Kumtesë e mbajtur
nga Dr. Alban Daci në Konferencën e organizuar nga Aleanca Kuq e Zi tek Tirana International
Hotel me temë: Çështja Kombëtare dhe Roli i Shqiptarëve në Rajon.
Kanë rënë e janë ngritur perandori e shtete, janë zhdukur e asimiluar kombe, por ja që kombi ynë nuk u zhduk. Ai mori forcë nga dheu që e mbajti dhe e ushqeu, iu qëndroi furtunave të kohës. Nuk u asimilua as nga pushtimi turk dhe as nga ai sllav, por ruajti me fanatizëm çdo vlerë kombëtare, vlera që na mbajtën lidhur si vëllezër të një gjaku dhe që na dallojnë nga kombet e tjerë.
Por, kryesore më duket se është ajo që, për si inat të atyre që nuk na dashtën, ne i qëndruam zhdukjes dhe asimilimit dhe tash jemi në kushte të tjera, kur mund të punojmë më shumë se kurrë për vete, si në drejtimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror, ashtu edhe të kulturës dhe identitetit shqiptar, për të cilin disa teoricienë shfaqin mendime, të cilat aspak nuk e nxisin zhvillimin, por e pengojnë atë. Pra, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për unifikimin në drejtimin të problemeve përcaktuese, që na ruajtën dhe na mbajtën gjallë si komb.
Ne kemi nevojë të punojmë me zemër dhe të mendojmë me kokë për bashkimin tonë kombëtar, sepse kjo është zgjidhja më e mirë për të gjithë ne.
Sot, po jetojmë në një periudhë të globalizuar dhe të ndërvarësisë ekonomike. Në këto rrethana, ne përballemi me më shumë sfida e probleme dhe rruga e vetme për t’u bërë ballë është të jemi të gjithë të bashkuar. Bashkimi ynë, mbron vlerat tona si popull dhe në të njëjtën kohë na vë, thuajse, në kushte të barabarta me popujt e tjerë për t’i respektuar ato, dhe anasjelltas.
Sot ka tradhtarë dhe burracakë, të cilët mendojnë dhe shprehen, se qoftë nacionalizmi, qoftë edhe bashkimi etnik janë të rrezikshëm. Duket sikur shqiptarët janë të pushtuar nga një kompleks inferioriteti dhe kjo ka ndodhur jo për fajin e shqiptarëve, por për faktin se shqiptarët kanë pasur politikanë inferiorë në krahasim me politikanët e vendeve të tjera të rajonit. Për shqiptarët kompleksi i inferioritetit është një fatalitet, që duhet kapërcyer. Nuk mund të ketë histori të shqiptarëve të bërë nga të huajt, po ka histori të shqiptarëve të njohur, më në fund, nga të tjerët.
Nacionalizmi është teori që mbështetet tek kombi, tek një kolektivitet homogjen me gjuhë, histori, traditë, kulturë të përbashkët. Shqiptarët, janë një kolektivitet i tillë, sepse kanë një gjuhë, histori, traditë të përbashkët. Kjo, tashmë, është realitet historik dhe duhet të pranohet si i tillë.
Fakti se jemi shqiptarë është diçka krejt e natyrshme e pranuar dhe e dëshmuar si de facto, ashtu edhe de jure. Ne jemi shqiptarë, dhe ky nuk duhet të jetë problem për të tjerët që nuk janë. Ne nuk duam probleme, nuk duam urrejtje dhe nuk e nxisim urrejtjen.
Ne duam t’i respektojnë ato që nuk janë shqiptarë, dhe e kemi bërë këtë gjë, por në të njëjtën kohë të tjerët duhet të na respektojnë për faktin se jemi shqiptarë. Nëse të tjerët nuk na respektojnë, ky nuk është faji ynë dhe ne nuk jemi fajtorë për këtë gjë, por nuk do të lejojmë dhe nuk mund të jemi në të njëjtën kohë “viktima” të urrejtjeve të tjera.
Gjithashtu, ne, shqiptarët nuk duhet të kemi frikë nga fjala etnike. Etni do të thotë rigrupim njerëzish me morfologji e kulturë të përbashkët. Përsëri del në shesh fakti, se shqiptarët kanë një gjuhë dhe një kulturë të përbashkët mes tyre e të ndryshme nga popujt e tjerë.
Nuk mund të jetë dhe nuk ka liri themelore të njeriut pa lirinë e tij etnike. Të drejtat civile nuk i mohojnë të drejtat, që e strukturojnë këtë liri etnike. Në këtë kuptim, demokracia e nënkupton atdhetarizmin dhe atdhetarizmi është shprehje e demokracisë, në atë masë që lejon të realizohet liria e lirive të njeriut të secilit njeri në këtë Botë.
