Tuesday, August 23, 2011

Forumet rinore politike në Shqipëri


Alban Daci

Është bërë e modës, që të gjitha partitë politike, qofshin të mëdha ose të vogla për nga pesha politike, sapo nisin jetën politike të formojnë edhe forumet rinore përkatëse. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, në Shqipëri për shkak të së kaluarës totalitare (ku nuk kishte pluralizëm politik) ishte një dëshirë e madhe për të hapur dhe themeluar sa më shumë parti.
Në 20 vjet tranzicion kemi një numër të madh partish politike. Them një numër të madh partish politike, duk pasur parasysh numrin e përgjithshëm të popullsisë. Shumica e këtyre partive kanë vetëm një kryetar dhe maksimumi dhjetë anëtarë. Më shumë këto lloj partish, të cilat nuk kanë asnjë lloj peshe elektorale do t’i quaja grupe interesi, klane, të cilat formohet për interesa të rëndomta personale dhe për privilegje të vogla dhe të papërfillshme në nivel kolektiv.
Në 20 vite tranzicion shqiptar nuk janë të paktat rastet, kur kryetarët e këtyre partive fantazma, me një kryetar dhe me dhjetë anëtarë, të jenë bërë deputet dhe të kenë zënë edhe poste të rëndësishme drejtuese qeveritare. Madje, edhe sot nuk mungojnë rastet, ku parti të tilla edhe pse nuk kanë asnjë peshë elektorale dhe që nuk përfaqësojnë asnjë interes të mirëfilltë qytetar, të kërkojnë me ngulmë të vijnë në pushtet. Normalisht, në një demokraci, çdo subjekt politik krijohet me qëllimin për të pasur pushtet, por jo që klane prej tre personash të tentojnë të kushtëzojnë reformat apo proceset e rëndësishme në vend.
Megjithatë, historia politike e 20 viteve tranzicion shqiptar është një histori në vete dhe kërkon hapësirë të veçantë për të studiuar rrethanat e fillimit të pluralizmit politik, influencat e huaja si dhe identitetin e brendshëm politik.
Këtë radhë le të merremi pak me forumet rinore politike shqiptare. Këto forume duhet të jenë shkolla të mirëfillta politike, ku duhet të krijohen dhe të trajnohen liderët e së ardhmes. Ato duhet të jenë emblemat, ku demokracia kultivohet dhe mbrohet me fanatizëm. Në të vërtetë, forumet rinore politike në Shqipëri, krijohen dhe përdoren nga partitë politike vetëm si fasada për të përmisuar imazhin e tyre. Politikanët e politikës shqiptare, sa herë ndjejnë mungesën e reformimit dhe të imazhit demokratik, përdorin forumet rinore për t’u identifikuar si njerëz që përkrahin të rinjtë duke i përfshirë ato në jetën politike të vendit.
Forumet rinore politike në Shqipëri janë si Hostess-at e një linjë ajrore që thjeshtë përdoren për imazhin e bukur, por që në vërtetë nuk kanë në dorë asnjë lloj forme vendimmarrje. Forumet rinore politike në Shqipëri, në shumicën e rasteve janë kasta të mbyllura. Është e vështirë të gjesh raste, në të cilat me të vërtetë zhvillohen zgjedhje demokratike për formimin e strukturave drejtuese. Njerëzit e talentuar, që kanë pasion politikën, por që nuk kanë asnjë lidhje me “elitën e pjekur politike” në vend, nuk kanë as shansin më të vogël që të përfshihen si dhe të hedhin kandidaturën për të pasur një rol drejtues brenda këtyre forumeve.
Ndodh rëndomtë ashtu si dhe në rastin e partive politike, që përfaqësuesit e forumeve rinore të jenë të deleguarit dhe të afërmit e politikanëve të rritur. Për këtë arsye në shumicën e rasteve, të rinjtë politikanë janë imazhi i bukur dhe i heshtur i politikanëve të vjetër.
