Friday, August 31, 2012

Një rini e trishtuar dhe e frikësuar për të ardhmen.


Alban Daci

Kjo është sot aktualisht rinia shqiptare, e cila ka mbetur mes, si të themi, dy ujërave, as në shpi e as në ezil (emigracion). 
Të rinjtë shqiptarë janë të dëshpëruar nga mungesa e punësimit dhe të frikësuar, se ndoshta nuk do të arrijnë të gjejnë kurrë punë.
Të rinjtë shqiptarë janë mes dilemës të emigrojnë e të mos kthehen më kurrë, apo të emigrojnë, të njohin Perëndimin e pastaj të kthehen për t'u përshtatur me despotizmin ballkanas.
Të rinjtë shqiptarë janë mes dilemës që të rrinë me ore të tëra nëpër kafe, se nuk kanë si të shtyjnë ditën, apo të mos dalin fare nga shtëpia, sepse nuk gjejnë asnjë motivim.
Ka vite e vite që politika dhe politikanët kanë abuzuar dhe po tentojnë të abuzojnë me rininë, energjitë dhe idealet e saja.
Rinia shqiptare për fat të keq shumë herë, të le përshtypjen sikur është peng i një politizimi të tejskajshëm burokratik, korruptiv dhe neglizhues.
Rinia shqiptare është mes dilemës të shkollohet jashtë, dhe askush të mos e respektojë në Shqipëri shkollimin e saj, apo të marr një diplomë të lehtë të blerë me pak para në vend, sepse gjithsesi, tashmë miku, forca dhe paraja nuk “ngrenë vetëm ujin përpjetë”, siç thotë populli, por ngre edhe njerëzit nga nivele më të thjeshta në nivelet më të larta e të pamerituara sociale.
Rinia shqiptare është e lodhur dhe e dëshpëruar sa herë që shikon se vendi i saj ka probleme, ka përplasje dhe prapambetje.
Rinia shqiptar është e lodhur vetëm duke qenë dëshmitare e proceseve të shumta negative me karakter politiko-social që kanë ndodhur në vend.
Rinia shqiptar është e trishtuar tek sa shikon, se vendi i saj nuk ndryshon dhe nuk arrin të dal qoftë edhe për një çast nga kolapsi politiko-social që prej vitesh e ka pllakosur.
Rinia shqiptare është e trishtuar, kur shikon, se varfëria, braktisja e pushtetit dhe mosinteresimi i politikave shtetërore po i errëson të ardhmen dhe po i ve në dilemë të tashmen.
Rinia shqiptare është e lodhur për gjithçka, ndoshta edhe pse nuk arrin të jetë vetvetja, si një forcë e madhe intelektuale dhe energjike duke qëndruar në ballin e sfidave dhe në burimin e ideve dhe zgjidhjeve.
Rinia shqiptare është e lodhur dhe e trishtuar duke kuptuar, se ajo është e politizuar nga një politikë imorale, e cila nuk shikon asgjë tjetër veç se interesat e një pakice.
Rinia shqiptare i ka të gjitha mundësitë me qenë forca reale promovuese e këtij vendi, i cili në vitet e fundit ka vuajtur shumë dhe ka parë nga të gjitha. 

Monday, August 27, 2012

Dr. Alban Daci, Sekretar për Arsimin i AK u takua me Prof. Enrico Musso, Senator i Republikës së Italisë.


Dr. Alban Daci, Sekretar për Arsimin i AK u takua me Prof. Enrico Musso, Senator  i Republikës së Italisë.

Sot me datë 27 gusht 2012 dr. Alban Daci (www.albandaci.blogspot.com), Sekretar për Arsimin i Aleanca Kuq e Z u takua me senatorin italian prof. Enrico Musso (http://www.enricomusso.org/). Z. Daci i prezantoi senatorit prof. Musso projektin politik e partisë Aleanca Kuq e Zi. Gjithashtu, i bëri një pasqyrim real të situatës politike në vend, duke i moçuar në veçanti dështimin e Integrimit Europian, faktin se Qeveria Berisha po sulmon dhe po monopolizon të gjitha institucionet e pavarura në vend; mohimi i të drejtës që emigrantët të zgjedhin dhe të zgjidhen atje ku jetojnë, mundësitë e forcimit të marrëdhënieve italo-shqiptare në kuadër të interesave gjeopolitik reciprok. Senatori italian prof. Enrico Musso u shpreh entuziast për këtë takim dhe tregoi interes për të ndërmarr hapa konkret në lidhje me çështjet e sipërpërmendura. Modalitetet e bashkëpunimit dhe rezultatet do të bëhen publike duke ndjekur teorinë e suksesit të mbështetur në metodën hap pas hapi.

