Monday, August 15, 2011

Emigrantët, skllevër të kohëve moderne


Alban Daci

Në lidhje me trazirat e Londrës ja si e shkruan një gazetar: “Personat me origjinë afrikane, aziatike, te cilët kane ardhur dhe jetojnë në Londër shikojnë një lum me para, luks, mirëqenie t’iu kaloj përpara, por ata vetë janë të përjashtuar! Ata nuk mund as t’i prekin gjithë këto të mira!” .

Gjithashtu, një gazetar i ri italian, sapo ka shkruar një libër dhe emigrantët i ka cilësuar skllevërit e kohëve moderne, të cilët shfrytëzohen sistematikisht nga italianët.

Mjaftojnë këto dy shembuj për të kuptuar arsyen e trazirave në Londër. Për fat të keq Europa nuk ka ndjekur një politikë pozitive dhe të mirëfilltë në lidhje me emigrantët, të cilët jo vetëm që nuk ndjehen të integruar në shoqëritë që kanë zgjedhur, por ndjehen të poshtëruar dhe të përjashtuar.

Ngjarjet e fundit duhet të jenë të nevojshme që Europa Perëndimore të reflektojë mbi fenomenin e emigracionit. Gjithashtu, po të kujtojmë ngjarjet e vjetme në Itali, ku emigrantë të ardhur nga Afrika Veriore u keqtrajtuan dhe u përdorën me keq se skllevërit në vjeljen e agrumeve dhe jetonin ku të mundnin më keq se kafshët. Kjo duhet t’i bëj europianët të reflektojnë dhe të rrisin tek vetja ndjenjën e humanizmit si shoqëri e krishterë që janë.

Emigrantët në shoqëritë e vendeve perëndimore që kanë zgjedhur për të jetuar me shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, konsiderohen qytetarë të serisë “B”, dhe si të tillë nuk mund të gëzojnë të drejtat e vendasve që janë të serisë “A”. Një problem serioz, është fakti se fëmijët e emigrantëve që janë rritur ose kanë lindur në shoqëritë europiane, kërkojnë me të drejtë të konsiderohen të serisë “A”, duke pretenduar të gjitha të drejtat dhe të mirat njëlloj si shokët e tyre të serisë “A”.

Për të kuptuar faktin se emigrantët janë të serisë “B” mjafton të pamendin faktin, se një pjesë e konsiderueshme e tyre që jetojnë në Genova paguajnë qira në të zezë. Kjo do të thotë se jetojnë në hyrje, në të cilat pronarët italianë kanë deklaruar se nuk jeton njeri, por në fakt jetojnë emigrantët, që nuk kanë në shumicën e rasteve as sistem për ngrohje dhe paguajnë shumëa parash për qiranë, ku kushtet e ofruara nga qiradhënësit nuk justifikojnë shuma të tilla.

Pastaj, në Itali shumë emigrantë janë të serisë “B”, për faktin se ata mund ta përfitojnë nënshtetësinë italiane vetëm pasi të kenë kaluar dhjetë vjet rezidencë (përjashtim për ata që martohen me qytetarë italianë). A nuk është absurde, që një i ri/re që vjen në Itali, kryen studimet italianë, jeton pesë vjet dhe nuk ka të drejtë të përfitojë nënshtetësinë italiane? Kush më mirë se ai do ta meritonte nënshtetësinë italiane? Ka shumë të rinj që kanë kryer studimet universitare në Itali, por që nuk mund të marrin pjesë në asnjë konkurs publik, edhe pse i plotësojnë kriteret universitare, vetëm për faktin se nuk kanë nënshtetësinë.

Është menduar që emigrantët për të pasur nënshtetësinë si dhe lejen e qëndrimit në Itali, duhet të njohin gjuhën dhe kulturën italiane. Një person që ka mbaruar studimet universitare në Itali dhe që për shkak të globalizimit dëshiron të jetoi në Itali, nuk e ka problem t’i kaloj këto prova, sepse ai ka një formim intelektual të barabartë dhe ndoshta edhe më të mirë se shumica e Italianëve.

Italia si dhe vendet e tjera nuk duhet t’i përdorin emigrantët vetëm si mjete për të kryer shumë profesione dhe punë që ata nuk kanë më dëshirë t’i kryejnë, por duhet t’i konsiderojnë pjesë të shoqërisë tyre, e cila për shkak të zhvillimeve ekonomike dhe procesit të globalizimit ka shumë nevojë për emigrantët e rinj, që janë të motivuar dhe të vendosur për të punuar fort për një të ardhme më të mirë.

Emigrantët nuk mund të jenë pjesë e mekanizmit “përdor dhe hidh”, sepse në ndryshim nga mjetet materiale, ato janë qenie njerëzore, të cilët kanë nevojë të futen në një mjedis social si dhe të njehen të barabartë me të tjerët në atë shoqëri.

Po të mendojmë me qetësi, marrëdhënia që është mes emigrantëve dhe europianëve, është një marrëdhënie simbiotike, sepse Europa si shoqëri kryesisht e plakur ka shumë nevojë për energji të reja dhe të motivuara. Gjithashtu, shumë nevojë kanë edhe emigrantët për Europën, të cilët e shikojnë si një kontinent demokratik, ku mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë duke punuar dhe respektuar ligjet.

Ajo që mund të theksohet aktualisht në Europë është fakti se: kushtet e emigrantëve, sidomos të atyre klandestinë janë shumë të këqija, të cilat janë jashtë çdo standardi. Ky lloj trajtimi i bën që ato herë pas herë nga paniku dhe dëshpërimi të reagojnë në forma të egra dhune që dalin jashtë kontrolli.

Europa nuk duhet t’i trajtojë më mbi stereotipin emigrantë, por duhet t’i konsiderojë pjesë të shoqërisë së saj, pa të cilët ajo nuk mund të vazhdojë të ecë përpara dhe të jetë konkurrente në tregjet botërore të tregtisë. Europa, duhet të jetë e bindur se emigrantët janë e ardhmja e saj dhe për këtë arsyeje ajo duhet t’i shikojë si qytetarë të së tashmes dhe energji të së ardhmes dhe jo si skllevër.