Tuesday, June 21, 2011

Rinia shqiptare sot!


Dr. Alban Daci

Në njëzet vitet e fundit të rinjtë shqiptarë i kanë përjetuar, pothuajse, të gjitha momentet e mira dhe të vështira, ku herë kanë qenë protagonist dhe herë kanë qenë viktima të proceseve të “baballarëve” të tyre.
Të rinjtë shqiptarë në fillim të viteve 90-të, morën guximin dhe u ngritën kundër regjimit mizor komunist, duke e përmbysur atë. Ata punuan me përkushtim dhe me zell për ndërtimin e institucioneve demokratike në vend, morën rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë, vendosën të shkollohen jashtë për të qenë të zotë dhe të aftë për një të ardhme më të mirë personale dhe kolektive.
Të rinj shqiptarë qenë viktima të pafajshme të ngjarjeve të 97-ës, të rinjtë shqiptarët ishin ata që ngritën flamurin shqiptar në Irak dhe Afganistan me mision paqeje përkrah gjigantëve të botës, të rinjtë shqiptarë me guximin dhe besimin e tyre ndihmuan fort që Shqipëria të integrohej në NATO, të rinjtë shqiptarë bënë luftën për liri në Kosovë, duke dhënë kontributin e tyre për një shtet të pavarur sovran, demokratik dhe multietnik.
Të rinj shqiptarë u bënë promotorë të kulturës, të historisë, traditës dhe të virtyteve shqiptare nëpër botë. Ata u bënë ambasadorë të vetes, të familjeve të tyre dhe të vendit të tyre, Shqipërisë. Të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër shtypjes dhe skllavërimit të shqiptarëve në Maqedoni.
Pra, rinia shqiptare ishte aty, ku s’kishte të drejta për t’i përfituar ato, të rinjtë ishin të pranishëm aty, ku mizoria mbretëronte për ta rrëzuar atë, ishin në radhët e para për të fituar dinjitet, besim, guxim, integrim dhe forcë për modernizim.
Po sot kush është rinia shqiptare? Rinia shqiptare sot është shumëngjyrëshe dhe me dimensione të gjera, që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ajo është në një moment të vështirë për të identifikuar me veten dhe me proceset që ndodhen përreth saj.
Mendoj, se rininë shqiptare duhet ta ndajmë në dy realitete të ndryshme, duke i përshkruar me kujdes ato:

1. Të rinjtë shqiptarë, herë të detyruar dhe herë me dëshirën e tyre, kanë zgjedhur të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë jashtë vendit.

