Tuesday, October 16, 2012

Marrëdhëniet e Shqipërisë duhet të jenë më të intensifikuara me Rumaninë


Alban Daci

Diplomacia shqiptare ka vite që ndodhet në  krizë për shkak se rekrutimi  i diplomatëve nuk behët mbi bazën e meritokracisë, por mbi bazën e nepotizmit farefisnor dhe klientelizmit  partiak.  Ndoshta Diplomacia shqiptare është një ndër fushat e shtetit shqiptar, që është infektuar më së shumti nga virusi i klientelizmit dhe nepotizmit. Kjo besoj ka ndodhur edhe për  faktin, se politika aktuale mendon se të dërguarit me shërbim diplomatik jashtë vendit, janë jashtë vëmendjes së qytetarëve dhe filtrave të organeve të shtypit të shkruara e atij viziv.
Megjithatë, shtypi opozitar dhe ai i pavarur e ka bërë punën e tij investiguese në shërbim të interesave të vendit duke publikuar një listë të pafundme me emra në shërbimin diplomatik, të cilët ishin nipër, mbesa, daja e halla të njerëzve të pushtetit dhe që nuk plotësonin asnjë kusht për të ushtruar profesionin e vështirë dhe të rëndësishëm në të njëjtën kohë të diplomatit.
Duke qenë se vetë trupi diplomatik i Shqipërisë është i ndërtuar mbi bazën e nepotizmit farefisnor e klientelizmit partiak, nuk mund të përjashtohet fakti, se edhe vetë misioni i Diplomacisë shqiptare të jetë i orientuar në këtë dy drejtime.  Kjo ka sjellë që vetë Pozita aktuale të mos ketë dhe të mos jetë në gjendje të hartojë e të bëjë një strategji afatgjate e afatshkurtër në lidhje me interesat diplomatik e gjeopolitike në vend.
Mendoj se Diplomacia shqiptare duhet të orientohet në dy drejtime: në drejtimin e interesave dhe forcave Universale; në drejtimin e interesave dhe forcave Rajonale.
Në planin Universal Shqipëria duhet të mbajë marrëdhënie të rëndësishme, të palëkundura dhe solide me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me BE (Në veçanti me Britaninë e Madhe, Gjermaninë,  Francën, Italinë, Austrinë dhe me Spanjën). Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie formale me vendet e lindjes, por jo të vendosura në planin e parë. Shqipëria duhet të shikojë vetëm drejt Perëndimit dhe nuk duhet të ketë pikëdyshimi për këtë).
Në planin Rajonal, kam dyshimin se Diplomacia shqiptare nuk është aspak vetvetja, por është e kapur peng nga interesa e të huajve që përputhen me interesat personale të politikanëve shqiptarë. Interesa e Pozitës duke qëndruar më lart se edhe interesat kombëtare, kanë bërë që Shqipëria sot, të mos orientohet dhe të mos intensifikojë marrëdhëniet me vendet që janë të rëndësishme në planin gjeopolitik.
 Shqipëria sot, le të themi, se me një vend si Rumania, ka raporte normale por jo të intensifikuara ashtu siç duhet të jenë në të vërtetë. Është e pafalshme që Shqipëria nuk ka arritur të bind një vend si Rumania që të njoh pavarësinë e Kosovës. Nuk besoj se Rumania është kundër pavarësisë së Kosovës, por status quo-ja e marrëdhënieve që kjo ka me Shqipërinë, le të themi se ka kushtëzuar edhe njohjen e Kosovës.
Lidhjet e Rumanisë me Shqipërinë janë të hershme.  Studimet e historisë tregojnë se Shqiptarët, më saktë ilirët, kanë qenë të pranishëm në Rumani që nga shekujt e parë të erës sonë, të sjellë nga administrata romake për të punuar në minierat e arit në malet Apuseni. Kështu shkruan Maria Dobrescu në librin e saj “Pesë dekada diplomaci për marrëdhëniet romune-shqiptare”.
Gjithashtu, po në këtë libër autorja shkruan se: “Rumania ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Shqipërisë, që u shpall më 28 nëntor 1912, pasi u “projektua “ në takimin e patriotëve shqiptarë më 5 nëntor, në Bukuresht. Midis tyre ishte Ismail Qemali (1844-1919), Kryeministri i Shqipërisë në vitet 1912-1914 sh.y)”.
Mendoj, se marrëdhënie shqiptare-rumune duhet të rishikohen në optikën Rajonale dhe atë të BE. Rumania është një vend i rëndësishëm në Rajon gjithashtu ka edhe një rol të rëndësishëm në Tregun e Përbashkët, shumë kompani të rëndësishme të vendeve kryesore të BE, për shkak të kostos më të ulët të punës së krahut të punës,  kanë transferuar aktivitetin e tyre ose janë në proces e sipër për t’i transferuar në Rumani. Gjithashtu, duhet të theksojmë faktin, se Agrikultura në Rumani ka njohur një zhvillim të rëndësishëm për shkak të metodave dhe teknologjive të reja të standardit europian që po aplikohen. 
Shqipëria është në proces e sipër në procesin e integrimit, për këtë arsye ajo duhet t’i rishkojë marrëdhëniet e t’i bëj me intensive edhe me Rumaninë, e cila tashmë është anëtare me të drejta të plota dhe ka mbi supe një eksperiencë të rëndësishme tranzicioni. Shqipëria nuk rrezikon të humb asgjë nga intensifikimi i marrëdhënieve me Rumaninë, sepse kjo e fundit për shkak edhe të pozicionit gjeografik nuk ka asnjë lloj interesi territorial mbi Shqipërinë. Marrëdhëniet e Shqipërisë e Rumanisë do të ishin në kuadrin e një reciprociteti për një të ardhshme të përbashkët europiane.
Gjithashtu, nuk duhet të lëmë mënjanë edhe faktin, se një ndër komunitet më të fuqishme shqiptare ndodhet në Rumani. Ky komunitet ka luajtur një rol të rëndësishëm një themelimin e modernizimin e shtetit shqiptar, në modernizimin e shtetit rumun si dhe në raportet diplomatike mes Shqipërisë e Rumanisë. Ja car shkruan Maria Dobrescu në librin e saj: “Është i pamohueshëm fakti se Nikolla Naço (1843-1913, udhëheqës i komunitetit shqiptar në Rumani sh.y), pasi u vendos në Bukuresht më 1884, ka ndikuar dhe rigjallëruar përmes aktivitetit të tij lëvizjen shqiptare në kryeqytetin e Rumanisë. Marrëdhëniet e tij ,e qeveritarët rumunë dhe autoritet shkencore në Bukuresht- V.A. Urechia, B.p. Hadeu, D. Butulescu, N. Lahovari etj., u materializuan me mbështjetjen e kauzës shqiptare nga rumunët. Me mbështetjen e Naços dhe të Shqipërisë “Drita” në Bukuresht u botuan veprat e Sami e Naim Frashëri.”
Mendoj se raportet mes Rumanisë e Shqipërisë duke analizuar kuadrin historik, të ardhmen e përbashkët në BE, të kaluarën Komuniste, përjetimin e një tranzicioni të vështirë, rolit të Komunitetit shqiptarë, duhet të jenë më të intensifikuara në kuadrin bilateral dhe duhet të pasqyrohen në të gjitha fushat.