Saturday, August 25, 2012

Blofi i “Qeverisë Berisha” me Integrimin



 Alban Daci

Traktati i Romës i 25 marsit të vitit 1957 (art. 99 e 104) kishte për qëllim të krijonte stabilitet ekonomik e politik në Europë.  Kontinenti europian kishte qenë dëshmitar i konflikteve dhe i luftërave shkatërruese, të cilat kishin gjunjëzuar e mbajtur peng si ekonominë e këtij kontinenti, ashtu edhe paqen dhe stabilitetin.
Bipolarizmi sovetiko-amerikan rrezikonte të anulonte plotësisht rolin e Kontinentit të Vjetër, dhe për këtë arsye lindi si domosdoshmëri mes kombeve europiane që të bashkonin fuqinë ekonomike e politike në një organizatë të përbashkët ndërkombëtare, tek e cila do të pranonin të delegonin një pjesë të sovranitetit të tyre për një të mirë më të madhe të përbashkët. Kjo ishte ideja fillestare e Komuniteteve europiane.  
Praktikisht, u mendua se duke pasur të njëjtat lidhje historike, të cilat do të suportoheshin edhe nga interesat ekonomike, do të bëhej më i vështir ose i pamundur një konflikt i armatosur.  Filozofia e Bashkimit Europiane do të ishte “e mira ime, rritja ime ekonomike, kalon edhe nga e mira dhe rritja jote ekonomike” dhe për këtë arsye duhet të jemi të “përqafuar” për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.
Pastaj u mendua që mallrat të mos shiteshin vetëm në një vend, por të kishin mundësi të qarkullonin lirshëm edhe në vende të tjera me rregulla e sisteme të përbashkëta, të cilët do të harmonizoheshin mes më shumë se 330 milion njerëzve, të cilët do të bëheshin thuajse 500 milion duke pasur parasysh edhe vendet kufitare që do të kishin lidhje me zonën Eurozonën. Kjo ishte ideja e një tregu të përbashkët me një monedhë të përbashkët.
Shqipëria në fillimin e viteve ’90 dilte nga një regjim mizor, nga një izolim ndërkombëtar dhe nga një sistem ekonomik katastrofal. Megjithatë, dëshira e qytetarëve për të fituar demokracinë dhe për t’u bërë pjesë e institucioneve ndërkombëtare perëndimore ishte e madhe. Askush nga qytetarët që morën pjesë në lëvizjet e mëdha politiko-sociale të viteve ’90 nuk e kishin menduar e besuar, se Shqipëria do të kalonte më shumë se dy dekada pa u integruar në BE.  
Sot jemi në 2012, pra kemi kaluar 22 vjet tratativa të pasuksesshme për të hyrë në BE. Natyrshëm lind pyetje a i leverdis më Shqipërisë të besoi në një integrim të plotë në BE? Së pari vetë BE, po kalon një fazë të vështirë transitore për shkak të krizës ekonomike që po kalon. Të gjithë ekonomistët thonë, se BE është në krizë, por askush prej tyre nuk ka gjetur formulën magjike se si mund të dal nga kriza. Në këto momente shqiptarët nuk duhet të shpresojnë si zgjidhje të vetme integrimin në BE, kur vetë kjo e fundit nuk është e sigurt se çfarë të ardhme do të ketë. Disa mendojnë rishqyrtimin e traktateve, disa të tjerë propozojmë traktate alternative, por të gjithë më një pikë janë dakord, se kështu siç është BE nuk po funksionon.
Pra, ne shqiptarët kërkojmë të integrohemi në një organizatë ndërkombëtare sui generis siç është BE, ku vetë anëtarët që e përbëjnë atë, nuk janë të kënaqur dhe të sigurt për këtë krijesë që kanë ngritur në këmbë. Në këtë kuptim, pikërisht në këto momente nuk është aspak oportune që  shqiptarët të kërkojnë me çdo kusht të behën pjesë e  BE.
Së dyti, ç’është e vërteta, kjo klasë politike nuk është në gjendje të plotësoi kushtet për integrim. Klasa aktuale politike nuk ka as eksperiencën profesionale e as dëshirën politike që Shqipëria të integrohet në BE. Nuk është arsye e mosintegrimit  vetëm mungesa e kalimit të ligjit për iminutet, por shumë arsye të tjera, të cilat kanë të bëjnë me stabilitetin politike, me elementet e demokracisë si dhe me shtetin ligjor.
Shqipëria çalon në të gjitha fushat, të cilat janë shumë vite dritë larg standardeve të BE. Të marrin vetëm njërin prej tyre. Shqipëria sot për shkak të borxhit të brendshëm që ka, i cili kalon 60% nuk mund të bëhet kurrë pjesë e Eurozonës. Nëse Shqipëria nuk arrin të bëhet pjesë e Eurozonës, atëherë vetëm integrimi i saj në institucionet politike nuk do të kishte ndonjë impakt të madh. Kështuqë, me klasën aktuale politike, Shqipërisë i duhen të paktën edhe 20 vite të tjera që të bëhet pjesë e të gjitha strukturave e institucioneve që aktualisht ka BE. E rikthesoj aktualisht, sepse asgjë nuk është e sigurt që BE të mbetet kështu siç është pa pësuar ndryshime të mëdha.
Një sëmundje e vjetër e shteteve që përbëjnë BE është fakti se edhe pse në pamje të parë të kanë pranuar të delegojnë një pjesë të sovranitetit të tyre në emër të mirës së përbashkët, në të vërtetë ato ndjekin interesat e tyre të ngushta gjeopolitiko-nacionale.
Nga kjo lind pyetja a i leverdis Shqipërisë të bëhet pjesë e një organizate ndërkombëtare, ku anëtare e saj është Greqia edhe me vonë mund të jetë edhe Serbia? A jemi të sigurt se Greqia dhe Serbia do të bëjnë politikë komunitare duke mbrojtur edhe interesat e shqiptarëve? Të gjitha këto janë pyetje retorike, sepse përgjigjen e kemi të qartë ndër shekuj.
Gjithashtu, Shqipëria nuk mund të kërkoi integrimin e saj, për sa kohë ajo nuk ka zgjidhur çështjen e kufijve të saj. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten populli i vetëm në Kontinent që është i ndarë mes veti. Moszgjidhja e çështjes së shqiptarëve në rajon, do të jetë një plagë e thellë dhe e rëndë për gjithë Kontinentin.
Shqipëria së pari ka nevojë para së gjithash të krijoi një identitet suksesi në forcimin e institucioneve shtetërore, forcimin e demokracisë, rritjen serioze ekonomike dhe forcimin e personelit diplomatik të bazuar vetëm e vetëm mbi meritokracinë.
Shqipëria ka nevojë të ndjekë një politik nacionale. Pra, të fus nacionin në politike duke e transformuar politikën në formën sa klasik e aq moderne, në atë që njihen emrin “politik nacionale”.  Për t’u realizuar të gjitha këto, Shqipëria duhet të pësoi një transformim të thellë politik, i cili duhet të kaloi përmes rinovimit total të elitës aktuale politike, që duhet të zëvendësohet me një frymë të re intelektuale.
Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se çështja e Integrimit që reklamohet edhe pas dy dekadave nga “Qeveria Berisha” është vetëm një blof dhe nuk ka asnjë fondament serioz. Shqiptarët thjeshtë do të humbin kohë nëse do të vazhdojnë t’i besojnë këtij blofi ashtu siç kanë bërë në këtë periudhë sa të gjatë, aq edhe të vështirë.
Berisha mendon dhe beson se njeh mirë psikozën e popullit të tij. Ai po gabon rëndë. Ëndrra e vetme e shqiptarëve nuk është integrimi, për të cilin duhet të paguajnë çdo lloj çmimi. Berisha është i gatshëm në formën e një shantazhi të shes edhe detin, vetëm Greqia të jetë dakord dhe të loboi që Shqipëria të marr Statusin e vendit kandidat. Asnjë shqiptarë nuk është dakord që shkojnë në Europë me një sovranitet tokësor e politik të shitur e të copëtuar. Para çdo forme bashkëpunimi ndërkombëtar, janë interesat kombëtare dhe vetë ekzistenca e kombit. Nëse këto dy vlera të rëndësishme cenohen, atëherë nuk ka kuptim asnjë lloj forme integrimit.


Friday, August 24, 2012

Njoftim- Sekretari për Arsimin, Aleanca Kuq e ZI


Alban Daci, Sekretar për Arsimin tek Aleanca Kuq e Zi, javën që vjen do të ketë një takim të rëndësishëm me një senator italian, me të cilin do të diskutohet mohimi i të drejtës se votës së emigrantëve, situata politike në vend, kodi zgjedhor, çështja e kufijve ujore me Greqinë dhe mundësia e një bashkëpunim real mes Italisë e Qeverisë Kuq e Zi që do te qeveris pas 2013. Z. Daci është në kontakte dhe se shpejti mund te ketë takime edhe me eurodeputetë  kanë peshë të rëndësishme në institucionet e BE.

Prononcim i dhënë nga Alban Daci për gazetën Bota Sot.

Prononcim i dhënë nga Alban Daci për gazetën Bota Sot. 

