Alban Daci
Në të gjitha sistemet politike, ka parti të cilat cilësohen të mëdha për
shkak të përfaqësimit që arrijnë të kenë në pushtetin legjislativ, por edhe për
shkak të koalicioneve qeverisëse që arrijnë të realizojnë për të marrë pjesë në
nivelet e ndryshme të ekzekutivit.
Gjithashtu, në sistemet demokratike, e drejta për të krijuar subjekte
politike, të cilat janë në respektim dhe reflektim të ligjeve kombëtare dhe
atyre ndërkombëtare është e garantuar.
Nisur nga kjo, në shumë vende, të cilët në të kaluarën kanë pasur mungesë
pluralizmi politik, me ta fituar atë kanë krijuar lloj-lloj subjektesh
politike, që herë lidhen me të kaluarat ideologjike dhe doktrinore të historisë
politike e ndonjëherë krijohen me filozofi krejt të reja politike.
Shqipëria për një periudhë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e gjatë e
pluralizimit politik. Për këtë arsye kultura demokratike dhe tradita e partive
tradicionale politike u zbehen si në jetën e përditshme politike në vend ashtu
edhe në kuptimin e zhvillimit të filozofive të reja politike. Situata e
pluralizmit politik u zgjidh me rënien e regjimit politik komunist, i cili për
nga forma dhe funksionimi i tij, ndoshta mund të konsiderohet si sui generis në Rajon.
Kështu, me të rënë regjimi dhe me t’u aprovuar pluralizmi politik, u
krijuan shumë parti, disa prej të cilave kishin ekzistuar para se regjimi te
vinte në pushtet dhe disa të tjera u krijuar duke kopjuar në pamje të parë atë
të partive perëndimore. U krijuan parti
si: Partia Republikane, Partia Demokratike, u bë transformimi i Partisë së Punës
në Parti Socialiste, Partia Legaliste, e shumë të tjera.
Sot Shqipëria pa frikë mund të themi se ka një numër të jashtëzakonshëm
partisë, sa mund të krijojnë teorinë, dhjetë shqiptarë= një parti politike.
Lind pyetja a i bëjnë mirë shoqërisë dhe demokracisë gjithë këto parti të
krijuara. Në pamje të parë patjetër po, se në teori shoqërinë e pasurojnë në alternativa
dhe vizione të ndryshme. Në praktikë kam dyshimet e mia. Pse? Shumë parti në
Shqipëri nuk janë krijuar për të sjellë ndryshime të mëdha sociale që lidhen me
përfaqësinë reale të qytetarëve. Shumë anëtarë të partive të reja që janë
krijuar sot, vijnë si drejtues të rëndësishëm të dy partive të mëdha, disa nga
PD e disa të tjerë nga PS. Madje disa nga këto drejtues të partive të reja, kanë
qenë jo vetëm përfaqësues të lartë të dy partive të mëdha, por kanë pasur edhe
poste të rëndësishme drejtuese në institucionet e ekzekutivëve të krijuar ndër
vite.
Nga, kjo del qartë se shumë prej tyre, kanë krijuar parti të reja, jo sepse
kishin me të vërtetë filozofi të reja politike në lidhjet me zhvillimet dhe
reformat në vend. Nuk i kanë krijuar as duke u nisur nga dëshira se qytetarët
meritojnë më shumë. Ata, i kanë krijuar këto parti (herë parti familjare e herë
parti me një anëtarë e një kryetar) thjeshtë, sepse interesat e tyre dhe
karriera e tyre për shkak të rrethanave kishte mbaruar në partitë e origjinës.
Pra, aktiviteti i tyre politike nuk lidhet me interesat reale të qytetarëve për
më shumë demokraci, por për qejfet dhe egoizmat e tyre personale për pushtet.
