Alban Daci
Diktaturat e konsideruara të parrëzueshme, kanë rezultuar të paafta për t’u
përballur me mosbindjen e organizuar politike, ekonomike dhe shoqërore të
popullit. Termi i përdorur në këtë kontekst u propozua fillimisht nga Robert
Helvey. Mosbindja politike është një luftë e padhunshme (protestë,
mosbashkëpunim dhe ndërhyrje) e zbatuar në mënyrë sfiduese dhe aktive për
qëllime politike.
Çdo vend që ka pasur regjime diktatoriale ka njohur
momente të mosbindjes së popullatës që kanë bërë të mundur përmes protestës rrëzimin
e saj. Një ndër momentet më origjinale të mosbindjes qytetarë janë padyshim
lëvizjet studentore shqiptare të vitit 1991. Në fillim të dhjetorit, ditët
ishin të ftohta dhe Tirana dukej krejt e zymtë dhe melankolike. Regjimi ishte në
ditët e tij më të vështira, ekonomia ishte në një krizë të thellë, kushtet e
qytetarëve ishin të vështira, radhët e gjata për bukë kishin filluar nëpër
furra, ushqimet dhe tollonat ishin gjithnjë e më të pakta. Pra, në fillim të
dhjetorit të vitit 1991 Shqipëria të ngjasonte sikur ndodhej në një luftë, ku çdo
gjë ishte e vështirë duke përfshirë edhe mundësinë për të ekzistuar.
Pikërisht në momentet e
tij të vështira, regjimi sikur kishte filluar të jepte sinjalet e para për një
mundësi hapje dhe rinegocimi me qytetarët. Kjo u reflektua në faktin, se
universitet u bënë më të hapura për të
gjithë, duke mos vendosur më në plan të parë si kriter seleksionimi biografinë
dhe luftën e klasave. Pra, universitet nga një mollë e ndaluar që ishin cilësuar
për ato familje që nuk quheshin komuniste, kishte filluar të pranonte çdo të ri
që kishte rezultate të mira dhe të pranueshme për kohën.
Në fillim të dhjetorit
filluan të fikeshin dritat në godinat e studentëve. Pikërisht në periudhën, ku
ata duhet të qëndronin brenda dhe të studionin për provimet. Gjithashtu, fakti
se ishte dhjetor do të thotë se pa energji elektrike ato as nuk mund të
ngroheshin. Kështu këtë situatë të re studentët nuk e pranuan dot dhe të parët
që filluan protestat ishin ato të godinës të inxhinierisë, të cilët në momentin
kur fikeshin dritat filluan të këndonin dhe të të ngrinin zërin. Këto qenë
shkëndijat e para të, të cilat brenda një periudhe të shkurtër në gjithë qytetin
e studentit ndezën atë që më vonë u quajt zjarri i demokracisë dhe i lirisë
shqiptare.
Pra, në momentet e një
zymtie dhe një heshtje mjerimi, lindi shpresa e një ndryshimi të madh, i cili
kërkonte energji, vendosmëri dhe vizion. Më mirë se rinia këtë nuk mund ta bënte
askush tjetër. Regjimi mizor që jetonte duke ushtruar psikozën e dhunës nuk
mund të rrëzohej po me dhunë. Arma më e fortë për rrëzimin e tij ishte
mosbindja qytetare. Këtë gjë e kuptuan dhe e përdorën shumë mirë studentët dhe
të rinjtë, punëtorët, intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë që kishin hequr të “zinjtë
e ullirit”.
Megjithatë, për fat të keq
ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Rinia ishte ajo që e rrëzojë regjimin, por
nuk ishte ajo që duhet të ndërtonte demokracinë e re ashtu siç ato e kishin
ëndërruar. Krejt pa pritur dhe në mënyrë jo të qartë në krye të lëvizjes së
tyre filluan të dilnin komunistët (ose enveristët), të cilët me eksperiencën e
tyre të përfituan nga regjimi brenda një natë u transformuan nga njerëz të
besueshëm të regjimit në demokrat të thekur.
Studentët, duke e cilësuar vetën shumë të rinjtë për
sfidat që po përballnin i pranuar këto ish enverist duke u besuar transformimit të tyre fals.
Shpejt lindi pluralizmi politik, i cili nuk dukej i rastësishëm ashtu siç duhet
të jetë, kur ka lëvizje të mëdha popullore. Partitë e reja u themeluan po nga
ish njerëzit e regjimit, të cilët nuk kishin ndryshuar aspak në formë të
menduarit dhe të bërit politik, por thjeshtë e kishin kuptuar se koha e donte
të vinin maskën e rreme të demokratit duke i “shërbyer” demokracisë.