Nuk ka ndonjë rast në këto 20 vite tranzicion, ku ndonjë forum rinor të ketë menduar ndryshe nga lideri historik i partisë, ose të ketë dhënë ndonjë alternativë ndryshe me atë të partisë, edhe kur vetë partia ka pasur mungesë vizionesh dhe idesh. Si mund të shpjegohet fakti se në Shqipëri 60% e të papunëve janë të rinj dhe asnjë forum rinor politik qoftë pozitar ose opozitar nuk e ngre këtë problem? Nëse këto forume rinore nuk përfaqësojnë problemet e të rinjve ose nuk trajtojnë problemet e papunësisë, interesat e kujt përfaqësojnë? Siç thamë më sipër strukturat rinore formohen nga persona të cilët nuk zgjidhen, por delegohen nga më të rriturit (“vjetrit”) e për rrjedhojë ato janë veglat e tyre dhe nuk përfaqësojnë vetveten.
Për shembull, si ka mundësi që Forumi Rinor i Partisë Socialiste (FRESH), nuk del hapur në mbështetje të ideve të z. Malaj. Tek e fundit, ai nuk thotë asgjë që nuk shkon, përkundrazi gjëra sa të dobishme aq edhe të nevojshme për demokracinë brenda PS-së. Ai thotë: të rinjtë e talentuar të ofrohen dhe të mbështeten më shumë nga klasa politike; të kufizohet pushteti absolut; për të ardhmen europiane të vendit tonë duhet të ketë më shumë demokraci në partitë tona, etj.
Pra, të gjitha këto që thotë z. Malaj janë pozitive dhe duhet të gjejnë mbështetje tek të rinjtë, të cilët duhet të shikojnë drejt së ardhmes me optikën e një demokracie të shëndoshë dhe reale. FRESH, duke qenë një formë e deleguar e pushtetit ashtu si forumet e tjera shqiptare, nuk mund ta ngre zërin, nuk mund të mendoi ndryshe, sepse nuk përfaqëson vetveten, por zërin dhe imazhin e më të vjetërve.
Si ka mundësi që forumet rinore të çdo subjekti politik qofshin, nuk e ngrenë zërin për të drejtat e qytetarëve? Si ka mundësi që këta të rinj, të cilët sapo kanë nisur jetën politike dhe pretendojnë të ngrenë një karrierë prej lideri, heshtin para grevës së minatorëve? Si ka mundësi që këta të rinj, bëjnë sikur në Shqipëri gjithçka shkon për mrekulli? Si ka mundësi këta të rinj nuk e ngrenë zërin për mos respektimin e meritokracisë? Si ka mundësi nuk e ngrenë zërin dhe nuk e denoncojnë fenomenin e korrupsionit? Thua vallë çdo gjë në Shqipëri shkon për mrekulli?! Thua po përjetojmë parajsën dhe nuk kemi pse të reagojmë?!
Forumet rinore, duke qenë se janë në një fazë që më shumë mund të prodhojnë ide dhe vizione se sa të ketë një pushtet të mirëfilltë politik, duhet të kthehen në forume, ku të diskutohet për demokracinë, ku të trajtohen çështje të rëndësishme shqiptare. Duhet të kthehen në shkolla të mirëfillta politike, ku mund të prodhohen liderët e së ardhmes. Forumet rinore dhe të rinjtë që militojnë në to, duhet të jenë njerëz të talentuar që kanë pasion politikën dhe që mbrojnë me fanatizmin demokracinë tonë të brishtë. Të rinjtë, nuk duhet që gjithmonë dhe në çdo kohë të jenë një masë e heshtur që gjithmonë është dakord dhe asnjëherë nuk mendon ndryshe nga klasa e vjetër politike.
Rinia shqiptar dhe forumet rinore shqiptare duhet të jenë motorët e shoqërisë, që prodhojnë ndryshime të rëndësishme shoqërore. Ato, tani më shumë se kurrë më parë, duhet të jenë një tsunam për klasën e vjetër politike. Shpresa e vetme që Shqipëria të bëhet një vend i vërtetë demokratik, është fakti nëse të rinj do të përfaqësojnë vetveten dhe do të veprojnë e mendojnë ndryshe nga klasa e vjetër politike. Shqipëria ka shumë të rinj të talentuar dhe energjik që e duan demokracinë dhe janë të gatshëm të kontribuojnë që ajo të mos vihet asnjëherë në diskutim. Për këtë arsye, forumet rinor të çdo subjekti politik qofshin duhet të jenë të hapura dhe të mirëpresin prurjet e reja, të cilat vijnë nga qytetarët dhe përfaqësojnë interesat e qytetarëve.