Wednesday, August 3, 2011

Reflektim mbi emigrantët: t’iu garantohet mikpritja dhe dinjiteti i popujve


Dr. Alban Daci

Kronikat e muajve të fundit mbi emigrantët e ardhur nga vendet e Afrikës Veriore (Për shkak të asaj që tashmë njihet si “Pranvera Arabe”, e karakterizuar me trazira, luftëra civile dhe revolucione si në Tunizi, Algjeri, Siri, Egjipt dhe në Libi, shumë qytetarë të këtyre vendeve janë larguar për të shpëtuar jetën duke zbarkuar kryesisht në brigjet e Sicilisë) duhet të na bëj të reflektojmë mbi emigrantët dhe fenomenin e emigracionit në Europë.
Këto persona kanë kaluar momente dëshpëruese dhe trauma shpirtërore për shkak të përshkallëzimit të dhunës në vendet e origjinës. Shumica prej tyre nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre, nga toka e tyre, por nuk kanë rrugë tjetër. Emigrimi është e vetmja rrugë që ata të shpëtojnë jetën e tyre. Një pjesë e mirë e tyre kanë humbur kontaktet me familjarët, ose në rastet më të këqija ato janë ndarë nga ata, sepse mund të jenë vrarë ose persekutuar nga regjimet despotike që janë instaluar prej dekadave.
Pra, shumica e këtyre as nuk duan të vijnë në Europë, por kjo e fundit simbolizon shpresën e shpëtimit për ta. Personat të ardhur kryesisht nga Libia, ku prej kohësh zhvillohet një luftë e përgjakshme civile, kanë zbarkuar në brigjet e Sicilisë në kushte të vështira, të pa ngrënë, të lodhur dhe me trauma psikologjike për shkak të dhunës së ushtruar , sepse kjo është porta me afërt për ta, që të hyjnë në Europë.
Këto persona, nuk duhet të kthehen mbraps nga autoritet italiane, të cilat për të thënë të vërtetën janë gjendur të vetme për të përballuar një fluks kaq të madh emigrantësh, të cilët kanë nevojë që nga gjërat elementare si higjiena dhe e ushqyera, etj. Shteti Italian duke u mbështetur edhe mbi Konventën europiane të Drejtave të Njeriut si dhe mbi Statusin e Refugjatit, duhet t’i mirëpres dhe t’iu ofroj asistencën e nevojshme.
Ky fluks emigrantësh, nuk i përket vetëm Italisë dhe kjo e fundit nuk duhet të lihet e vetme për të përballuar një situatë të tillë. Me të vërtetë brigjet e Sicilisë janë nën sovranitetin e shtetit nacional, por kjo në të vërtetë simbolizon edhe portën e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian duhet të ndjek me vëmendjen situatën e emigrantëve si dhe duhet të ndërmarr politika të përbashkëta për përballimin dhe menaxhimin e kësaj situate.
Këta emigrant nën nevojë, nuk duhet të kthehen mbraps, sepse nuk kanë ku të shkojnë, por ata duhet të mirëpriten dhe duhet t’iu ofrohet ndihma e nevojshme. Gjithashtu, kush nga ata plotëson kushtet e statusit të refugjatit, duhet para së gjithash të ndihmohet të integrohet në shoqërinë italiane (europiane). Pra, duhet t’i krijohet kushtet që ai të ketë mundësinë për të gjetur një punë dhe për të punuar. Puna sipas Kushtetutës Italiane, interpretohet si dinjitet njerëzor dhe vlerë e bazuar me princip kushtetues.
Puna gjendet vetëm aty, ku janë kushtet e drejta. Gjithashtu, nuk duhet të ngatërrohet asistenca e ofruar me mundësinë për të punuar. E para është e padiskutueshme dhe e bazuar në të gjitha kartat ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Gjithashtu duke analizuar flukset e mëparshme të emigracionit të ardhur në Itali, si për shembull ai shqiptar, i ndodhur në fillimin e viteve 90’, duhet të arrijmë në konkluzionin se janë të përkohshëm, nëse përballohen jo vetëm nga Italia, por edhe nga BE-ja. Italia kuptoi, se për të ndaluar këtë fluks emigrantësh me shqiptarë (të ndodhur për shkaqe ekonomike), duhet tu kushtonte më shumë rëndësi marrëdhënieve italo-shqiptare. Duhet t’i ofronte këtij vendi të vogël që po kalon një fazë të vështirë ekonomike ndihma konkrete dhe programe të mirëfillta ekonomike. Aktualisht, mund të themi se Shqipëria, falë Italisë si dhe BE-së, dhe progresit në vend e ka kaluar fazën në të cilën ndodhen aktualisht vendet e “Pranverës arabe”.
Të njëjtën gjë duhet të bëjnë Italia dhe BE-ja me vendet e Afrikës Veriore, duhet të rrisin vëmendjen dhe duhet të intensifikojmë marrëdhëniet me këto vende, duke realizuar ndihma dhe programe konkrete zhvillimi. Është për tu theksuar, se Europa është shumë mbrapa me politikat e saj në lidhje me Kontinentit afrikan, me të cilin ndahet vetëm nga deti Mesdhe.
Bashkimit Europiane duhet të realizojë dhe të vër në zbatim një politikë të përbashkët për fenomenin e emigracionit (nuk mund të ndalohet, por duhet të mirë menaxhohet dhe kontrollohet). BE-ja duhet të jap kontributin e saj, që personat që vijnë në Europë jo nga dëshira, por nga hallit, të ndjehen para së gjithash me dinjitet dhe të respektuar në vendet e tyre, duke gëzuar të drejta dhe liri universale. Nëse ato do të arrijnë të kenë dinjitet në vendet e tyre, të cilat para së gjithash duhet të jenë demokratike, atëherë është e sigurt se ata nuk do të zbarkojmë më në brigjet e Sicilisë për të kërkuar shpresë dhe shpëtim, por ndoshta dhe pse jo, do të vijnë në Europë thjeshtë si turistë ose për të shkëmbyer kulturë dhe histori.