Aleanca Kuq e Zi ka nisur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Kongresin e parë Mbarëkombëtar. Në një atmosfere krejtësisht kuqezi, pas një marshimi nga sheshi “Skenderbej” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kongresi nisi punimet me një fjalë përshëndetëse të Kreshnik Spahiut. Duke bërë një rezyme të situatës aktuale në Shqipëri, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu tha se Aleanca Kuq e Zi vjen për herë të parë si një alternative qeverisëse, me forcën e duhur për të thyer sundimin e partive politike.
“Aleanca vjen si një alternativë qeverisëse më e përgatitura me forcën e duhur për të thyer themelet e partive tradicionale që koha u ka perënduar. Viti 2012 e gjen kombin në një situatë politike-juridike të paprecedentë dhe si në asnjë vend tjetër të mos dihet numri i popullsisë. Na gjen si një nga kombet më të varfra në Europë. Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë kanë dy nga shtetet me nivelin më të ulët ekonomik në Europë, po ashtu shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni e kudo. Viti 2012 i gjen shqiptarët me dy qeveritë më të korruptuara në Europë, si dy vende që janë përjashtuar nga proceset integruese. I gjen shqiptarët në ndasi politike. Viti 2012 i gjen shqiptarët me të njëjtat liderë politikë të para dy dekadave, të cilat kanë uzurpuar karriget e pushtetit edhe përpara se të lindin qindra kuqezinj që sot janë në sallë”- tha Spahiu.
Spahiu theksoi se Aleanca Kuq e Zi ka gati platformat e saj për të qeverisur dhe shpëtuar sektorët e pushtuar nga korrupsioni dhe kriza.
“Reforme radikale amerikane dhe britanike në sistemin e drejtësisë këtë do bëjë Aleanca Kuq e Zi. Shqipëria do ribëhet si një shtet i hekurt, luftë trafikimit, pastrimit të parave. Vepra penale e vrasjes të dënohet me vdekje dhe jo me burgim të përjetshëm. Tu heqim maskën liderëve politikë që kanë punuar për shërbime antishqiptare. Të rimëkëmbim ekonominë. Shqipëria ka sot ekonomi konsumatore dhe primitive që pastron paratë e zeza. Askush të mos i gënjejë mendja se do gëzojë paratë e pista”.
Duke vlerësuar maksimalisht rininë shqiptare, Spahiu shtoi se, bashkimi dhe integrimi janë tërësisht të realizueshme, vetëm nëse më votën e shqiptarëve largojmë dy partitë, PS dhe PD të cilat sipas tij, janë nofullat e një goje.
“PS e PD janë nofullat e një goje që bluajnë vetëm për stomakun e tyre. Këta krokodilë zaptuan Kushtetutën dhe u kanë thënë shqiptarëve zgjidhni ose PS ose PD, nuk u dhanë alternativën, zgjidhni më të mirin, por zgjidhni të keqen më të vogël”.
Spahiu vazhdoi më tej në fjalën e tij se, në 100 vjetorin e Pavarësisë këtij kombi ju cenua integriteti territorial, identiteti kombëtarë dhe rendi kushtetues, për këtë nuk duhet të fajësojmë fqinjët, por qeverinë e cila është jo shqiptare por tradhtare.
“Ne vijmë në këtë Kuvend për të lidhur besën kundër një regjimi që po na mjeron e turpëron. Populli më proamerikan dhe rinia me qasjen më proevropiane ka një qeveri antiperëndimore. Ju nuk keni asgjë të përbashkët me njeriun që vishet me antiplumb. AK vjen për herë të parë si një alternativë qeverisëse, më e mira, më e përgatitura, për të thyer themelet e partive tradicionale, që koha u ka perënduar. Sot të gjitha rrugët kanë sjellë këtu përfaqësues nga të gjitha trevat: Shkodra, Gjirokastra, Vlora, Lushnja, Fieri, Kavaja, Lezha, Laçi, Prishtina, Tetova, Struga, Gjakova. Por këtu ka shqiptarë që kanë ardhur nga SHBA, Italia, Britania, Belgjika me qëllimin për të mos u kthyer më. Ky është ndryshimi mes kuqezinjve dhe demokratëve. Të jesh demokrat duhet të ikësh nga sytë këmbët”, tha Spahiu.
Kreu i Aleancës Kuq e Zi kërkoi që shqiptarët në Maqedoni të mos përdorin flamuj arab e turq në protestat e tyre, ndërsa për cështjen e Mitrovicës është shprehur: “Për çështjen e Mitrovicës në veri të Kosovës, klanet e mafia rajonale kanë interesa strategjike për të shfrytëzuar pasuritë e nëntokës atje. Ne jemi me qëndrimin e SHBA për mosndryshim të kufijve dhe për moskëmbimin e territoreve”.
“Ne vijmë me një plan të qartë realist për zgjidhjen e çështjes çame me realizimin e një censusi për regjistrimin e pasurive shqiptare jashtë vendit. Alenaca Kuq e Zi parashtron përpara të gjithë opinionit se ëndrra për bashkim e më pas për integrim janë tërësisht të realizueshme nëse rinovojmë elitat drejtuese me zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Në kongres ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shteteve te Bashkuara te Amerikës, Aleksander Arvizu.