Kombi shqiptar është pjesëtuar padrejtësisht në struktura shtetërore të huaja dhe të ndryshme duke qenë de facto një subjekt etnik i papjesëtueshëm. Ky komb ende po e përjeton në imagjinatë atë që kombet e tjera e kanë përjetuar realisht prej kohësh. Po, duke qenë një komb, si të gjitha kombet e tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka pafundësisht në imagjinatë.
Te jesh shqiptar nuk është as privilegj e as një problem, por një fakt historik. Kombësia nuk përzgjidhet, por thjeshtë pranohet. Të tjerët duhet të na respektojnë për këtë që jemi dhe nëse nuk e bëjnë këtë do të kenë probleme, ashtu siç kanë pasur më parë, të cilat i dëshmon më së miri vetë historia.
Fakti se sot ne duhet të bashkohemi si një etni e vetme, ashtu siç jemi në të vërtetë, nuk duhet të konsiderohet si një kërcënim për etnitë e tjera, por si një e drejtë legjitime për ne. Është njëlloj sikur një familje, e ndarë për shkak të rrethanave, të kërkojë dhe të insistojë të ribashkohet. Nëse familjet e tjera përreth bëhen xheloze për këtë, ky është një problem për ata dhe jo për familjen që e ka të drejtë legjitime dhe hyjnore që të bashkohet.
Kështu, fakti se shqiptarët duan të bashkohen, duhet të shikohet dhe të analizohet në prizmin e një të drejtë hyjnore e legjitime, se sa si një kërcënim për etnitë e tjera.
Ne jemi të sigurt dhe të qetë se nuk i kemi rënë në qafë asnjë etnie tjetër. Nëse etnitë e tjera përreth nesh nuk na kanë rënë në qafë ne në të kaluarën, atëherë ato nuk duhet të shqetësohen për faktin, se ne, mbi bazën e të drejtës tonë hyjnore e legjitime, kemi vendosur të bashkohemi. Nëse etnitë e tjera kanë punuar dhe po punojnë për mohimin e kësaj të drejte, atëherë ato do të ndëshkohen, qoftë moralisht, si edhe në forma të tjera.
Bashkimi i shqiptarëve duhet të shikohet si një proces krejt normal dhe i pranueshëm edhe për të tjerët. Në këtë botë nuk mund të ketë dy ose më shumë standarde. Çdo të thotë? Që të tjerët kanë të drejtë të bashkohen e të jenë të bashkuar dhe shqiptarët nuk duhet e nuk mund ta gëzojnë këtë të drejtë. Kjo nuk ka as shpjegim logjike e as praktik. Ne nuk i kemi rënë në qafë asnjë populli tjetër që të jetë ose jo i bashkuar, por në të njëjtën kohë nuk duhet të lëmë asnjë popull tjetër që padrejtësisht të na pengojë ne për ushtrimin e kësaj të drejte.
Bota euro-amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të liderëve të përkohshëm. Liderët janë të përkohshëm, por kauzat janë të përhershme. Kauza shqiptare për bashkim i ka rezistuar kohës dhe do t’i rezistojë përgjithmonë, ndërsa liderët do të shkojnë e do të vijnë.
Megjithatë, bashkimi i shqiptarëve nuk është vetëm një e drejtë hyjnore, por edhe një e drejtë ligjore. E Drejta Ndërkombëtare është e drejta ligjore e popujve dhe shteteve. Ajo rregullon e zgjidh mosmarrëveshjet mes shteteve, organizatave apo edhe individëve, tashmë. Prandaj, është shumë rëndësishme t’i referohemi edhe të Drejtës Ndërkombëtare. Një ndër parimet kryesore të së Drejtës Ndërkombëtare, përcakton të drejtat e popujve, pavarësisht përmasave dhe fuqisë është parimi i Vetëvendosjes.
