Alban Daci
Prononcim i dhënë për gazetën Bota Sot
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare dr. Alban Daci, thotë se presidentja me rastin e mbarimit të pavarësisë së mbikëqyrur u shpreh se: Shqiptarët janë zot të vetvetes. Dua ta nis analizën time pikërisht me këtë thënie. “A janë me të vërtetë tashmë shqiptarët zot të vetës?! Në kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës edhe Shqipëria, e cila është bërë formalisht shtet i pavarur që në vitin 1912, është një vend, ku shqiptarët nuk janë zot të vetës, por shumë herë zot të të tjerëve dhe armiq të vetes”, thotë ai.
Peng të Kushtetutës
Daci mendon se shqiptarët do të vazhdojnë të jenë peng të Kushtetutës. “Kosova, për sa kohë në Kushtetutën e saj nuk nënvizohet karakteri kombëtar i shqiptarëve, atëherë shqiptarët do të thotë, se do të jenë peng i një modeli shteti multietnik (në të vërtetë vetëm 10% ose me pak janë etni e huaj e të tjerët janë shqiptarë) dhe do ta kenë të detyrueshme një marrëdhënie të diktuar me shtetet e tjera. Si në rastin konkret me Serbinë”,
thotë ai.
Dr. Daci vlerëson se Kosova edhe pse me mbarimin e pavarësisë së mbikëqyrur ka bërë një hap të madh, ajo përpara ka një proces të gjatë të mbushur me sfida. Por, pavarësisht sfidave që e rëndojnë situatën ai mendon se shqiptarët duhet të ruajnë raportet dhe t’i forcojnë ato, veçmas me SHBA-në. “Kosova duhet të mbetet e palëkundur duke mbajtur marrëdhënie të privilegjuara me SHBA-në. Për shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri dhe kudo ku janë, SHBA-ja mbetet miku më i madh dhe për këtë marrëdhëniet dypalëshe duhet të jenë shembullore, reciproke dhe të intensifikuara”, thotë ai.
Ai po ashtu vlerëson se Kosova duhet të ketë marrëdhënie të mira me BE-në dhe me vendet kryesore që e kanë themeluar atë. Ajo duhet të fillojë menjëherë një proces real me reforma për ta bërë më intensiv
procesin e integrimit në BE. “Në këtë këndvështrim”, unë, si partnere kryesore për Kosovën e shikoj Gjermaninë, si dhe duhet të bëhet më shumë për marrëdhënie më të mira me Italinë.
Ndërsa, në rajon Kosova duhet të përpiqet të ruaj reciprocitetin, por duhet të ketë marrëdhënie më të intensifikuara me Kroacinë, Slloveninë, Bosnjën, Turqinë dhe mundësi për t’i përmirësuar edhe me Rumaninë. “Nuk e përmenda qëllimisht Shqipërinë, sepse sfida më e madhe e Kosovës, është se ajo
duhet të synojë mbi format demokratike të njohura ndërkombëtarisht një bashkim politik dhe fizik me shtetin amë Shqipërinë”.
“Një sfidë e madhe e Kosovës është krijimi i një kulture moderne shtet-formuese, forcimi i demokracisë, rritja dhe stabiliteti ekonomik. Kosova duhet të krijojë një model politik të ndryshëm nga ai që deri tani e
ka njohur”, thotë dr. Daci.