Eksperti politik dr. Alban Daci thotë për “Bota sot”, se shqiptarët në Kosovë duhet ta marrin në dorë fatin e tyre, pasi politika është duke dështuar hapur dhe gjithnjë e më shumë është larg detyrimeve të tyre.
“Shqiptarët në Kosovë duhet të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendit të tyre, për sa kohë që politikanët nuk i përfaqësojnë 
më ata, dhe që për arsye pushteti e privilegjesh janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin. Pra, nuk e kanë problem ta shesin ose ta keqpërdorin Kosovën”, thotë dr. Daci.
Ai vlerëson se politikanët e Kosovës e kanë humbur autoritetin e të qenit të pavarur në mendime, aksione dhe në përfaqësim të interesave kombëtare. Ai po ashtu shpjegon edhe shkakun se pse ka ndodhur një gjë e këtillë. “Kjo ka ndodhur për faktin se ato kanë frikë nga e kaluara e tyre, që gjasma lidhet me faktin se mund të kenë vrarë njerëz të pafajshëm në kohën e luftës ose për shkak të aferave mafioze që kanë kryerpas luftës”, thotë dr.Daci.
Ai shpresën e vetme e sheh tek ndryshimi i brezit apo kastës politike aktuale, në të kundërt mund të jemi shumë fatkeq. “Nëse në Kosovë nuk ndodh një rinovim total elitash politike, Kosova do të vazhdojë të jetë një fushë, ku të huajt luajnë topin e futbollit, kosovarët bëjnë rolin e tifozit dhe serbët mbajnë në dorë stilolapsat për të shënuar rezultatet në favorin e tyre”, thotë ai. Por, më e keqja është se bilanci për ne mund të jetë jo vetëm i keq, por edhe tragjik. “Çështja e veriut të Kosovës për fat të keq nëse nuk ndodh rinovimi i elitave do të jetë një telenovelë e modelit turk, që mund të ketë një fund tragjik për shqiptarët”, thotë dr. Daci.
Edhe eksperti Daci, e sheh si një burim të madh zgjidhjesh të situatave delikate kombëtare, madje ato janë shfrytëzuar edhe nga vetë politika, gjë që nuk po ndodh tani.
“Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për të ndërtuar shtetin modern shqiptar dhe për të mbrojtur kombin. Mjafton të kemi parasysh rolin e klubeve shqiptare, sidomos ato të Stambollit e Bukureshtit, në rolin që e kanë luajtur në themelimin e Lidhjes së Prizrenit”, thotë ai.
Ai gjithashtu përkujton sjelljen e mbretit Zog. “Duhet të kemi parasysh faktin se Ahmet Zogu e bëri shtetin modern shqiptar pikërisht me njerëzit e shkolluar në perëndim që u kthyen për të ndihmuar e modernizuar vendin e tyre.
Për fat të keq Shqipërinë dhe Kosovën po e qeverisin njerëz që janë të mbyllur në strofullat e tyre ballkanike dhe nuk kanë as aftësi intelektuale e as dashuri atdhetare e demokratike”, përfund Daci.

Sunday, August 19, 2012

A janë të lirë shqiptarët?!


Alban Daci

Një pyetje që kam dëgjuar shpesh duke diskutuar më miqtë e huaj është se: Pse shqiptarët nuk e kuptojnë rëndësinë e lirisë, por shpesh e lënë pas dore atë duke mos e kuptuar forcën e vërtetë që ajo ka. Në pamje të parë kjo ndoshta duket paksa absurde, sepse pikërisht në sytë e të huajve, vendi ynë duket në disa raste sikur ai ka liri me bejllëk. 
Shumë persona ndërtojnë ku duan, edhe në ato vende ku është e ndaluar. Sidomos këtu duhet të kemi parasysh rastet kur janë njerëz që kanë lidhje të tërthortë me pushtetin ose janë vetë pushteti, atëherë nuk është habi që të nxjerrin si ndërtim pa leje një kështjellë të ndërtuar që nga periudha e Skënderbeut dhe në vendin e saj të ndërtojnë një pallat me hekura e shumë beton dhe mundësisht në katin e parë të hapin për llogarinë e tyre një kazino “alla shqiptare”.  Duhet theksuar se shqiptarët në mënyrë të çuditshme e ndoshta antikonformiste kanë filluar të dashurohen marrëzisht pas ndërtimeve të mbushura me hekur dhe beton. Edhe për ndërtimin e një tualeti të vogël përdorin hekur e beton sa në Perëndim mund të ndërtoheshin dhjetëra shtëpi, duke e përdorur betonin e hekurin të alternuar me materialet e tjera që janë të domosdoshme për ndërtimet komforte. Kjo ndoshta ka mbetur si një dëshirë e ndalur gjatë kohës së Hoxhës si dhe për shkak të psikozën që ky regjim krijoi duke u mbushur mendjen shqiptarëve, se ato janë të rrethuar vetëm me armiq nga të katërta anët.
Shumë persona kalojnë në semafor me të kuqe, sepse nuk kanë kohë e dëshirë që të presin të dalë drita jeshile. Pastaj për këto persona kalimi me të kuq i semaforit nuk përbën asnjë problem, sepse mund të përdor autoritetin e tij për të injoruar policinë, ose në raste të tjerë me ndonjë “bakshish” të vogël, i cili në shumë raste kërkohet hapur nga policët, të cilët qahen se kanë rrogën e vogël dhe po qëndrojnë në shi ose në diell.
Disa të tjerë preferojnë të mos paguajnë taksa, sepse janë njerëz që kanë bërë vota për partitë që janë në qeverisje ose sepse kanë dhënë kontribute të rëndësishme me të holla për fushatat politike të partive që qeverisin. Në kohë fushatash, shtëpitë e bizneset e qytetarëve, le të themi, në mënyrë simbolike dhe letrare lyhen tek porta me ngjyra, sic bëhej ne kohën e romakëve me hebrenjtë, për të treguar se cilat ishin shtëpi e padëshiruar dhe problematike. Kështu ndodh në fushat politike shqiptare, ku shumë biznese etiketohet ose si mike dhe duhet mbështetur e toleruar, ose si armike, qe duhet të shkojnë drejt falimentimit.
Disa qytetarë i hedhin mbeturinat në rrugë, në autobus, në plazh, nga dritarja e makinës e ku të mundin, sepse ndoshta kërkojnë ndonjë kosh plehrash, por nuk e gjejnë dhe në rastet kur e gjejnë nuk i afrohen dot afër sepse era e shpifur të mbyt hundët dhe të pengon seriozisht frymëmarrjen. Ka nga ata që i hedhin mbeturinat ku të duan, sepse nuk kanë kulturë qytetare si dhe nuk ka norma administrative që do ua impononte një kulturë të tillë.
Pra, duke analizuar nga këto që u shprehëm më sipër, atëherë na lind ideja sikur shqiptarët jo vetëm e kanë lirinë, por e posedojnë atë edhe në forma të shfrenuara. E vërteta është krejt ndryshe. Liria ose më saktë vetë fjala “Liri” mund të ketë kuptime të ndryshme dhe mund të përfshijë çështje të ndryshme dhe të ngjashme në të njëjtën kohë.
Poeti Giorgio Gaber  e cilëson lirinë jo si një hapësirë të lirë pa limite, por sipas tij liria është pjesëmarrje.  Ndërsa Gramsci e lidh lirinë pikërisht me cilësinë e keqe të individualizmit italian. Sipas tij: “Ky individualizëm është pikërisht i tillë? Mos pjesëmarrje aktive në jetën kolektive...do të thotë ndoshta të mos jesh “partizan”, të mos jesh pjesë e asnjë grupi ekzistues?...Nuk është aspak kështu. Do të thotë se tek partitë politike dhe tek sindikalizmi politik...preferohen forma organizative të llojeve të tjera, dhe në mënyrë precize “malavita”, mafia që mundësisht të kenë lidhje me atë, e cila, le të themi, ndonjëherë padrejtësisht quhet “shoqëri e lartë”.
Ka kaluar më shumë se një shekull prej kur Gramsci shkruante këto fjalë shumë domethënëse.  Maurizio Viroli profesor i Teorisë Politike në Princenton shkruante në lidhje me lirinë, se ekzistojnë dy lloj lirie që janë të ndara dhe nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, “liria e shërbëtorëve” dhe liria e qytetarëve. Liria e shërbëtorëve konsiston në faktin se ajo në shumicën e rasteve është e penguar dhe e limituar për të arritur të mirën përfundimtare.
Ndërsa “liria qytetare” do të thotë se nuk i nënshtrohet ndonjë pushteti arbitrar të ndonjë ose disa njerëzve. Në Shqipëri për fat tonë të keq ekziston një pakicë për sa u përket numrave, por në shumicë për sa i përket forcës së vendimmarrjes që ka të bëj me “lirinë qytetare”, ose më saktë të atyre që kanë politikën si forcë të rëndësishme vendimmarrje dhe si stil jete.
Ndërsa ekziston një shumicë, për nga numrat, por pakicë për sa i përket vendimmarrjes, e cila mund të quhet “liri e shërbëtorëve”. Kjo e dyta nuk është asnjëherë në gjendje të realizoi deri në fund qëllimin final që do të përfaqësonte interesat e një shumice. Përkundrazi, kjo shikohet nga liria e pushtetarëve, si një liri me një status quo të përhershme, inferiore dhe të kontrolluar. 