Po ndiqja sot drejtpërdrejt tryezën e rrumbullakët të partive të vogla në
lidhje me reformën zgjedhore. Të gjithë dukeshin qesharak. Një pjesë e mirë e
tyre ishin ish PD, një pjesë tjetër ish PS, të cilët tashmë e kanë kuptuar
fundin e karrierës së tyre politike dhe thjeshtë përpiqen në mënyrë të dëshpëruar
të krijojnë një imazh pozitiv, që tashmë prej vitesh e kanë humbur, ose ndoshta
nuk e kanë pasur asnjëherë.
Arsye tjetër e qesharakllikut të tyre është fakti, se disa prej tyre kanë
20 vjet që janë në krye të partive të tyre. Nuk kam dëgjuar që të kenë bërë
kongrese, apo të kenë bërë zgjedhje apo ndryshime në lidershipet e tyre. Atëherë,
është qesharake që këto persona me imazh të konsumuar në 20 vite të kërkojnë
demokraci dhe ndryshime në vend, kur në të vërtetë ato nuk e zbatojnë
demokracinë as në organizimin e brendshëm të partive që përfaqësojnë.
Në këtë tryezë mungonte Aleanca Kuq e Zi. Pse? Së pari Aleanca Kuq e Zi,
është parti që nuk rrjedh nga filozofitë e vjetra të doktrinave politike
shqiptare. Ajo, nuk është një zgjatje apo një përjashtim i dështuar nga dy
partitë e mëdha të vjetra. Aleanca Kuq e Zi, nuk bën pjesë as tek filozofia
balliste, as tek ajo legaliste, as tek ajo komuniste, as tek ajo
pseudo-demokratike, apo tek partitë familjare. Aleanca Kuq e Zi është Lëvizja e
madhe mbarëkombëtare, e cila lind me baza identitare demokratike, me orientim
krejtësisht patriotik-demokratik, dhe më përfaqësim mbarëkombëtar. Aleanca Kuq
e Zi, ka thithur në gjirin e saj elektoratin e vërtetë shqiptar, i cili pa
dyshim përbën shumicën, por që u përjashtuar me pa të drejtë në 20 vite
tranzicion. Partitë e vogla aktuale, edhe ato të mëdha që shpejt do të jenë
shumë të vogla përballë Aleancës Kuq e Zi, kanë frikë nga forca e madhe
elektorale që ka kjo e fundit. Ato e dinë shumë mirë, se për shkak të
politikave antikombëtare e anti-qytetare
që kanë praktikuar në vitet e tranzicionit e kanë humbur tashmë besimin e
shqiptarit të ndershëm që mendon dhe punon me zell për vendin e tij. Aleanca
Kuq e Zi, është tashmë një realitet i qartë dhe shume i prekshëm politik. Ajo
po rritet nga kontrata e sinqertë dhe dashamirëse që ka realizuar me qytetarin
dhe përmes pazareve të turpshme siç kanë bërë partitë e vjetra të tranzicionit.
Së dyti, edhe pse nuk ka shumë që është krijuar si parti, Aleanca Kuq e Zi
nuk mund të bëj pjesë tek partitë e vogla. Kjo duke i nisur si nga fakti i
përfaqësimit mbarëkombëtar, ashtu edhe për nga numri i të anëtarësuarve. Për
këtë arsyeje Aleanca Kuq e Zi, nuk konsiderohet një parti e vogël dhe nuk mund
të marr pjesë në një tryezë të organizuar nga këto parti.
Së treti, filozofia e Aleancës Kuq e Zi është krejt e ndryshme dhe bie
ndesh si me partitë e vogla ashtu edhe me dy partitë e mëdha të vjetra. Aleanca
Kuq e Zi, ka parim të rëndësishëm limitimin e mandatave. Nisur nga kjo, Aleanca
Kuq e Zi nuk mund të ulet në një tryezë, ku kryetarët e atyre partive kanë mbi
20 vjet që mbajnë postin e kryetarit, pa respektuar asnjëherë rotacionin
demokratik.
Së treti, Aleanca Kuq e Zi ka objektiv të madh, real, Bashkimin Kombëtar.