Studentët që ishin ideatorët
dhe protagonistët kryesor të lëvizjeve antiqeveritare filluan që të
manipuloheshin, të përdoreshin dhe pse jo edhe të dëboheshin jashtë me
pretekstin për formime më të plotë akademik dhe intelektual. Kjo bërë që Shqipëria
pas viteve ’90 të mbetej në duart e atyre që e kishin pasur edhe para viteve
’90. Për këtë arsyeje, Shqipëria për
gjatë këtyre viteve nuk u bo as europiane e as demokratike. Motot e studentëve
të dhjetorit për një Shqipëri si Europa dhe demokratike mbeten në letër. Liria
dhe demokracia nuk qëndruan në duart e tyre për t’u realizuar ashtu siç ata
besonin, por mbeten përsëri për fat të
keq në duart e njerëzve të regjimit, të cilët demokracisë nuk donin t’i
dëgjonin zërin dhe jo më të impenjoheshin për ta implementuar atë.
Sot pas 20 vitesh lodhje,
zhgënjimi dhe tranzicioni, i cili u ka kushtuar shumë shqiptarëve, Shqipëria
duket sikur është përsëri aty e pandryshuar, por thjeshtë e fasaduar me një
bojë të rreme progresi dhe zhvillimi.
Sot, shqiptarët ndjehet të tradhtuar nga klasa e vjetër
politike. Sot shqiptarët kanë nevojë për të njëjtat kërkesa që kishin bërë në
fillim të viteve ’90: më shumë demokraci liberale e reale; më shumë të
integruar dhe të vlerësuar në BE si dhe në këtë 100 vjetor Pavarësie më shumë
se kurrë duan të jenë të bashkuar dhe jo më të ndarë padrejtësisht ashtu siç ka
ndodhur përgjatë historisë.
Ne sot qeverisemi nga një
klase politike, e cila është përfaqësuese e regjimit që studentët e dhjetorit e
rrëzuan me shumë mund dhe sakrifica. Sot Shqipëria është në të njëjtën situatë
ekonomike, ku borxhi publik ka kaluar cakun e lejuar.
Sot shqiptarët qeverisën nga persona të cilët kanë një të
kaluar jo transparente. Sot, 20 vite pas përmbysjes së madhe nuk janë hapur
dosjet që shqiptarët të dallojnë të ndershim nga spiuni, patriotin nga
tradhtari, idealistin nga mashtruese.
Sot, jetojmë në
një kohë, ku ato familje që ishin të persekutuara gjatë regjimit janë po të
persekutuar edhe sot. Ne jetojmë, në një moment ku njerëz të dëshpëruar dhe të pa shpresë vetëdigjen dhe qeveria sheh
sehir pa bërë edhe detyrën e saj kushtueses që duhet të dëgjojë kërkesat e çdo
qytetari dhe vetëm pasi t’i ketë dëgjuar t’i vlerësojë nëse janë të drejta apo
jo.
Në këto rrethana dhe situata ka ardhur momenti që rinia
shqiptarët të fillojë një mosbindje të re kundër kësaj demokracie mafioze që ka
marr peng të ardhmen e vendit.
Mosbindja nënkupton të sfidosh në mënyrë të ndërgjegjshme
autoritetin me refuzim, duke mos ofruar hapësirë për nënshtrim. Mosbindja
politike përshkruan ambientin në të cilën veprimi përdoret politikisht si dhe
objektivisht (pushtet politik). Termi përdoret para së gjithash për të
përshkruar veprimin e kryer nga popullata që synojnë të rimarrin kontrollin mbi
institucionet qeveritare që kontrollohen nga diktaturat përmes sulmit pa pushim
kundër burimeve të tyre të pushtetit dhe që qëllimisht përdorin planifikimin
strategjik dhe operacional. Shqiptarët mjaftojnë vetëm gjashtë muaj të
përdorin.
Mosbindja jonë kundër këtij regjimi është një formë
legjitime për të rigjetur lirinë dhe vetëdijen e ekzistencën tonë si qenie të
lira në një ambient të lirë. Qytetarë bëjeni këtë mosbindje vetëm për gjashtë
muaj dhe e ardhja juaj do të jetë krejt e ndryshme nga trajektorja e tanishme
ku ju jeni thjeshte udhëtar por jo përcaktuesit.