Saturday, August 18, 2012

LSI, pas 2013 duhet të dal në Opozitë bashkë me PD


Alban Daci


Hyrja e LSI në koalicion qeverisës më PD pati komente të shumta dhe ç’është e vërteta në kuptimin ideologjik, politik dhe për shkak të stilit  politik që kishin bërë liderët kryesor të këtyre forcave, ku nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër njeri-tjetrit, koalicioni i tyre ishte sa absurd aq edhe i turpshëm. Absurd, sepse si Ilir Meta ashtu edhe Sali Berisha kishin zgjedhur stilin e politikës së ujkut, të gladiatorit, ku kundërshtari nuk është i tillë  vetëm për programin dhe platformën dhe linjën politike, por është armik i përjetshëm, sepse është kundër meje. Gjithashtu, koalicioni i tyre u justifikua si koalicioni i integrimit. Në fakt ai rezultoi koalicioni i skandaleve, i korrupsionit dhe që kishte vetëm një qëllim të vetëm, mbajtjen e pushtetit me të gjitha privilegjet që rrjedhin prej tij, qoftë legjitime ashtu edhe ilegjitime.
Edhe pse ky koalicion ishte i turpshëm dhe absurd, ai vazhdoi të qëndroi në këmbë, sepse mes të dyja forcave politike që e drejtonin, qëndronte pushteti, i cili jo vetëm i ka lakmuar por edhe i ka joshur me të gjitha privilegjet e tij.  Komente dhe kuriozitete të shumta ka pasur nga politikanë, opinionistë dhe qytetarë, nëse lideri i LSI do të rikthehej përsëri në gjirin e PS, nëse do të rikthehej në koalicion me ketë forcë dhe nëse do e “tradhtonte” Berishën.
Mjaftoi ceremonia mortore të vetmit politikan shqiptar në kuptimin filozofik, Arbër Xhaferrit, që Ilir Meta dhe Edi Rama të ritakoheshin përsëri bashkë. Takimi i tyre u komentua pafundësisht në shtypin shqiptar.  Disa e cilësuan si takim kokë më kokë, disa të tjerë si takim të rastësishëm me praninë edhe të politikanëve të tjerë të PDSH. Kishte edhe nga ata  nostalgjikë, të cilët u gëzuar duke ribesuar, se Ilir Meta u rikthye përsëri tek e Majta.
Shumë shqiptarë ankohen dhe e kërkojnë rotacionin e pushteti. Rotacion do të thotë, që forcat politike, të cilat kanë qeverisur për një periudhë të caktuar, përmes votës së qytetarëve duhet të kalojnë në Opozitë. LSI është pjesë e qeverisjes bashkë me PD dhe kjo do të thotë, se të dyja këto forca politike pjesë e një periudhe bashkëqeverisje që më shumë ka njohur skandale, hapa mbrapa dhe dështime se sa suksese. Dështimi më i madhe i qeverisjes nga këto dy forca politike mbeten mos integrimi i Shqipërisë në BE dhe rritja e korrupsionit në të gjithë sektorët,.
LSI në mënyrë të theksuar ka krijuar kulturën e antikulturës së shtetit. LSI është forca politike që në mënyrë të theksuar dhe të dukshme krijoi dhe kultivoi ndjenjën e pandershmërisë kundrejt trupit social, res publikes, Kombit, Atdheut ose, le ta quajmë, si të duam. LSI është një ndër forcat politike në vend, e cila e goditi dhe e shkallmoj demokracinë shqiptarë në zemrën e saj. Zemra e demokracisë është e vërteta dhe legaliteti kundrejt institucioneve, përmes një ekuilibri transparent të realizuar mes trupit social, Kombi dhe Shteti (institucioneve që ai përmban).  Në Shqipëri, institucionet duket sikur kanë humbur legalitetin dhe transparencën kundrejt qytetarëve, sepse ato  janë kthyer në prona private të politikanëve që janë në Pozitë.
Liria që sot posedojnë qytetarët është një lloj “lirie skllavërore”, sepse ajo nuk ndjen interesin e të gjithëve duke respektuar të mirën e përbashkët, por lirinë ad libitum, sepse fsheh rregullat, injoron lirinë e tjerëve. Pra, është një Liri që gëzohet vetëm nga nja pakicë politikanësh, të cilët me egoizmat e tyre dhe me injorancën primitive i trajtojnë të gjithë qytetarët e tjerë sikur të ishin skllevër të komanduar dhe të rrethuar nga pushtete e akte jo legale e transparente.
Lirie e ç’thurur e Qeverisë aktuale është mbajtur në këmbë përmes një mekanizmi të mirëfilltë propagandistik, ku shumë media të rëndësishme në vend janë kthyer në tellallë që i shesin popullit dëngla dhe të pavërteta nga mëngjesi deri në darkë. Shkrimtari i famshëm Henry James në tregimet e tij të titulluara The Paper të publikuara në vitin 1903, ndër të tjera nënvizon: “Shtypi është qeni ruajtës i civilizimit kudër çdo forme të një pushteti të fortë dhe autoritar”.  Gjithë jemi dëshmitar të vidioklipit të famshëm të transmetuar nga FIKS FARE, ku një ministër i LSI dhe një ministër dhe zv/Kryministër i LSI po bënin hesape për “sukseset” personale.  Edhe pse ishte një video, që e panë mijëra shqiptarë dhe ku gjërat dukeshin qartazi, qeveria me një kontroll të jashtëzakonshëm të shumicës së medieve të shkruara dhe televizive në vend e propagandoi dhe e shiti sikur të ishte një montim dhe një fals keqdashës kundër qeverisë.
Sovraniteti i popullit dhe liria e shtypit janë dy gjëra simbitiotike dhe të pazëvendësueshme, arsyetonte Tocqueville. Nga Pozita aktuale, në të cilën është aktore e fuqishme edhe LSI, mund të themi, se e dyta është përdorur për të kërcënuar e sulmuar të parën në shërbim të qëllimeve jo transparente të një pakice pushtetarësh. Nuk duhet të harrojmë faktin, se marrëveshja e parë e Platformës Detare, e cila dështoi dhe zhvillimi i negociatave për realizimin e një marrëveshje të dytë me të njëjtën qëllime me të parën, por bëhen gjatë qeverisjes PD-LSI dhe është për t’u nënvizuar se protagonistë janë  dy ministra të jashtëm  që përfaqësojnë kuotat e kësaj të fundit.
Ky është rast flagrant i ad libitum, ku shumica në parlament, por jo në trupin social, përdorën shumicën e saj në formë arbitrare kundër Kombit, ose të qytetarëve. Gjithashtu, ky është rast tjetër, ku qeveria aktuale jo vetëm nuk ka legalitet, transparencë me trupin social, por përdor mediat  e kontrolluara për të realizuar lirin e saj të shfrenuar me qëllimin e vetëm, skllavërimin e shumicës qytetare.
Për këtë dhe për respektimin e rotacionit politik, si pjesë e një periudhe bashkëqeverisje me PD, LSI pas 2013 duhet të dal në Opozitë përmes votës së lirë të qytetarëve. Ajo as nuk mund të jetë, as nuk mund të pretendoi, edhe as nuk duhet t’i ofrohet ndonjë mundësi e re për ndonjë koalicion të ri qeverisës. Një koalicion i tillë, do të përkthehej një “pakt kundër djallit, por duke mbajtur brenda vampirin”. 