Parimi i Vetëvendosjes u gjet si formulë nga presidenti Willson dhe filloi të aplikohej në të Drejtën Ndërkombëtare, që nga Konferenca e Versajës dhe më vonë u bë pjesë e disa deklaratave, si dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Aplikimi më i qartë, për të cilën na intereson edhe ne në këtë konferencë, është në “Deklaratën për Marrëdhëniet miqësore dhe për Bashkëpunim midis shteteve në vitin 1970”, ku theksohet:
Në bazë të principit të barazisë të së Drejtës së Popujve e të Drejtës të Vetëvendosjes, princip i konsakruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të gjithë popujt kanë të drejtë të përcaktojnë pikërisht asetin politik, në liri të plotë, pa ndërhyrje të jashtme dhe të ndjekin pikërisht zhvillimin ekonomik, social e kulturor, dhe çdo shtet ka të drejtë të favorizoi me shtetet e tjera, ose në mënyrë individuale, realizimin e principit të barazisë të të Drejtave të Popujve dhe të së Drejtës së tyre për Vetëvendosje në konfirmim me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe t’i ofroi Organizatës të Kombeve të Bashkuara në plotësimin e përgjegjësisë të përcaktuar nga Karta për sa i përket aplikimit të këtij principi, në fund për të favorizuar:
a) Marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim mes shteteve
b) T’i jepet fund kolonializmit, duke pasur parasysh vullnetin e shprehur nga popujt e interesuar. Duke theksuar se vendosja e popujve nën kolonializëm ndërton një dhunim të këtij principi dhe një mohim të drejtave të njeriut dhe lirive të themelore të garantuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara.
c) Krijimi i një shteti të ri sovran dhe të pavarur, asocimin e lirë ose integrimin me një shtet të pavarur ose marrjen e çdo statusi tjetër politik të vendosur lirisht nga një popull përbën për një popull tjetër ushtrimin e vetëvendosjes.
Nga kjo deklaratë nxjerrim disa mësime shumë të rëndësishme.
- Për sa kohë shqiptarët nuk do të jenë të bashkuar, por të robëruar, ose të kolonjalizuar, nuk mund të kemi marrëdhëniet miqësore mes shteteve në rajon.
- Shqiptarët e kanë të drejtë ligjore të bashkohen dhe të vendosin për fatin e tyre. Ato mund dhe duhet të bashkohen vetëm duke respektuar vullnetin e tyre të lirë dhe zbatuar principin e vetëvendosjes. Shqiptarët mund të bashkohen duke besuar tek forca e tyre, por në të njëjtën kohë fuqitë e mëdha, sipas të Drejtës Ndërkombëtare, e kanë obligim juridik që të japin kontributin e tyre për ta realizuar këtë proces. Shqiptarët besojnë plotësisht tek Politika e Jashtme Amerikane, e cila jo vetëm e zbaton dhe e promovon parimin e Vetëvendosjes, por edhe e kanë krijuar atë në të mirë të popujve të vegjël dhe kundër botës së kolonizuar. Shqiptarët kërkojnë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, dhe të Fuqive Kryesore
Europiane për të zbatuar principin e Vetëvendosjes, i cili në mënyrë të natyrshme i çon drejt edhe bashkimit.
Edhe pse flitet se bota e kolonizuar u rrëzua me mbarimin e krizës së Suezit, në të vërtetë ajo është e pranishme dhe madje në zemrën e Europës. Sot, në Europë, i vetmi popull që është viktimë e kolonializmit, dhe që nuk gëzon të drejtat e tij themelore, është populli shqiptar. Ky popull i lashtë sa vetë Europa, sot është i shtypur e i shfrytëzuar padrejtësisht nga kolonizatorët sllavë e grekë. Nuk mund të durohet kjo situatë, e cila, tashmë u bënë shekuj që na ther në zemër. Shqiptarët duhet të gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore si popujt e tjerë të rajonit dhe për këtë arsye ato duhet të zbatojnë Vetëvendosjen.
Është bërë, tashmë, e modës të thuhet se shqiptarët duhet të bashkohen në BE. Nuk jam dakord me këtë ide dhe për këtë arsye kam dëshirë të quhem jashtë mode. Bashkimi i shqiptarëve dhe Bashkimi Europian nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç fjalës bashkim, që i shoqëron të dy. Shqiptarët, duke zbatuar principin e Vetëvendosjes kërkojnë të bashkohen në një shtet të vetëm. Ne e dimë shumë mirë se BE, nuk është dhe nuk mund të konsiderohet shtet, edhe pse ç’është e vërteta ka disa atribute shtetërore. Në mënyrë klasike, Shteti përkufizohet si rezultante e bashkimit të tri elementeve: territori, popullsia dhe autoriteti sovran.