a) Ata të viteve 90- të, të uritur për liri, demokraci, për një ëndërr më të mirë morën rrugën e largimit drejt vendeve perëndimore. Një pjesë e mirë e tyre, pas shumë vështirësive dhe mundimeve, arritën t’i bënin ëndrrat e tyre realitet, duke siguruar një standard jetese të kënaqshëm në vendet që emigruan.
b) Disa të rinj, edhe pse ishin të vendosur dhe të guximshëm për një jetë më të mirë, për fatin e keq të tyre, nuk arritën ta gëzonin lirinë e tyre, sepse ranë heronj të saj në kufijtë tokësorë, dhe detarë të Shqipërisë. Këto ndryshe do t’i quajmë “engjëjt që u shujtën për një jetë më të mirë”. Kjo ndoshta është pjesa më e guximshme e rinisë, të cilët vendosën të luftonin më të panjohurën dhe mbinatyroren për një jetë më të lumtur dhe të bukur. Pra, janë dëshmorët e heshtur të një botë të padrejtë.
c) Shumë të rinj, duke e kuptuar emigracionin si një proces të përkohshëm, u përpoqën me të gjitha mënyrat, duke siguruar dhe mbështetjet e familjeve të tyre që të shkonin jashtë vendit jo më si emigrant, por si studentë për të përfituar sa më fort botën e dijes perëndimore, e cila nuk do të na mësonte më si më parë Marksin dhe Engelsin, por tregun e lirë, globalizimin, integrimin, bashkëpunimin mes kombeve, diplomacinë e hapur, demokracinë e votës së lirë, lirinë e individit, të shoqërisë dhe shtypit etj. Në këtë grup, kemi studentë që kanë arritur t’i mbarojnë studimet me sukses, duke u bërë edhe akademik të vërtetë në universitet, që kanë kryer studimet. Një pjesë e mirë e tyre, kanë zgjedhur si argumente shkencorë në temat e diplomave çështje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë më shqiptarët dhe me Shqipërinë, duke i trajtuar ato me një nivel të lartë akademik dhe shkencorë. Atmosfera e brendshme e këtij grupi është e qetë, e mbushur me ide, të cilat i diskutojnë së bashku sa herë që takohen mes veti dhe finalja e këtyre ideve është: Shqipëria sot dhe e ardhmja e saj nesër. Pjesa më e madhe e tyre nuk e shikojnë të përjetshëm qëndrimin e tyre në vendet, ku kanë kryer studimet dhe po vazhdojnë eksperienca jetësore, ose akademike të vazhdueshme. Ata, po përgatiten për një formim shembullor akademik dhe intelektual që më vonë në një fazë të dytë do të kthehen në Shqipëri për t’i kultivuar sipas vizioneve bashkëkohore dhe atdhetare. Për ta Shqipëria, është e ngulitur thellë në zemër dhe në mendje, sepse falë teknologjisë së lartë të komunikacionit, si interneti, çdo ditë, çdo moment dhe në çdo kohë ushqehen me informacione të freska mbi atë që ndodh në Shqipëri. Megjithatë, ata janë të bindur se nëse Shqipëria nuk pëson një reformim të thellë social, ku bazat e tij të jenë meritokracia, demokracia dhe respektimi i ligjit, siguria, nuk mund të kthehen, sepse jo vetëm që nuk do të jenë të respektuar, por do të luftohen me çdo mjet nga realiteti vendas.

d) Ka një kategori të vogël të rinjsh, të cilët që në fillim janë dërguar me rekomandim nga elita e vjetër e politikës shqiptare për të kryer studimet e larta jashtë, të cilët sapo i kanë kryer ato janë kthyer në Shqipëri, sepse i kanë pasur hapësirat e garantuar për t’u integruar në vend. Pra, ndryshe mund ta quajmë “Rini rekomandimi”. Ky numër i vogël, janë një imitim i së kaluarës, sepse ajo i ka krijuar/rritur dhe kanë ardhur në Shqipëri me mendjen jo për të bërë ndryshimin, por për të ruajtur me fanatizëm rendin e vjetër, që përfaqësohet nga interesat e “baballarëve” të tyre. Këtyre nuk intereson aspak modernizimi, liria, dinjiteti, Shqipëria, por thjeshtë një rreth me interesa mediokre personale që ndoshta disa herë janë plotësisht kundër interesave kombëtare dhe shoqërore. Megjithatë, është e rëndësishme që numri i tyre është shumë i vogël dhe i papërfillshëm me të rinjtë që falë sakrificave personale dhe familjare kanë arritur suksese të mira akademike dhe se besojnë plotësisht tek vlerat kombëtare dhe europiane, tek demokracia dhe tek liria e çdo kujt si një vlerë që garanton një zhvillim dhe një prosperitet të gjerë në shoqëri.