Friday, August 10, 2012

Të gjithë së bashku të rrëzojmë “Regjimin Berisha”


Alban Daci

Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga “Regjimi i Berishës”.  Sot qytetarët nuk ndjehen vetëm të zhgënjyer nga “Regjimi i Berishës”, por edhe të braktisur, të poshtëruar, të zhytur në varfëri, në pasiguri për jetën dhe shumë shpejt drejt një totalitarizmi “alla Berisha”.
Sot ka vetëm një kategori të vogël personash, të cilët përpiqet ta mbajnë akoma në pushtet Berishën. Këto janë klane të rrezikshme, të cilat e shikojnë Shqipërinë si një vend që mund ta zhvatin, ta privatizojnë, ta pushtojnë, ta shesin. Ata, nuk mund t’i bëjnë të gjitha këto vetëm, por kanë lidhje interesash e politike me regjimin e Berishës.
Berisha një diktator mesjetar, i pa bindur dhe krejt agresiv po bën gjithçka për të mbajtur gjallë pushtetin e tij, tashmë të kalbur dhe të dalë boje.  Ka shumë arsye se pse Berisha duhet të largohet drejt një pensioni politik dhe drejt një llogaridhënie për thuajse 22 vite aktivitet politik, ku shumë ngjarje e fenomene social-politike në vend mbajnë firmën dhe emrin e tij.
Berisha erdhi me parullën e famshme “të qeverisim me duar të pastra”. Sipas të gjitha të dhëna, por mbi të gjitha sipas perceptimit të qytetarëve, sot korrupsioni jo vetëm nuk është luftuar, por ka arritur në instancat më të larta shtetërore. Berisha shumë herë akuzon PS, se brenda saj ka një grup miliarderësh, por harron faktin, se si brenda tij nuk ka mbetur njeri pa u pasuruar në mënyrë të paligjshme. Si ka mundësi që truproja e tij na paska galeri në Bulqizë! Ky qytet, i cili edhe pse realisht poshtë nëntokë ka pasuri të mëdha që janë të barabarta me miliarda dollarë, në sipërfaqe dëshmon varfërimin dhe keqqeverisjen që ka bëra Berisha në këto vite.
Berisha në fillimin e viteve ’90 erdhi me premtimet e tij të  për të bërë Shqipërinë si Europa dhe për t’u ofruar atyre demokracinë dhe lirinë, këto dy standarde shumë të rëndësishme shoqërore që shqiptarëve u kishin munguar për vite me radhë. Kanë kaluar dy dekada dhe Berisha nuk ka mbajtur asnjërin nga këto premtime entuziaste. Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Europë që Bashkimi Europian i ka dhënë të gjithë asistencën dhe mbështetjen e nevojshme për integrim dhe sot pas dy dekadash akoma nuk ka asnjë lloj sinjali se mund të integrohet para vitit 2021. Dështimi i radhës i çështjes së imunitetit, por jo vetëm, e lanë Shqipërinë akoma edhe për ca vite të tjera jashtë BE-së.  Shqipëria nuk mund të integrohet në Eruopë përsa kohë është qeverisur dhe drejtuar nga një politikë e vjetër. Nuk mund të ketë integrim të një vendi, nëse fillimisht mendjet e politikave të atij vendi nuk mund të reformohet dhe të orientohen drejt një rruge të re. Në rastin tonë konkret drejt BE-së.
Çështja e demokracisë një blof tjetër i madh i Berishës. Karriera politike e Berishës gjithmonë ka pasur përplasje të mëdha me principin e demokracisë. Kjo ka ndodhur për faktin, se Berisha mbetet një njeri i formuar me ide totalitare e antidemokratike.
Regjimi i Berishës është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare sepse ai tashmë ka marrë nën kontroll të gjithë institucionet, të cilat ka ditur t’i transformojë në institucionet të dhunës, shantazhit dhe zhdukjes së qytetarëve”, tha Spahiu. Kështu u shpreh kryetari i Aleancës Kuq e Zi nga qyteti i Delvinës.  Z. Spahiu ndoshta në këto momente është ndër të paktët politikan që ka kuptuar psikozën e Berishës, e cila ka një lidhje të ngushtë e tragjike me principin e demokracisë. Berisha asnjëherë nuk ua solli shqiptarëve demokracinë.
Berisha në vitin ’97, kur shqiptarët po vriteshin me njeri-tjetrin dhe ku shteti nuk ekzistonte, me egoizmin e tij prej mesjetari në një seancë qesharake parlamentare rizgjodhi vetën e tij si President. Berisha nuk mund të jetë me principe demokratike e nuk të sjellë demokracinë tek qytetarët, kur ai vetë e kupton lidhjen e tij me pushteti si të përjetshme. Prandaj, demokracia për të është blof i madh që qytetarët  e kanë pranuar për vite me radhë.
Ka ardhur koha që këtë blof shqiptarët jo vetëm të mos e pranojnë më, por të zgjedhin alternativën reale, e cila përfaqëson identitetin e tyre kombëtar, historinë e tyre kombëtare si dhe zhvillimin e një demokracie krejtësisht origjinale me elementë të shumtë tradicional shqiptar. Kjo alternativë pa dyshim është vetëm Aleanca Kuq e Zi, e cila ka vizione, programe dhe ide për të ndërtuar një demokraci origjinale Kuq e Zi, e cila kombin e shikon si bazën e zhvillimit shtetëror dhe demokracinë si oksigjenin e pazëvendësueshëm të këtij zhvillimi politiko-institucional.
Siguria për jetën, sot është një ndër probleme kryesore që çdo shqiptarë përballet çdo ditë. Kronikat e zeza nga mëngjesi deri në darkë na japin lajme për krime makabre brenda në familje, për larje hesapesh, por vrasje të pafajshme dhe rastësore, për aksidentet e shumta. Pra, Shqipëria për një të huaj ngjason më një vend që ndodhet në një luftë civile ose në konflikt të armatosur me ndonjë vend tjetër.  Vrasjet makabre që ndodhin në familje, pjesa më e madhe e tyre ndodhin për shkak të varfërisë që ka pllakosur familjet shqiptare. Shumë familje vazhdojnë të jetojnë pa të ardhura, pa punë dhe duke marrë ushqime me listë. Kjo nuk është Shqipëria europiane, me të cilën vetë Berisha i mashtroi shqiptarët duke ua premtuar në fillim të viteve ’90.
Për sa kohë që shteti nuk arrin t’u garantojë jetën qytetarëve, këtë të drejtë baze e themelore nga ku rrjedhin të gjithë të drejtat e tjera themelore, vendi ynë nuk mund të konsiderohet një shtet në kuptimin klasik të fjalës dhe jo më demokratik e europian. Berisha sot ka humbur kontrollin mbi territorin. Për të besuar këtë mjaftojnë të përmendim rastin e Lazaratit si dhe rastin e ndërtimeve pa leje, të cilat çdo ditë e më shumë po mbijnë në bregdetin shqiptar si kërpudhat pas shiut. Shumica e ndërtimeve pa leje që po bëhen në bregdetin shqiptar kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtit. Siç ishte rasti i pallatit të Bashës që po ndërtohet në ujin e ftohtë nën emrin e vjehrrit të tij. Këtë rast e denoncoi nga Vlora Aleanca Kuq e Zi.
Berisha erdhi në fillim të viteve ’90 me pretimin për ta rrëzuar murin që ndante qytetarët e thjeshtë me ish zonën e Bllokut. Jo vetëm që nuk e mbajti këtë premtim, por ka rindërtuar Blloqe të reja me njerëzit e tij të pushteti. Disa nga këto zona janë tek qendra komerciale TEG dhe tek Gjiri i Lalsit.  Këto janë blloqet e afera korruptive të qeverive të drejtuara nga Berisha. E vetmja forcë politike në vend që i ka denoncuar këto është Aleanca Kuq e Zi, e cila ka thënë se: këto blloqet e reja të ndërtuar në mënyrë të paligjshme nga Berisha dhe klanet e tij, me të ardhur Aleanca Kuq e Zi  në pushtet do të konfiskohen dhe do u kthehen ish të përndjekurve politik, të cilët janë të harruar dhe të braktisur nga Berisha.
Berisha erdhi në fillim të viteve ’90 si një patriot i madh. Pa kaluar shumë kohë, fytyra e tij e vërtetë prej një tradhtari doli në pah. Ai tentoi të shiste platformën detare në detin Jon. Edhe pse nuk ia arriti këtij qëllimi, pas ishte Kolonel Myslim Pashaj që e denoncoi fuqishëm këtë akt të turpshëm, ai përsëri është në tratativa me palën greke për të arritur një marrëveshje para festimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë. Por, as këtë radhë nuk do të mund ta bëj dot, sepse Aleanca Kuq e Zi është vendosur për ta mos lejuar një gjë të tillë.
Këto janë disa nga argumentet më bindës se pse duhet të bashkohem të gjithë së bashkuar për ta dërguar Berishën në pensionin politik dhe përpara përgjegjësisë ligjore e morale për më shumë se 22 vite tranzicion, ku ai ka qenë protagonisti kryesor i ngjarjeve politiko-sociale. Duhet të bashkohem nën siglën Kuq e Zi, sepse kjo është e vetmja alternativë reale opozitare e “Regjimit Berisha”. Aleancat Kuq e Zi nuk synon vetëm të nxjerrë në pension Berishën, por në të njëjtën kohë të ndërtojë një sistem krejt të ri origjinal politiko-social të ndryshëm nga ky që është aktualisht. 

