Alban Daci
Pasi u mbyllën kutitë e fundit të votimit në Itali, filluan menjëherë
parashikimet e para, sondazhet e para dhe analizat e para për fituesit e mundshëm.
Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy është tsnunami i Beppe Grillo i cili
me “Lëvizjen pesë yje” sipas parashikimeve të para ka marrë afërsisht rreth 25%
të konsensusit të italianëve.
Beppe Grillo është një aktor komik, i cili po thyen tabut e politikës së
vjetër italiane. Atëherë nëse është kështu duhet të pyesim: Politika e vjetër është komike, apo të jesh komik ke
sukses në politikë? Beppe Grillo edhe pse është një figurë e njohur në Itali për
shkak të artit të tij prej komiku, ai po shikonte çdo ditë i dëshpëruar se si
vendi i tij vazhdonte të ishte me problem serioze që lidheshin me një klasë
politike të papërgjegjshme e të korruptuar.
Ai po shikonte me keqardhje faktin se si në Itali thjeshtë ndërroheshin
fytyrat, por mekanizmi mbetej po i njëjtë, i cili kishte për qëllim zhvatjen
dhe robërimin e qytetarëve. Ai po kuptonte se politika e vjetër kishte krijuar
një sistem monopolist që nuk i lejonte qytetarët e ndershëm të bëheshin pjesë e
saj dhe që brenda llojit kishin krijuar një “kod nderi” të brendshëm për të mos
prekur njëri-tjetrin, sepse ishin “vëllezër”.
Në këto rrethna, Beppe Grillo vendosi bashkë me një grup të rinjsh, të
shkolluar, idealistë dhe të ndershëm të krijoi “Lëvizjen pesë yje”. Kjo më shumë
se sa një lëvizje politike dukej si një lëvizje mbarë qytetare, të qytetarëve të
ndershëm. Kështu Beppe Grillo me artin e tij prej komiku dhe me idealizmin e
tij prej një qytetari të lirë nuk bëri gjë tjetër veçse denoncoi me fakte degjenerimin
e politikës së vjetër. Ai i konsideroi anëtarët e parlamentit si midhje që notojnë
në ujëra të pisët. Ai tha se e keqja më e madhe e vendit janë pikërisht politikanët
e vjetër të zhytur në korrupsion, në afera të pista dhe në neglizhencë politike
kundrejt qytetarëve.
Grillo me zërin e tij prej komiku dhe me oratorin e tij prej një politikani
të mirëfilltë arriti të rizgjoi veshët dhe sytë e qytetarëve, duke e kuptuar
këta të fundit politikën jo si diçka në shërbim të pushtetit, por si vlerë komunitare
në shërbim të të gjithë qytetarëve. Edhe
pse “Lëvizja pesë yje” shënoi një tsunam në politik italiane, ajo më shumë
ishte një donencuese e një të tashmeje të errët se sa një projektuese për një të
ardhme më të mirë. Kjo për faktin se ajo nuk kishte një strukturë moderne
politike dhe nuk kishte një program të qartë dhe klasik politik.
Në rrethana të ngjashme me Grillo, por me një stil profesional dhe modern
edhe Kreshnik Spahiu vendos t’i hyj politikës për ta kthyer atë si vlerë
komunitar në shërbim të qytetarëve. Them më me stil profesional, sepse vinte
nga një detyrë e lartë institucionale dhe për këtë arsye kishte pasur disa herë
përplasje me elitat e larta politike.
Z. Spahiu ashtu si Grillo vendosi të krijoi bashkë me një grup të rinjsh të
shkolluar, idealistë dhe patriot Aleancën Kuq e Zi. Ai e krijoi Aleancën Kuq e
Zi dhe vendosi të hyj në politikë, sepse vetëm duke u bërë pjesë e kësaj të
fundit, por me vizione dhe ide të reja mund ta shndërronte nga një dele të zezë
në një ogur të bardhë për çdo qytetarë.
Megjithatë, Aleanca Kuq e Zi në
dallim me “Lëvizjen me pesë yje” është një parti me një strukturë moderne, ku mbizotëron
modeli i punës në grup si një trup i vetëm për qëllime mbarë qytetare dhe
hartimi i një programi të qartë dhe me ide revolucionare jo vetëm për shqiptarët,
por edhe për vetë Perëndimit.
Aleanca Kuq e Zi jo vetëm futi Çështjen Kombëtar si argument të rëndësishëm
politik, limitimin e mandateve, por edhe mundësinë reale përmes ndryshimit të
Kushtetutës për të ndarë politikën nga pushteti, Qeverinë nga Parlamenti dhe Drejtësinë
nga vartësia politike. Pra, Aleanca Kuq e Zi nën drejtimin e Kreshnik Spahiu po
revolucionon mendësinë e të bërit politik në Shqipëri. Vetëm duke ndodhur kjo
ka mundësi reale që tranzicioni të marr fund.
Aleanca Kuq e Zi do të jetë një termet me efekte të mëdha surprize në
politikën shqiptare. Këtë e them pasi po e studioj në terren politikën
shqiptare, ku në çdo tre qytetarë një shpreh simpati dhe optimizëm për ardhjen
e Aleancës Kuq e Zi në pushtet.
Aleanca Kuq e Zi nuk do të jetë një Kingmaker, por vetëm King dhe rreth saj
do të vërsulen subjekte të tjera për të marrë një fetë tortë nga pushteti.
Megjithatë, Aleanca Kuq e Zi është një parti që bën aleancë vetëm me qytetarët
dhe në shërbim të qytetarëve. Çdo marrëveshje politike që ve nën hije interesin
komunitar, qytetarët dhe është kundër interesave kombëtare nuk do të nënshkruhet
nga Aleanca Kuq e Zi.