Thursday, February 21, 2013

23 qershori dita e një fillimi të ri


Alban Daci

Nuk kanë mbetur më shumë se katër muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare. Këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë, sepse janë prova finale e disa ndryshimeve radikale për shqiptarët.  Këto nuk janë e nuk duhen konsideruar si zgjedhje të zakonshme parlamentare.
Ka disa arsye përse nuk duhen konsideruar njëlloj si zgjedhjet e tjera të ndodhura deri më sot.
Së pari tashmë kemi 22 vjet tranzicion, i cili duhet të marr fund njëherë e mirë.  Fund i këtij tranzicioni do të jetë vetëm në momentin, kur të ndodh rotacion politik i elitave. Pra, me pak fjalë të zëvendësohen të gjitha figurat aktuale, që jo vetëm ishin protagoniste të fillimit të tranzicionit, por edhe shoqëruese të tij.  Pra, zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë zgjedhjet e rotacionit të elitave politike. Tashmë në politikën shqiptare kemi persona që mbajnë postin ministrit që nga 92, kemi liderë që janë drejtues partish prej disa mandatesh dhe në fund sikur të mos mjaftonte, janë shpallur edhe të përjetshëm. Këto persona, liderë apo politikanë nuk kanë se çfarë të japin më për vendin dhe qytetarët. Tashmë ato janë jashtë kohe dhe duhet të dalin në pension. Mënyra më e mirë për t’i nxjerrë në pension dhe për t’i zëvendësuar me të rinj është duke mos i votuar më  me datë 23 qershor.
Së dyti kemi një përplasje brezash dhe mentalitetesh. Kemi elitën e vjetër politike, e cila në thelb ka stilin e vjetër enverist të eksperimentimit mbi popullin për interesa pushteti dhe brezin e ri që politikë e shikon si administrim të mirës së përbashkët për interesa të përbashkët. Këto dy breza që përfaqësojnë kulturë dhe filozofi të ndryshme politike, nuk mund të jenë kurrë të bashkuar. Prandaj, mendoj se zgjedhjet e 23 qershorit duhet të konsiderohen si zgjedhje për të zgjedhur mes botës të vjetër dhe botës të re. Shqiptarët tashmë duhet të kuptojnë faktin se vendi ka sfida të reja e të mëdha që kërkojnë persona që kanë përgatitjet dhe vizionet që kërkon koha.
Së treti në Shqipëri kemi një përplasje tjetër të madhe mes brezit të ri, i cili është patriot dhe idealist dhe brezit të vjetër që i ka shkaktuar shumë dhimbje vendit duke përdorur vetëm oportunizmin individualist. Pra, shqiptarët përmes votës duhet të zgjedhin idealistët dhe patriotët të cilët në plan të parë kanë kombin. Kombi qëndron mbi të gjitha dhe para tij nuk mund të justifikohet asgjë tjetër. Shqipëria është në një moment të tillë që ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz që e duan dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për lartësimin e saj.
Sot për sot në Shqipëri e vetmja parti që u përgjigjet të tre çështjeve të ngritura është Aleanca Kuq e Zi. Ajo në gjirin e saj ka kryesisht të rinj që janë idealistë, të shkolluar dhe shumë patriotë. Ne jemi patriotë, sepse kemi më shumë se 22 vjet që padrejtësisht jemi rritur me ndjenjën e inferioritetit dhe të padrejtësive të mëdha. Jemi rritur duke na rrahur policia greke në kufi. Jemi rritur duke na rrahur, na vrarë dhe na përzënë policia dhe ushtria serbe nga shtëpitë tona. Jemi rritur duke emigruar për të siguruar një jetë më të mirë, sepse politikanët tanë bënin korrupsion. Jemi rritur duke tentuar herë pas herë Greqia që të na marr detin dhe duke na kërcënuar me të ashtuquajturin “Vorio Epir”.  Jemi rritur duke na vrarë politika jonë në sheshe.  Jemi rritur e jemi shkolluar me sakrifica, por përsëri politika na ka lënë rrugëve pa pasur asnjë mundësi reale për punësim.
Zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë dhe nuk mund të konsiderohen si zgjedhje rutinë të një demokracie që nuk ekziston. Shqiptarët duhet të jenë të bindur se me datë 23 është mundësia reale për një ndryshim epokal në vend. Për këtë arsye shqiptarët duhet të marrin masivisht pjesë në zgjedhje duke e kuptuar aktin e votimit si aktin më të lartë qytetarë të shprehjes së demokracisë nga ku varet e ardhmja e gjithë vendit.  Shqiptarët me datë 23 qershor duhet të jenë të gjithë pranë kutive të votimit për të zgjedhur mes të resë dhe të vjetrës, mes të mirës dhe të keqes, mes të ardhmes e të shkuarës. Shqiptarët duhet të zgjedhin pa mëdyshje Aleancën Kuq e Zi, sepse kjo është e vetmja forcë politike patriotike që jo vetëm u përgjigjet sfidave të kohës, por që nga themelimi i saj përmes aksioneve politike ka dëshmuar se shqiptarët janë të parët dhe kombi është mbi të gjitha.