Friday, February 15, 2013

Ne dhe Eduart Selami


Alban Daci

Do na kthehet Eduart Selami! Ua, çfarë lajmi! Tani Shqipëria do të bëhet demokratike, zhvilluar, bashkuar dhe e integruar. Tani hallet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve do të mbarojnë. Ky na u shfaq si njeri me vizione perëndimore dhe se tashmë është i gatshëm të ripërfshihet tek PD dhe të kontribuoi në ndryshimet e mëdha reformiste të vendit. Ai nuk na qenka larguar nga PD, sepse Berisha e kërcënoi dhe e përzuri, por sepse shkoi për të bërë një master, pastaj ndodhën ngjarjet e ’97 dhe për këtë nuk u kthye më.
Tani le të diskutojmë pak formimin perëndimor të Selamit. Sa perëndimor është ai? Zgjedhja e tij politike a e dëshmon formimin e tij perëndimor? E para Selami, në Amerikë është një emigrant si shumë të tjetër dhe bën një punë, ku nuk shquhet as për nivel të lartë shkencor e as për nivel të lartë akademik. Nuk di që Selami të ketë dhënë ndonjë kontribut të madh në botime shkencore, apo në botime librash të njohur në Amerikë dhe në Shqipëri.
E dyta, edhe nëse ky Selami do të ishte me formim perëndimor dhe amerikan me faktin se rizgjodhi Berishën, më antiperëndimorin, do të thotë se ai ka mohuar formim e tij për një karrige pushteti.
Për mua dhe shumë të tjerë si unë që kemi mbaruar studimet në Perëndim, është një turp dhe do të se mohojmë formimin tonë intelektual nëse jemi pjesë e politikës së Berishës. Edhe pse jemi të rinj, kemi lënë shumë më shumë gjurmë në letra dhe në shkenca se sa Selami që ka dyfishin e moshës tonë.
Pra, faktin se unë dhe shumë të tjerë si unë kanë zgjedhur të jenë kundër Berishës, nuk do të thotë se jemi kundër personit Berisha, por se vizione tona për politikën dhe vendin janë krejt të ndryshme. Ne nuk mund të jemi koleg me Jeminin, Benin, Gencin, sepse ato janë të konsumuar dhe nuk kanë sjellë asgjë pozitive për 22 vjet tranzicion.
Të jesh sot me Berishën do të thotë: nuk ke veshë dhe sy ose ke interesa aq të mëdha personale, të cilat janë kundër vendit dhe familjes. Ne, të rinjtë nuk mund të jemi me Berishën, sepse tashmë ai i përket të kaluarës, e cila mbart plagë dhe dhimbje.
Si ka mundësi një si Selami, pranon se është perëndimor dhe pranon t’i bashkëngjitet Berishës në një moment, kur të gjithë shqiptarët e kanë braktisur. Selami zgjodhi momentin dhe kohën e gabuar, sepse jo fytyra e tij, por asgjë në këtë botë nuk mund ta rifreskoi më imazhin e konsumuar të Berishës.
Selami qëndroi larg për vite me radhë dhe pikërisht tani zgjodhi që imazhin e tij të një studenti të Dhjetorit ta mbush me ngjarjet e Gërdecit, 21 Janarit, ’97, ’98. A mund ta dimë se çfarë mendon z. Eduart Selami për 21 Janarin? A mund ta dimë se çfarë mendon po ky për shitjen e detit nga Berisha? Po për koalicionin me z. Meta? Nëse ky është me reformim perëndimor ashtu siç është reklamuar nga klani mediatik, ai nuk mund të bëhet me Berishën. Kam frikë se z. Selami është trembur nga vitet e tij që po ikin dhe ka thënë nuk po bëhem deputet e ndoshta edhe ministër. Kjo tregon faktin se në jetë ai ka mbajtur mbi supe rastësinë e Dhjetorit dhe nuk ka bërë asgjë tjetër në jetë, por ka pritur momentin të shfrytëzoi rastësinë për të marrë pushtet politik në Shqipëri.
Dua t’i rikujtoj Selamit se kanë kaluar shumë vite që nga rastësia, kur ai ishte studentë i Dhjetor. Kanë kaluar shumë dhjetor të tjerë dhe shumë breza të tjerë kanë kryer studimet jashtë dhe janë rikthyer në Shqipëri për të kontribuar në proceset e reformimit, integrimit, zhvillimit e të bashkimit.
Ne të rinjtë e sotëm, që kemi sakrifikuar shumë më shumë se Selami, që kemi lënë gjurmë shumë më shumë se ai në fusha të ndryshme, u kthyem në Shqipëri dhe zgjodhëm opozitën me Berishën. Ne, mes të keqes dhe të mirës, mes të kaluarës dhe të ardhmes, zgjodhëm të mirën dhe të ardhmen.