Wednesday, February 13, 2013

Letër e hapur për z. Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës


Letër e hapur për z. Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

          Unë, që po shkruaj këtë letër publike, jam një intelektual i ri. Jam Alban Daci, 28 vjeç.  Pasi mbarova studimet e larta në Itali për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomatike me rezultate shumë të larta vendosa të kthehem në Shqipëri për të dhënë kontributin tim modest në reformimin dhe zhvillimin e vendit tim. Jam autor i tre librave deri tani dhe i qindra artikujve të publikuar në të përditshmet shqiptare, ku, kryesisht, mbizotërojnë temat që kanë lidhje me demokracinë.  Këtë letër nuk po e shkruaj për veten time, por për qindra e mijëra të rinj, të cilët përbëjnë faktikisht shumicën e popullsisë në Shqipëri.
          Kthimi im në Shqipëri, ishte befasues dhe i vështirë, sepse gjeta një Shqipëri me probleme të mëdha që lidheshin me demokracinë, meritokracinë, zhvillimin ekonomik, lirinë dhe të Drejtat e Njeriut. Në lidhje me këto argumente dua t’u drejtoj disa pyetje nga të cilat shpresojë se unë dhe mijëra të tjerë si unë, do të marrin një përgjigje.
1.     Sapo erdha në Shqipëri pashë se meritokracia ishte një term që nuk ekzistonte. Vendin e punës (në institucionet shtetërore) e fitonin ato që nuk e meritonin, por që ishin bërë pjesë e pushtetit, ose ishin militant të partive kryesore politike. Duke qenë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë modeli i shanseve të barabarta dhe i meritokracisë, nëse më lejonin,  dua t’u paraqes një pyetje: Si mund të shërohet shoqëria shqiptare nga ky fenomen dhe kush mund të jetë kontributi i SHBA-ve?

2.     Kusht themelor për një demokraci të shëndoshë janë zgjedhjet e lira e demokratike. Vjedhja e votës ose tjetërsimi i saj në Shqipëri është, tashmë, një praktikë e njohur, është një fenomen që ka ndodhur në të gjitha zgjedhjet e deritanishme. Edhe sot, në mjediset sociale, po flitet përsëri për mundësi reale të vjedhjes apo të tjetërsimit të votës në zgjedhjet e 23 qershorit. Nëse kjo do të ndodh, kush do të jetë qëndrimi i SHBA dhe çfarë duhet të bëjnë qytetarët shqiptarë për të mbrojtur votën e tyre?

3.     Problem tjetër madhor i shoqërisë shqiptare është humbja e besimit tek politika dhe tek institucionet. Kjo ka të bëj edhe me faktin se korrupsioni është i pranishëm dhe në rritje. Të punosh në shtet, për qytetarët do të thotë se automatikisht vjedh. Të hysh në politikë për qytetarët do të thotë se patjetër do të vjedhësh e do të pasurohesh. Çfarë duhet të bëjnë institucionet dhe politika që të rikthejnë besimin e humbur tek qytetarët?

4.     Problemi tjetër madhor ka të bëj me sistemin gjyqësor. Tek qytetarët është krijuar bindja se në Shqipëri nuk gjendet e drejta dhe se jo të gjithë janë të barabartë para ligjit. Rast konkret janë ngjarjet e 21 janarit dhe fakti se sipas sistemit të drejtësisë askush nuk është fajtor për atë që ndodhi. Si mund të ndërtohet në Shqipëri një sistem drejtësie, që të gjithë qytetarët, pavarësisht nga pushteti ekonomik apo politik, të jenë të barabartë?

5.     Në Shqipëri është krijuar një sistem i tillë politik, ku të rinjtë nuk mund të hynë në politikë dhe nuk mund të bëjnë ndryshime, sepse atyre nuk u krijohet kjo mundësi, sepse kasta e vjetër politike, drejtues e militantë bashkë,  u ka prerë të gjitha rrugët, partitë i kanë bërë domen të tyre . Sot, sipas ligjit elektoral dhe modelit politik, që të hysh në politikë duhet të jesh patjetër i pasur. Shumë të rinj të shkolluar në Perëndim dhe të motivuar për ndryshime të mëdha sociale e politike në vend nuk mund të hyjnë në politikë, sepse nuk janë të pasur. Zoti Ambasador, me pak fjalë, në politikën shqiptare është prishur ekuilibri mes të pasurve dhe intelektualëve. Si mund të rregullohet ky ekuilibër, gjë që do të ishte në të mirë të gjithë shoqërisë?

6.     Po dëgjojmë çdo ditë lajme, ku pasuritë kombëtare po jepen me koncesion (shiten) me procedura aspak transparente dhe në shërbim të lobeve dhe jo të interesave kombëtare. Kush është opinioni juaj me këtë lloj politike, që po ndërmerr Qeveria Shqiptare?

7.     Sistemi shëndetësor shqiptar është në ditët më të vështira. Mungojnë kushtet minimale në shumicën e spitaleve dhe pacientëve nuk u ofrohet shërbimi shëndetësor, nëse ato nuk paguajnë nën dorë. Si mundet, që Shqipëria të ndërtoi një sistem shëndetësor model në shërbim të çdo qytetari?

8.     Në Shqipëri sistemi arsimor është drejt degradimit. Janë hapur plot universitete private, të cilët nuk plotësojnë kushtet të quhen as vende për kurse private gjuhësh. Universitetet prodhojnë diploma pa fund që nuk justifikojnë dijet dhe eksperiencat që nevojiten për të sfiduar tregun  punës. Si mund të bëj Shqipëria një sistem arsimor konkurrues në tregjet e rajonit dhe funksional brenda vendit?

Duke shpresuar se do të marr përgjigje për çështjet e ngritura, ju uroj punë të mbarë.
Zoti i Bekoftë SHBA!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!












Me nderime
Alban Daci
albandaci@gmail.com