Saturday, May 4, 2013

Kriteret që duhet të kenë kandidatët Kuq e Zi


Alban Daci

1.       Të jetë Kuq e Zi

Të jesh Kuq e Zi, jo për bindje politike apo për interes politike me finalitet pushtetin, por për formim familjarë, individual dhe social. Pra, duhet të ndjehesh  me krenari Kuq e Zi dhe mundësisht aktivitet të parë politik të kesh angazhimin me Aleancën Kuq e Zi. Shqipëria ka pasur dhe ka familje të rëndësishme patriotike që kanë dhënë shumë për Atdheun dhe kauzën shqiptare, por fatkeqësisht u luftuan egërsisht nga Regjimi Hoxha, po ashtu edhe nga pasardhësit e këtij regjimi në këto vite tranzicioni. Mendoj, se ka ardhur momenti se këto familje fisnike dhe patriotike të hyjnë përsëri në lojën e politikës, për të realizuar ëndrrat e lënë për gjysmë nga paraardhësit e tyre. Mendoj dhe jam i bindur se njerëzit që e shohin politikën si biznes nuk e meritojnë të jenë pjesë e Aleancës Kuq e Zi. Njerëzit që kanë ndërruar mijëra parti dhe tesera mund të jenë kudo, por jo tek Aleanca Kuq e Zi.

2.       Të jetë me guxim

Aleanca Kuq e Zi ka trajtuar problematika dhe çështje konkrete që kanë ekzistuar prej shekujsh, por që askush nuk kishte guxim që t’i ngrinte publikisht. Aleanca Kuq e Zi ka nevojë për njerëz që guximin e ngrenë mbi vlerën e ndershmërisë, inteligjencës, besnikërisë dhe dashurisë për Atdheun. Aleanca Kuq e Zi ka ngritur kauza që nuk mbarojnë me mbarimin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Sfidat më të mëdha për Aleancën Kuq e Zi do të jenë ato pas 23 qershorit, sepse politika shqiptare dhe kryesisht elita e vjetër është e mbushur me njerëz që e urrejnë për nga natyra ose për nga interesi i turpshëm personal kauzën kombëtare. Edi Rama, nuk pati guximin dhe forcën që të pranonte AK, sepse ai nuk ka guxim dhe dëshirë të jetë pjesë e vendimeve historike në lidhje me kauzën kombëtare. Edi Rama, do të jetë po kështu edhe pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ai jeton me idenë se të jesh pro Bashkimit Kombëtar, do të thotë se në Ballkan do të plas lufta. Car arsyetimi prej frikacaku dhe antikombëtari. Po luftërat bëhen në momentin që interesat kombëtare si sovraniteti dhe territori cenohen. Në këtë kuptim shqiptarët janë prej shekujsh në luftë dhe jo për fajin e tyre, por për fajin e fqinjëve që nuk kanë respektuar asnjëherë parimet e të Drejtës Ndërkombëtare, por kanë zbatuar shovinizmin dhe politikat e padrejta ekspansioniste.

3.       Të ketë formim perëndimor dhe zemër Kuq e Zi

Çështjet e ngritura nga AK dhe që kanë lidhje me kauzën kombëtare, kanë lidhje edhe me sallonet e diplomacisë europiane dhe amerikane. Për, këtë arsye AK duhet të ketë në Parlament njerëz që kanë formim dhe eksperiencë perëndimore, sepse një luftë e madhe dhe e fortë në një të afërme të vogël do të bëhet në nivel ndërkombëtar, tek BE, tek fuqitë europiane, USA (Departamenti i Shtetit), OKB. Shqiptarët duhet të bëjnë një luftë profesionale, të kujdesshme dhe të vendosur në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye që lufta të fitohet duhen luftëtar të fortë (me mendje dhe me argumente), kështu mund të jenë vetëm njerëzit e formuar dhe me suksese profesionale në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

4.       Të jenë besnikë ndaj kauzës Kuq e Zi

Në Parlamentin shqiptar është tashmë i njohur fakti se deputetët nuk kanë as moral, as parime, as filozofi dhe shiten sipas ofertave. Aleanca Kuq e Zi për shkak të pozicioneve dhe filozofisë së saj do të përballet me një luftë të ashpër parlamentare. Për këtë arsye, njerëzit që do të përfaqësojnë Aleancën Kuq e Zi në Parlament duhet të jenë besnik ndaj kauzës Kuq e Zi dhe nuk duhet ta tradhtojnë atë për asnjë lloj arsyeje.

5.       Të jenë relativisht të rinj

Të rinjtë shqiptar janë rritur dhe formuar në një periudhë të vështirë, në atë të tranzicionit. Në këto rrethana shumica e tyre janë idealistë dhe nuk janë të manipuluar nga filozofi politike Majtiste që nuk kanë asgjë të përbashkët me patriotizmin ose me idenë e Kombit. Parlamenti shqiptar është i mbytur me mendje të vjetra dhe të konsumuara që nuk ofrojnë më asgjë. Ky Parlament ka nevojë për mendje shëndosha dhe energji të reja.