëtar..
Doganat (pikat e kontrollit) që ekzistojnë ndërveti jo
vetëm na japin alergji, por dëshmojnë edhe një padrejtësi shekullore të
popullit tonë. Askush nuk ka të drejtë të na ndalojë për të hyrë në vendin
tonë, Kosovën.
Prandaj, le të organizohemi ashtu siç bënë Gjermanë
Perëndimorë, të kalojmë masivisht dhe brenda një periudhe të shkurtër pikat e
kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Po nuk e bëmë ne si popull askush tjetër nuk ka për ta
bërë.
Me duket se ka ardhur momenti që ky Bashkim të ndodh.
Bashkimi është e drejtë natyrale dhe ndërkombëtare, sepse
mbështet mbi vullnetin tonë, i cili është i fortë dhe i hekurt ashtu si
historia jonë.
Ne nuk duhet të shkojmë në Kosovë për të bërë protesta,
por për të dëshmuar se ai është vendi ynë dhe se aty janë vëllezërit tanë.
Kosova është vendi, që simbolizon një pjesë të rëndësishme të historisë
ballkanike, ku protagonistët kryesore e të vetëm para se të ndodhte dyndja
sllave, ishin padyshim Ilirët.
Aleanca Kuq e Zi ndryshe nga PD dhe PS, apo LSI, nuk
preferon ta festoi 100 Vjetorin e Pavarësisë me Shakirën apo Ciljetën, por me
shqiptarët pikërisht në Morinë, në vendin ku qëndron “Muri” virtual që ndanë
padrejtësisht një popull, që ndanë shqiptarët me shqiptarët.
Të gjithë së bashku të bashkohemi me 28 nëntor në Pikën e
Morinës, për t’i dëshmuar Botës, se nuk ka gjë që na ndanë, se ne jemi populli që
kemi pësuar nga historia padrejtësitë më të mëdha, gjenocide, ndarje, okupime e
shtypje.
100 Vjetori i Pavarësisë, ky akt i madh historik dhe kombëtar
duhet të jetë një dëshmi reale kombëtare për të dëshmuar se ne duan të
bashkohemi, sepse kjo është rruga e drejtë e popullit shqiptar, i cili ashtu si
popujt e tjerë duhet ta përjetoi historinë e tij në realitet dhe jo në
virtualitet siç ka ndodhur gjer më sot.
Në fillimet e Aleancës Kuq e Zi, kur ajo fliste hapur dhe
qartë për Bashkimin, skeptikët dhe tradhtarët mund të kenë thënë se, kjo forcë
e re politike po flet për çart. Me kalimin e kohës Aleanca Kuq e Zi dëshmoi dhe
u tregoi shqiptarëve që nëse kemi pasionin dhe vendosmërinë, Bashkimi jo vetëm
se është i mundur, por edhe mund të ndodh shpejt.
Aleanca Kuq e Zi me politikën e saj Atdhetare e
Patriotike bëri që shqiptarët t’i kthejnë sytë tek flamuri Kuq e Zi dhe të mos
e zëvendësojnë më atë me flamujt partiak siç kishte ndodhur në këto vite
tranzicioni.
Aleanca Kuq e Zi po krijon kulturën e krenarisë kombëtare
dhe të vetëdijes shqiptare, e cila, le të themi, se për shkak të politikanëve të
vjetër tradhtarë ishte venitur dhe quhej demode.
28 Nëntorin ta
festojmë në Morinë, për të respektuar Hasan Prishtinën, Iljaz Pash Dibrën,
Haxhi Zekën, Isa Boletinin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin e të
tjerë të cilët gjithën jetën e tyre ja dedikuan Bashkimit Kombëtar. Nëse nuk
rikujtojmë veprat dhe bëmat e tyre, nuk mund të kuptojmë thellë rëndësinë e
Bashkimit.