Sunday, December 16, 2012

Fjalimi që nuk u mbajt


Alban Daci

Të dashur bashkëmoshatarë të rinj, ky ishte fjalimi që kisha menduar të mbaja para jush sot në Konventën e Tiranës të Aleancës Rinore KUQeZI.

Të dashur të rinj  Kuq e Zi,
Unë, jam i ri si ju, Kuq e Zi si ju, kam një mendim të ri si ju, kam një frymëzim të ri dhe kam në zemër një forcë të re, një shpresë të re dhe kjo është Aleanca Kuq e Zi.
Sot, të jesh i ri do të thotë të dish më shumë, ta duash më shumë vendin, të ndjehesh krenar se je shqiptar, të duash demokracinë.
Unë, jam i ri si ju, jam krenar që jam shqiptar, e dua Shqipërinë dhe do të luftoj deri në fund për demokracinë.
Sot, vendi ynë, Shqipëria jonë, mëmëdheu ynë ndodhet para sfidave të mëdha, mes dëshirës së popullit për t’u bashkuar dhe realitetit politik të vjetër për përçarje, mes dëshirës së qytetarëve për integrimit me Europën dhe faktit se politika e vjetër po na çon drejt gropës.
Në këto rrethana, vendi ynë ka nevojë më shumë se kurrë për ju, rininë e ndershme dhe të guximshme shqiptare.
 Ju jeni e ardhmja, kurse politika e vjetër tashmë është e kaluara.
Ju jeni shpresa dhe guximi, politika e vjetër është dëshpërimi, dështimi dhe turpi. 
Rroftë rinia shqiptare, kjo forcë e madhe intelektuale, njerëzore që oksigjen për frymëmarrje ka patriotizmin dhe në gjak në vena ka demokracinë.
Poshtë politika e vjetër tradhtare, e cila për 22 vjet na mori peng kohën dhe jetën tonë të çmuar, na mori peng të tashmen dhe do të na mohojmë edhe të ardhmen.
Sot, ne jemi kemi fatin në duart tona tona, të ardhmen tonë dhe jetën tonë.
Ne kemi një arsye me shumë për të rezistuar, për të luftuar dhe për të besuar se ditë më të mirë po vijnë. Pa dyshim kjo arsye është Aleanca Kuq e Zi.
Sot, Aleanca Kuq e Zi na motivimon dhe na frymëzon të jemi të gjithë së bashku në ngjyrat Kuq  e Zi si një trup i vetëm për të ardhmen e përbashkët dhe në shërbim të interesit të përbashkët.
Sot, Aleanca Kuq e Zi është krijesa e jonë e përbashkët politike, e cila kërkon që politikën ta kthej në shërbim të qytetarit dhe për qytetarin.
Sot, Aleanca Kuq e Zi kërkon të zhvilloi një politikë të re, atë të patriotizmit dhe të demokracisë.
Aleanca Kuq e Zi është krenare që identifikohet me të gjithë ne, rininë, ballin e një kombi, por edhe ne jemi krenar që Aleanca Kuq e Zi është krijesa jonë e përbashkët, e cila nuk lindi për më shumë pushtet, por, për më shumë dinjitet shoqëror e kombëtar.
Rroftë Aleanca Kuq e Zi!
Rroftë rinia shqiptare!
Rrofshi ju!