Monday, August 6, 2012

Emigrantët janë të huaj në vendin e tyre për shkak të politikës së “vjetër”


Alban DACI

Për shkak të amullisë politike si dhe të periudhës së gjatë e tranzicionit që po kalon vendi ynë shumë të rinj po largohen nga Shqipëria, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.
Një numër i madhe i tyre kanë preferuar kryesisht universitet më të mira Perëndimore.
Studentët shqiptar nuk janë thjeshtë pjesë e auditorëve në këto universitete, por janë lider persa u përket aftësive në kuadrin e studimit.
Studentët shqiptarë janë ndër më të mirët dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyera në fusha të ndryshme profesionale, akademike dhe shkencore. Aftësitë e tyre gjeniale kanë bërë që në mjediset e ndryshme akademike të këtyre universiteteve të mbrohen vlerat kulturore dhe historike të Kombit.
Roli i tyre është vital, sepse kanë krijuar dhe mbrojtur një opinion të drejtë mbi shqiptarët si: një popull me kulturë dhe civilizim shumë të moçëm. Këto studentë i kanë treguar botës se  shqiptarët nuk janë hajdutë të rëndomtë, nuk janë vetëm klandestinë, nuk janë të pa integruar, ashtu siç e kanë pasqyruar me pa të drejtë disa sterotipe të huaja për interesa të caktuara.
Duke analizuar numrin e madh të studentëve që studiojnë jashtë vendit dhe që nuk dëshirojnë që pas studimeve të kthehen në Shqipëri mund të themi se kemi te bëjmë me një rrjedhje truri!
Të largohesh nga Shqipëria për një periudhë relativisht të gjatë do të thotë se: fillon dhe ndjehesh mik në shtëpinë tënde, sepse të ndjehesh pjesë e asocuar e një shoqërie duhet të jesh jo vetëm pjesëmarrës në evenimentet e saj, por edhe protagonist e ideator i saj.
Për emigrantët ose të larguarit, jeta shoqërore ne Shqipëri nuk është një tribunë vlerash dhe nuk përfaqëson mendimet dhe idetë e tyre. Shumë gjëra ndodhin në Shqipëri që nuk marrin miratimin apo konsensusin e qindra e mijëra emigrantëve që kanë lënë Shqipërinë si të vetmen rrugë për një jetë më të mirë.  
Politologu Lowell ka theksuar që çdo njeri që preket nga një aksion ka të drejtë te reagojë drejtpërdrejt ose duke qenë i përfaqësuar nga persona të përzgjedhur prej tij. Në të gjitha aksionet politike apo shoqërore si dhe në proceset që i krijojnë këto aksione jo vetëm që emigrantëve nuk u jepet mundësia për të qenë drejtpërdrejt pjesëmarrës, por as të kenë përfaqësues të zgjedhur me virdiktin e tyre.
Kemi thuajse 22 vjet që zhvillohen zgjedhje të ndryshme për pushtetin qendror e atë lokal dhe emigrantët ose ajo që tashmë mund të quhet me të drejtë si Diaspora shqiptare kanë mbetur të përjashtuarit e mëdhenj.
 Zgjedhjet në vendet demokratike konceptohen si: procese të institualizuara, ku përzgjidhen përfaqësuesit, të cilët janë anëtarë zyrtarë te organizatave. Këto organizata janë partitë që formojnë të ashtuquajturin sistem politik i një vendi.
Zgjedhjet, janë hapi themelor që përcaktojnë mjedisin, regjimin dhe komunitetin politik të një vendi. Në këto zgjedhje pjesëmarrja e studentëve që studiojnë jashtë, si dhe emigrantëve ka qenë shumë e vogël.
Kjo ka ndodhur për disa arsye:
-          Pengesa në lejet e qëndrimit në vendet, ku jetojnë;
-          Mos interesimi, sepse një pjesë e mirë e tyre e shikojnë Shqipërinë si një Atdhe që nuk interesohet për to dhe që gati-gati, tashmë, e kanë humbur dhe qe kanë krijuar një Atdhe të dytë.
-          Humbja e besimit dhe e shpresës nga kompleksi i sistemit politik shqiptar, i cili ka prodhuar largimin e tyre të padëshirueshëm.
-          Keq informimi, ose me mirë, le të themi, mungesa e informimit, mbi programet politike si dhe mbi fushatën zgjedhore. Informimi është një ndër faktorët kryesor që bën të mundur përcaktimin e kategorisë së votuesve si dhe shpjegon arsyen përse i përkasin asaj kategorie votuesish.
-          Pengesa ligjore dhe mos krijimi i infrastrukturës nga institucionet shtetërore.