Disa specialistë të tjerë u përpoqën të cilësonin Bashkimin Europian si një organizatë ndërkombëtare. Sipas tyre meqë Bashkimi nuk mund të cilësohej Shtet, ai duhej të ishte patjetër organizatë ndërkombëtare. Ky vizion mund të mbështetet në faktin, se Bashkimi është krijuar nga traktatet ndërkombëtare. Por, nëse do të themi se natyra e aktit bazë është përcaktuese, do të duhej të cilësonim si organizatë ndërkombëtare disa shtete, për të vetmen arsyeje, se ato janë krijuar mbi bazën e një traktati ndërkombëtar.
Për këtë arsye, përveç natyrës së aktit themelues, duhet t’i referohemi edhe karakteristikave të Bashkimit. Këtë gjë e bëri Gjykata e Drejtësisë e Komuniteteve. Ndërsa, në fillim ajo e analizonte Komunitetin si një rend të ri juridik të së Drejtës
Ndërkombëtare (vendimi i 5 shkurtit 1963, çështja 26/62), në jurisprudencën e mëvonshme ajo u largua nga ky konceptim (vendimi i 15 korrikut 1964, çështja 6/64). Kështu, ajo nënvizon se:...Traktatet komunitare kanë themeluar një rend të ri juridik në favor të të cilit shtetet, në fusha gjithnjë e më të gjera, kufizojnë të drejtat e tyre sovrane, subjekte të cilave janë vetë shtetet anëtare, por edhe shtetasit e tyre... Karakteristikat kryesore të këtij rendi juridik komunitar janë kryesisht përparësitë e tij në raport me të drejtat e shteteve anëtare, si dhe efekti i drejtpërdrejtë i një serie dispozitash të zbatueshme ndaj shtetasve të tyre dhe atyre vetë.
Në rastin e bashkimit të shqiptarëve kemi të bëjmë më bashkimin e të njëjtit popull, i cili, padrejtësisht dhe në mënyrë të dhunshme, është copëtuar dhe ndarë. Procesi i bashkimit të tyre nuk ka pse të bëhet mbi bazën e marrëveshje ndërkombëtare. Bashkimi i tyre është i natyrshëm dhe duhet të ndodh përmes gjuhës, historisë, traditave dhe identitetit kombëtar Kuq e Zi, të trashëguar ndër shekuj. Duke qenë se bashkim është i natyrshëm ai do të ekzistojë për aq kohë sa do të ekzistojë kombi shqiptar.
Bashkimi Europian është diçka krejt e ndryshme nga bashkimi i shqiptarëve. Ky është një bashkim mes komunitet-shteteve të ndryshme, të cilat kanë interesa dhe qëllime të përbashkëta. Sipas teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare ne e dimë shumë mirë se interesat dhe qëllimet e shteteve ndryshojnë në kohë dhe në hapësirë. Për këtë arsye nuk ka garanci dhe BE do të jetë i përhershëm dhe do të ketë gjithmonë të njëjtën qëllim. Sot BE po kalon një krizë të thellë politiko-ekonomike dhe për këtë arsye edhe vetë e ardhmja e tij nuk është e qartë dhe sigurt.
Atëherë, lind pyetja:A mund të sakrifikojmë aspiratat tona kombëtare për hir të BE-së? Siç thamë, Bashkimi i Shqiptarëve dhe Bashkimin Europian kanë të njëjtën filozofi, e cila lidhet pikërisht me fjalën bashkim. Kjo do të thotë, se, nëse ne, shqiptarët, nuk bashkohemi ndërveti, ne nuk mund të bashkohem edhe me BE. Për këtë arsye filozofia e drejtë e popullit shqiptar për bashkim jo vetëm nuk bie në kundërshtim me Bashkimin Europian, por e forcon atë dhe e bën të sigurt.
Gjithashtu, kusht kryesor, që një vend të bëhet pjesë e BE është të jetë shtet. Kushtet e aderimit përcaktohen sipas nenit 49 të Traktatit për Bashkimin Europian. Sipas këtij neni, u vendosën tri kushte: të jetë shtet, të jetë shtet europian, të respektojë parimet e përmendura në nenin 6, paragrafi 1, të Traktatit për Bashkimin Europian.
Qytetarët e Shqipërisë e konsiderojnë vetën shtet të cunguar. Përsa kohë Shqipëria do të vazhdojë të jetë e cunguar nga trojet e tjera shqiptare ajo nuk ka kuptim të anëtarësohet në BE. Shqiptarët do të integrohen në BE, vetëm pasi të kenë krijuar shtetin e tyre të unifikuar. Bashkimi i shqiptarëve do të forconte edhe Bashkimin Europian. Nëse shqiptarët vazhdojnë të jenë padrejtësisht të copëtuar, Europa do të mbetet në fasadën e bashkimit.