Sunday, January 6, 2013

Nisma në Kosovë për Referendumin e Bashkimit përfaqëson vullnetin e qytetarëve


 Alban Daci


Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ka vetëm qasje pozitive, sepse shpreh dhe përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve dhe përmes referendumit përfaqëson dhe ushtron formën më ideale të demokracisë të drejtpërdrejt.  Nisma për nisjen e peticionit për realizimin e referendumit të bashkimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë është ndërmarr nga Aleanca Kuq e Zi në bashkëpunim me Frontin për Bashkim Kombëtar si dhe nga një grup qytetarësh.

Kërkesa e peticionit për referendum ka baza ligjore të mbështetura tek e Drejta Ndërkombëtare në fuqi dhe realizimi i tij ka kërkesat e nënvizuara më poshtë.


1.      Amendimin e pikës 3 të nenit 1 të Kushtetutës të Kosovës: Pika 3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. Përderisa Demokraci do të thotë pushtet i populli, çdo popull, është i lirë të zgjedh qoftë formën politike-institucionale ashtu edhe sistemin ekonomik. Nëse një popull nuk është i lirë të vetëvendos nuk është popull sovran. Sot Vetëvendosja e popujve, përtej faktit që është deklaruar mes qëllimeve të Kombeve të Bashkuara (art. 1 i Statutit) dhe formalisht i njohur si e drejtë e të drejtave të njeriut. Art. 1 identik i dy pakteve ndërkombëtare të 1966, respektivisht mbi të drejtat civile dhe mbi të drejtat ekonomike, sociale, kulturore nënvizon: “Të gjithë popujt kanë të drejtë të Vetëvendosin në virtyt me këtë të drejtë, ato vendosin lirisht statusin politik dhe të ndjekin lirisht zhvillimin ekonomik, social e kulturor”.

2.     Miratimin e një ligji për referendumet. Demokracia e drejtpërdrejt është formë e demokracisë me të cilën qytetarët, në cilësinë e një populli sovran, nuk janë vetëm zgjedhës që delegojnë pikërisht pushtetin politik tek përfaqësuesit e tyre por edhe legjislator dhe administrator të gjësë publike (përbashkët). Mënyrat se si kompetenca të tilla ushtrohen varen sipas modaliteteve specifike të adaptuara: nga e drejta e garantuar me kushtetutë, për të propozuar dhe votuar direkt ligjet ordinuese dhe ndërtimin përmes instituteve të ndryshme popullore dhe forma të tjera të pjesëmarrjes popullore, ku të gjitha këto me vendime të bazuara në formën e asambleve. Sot, Republika e Kosovës edhe pse vetë konsiderohet demokratike, ajo nuk ka një ligj që lejon dhe rregullon bërjen e referendumeve si formë të demokracisë të drejtpërdrejt.

3.     Shprehjen e vullnetit për Bashkim Kombëtar si të drejtë legjitime të mbështetur në të Drejtën Ndërkombëtare në fuqi e konkretisht në principin bazë të saj, atë të Vetëvendosjes. Shqiptarët e kanë të drejtë ligjore të bashkohen dhe të vendosin për fatin e tyre. Ato mund dhe duhet të bashkohen vetëm duke respektuar vullnetin e tyre të lirë dhe zbatuar principin e vetëvendosjes. Shqiptarët mund të bashkohen duke besuar tek forca e tyre, por në të njëjtën kohë fuqitë e mëdha, sipas të Drejtës Ndërkombëtare, e kanë obligim juridik që të japin kontributin e tyre për ta realizuar këtë proces.