Këto shkaqe dhe pengesa në të njëjtën kohë realizojnë në një farë mënyre “rrjedhje truri” edhe në radhët e rinisë studentore . Kjo është një humbje të rëndësishme e kapacitetit intelektual me pikëpamje perëndimore dhe bashkëkohore.
Deri me sot nga organizmat tonë shtetërore është bërë shumë pak ose për të thënë nuk është bërë asgjë. Nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar qoftë edhe një projekt konkret të hartuar dhe të vënë në zbatim nga organizmat shtetërore, siç është Ministria e Punëve të Jashtme për të ndihmuar riatdhesimin e të larguarve. Pra, me dëshirë a pa dëshirë, me qëllim apo pa qëllim, emigrantët shqiptarë nuk janë të mirëpritur në Shqipëri as nga pushteti mafioz i Berishës e as nga Opozita e fikur dhe e dështuar e Ramës
Është qesharake, kur shikon që shteti shqiptar nuk ka asnjë informacion qoftë minimal mbi numrin, vështirësitë, si dhe për rezultatet që arrijnë studentët që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit.
Nuk duhet të harrojmë se Shqipërinë moderne e bënë pikërisht njerëzit që kishin mbaruar studimet në universitet më të mira botërore, të cilët lanë karrierat e tyre, të ardhmen e tyre dhe u kthyen të jepnin kontributin e tyre për të modernizuar vendin.
Sot Shqipëria, le të themi, se është përfshi në procese shumë komplekse, të cilat kërkojnë persona të përgatitur, të zellshëm dhe të motivuar. Shqipëria ka nevojë për grumbullimin e inteligjencës shqiptare kudo që ndodhet për të sfiduar hapat e vështira drejt të ardhmes së panjohur.
Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe në ngritjen e shtetit modern shqiptar. Nuk duhet të harrojmë rolin e klubeve shqiptare që nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë kontributin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Vatra në SHBA.
Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë faktin se kontribuuesit më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në këto 20 vite tranzicion kanë qenë pikërisht emigrantët shqiptarë, të cilët falë punës dhe investimeve krejt personale i ndryshuan fytyrën Shqipërisë, duke e mbushur atë më shtëpi të mira.  Ka më shumë se 20 vjet ose ndoshta më mirë e më saktë do të ishte të thuhej se ka më shumë se 60 vjet, që nga mbarimi i Luftës II që emigrantët shqiptarë ndjehen të përjashtuar dhe të pa respektuar nga vendi i tyre.
Shqiptarët e emigruar janë të vetmit në Ballkan, të cilët nuk gëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Emigrantët shqiptarë e meritojnë dhe e kanë të drejtë të garantuar me Kushtetutë që të zgjedhin dhe të kenë mundësinë të zgjidhen përmes votës se lirë.
Njeriu që nuk gëzon të drejtat politike, ku më e rëndësishmja padyshim është e drejta e votës ndjehet i lirë aq sa ndjehet një zog që ndodhet brenda një kafazi. Pra,  emigrantët shqiptarë, ose Diaspora për aq kohë sa nuk kanë mundësi të votojnë dhe të votohen, jetojnë në një liri të rrethuar e të kontrolluar nga një politikë e dështuar dhe antidemokratike. Ata, ndjehen të huaj në vendin e tyre, sepse ky i fundit nuk i përfshinë në asnjë lloj forme përfaqësimi apo vendimmarrje.
Ka ardhur momenti që Diasporën shqiptare ta nxjerrim nga kafazi që e ka futur në këto vite tranzicioni politika e vjetër antikombëtare. Ka ardhur koha që Diasporën shqiptare ta përfshijnë në vendimmarrje dhe ta bëjmë pjesë të rëndësishme të proceseve dhe të sfidave që kemi përpara. Një Diasporë e fortë dhe e fuqishme ndihmon që edhe vendi i saj të jetë i fortë dhe i fuqishëm. Shqiptarët do të jenë më të fortë, të zhvilluar dhe më të bashkuar vetëm në momentin, kur edhe Diaspora të gëzoi të drejtën e votës.

