Sekretari për Arsim i Aleancës Kuq e Zi, Alban Daci në intervistë ekskluzive për portalin Express.mk, ka sqaruar pozitën politike të këtij subjekti në skenën politike të Shqipërisë, politikat mbarëkombëtare dhe të bashkimit. Duke u ndalur te shqiptarët e Maqedonisë ai konsideron se nuk duhen kaq shumë parti shqiptare në Maqedoni, por duhet një front i përbashkët.
Destan Jonuzi
ExPress.mk: AK ka filluar të jetë në qendër të polemikave mes të majtës dhe të djathtës. Berisha dhe Rama po replikojnë për ju?
A.Daci: Ç’është e vërteta Aleanca Kuq e Zi lindi si një domosdoshmëri e kohës, si një aleancë me qytetarin. Aleanca Kuq e Zi ka sjellë risi shumë të rëndësishme në politikën shqiptare si: jo më shumë se dy mandate në të gjithat nivelet e ekzekutivit dhe në drejtimet e lidershipëve te partive politike, zgjedhjen e gjykatësve nga populli dhe futjen e rolit te jurisë në vendimmarrje. Duke qenë se Aleanca Kuq e Zi është për një politikë të re dhe të ndryshme nga e vjetra është krejt e arsyeshme që dy partitë e vjetra që kanë mbi supe përgjegjësitë e 22 viteve tranzicion do të replikon. Fakti se Berisha e Rama replikojnë mbi Aleancën Kuq e Zi do të thotë se kjo e fundit është faktor politik, ku në gjirin e saj ka më shumë se 220 mijë të anëtarësuar.
ExPress.mk: Megjithatë këto 22 vjet elektorati është përcaktuar mes të majtës dhe të djathtës. Ç’fare janë ata që ju mbushin sallat për veçse patriot. A kanë ata një përcaktim politik?
A.Daci: Së pari duhet të theksojmë se sot jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Perëndim ndarja mes të Majtës dhe të Djathtës është bërë aq e hollë sa është thuajse e pamundur me bërë dallimin. Megjithatë në rastin e Shqipërisë nuk kemi ndarje ideologjike në të Majtë dhe të Djathtë, por kemi grupe personash të cilët zëvendësojnë fytyrat e njëri-tjetrit pa sjell asgjë të re, por thjeshtë korrupsion, keqqeverisje si dhe politika antikombëtare. Aktivistët dhe mbështetësit e Aleancës Kuq e Zi nuk janë vetëm patriot, por janë qytetarë të ndershëm që vijnë nga familjet më fisnike që kanë derdhur gjakun e tyre për Shqipërinë tonë. Janë njerëz që e duan Bashkimin Kombëtar, që i duan shqiptarët krenar dhe respektuar në rajon. Janë njerëz që duan që shqiptarët të jetojnë në një sistem politik që garanton sistemin demokratik të qeverisjes dhe sistemin miks të ekonomisë, atë të ngjashëm me modelet që aplikojnë vendet nordike. Ata që mbështesin Aleancës Kuq e Zi janë qytetarët që e duan dhe besojnë në ndryshimin e madh të 2013, ku Shqipëria do të bëhet dhe do të bëhet vetëm Kuq e Zi.
ExPress.mk: Ju jeni një parti me theks nacionalist, por çuditërisht nuk keni shumë sulme nga Perëndimi, siç pritej në fillim. Ç’fare ka ndodhur?
A.Daci: Së pari duhet të theksojmë se Aleanca Kuq e Zi është më shumë se një parti klasike, ajo është një Lëvizje Mbarë Kombëtare, e cila për herë të parë në historinë politike shqiptare ka shtrirjen e saj edhe përtej kufijve aktual të Shqipëris, në të gjitha trojet etnike shqiptare si edhe në Diasporë. Së dyti në mënyrë reciproke të gjitha trojet shqiptare dhe Diaspora kanë përfaqësuesit e tyre në strukturat më të larta të Aleancës Kuq e Zi. Ne nuk jemi dhe nuk konsiderohemi në mënyrë klasike një parti nacionaliste. Ne jemi parti me orientim e filozofi patriotike-demokratike. Patriotizmi gjen mbështetjen më të mirë tek demokracia dhe vetë demokracia nuk do të kishte kuptim pa patriotizmin. Mjafton të shikojmë se patriotizmi është vlera më e lartë që mban SHBA si shtetin më demokratik dhe më krenar në Botë. Pastaj Aleanca Kuq e Zi është krejt në të njëjtën linjë me SHBA, sepse ajo kërkon e mbështetet tek principi i Vetëvendosjes, i cili është krijuar për herë të parë pikërisht nga presidenti Wilson dhe më vonë bëhet një ndër principet më të rëndësishme të të Drejtës Ndërkombëtare. Gjithashtu ashtu si SHBA, Aleanca Kuq e Zi kërkon dhe insiston në demokratizimin e vendit, sepse demokracia është forma më e mirë e qeverisjes.