Për këtë arsyeje Aleanca Kuq e Zi, nuk mund të ulet në tryezë me parti, të
cilat, jo vetëm, nuk e kanë këtë kauzë, por pashkak të kaluarave të tyre, jo
rrallë herë janë bërë hapur pengesa që Bashkimi Kombëtar të realizohet.
Së katërti, Aleanca Kuq e Zi, ka si filozofi të rëndësishme reformimin e
gjithë sistemit politik. Nëse nuk reformohet ky sistem, atëherë vendi do të
vazhdojë të lundrojë në ujërat e tranzicionit politik, ekonomik e social. Përsa
kohë do të kemi një sistem të vjetër politik, i cili si në filozofi ashtu edhe
në terren mendon dhe punon për interesa të ngushta dhe jo për interesat gjithëpërfshirëse
të qytetarëve, vendi do të vazhdojë të jetë një dele e zezë, i pa integruar në
strukturat e BE, i pa bashkuar dhe me probleme të mëdha ekonomike e sociale.
Për Aleancën Kuq e Zi, partitë e vogla apo të mëdha të sistemit të vjetër
politik shqiptar, përfaqësojnë tashmë të kaluarën dhe për rrjedhojë nuk mund të
jenë më as protagonist e as aktor të rëndësishme për të bërë procese e reforma
të mëdha në shërbim të shqiptarëve e Shqipërisë. Ato, i patët të gjitha
mundësitë gjatë gjithë tranzicionit, por nuk bënë asgjë, sepse ishin të kapur
pas interesave të ngushta klanore.
Aleanca Kuq e Zi, kërkon një reformë zgjedhore që nuk diskriminon asnjë
subjekt politik. Të gjitha forcat politike në vend duhet të kenë shanse të
barabarta në garën elektorale. Gjithashtu, duhet të bëhet kujdes që fondet e
buxhetit shtetëror të mos përdoret nga koalicioni në pushtet për të bere fushatë
elektorale në shërbim të interesave të tyre politike. Duhet të marr fund përdorimi
i parave publike për interesa të subjekteve të caktuara politike.
Kodi aktual zgjedhor, nuk nxjerrë në pah cilësitë e kandidatëve. Parimi i
demokracisë në Greqinë e Lashtë, ishte të zgjidhen me të mirët për të qeverisur
sa më mirë në interesin e të gjithëve. Sot, sipas këtij kodi, mund të bëhet deputet
edhe një “antikapat”, që nuk din as të shkruaj e as të flasë, por mjafton të
jetë në numrat e parë të listave të partive të mëdha. Pra, sipas këtij kodi
zgjedhor, nuk kemi një konkurrencë shumë dimensionale demokratike, ashtu siç
duhet të ndodh në të vërtetë, por kemi fasada demokratike me fizionomi të
brendshme krejt anti-demokratike. Kandidatët nuk paraqiten para zgjedhësve për
t’u zgjedhur, por ato thjeshtë delegohen dhe emërohen në të njëjtën kohë.
Ka ardhur momenti të bëhet një
reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që ngjall konkurrencën e ndershme
demokratike. Gjithashtu, problem tjetër i madh në Shqipëri gjatë këtyre viteve
të tranzicionit, ka qenë fakti, se vota e qytetarit nuk ka shkuar atje ku ai ka
vendosur, por ku kanë vendosur subjektet politike ta vendosin.
Është koha, që edhe Shqipëria të ketë numërimin elektronik të votës, i cili
nuk duhet të menaxhohet nga asnjë subjekt politik shqiptar. Garant të këtij procesi
duhet të jenë institucionet ah hoc të
BE si dhe organizmave të tjerë perëndimor që kanë një eksperiencë të gjatë e të
suksesshme në këtë fushë. Nëse nuk realizohet reforma zgjedhore, Shqipëria do të
vazhdojë e dëshpëruar të lundrojë ndoshta pa afat në ujërat e tranzicionit
politik, ekonomik e social.