Eksperti dr. Alban Daci, thotë se në vende
demokratike, drejtuesit kryesor të institucioneve duhet të dalin nga forume mbi
bazën e zgjedhjeve dhe jo në bazë makinacionesh politike. “Kjo do të thotë se
nëse është Republikë parlamentare, presidenti duhet të zgjidhet nga parlamenti.
Nëse është gjysmëpresidencializëm duhet të zgjidhet nga populli, por duke
ruajtur një ekuilibër me legjislativin dhe nëse është puro presidencializëm
(zgjidhet nga populli) dhe ka ekskluzivitet në ekzekutiv). Njihen edhe qeveri
teknokrate, d.m.th. nga jo politikan, por specialist, por jo për figurën kryesore
të shtetit”, thotë ai.
Daci thotë se vendet e Ballkanit të cilat janë të
karakterizuara nga mungesa e shtetit të së drejtës dhe mungesa e demokracisë
kanë aplikuar zgjedhje mbi marrëveshjen politike dhe shumë herë antikushtetuese të figurave qendrore
shtetërore, pra të presidentëve. Ai beson se duke pasur parasysh rrethanat
ballkanike të situatave, madje pa e eksploruar më shumë çështjen, janë
parakushtet që përcaktojnë rrjedhat, andaj vetë Presidentja duhet të
kontribuojë sikurse ka kontribuar herën e parë duke marrë përsipër të jetë një
presidente e përkohshme, t’i shtyjë më tej proceset. “Për këtë arsye në lidhje me
Presidenten aktuale të Kosovës, unë mendoj se vetë ajo duhet të kontribuoj që
Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të reja presidenciale. Është për tu theksuar
se Kosova ka bërë një hap shumë të rëndësishëm duke vendosur që Presidenti të zgjidhet
nga populli”, thotë dr.Daci, ekspert i të drejtës ndërkombëtare. Ai thotë se
presidentja ndodhet para një sfide të vërtetë, dhe meqë ajo beson në
reputacionin e saj pozitiv, ajo duhet ta sfidojë vetveten dhe të marr besimin e
popullit në zgjedhje. “Kështu vetë presidentja aktuale nëse mendon se është një
figurë qendrore dhe e dashur nga populli, të hedh kandidaturën e saj dhe të marr një mandat sa
legjitim në kuptimin demokratik, po aq edhe kushtetues”, thotë ai. Dr. Daci
thotë se kështu zgjedhja e presidentit nga populli do të shmang pazaret imorale
politike dhe forcon figurën e simbolit të shtetit.