Wednesday, August 1, 2012

Politikë e re me një model të ri


ALBAN DACI

Ngjarjet ndodhën shpejt nga viti 1990 deri në 2012. Fillimi ishte i madh, premtues, dhe në pamje të jashtme i ri dhe i ndryshëm. Shqiptarët filluan të besonin se kishin fituar kundër regjimit mizor dhe njerëzve që e kishin ndërtuar dhe përfaqësuar atë për thuajse 50 vjet rresht. Shumë shqiptarë besuan, ose më saktë donin të besonin me çdo kusht se një kapitull i ri po hapej për vendin e tyre. Shumë familje të nderuara, që ishin shtypur dhe ishin përdhosur vetëm pse kishin qenë nacionalist dhe që nuk e pranonin dogmën komuniste, më në fund, filluan të besonin se nderi i tyre do të kthehej e bashkë me të edhe perspektiva e një jetë të lirë e të ndershme. 
Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, ora e ndryshimit u prish, u ndal  në vend. Zelli i madh që qytetarët kishin, ndoshta me të drejtë në  ngjarjet e viteve ’90, shumë shpejt filloi të kthehej në një melankoli turbulluese dhe zhgënjyese. Menjëherë,  në vijën e parë të ndryshimit u panë po të njëjtët njerëz, të cilit kishin përfaqësuar të kaluarën mizore, ose bijtë e tyre, të cilët, me djersën e qytetarëve kishin bërë jetën e  princave e princeshave, duke shëtitur e duke u shkolluar në shkollat më të mira perëndimore.
Pikërisht këto njerëz, që jo vetëm kishin pasur lidhje me regjimin mizor, por që kishin qenë mizor po aq sa regjimi që kishin përfaqësuar, filluan të përdornin maskën e drejtësisë e të demokracisë për të grabitur çdo pronë që shqiptarët e kishin ndërtuar me djersën e tyre të përbashkët. U bë një masakër e vërtetë me privatizimet, ku pronën e morën më të fortë e ato që kishin lidhje me pushtetin, dhe jo pronarët e vërtetë, të cilëve u ishte mohuar e drejta e pronësisë për më shumë se 30 vjet.
Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi dhe vjedhja e pronës publike, njerëzit e të kaluarës,   të veshur me maskën e rreme të demokracisë, filluan të ndërtonin të njëjtin model politik që shqiptarët, për fat të keq, kishin trashëguar për më shumë se 40 vjet me radhë. Ata filluan ta ndërtonin regjimin politik mbi baza të mirëfillta autoritare të stilit mafioz, duke krijuar një rreth vicioz pushteti, ku qytetarët e ndershëm dhe familjet e nderuara u përjashtuan dhe u luftuan njollojë si më parë. Gjithashtu, u ndërtua një politikë antikombëtare, duke u stimuluar një emigracion i pakontrolluar, nga i cili u larguan ( “dëbuan”) mijëra qytetarë, ku disa prej tyre nuk u kthyen më kurrë. 
Emigracionin e përdorën si të vetmen mënyrë për të shpëtuar e jetuar ato qytetarë, të cilët nuk kishin trashëguar asnjë pushtet politik dhe nuk kishin as mundësinë më të vogël të merrnin pjesën privatizime e përvetësime ekonomike, sepse ato, si në kohën e regjimit, ishte bërë monopol vetëm për një grup të caktuar njerëzish, të cilët kishin qeverisur duke shtypur e duke përjashtuar çdo vlerë pozitive, që donte të bëhej pjesë e proceseve politike dhe ekonomike.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt nën nofkën ‘tranzicioni”, i cili thjeshtë po trazonte zemrat dhe mendjet e qytetarëve të thjeshtë, por që nuk kishte të bënte fare me tranzicionin politik. Vetëm tranzicion politik nuk mund të quhej, sepse gjithçka ishte si më parë dhe nuk po bëhej asnjë përpjekje konkrete për të konkretizuar një model të ri politik.
Monopoli, kontrolli  i pushtetit  me metoda mafioze e autoritare nga një pakice njerëzish, bënë që shumë ngjarje tragjike të ndodhnin për vite me radhë, të cilat patën objektiv të vetëm e të drejtpërdrejtë qytetarin e thjeshtë  e të pambrojtur.  Në këtë atmosferë monopoli e metodash mafioze e autoritare, le të themi,   në vend u krijuan dy grupe të mëdha politike. Këto grupe, edhe pse kishin emra “trendy”, nuk kishin asnjë ndryshim mes veti. Për këtë arsye, rotacioni i pushteti nuk kishte fizionomi demokratike. Qeveritë, që ndërroheshin, nuk sillnin asgjë të re, përveç faktit se ndërroheshin fytyrat e personave që qeverisnin, por në mendje dhe në zemër ishin njësoj: mizor, autoritar dhe krejt indiferentë kundrejt problemeve dhe halleve të qytetarëve.
Qytetarët, për vite me radhë në tranzicion, vazhduan të jetonin mes varfërisë, emigracionit dhe pasigurisë për jetën.  Ëndrrat e qytetarëve mbeten thjeshtë ëndrra dhe ato nuk u bënë kurrë realitet. Një ndër ëndrrat më të bukura që shqiptarët kishin ëndërruar në fillim të viteve ’90 ishte që “Shqipëria të bëhej si Europa”.  Shqipëria, jo vetëm që nuk e realizoi këtë ëndërr, por aq sa i afroheshin qytetarët Europës duke emigruar, po aq i largoheshin politikanët duke bërë korrupsion, afera mafioze dhe duke përdorur egon personale për pushtet, si armën më të fortë të bërjes politikë.
Politika, çdo ditë që kalonte, largohej gjithnjë e më shumë nga qytetari, dhe mbyllej në shpellën e saj të errët të mbushur me marifeti mafioze, antidemokratike dhe antikombëtare. Qytetarët, me të drejtë filluan të humbnin besimin tek politika dhe   filluan ta konsideronin atë si keqen më të madhe që kishte krijuar vetë njeriu kundër jetës së tij. Por, fajin atyre nuk ua kishte politike si nocion, e cila që nga kohët e lashta përfaqëson  artin e të qeverisurit nga njerëzit më të zotë në shërbim të komitetit e shoqërisë. Politika, ashtu si qytetarët ishte një viktimë, sepse kishte rënë në duart e personave të gabuar.  
Njerëzit, nga lashtësia, edhe pse e kishin krijuar politikën, ato nuk e kishin diktuar atë, por ajo i kishte diktuar duke bërë evolucion e kreativitet social. Kjo kishte ndodhur për faktin, se politika, edhe pse ishte krijuar nga njerëzit,  si rrymë arti, kishte fituar autonominë e saj dhe në të njëjtën kohë duke mbajtur ndjenjën e reciprocitetit nuk ishte larguar kurrë nga njerëzit, por u kishte shërbyer atyre.
Kjo nuk kishte ndodhur me shqiptarët, sepse shqiptarët kishin qenë në 500 vitet e fundit gjithmonë të ndërvarur nga pushtimet dhe regjimet e huaja e për këtë arsye nuk kishin arritur të krijonin një model origjinal e autonom politik. Politika për shqiptarët kishte qenë diçka e çmuar dhe e panjohur, por që gjithmonë ishte lakmuar. Pas pavarësisë, shqiptarët, arritën ta posedonin politikën  si art të krijuar nga të huajt dhe jo si art origjinal të krijuar prej tyre e në shërbim të tyre. Duhet të themi, se në një farë mënyre historia ka dokumentuar se politika dhe politikanët shqiptarë që nga Pavarësia, janë mbrojtur, frymëzuar dhe mbështetur  nga klane e interesa krejt antishqiptare e antiqytetare.
Shqiptarët morën traditën, jo për faj të tyre, se shteti nuk duhet respektuar, sepse ai është në dorën e të huajve. Kjo ide nisi të krijohej e të kristalizohej që në fillimet e pushtimit otoman në Shqipëri. Pra, ndjenja e antishtetit dhe mosrespektimi i institucioneve jo vetëm konsiderohej si diçka pozitive, por përfaqësonte një farë krenarie, një mosbindje kundër pushtimit të huaj.
Nuk dimë ndonjë rast, përveç Skënderbeut, që një lider të ketë ardhur në pushtet me forcat e tij dhe përmes marrëveshjes, ose kontratës pozitive që kishte bërë me qytetarët e tij. Pas Skënderbeut, deri në ditën e sotme, pas çdo lideri që ka dal në skenën politike, ka qëndruar një hije misteri dhe kurioziteti. për rrjedhojë edhe politika që ato kanë ndjekur, nuk ka qenë një politikë origjinale në shërbim të vendit e qytetarëve, por një politike e huazuar për të përfaqësuar interesa antikombëtare e antiqytetare.
 “Në qoftë se  Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të shkruhet: Shqipëria lindi nga Zoti, Shpëtoi nga rastësia e vdiq nga politikanët”- Faik Konica. Me siguri i madhi Konica ka pasur parasysh faktin se të keqën më të madhe ky vend e ka pasur pikërisht nga politikanët e saj, të cilët, jo vetëm që nuk e duan atë, por luftojnë kundër saj, duke mbrojtur interesa antikombëtare e antiqytetare.
Shqipëria, edhe pse ka kaluar shumë vështirësi për shkak të politikanëve të shitur e antikombëtar, ajo ka mbijetuar e tashmë ka mundësinë e saj reale të rilind si kurrë më parë. Më në fund, shqiptarët, para syve kanë rastin unikal të vëzhgojnë tek sa po krijohet një politikë origjinale shqiptare, e cila në formën e artit të qeverisjes, përfaqëson vetëm interesat kombëtare e qytetare. Ky është një model i ri dhe krejt i ndryshëm politik nga ai që kemi përjetuar në 100 vite Pavarësi (Varësi të kontrolluar nga të tjetër).  Kjo është një politik e re, sepse ka një model të ri. Ka modelin origjinal shqiptar, të bazuar thellësisht në filozofinë tradicionale shqiptare. Shqiptarët, për shekuj me radhë, gjënë më të shtrenjtë, ndjesinë kombëtare, që popujt e tjerë e kishin përjetuar prej kohësh, nuk e përjetuan kurrë me të drejta të plota. Por, sot, më në fund kemi një model të ri politik, i cili bazohet thellësisht në ndjenjat tona kombëtare, për të cilat kemi luftuar gjithmonë, por në të njëjtën kohë jemi privuar thuajse gjithmonë.
Ky model politik është i ri, edhe sepse po themelohet nga njerëz të rinj, që nuk kanë lidhje me të kaluarën e ndërvarësisë politike dhe varësisë apo servilizmit të interesave antikombëtare. Kemi qindra e mijëra të rinj, të cilët, të frymëzuar e të betuar para simboleve kombëtare Kuq e Zi, po krijojnë një model politik po Kuq e Zi në shërbim të vendit dhe të çdo personi që ndjehet krenar pse është trashëgues i këtyre simboleve tona kombëtare.  Qytetarët mezi e kanë pritur krijimin e kësaj  politike, e cila përfaqëson ëndrrat dhe dëshirat e tyre historike e kombëtare. Çdo qytetar, që ndjehet krenar pse është shqiptar, duhet ta mbështes këtë model politik, që ai të jetë i fortë e gjithëpërfshirës, sa është edhe kombi shqiptar.