Një delegacion i lartë i Aleancës
Kuq e Zi i përbërë nga dr. Alban Daci-Sekretar i Arsimit, Bekim Adili Përfaqësues
i AK për Degën e Maqedonisë, Valton Kurtishi Përfaqësues i AK për Degën e
Maqedonisë, dr. Eduar Kaca- Sekretar Politik e Lumturi Raktoceri- Sekretare për
Cështjet Sociale e të Punës, morën pjesë në takimin e Aleancës Kuq e Zi dega
Maqedoni të organizuar në Shkup, ku u prezantua projekti: Një front i përbashkët
për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë
shqiptarët me një front të përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe të përbashkët.
Në këtë takim morën pjesë edhe personalitete
të shoqërisë civile si dhe mediat e shkruara dhe vizive. Nga ky takim pjesëmarrësit
dolën me një qëndrim të përbashkët: Atdheu mbi të gjitha si dhe bindjet
politike nuk duhet të jenë shkas për përçarje, por për të mbrojtur më mirë të
drejtat legjitime të shqiptarëve.
Gjithashtu, duke vazhduar me iniciativën
“një Flamur në çdo dritare”, përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi e mbuluan
Shkupin me flamuj Kuq e Zi. Me rastin e këtij
takimi AK u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e
Maqedonisë që me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, me datë 28 Nëntor t’i
bashkohen të gjithë iniciativës së Aleancës Kuq e Zi për të festuar në Pikën e
Morinës, në kufirin që ndan shqiptarët me shqiptarët. Muri virtual që ndan
shqiptarët duhet të rrëzohet.
Aleanca Kuq e Zi dega Maqedoni,
shpalosi platformën e saj politike, e cila ka mbështetjen dhe simbolizon
politikën e Aleancës Kuq e Zi. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi të ardhur nga
Tirana bekuan fillimin e aktivitetit të Aleancës Kuq e Zi në Maqedoni dhe
shprehën mbështetjen e plotë të garantuar nga selia e Tiranës.