ExPress.mk: Duket sikur i keni ndarë demokratët në pro serb dhe socialistët në pro grek?
A.Daci: Nuk është aspak e vërtetë se ne kemi bërë ndarjen në serb e grek sipas bindjeve politike. Ne kemi thënë e kemi dëshmuar se në këto 22 vite Shqipëria është qeverisur nga tradhtar që e kanë shkatërruar këtë vend dhe nuk po lënë burim nën tokësor e mbi tokësor pa shitur. Përgjegjëse kryesore në vitet e fundit për akte tradhtie bie pikërisht mbi PD që është edhe Pozita, e cila me paturpësinë më të madhe deshi t’i fal Greqisë qindra kilometra platformë detare.
ExPress.mk: A keni të njëjtin mendim dhe për bizneset turke në Shqipëri?
A.Daci: Nuk e kuptoj për car e keni fjalën. Mendoj se është pa vend një krahasim i tillë.
ExPress.mk: A po mendoni për aleanca para zgjedhore apo pas zgjedhore, apo ende herët?
A.Daci: Aleanca Kuq e Zi është krijuar për të qenë një aleancë me qytetarët dhe për të vendosur Atdheun mbi gjithçka. Megjithatë, në lidhje me politikat dhe aleancat janë forumet drejtuese të Aleancës Kuq e Zi që do të vendosin. Çdo vendim i marrë do të jetë në shërbim dhe në interesat e qytetarëve.
ExPress.mk: Subjekte politike dhe jopolitike në Kosovë angazhohen për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. A e mbështetni ju këtë ide?
A.Daci: Aleanca Kuq e Zi është parti e parë politikë që në këto 100 Pavarësi e ka shkruar si e zeza mbi të bardhën në programin e saj politik çështjen e Bashkimit Kombëtar. Shqiptarët duhet të bashkohen në diçka më të madhe se sa vetë Shqipëria. Unë, sot njoh vetëm dy forca politike që mbështesin hapur Bashkimin Kombëtar, Aleancën Kuq e Zi dhe Vetëvendosjen. Aleanca Kuq e Zi me datë 28 Nëntor do të jetë në Morinë për të shembur murin virtual që ndan shqiptarët me shqiptarët. Ky do të jetë Nëntori i tretë i Bashkimit. Me datë 28 Nëntor shqiptarët e Kosovës do të kalojnë në këmbë kufirin absurd për të festuar pastaj me vëllezërit e tyre 100 Vjetorin e Pavarësisë.
ExPress.mk: Nëse realizohet kjo atëherë ç’fare ndodh me shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës etj. Integrimi i tyre parashikohet me dhënien e pasaportave dhe shtetësisë së Shqipërisë. A e mbështetni edhe këtë ide?
A.Daci: Ne kemi qenë të parët që kemi hedhur idenë dhe e kemi mbështetur fuqishëm idenë: Një komb, një Gjuhë, një Flamur dhe një Pasaportë. Mendoj se procesi i Bashkimit të Shqiptarët është i pandalshëm dhe nuk duhet të ketë lidhje dhe pritje me proceset e tjera të integrimit të kontinentit. Bashkimi i shqiptarëve është një e drejtë hyjnore dhe ligjore.
ExPress.mk: Cili do ishte vlerësimi juaj për eksponentët politikë shqiptar në Maqedoni si: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani?
A.Daci: Që ato kanë vendosur interesat e tyre personale mbi interesat e shqiptarëve. Shqiptarët atje vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira ekonomike, të diskriminuar dhe të shtypur. Gjithashtu vazhdojnë të mos quhen shtet-formues siç e meritojnë. Nuk duhen kaq shumë parti shqiptare në Maqedoni, por duhet një front i përbashkët. Aleanca Kuq e Zi dega në Maqedoni vetëm pak javë më parë në Shkup propozoj linjën e saj: Një front i përbashkët për të mirën e shqiptarëve.