2. Të rinjtë shqiptarë që nuk kanë pasur mundësi dhe dëshirë të largohen asnjëherë jashtë vendit dhe të rinj që në fillim të viteve 90-të kanë pasur eksperienca të shkurta jashtë vendit, por që janë kthyer, tashmë, në Atdhe për jetuar përgjithmonë.
a) Një kategori e të rinjve që është, pothuajse, plotësisht e çoroditur dhe e lodhur krejtësisht nga cikli i gjatë i tranzicionit, të pa shpresë dhe të braktisur janë kthyer në parazit kafenesh të kohërave moderne. Për fatin tonë të keq, në këto vite, shoqëria shqiptare vazhdon të prodhojë “rini kafenesh”, e cila përfaqëson një pjesë të mirë të të rinjve shqiptarë, që nuk prodhojnë ide, nuk prodhojnë botë akademike, nuk kuptojnë proceset e kohës, nuk kanë kurajë dhe guxim për të rifilluar jetën e tyre nga e para. Baret e mbushura plotë me të rinj, që rrinë me orë të tëra për të konsumuar një kafe, tregon thellë krizën e të rinjve shqiptarë, e cila në të njëjtën kohë është pjesë e përgjithshme e krizës shoqërore shqiptare.
b) Një grup të rinjsh shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë trashëgimi elitare të trashëguar të tipit komunist, falë këmbënguljes, guximit, dashurisë për dituri dhe sakrificës së familjeve të tyre, kanë arritur të kryejnë studimet e larta në vend, por që të pa mbështetur, të pa implikuar me partitë politike dhe të braktisur gjenden të çoroditur dhe të varfër në rrugët e Shqipërisë me pa shpresë për punë dhe për karrierë.
c) Gjithashtu, një numër i vogël, i atyre që kanë pasur eksperienca jetësore dhe akademike jashtë vendit, janë kthyer në Shqipëri me shpresën për gjetur vendin e merituar në shoqëri. Ky numër i vogël është përballur me vështirësi të shumta, nuk ka arritur të gjejë vende pune dhe mundësi për të bërë karriere në bazë të meritës, por është përballur më një realitet krejtësisht të ndryshëm nga vendet që erdhën. Duke qenë një minorancë në vizione dhe ide, dalëngadalë po gllabërohet nga realiteti i vjetëri duke e transformuar atë në një mekanizëm të kontrolluar dhe të izoluar. Ndryshe këta mund t’i quajmë edhe “Rini shtetrrethimi”, e cila as nuk mund të ec përpara në vend pas kthimit, por që nuk është më as në gjendje të largohet përsëri andej nga ka ardhur.

Duke konkluduar, mund të themi, se rinisë shqiptare nuk i mungon guximi, përgatitja akademike, forca dhe energjia për të qenë vetvetja. Problemi kryesorë i rinisë shqiptarë është se: ajo, në këto momente, ka mungesë bashkëpunimi, ose me terma më të saktë ajo është plotësisht e çoroditur. Bashkëpunimi ose loja e bashkëpunimit, duke u nisur që nga disiplina shkencës politike deri tek disiplina e marrëdhënies mes njerëzve dhe kombeve përbën çelësin e suksesit ose jo suksesit individual/kolektiv. Ne, rinia shqiptare sot, jemi një forcë reale që mund t’i diktojmë politikës shqiptare hapat dhe reformat, që duhet të ndërmarr për të gjithë shqiptarët.
Ne nuk kemi nevojë që t’i nënshtrohemi politikës shqiptare që ajo të na përfshijë në mjedisin e saj, ne jemi një forcë reale dhe një botëkuptim i gjerë intelektual që mund të influencojmë përmes bashkëpunimit tonë dhe ideve tona jo vetëm në mjedisin e politikës shqiptare, por edhe më gjerë, duke përfaqësuar veten tonë.
Rinia shqiptare, sot, ka në dorë fatet e veta dhe të vendit, sepse ka një pasuri të madhe akademike dhe intelektuale, një forcë reale, të gjallë dhe freskët, një dëshirë për bërë ndryshimin, për të gjetur veten në vendin e vlerave dhe të proceseve reale njerëzore. Ajo thjeshtë duhet të ketë një nivel më të lartë bashkëpunimi, si dhe një nivel të lartë besimi për të konkretizuar të gjitha vizionet dhe idetë e saj.