Tuesday, July 10, 2012

Të larguarit, apo të pushuarit e PD


 Alban Daci

Partia Demokratike njihet si një parti, e cila vetëm emrin mbart demokratike, por në thelb është krejt autoritare dhe aspak liberale. Kjo parti u krijua në fillim si shpresë dhe simbol për lirinë e demokracinë, të cilat tek shqiptarët kishin munguar.
Shoqëria shqiptare, në fillim të viteve ’90, është e vërtetë se nuk kishte eksperiencë për demokracinë, lirinë e të Drejtat e Njeriut dhe për ekonominë e lirë të tregut, por ajo kishte një dëshirë të madhe dhe të pakontrolluar për t’i pasur të gjitha këto menjëherë dhe në mënyrë të sinqertë e funksionale.
E vetmja mënyrë për të fituar lirën e mohuar, demokracinë e shtypur dhe ekonominë e tregut të lirë ishte të përmbysej regjimi i vjetër i Hoxhës, i cili, edhe pse kishte origjinën dhe stilin e komunizmit të Lindjes, ishte krejt sui generis në lloj e tij. Diktatori Hoxha imitoi në fillimet e tij Stalinizmin dhe e pasuroi (degjeneroi) duke e pasuruar me eksperienca dhe forma të stilit personal. Për egon dhe pushtetin e tij, për vite me radhë, një popull e përdori sikur t’i donte qejfi, duke e doktrinuar deri në palcë dhe duke e frikësuar deri në vdekje.
Në fillim të viteve ’90, pushtetit po i vinte fundi si për zgjedhjet e gabuara të brendshme që kishte bërë, ashtu edhe për shkak të dështimit dhe të humbjes së Bllokut të Lindjes përballë “Imperializmit Amerikan”, siç e konsideronte ky i fundit.  Është e njohur teoria, se regjimet diktatoriale lindin nën udhëheqjen e një diktatori dhe vdesin edhe me vdekjen e tij. Pra, pas vdekjes së Hoxhës ishte e qartë se regjimi i krijuar dhe i simbolizuar prej tij i kishte ditë e numëruara.
Duhet theksuar fakti se edhe pse regjimi i Hoxhës ishte ndër më mizorët e primitivët, ai kurrë nuk kishte arritur ta shuante plotësisht shpirtin opozitar dhe demokratik të popullit shqiptar. Është e vërtetë se Hoxha e bëri Shqipërinë një “Holokaust masiv”, por shqiptarët dhe populli i thjeshtë asnjëherë nuk e dashtën dhe nuk e përkrahen me zemër dhe me bindje politike. Hoxha sulmojë egërsisht familjet më fisnike dhe të shquara në vend, duke i internuar dhe duke i zhdukur pa nam e nishan dhe rreth vetës mbajti njerëz servil e spiun të nivelit të rëndomtë që i kishin shitur regjimit familjen dhe shpirtin.
Fillimi i viteve ’90 ishte fillimi i ngjarjeve të mëdha në Europë dhe në Bllokun e Lindjes. Në Bllokun e Lindjes kishin filluar lëvizjet e punëtorëve dhe qytetarëve për të rrëzuar regjimet mizore komuniste. Ndërsa, në mesin e Europës ra Perdja e Hekurt që e kishte ndarë Gjermaninë dhe Europën padrejtësisht në dy kampe dhe në dy ideologji.
Rënia simbolike dhe fizike e Perdes së Hekurt, kriza e thellë dhe varfëria e tejskajshme favorizuan kushtet edhe në Shqipëri për protesta të iniciuara në fillim nga vetë punëtorët dhe pastaj edhe nga studentët për të bërë ndryshimet e mëdha.
Rinia ishte në ballin e ndryshimeve të mëdha, të cilët të frymëzuar kryesisht nga kanalet radio-televizive italiane dhe nga literatura, ishin të lodhur nga regjimi dhe kërkonin të fitonin liritë, të drejtat civile-politike, si dhe shijonin forcën dhe vrullonin e ekonomisë të tregut. Shumë të rinj të asaj kohe bënin të pamundurën të gjenin dhe të vishnin një palë pantallona xhins amerikan dhe të hidhnin tutje pantallonat e dokut, që për shumë vite me radhë ishin bërë simbol i një regjimi mizor e primitiv.
Megjithatë, edhe pse forca e rinisë ishte e madhe, monoklatura e partisë-shtet ishte akoma e fortë dhe e fuqishme. Për këtë arsye ndryshimet e mëdha nuk ndodhën krejtësisht në mënyrën dhe stilin rinor me frymëzime perëndimore, por u kanalizuan dhe u drejtuan nga lartë-poshtë, sipas direktivave të partisë-shtet.
Në këto rrethana lindi PD, e cila në gjirin e saj i pati të dyja kategoritë, monoklaturën e partisë-shtet të përfaqësuar nga servilët dhe spiunët e kësaj partie, si dhe nga studentët e rinj, të cilët ishin të frymëzuar me kulturë dhe frymëzim politik perëndimor. Mungesa e eksperiencës dhe kundërvënia e monoklaturës komuniste bëri që studentët, të cilët luftuan për demokraci dhe ishin themelues të PD, të dilnin shpejt nga karriera politike dhe të mos ishin në vazhdimësi pjesë e reformave të mëdha, që duhet të përballte vendi. Shumë prej tyre morën rrugën e emigracionit e disa të tjerë vazhduan profesionet e tyre për t’u mos marrë më kurrë me politikë.
Në këto rrethana të mirëorganizuara, tek PD mbetën dhe vazhduan rrugën e tyre politike ish komunistët, servilët dhe spiunët e regjimit. Kjo bëri që funksionimi i brendshëm i kësaj partie të mos kishte asnjë ndryshim me partinë-shtet, që shqiptarët me shumë mund e kishin hequr qafe. Ajo shpejt u mbyll në grackën e saj, duke mos u hapur më kurrë për prurjet e reja dhe për intelektualët e vërtetë të shoqërisë.
 Kristalizimi i lidershipit të brendshëm të kësaj partie, e cila simbolizohej dhe drejtohej vetëm nga një person, bëri që lufta brenda llojit të ishte gjithmonë e pranishme dhe e ashpër. Figura të rëndësishme të kësaj partie, si Eduart Selami, shpejt u sulmuan politikisht, u përjashtuan dhe u detyruan të largoheshin edhe jashtë vendit.  I vetmi studentë i dhjetorit, e ndoshta figura më qendrore e ngjarjeve të viteve ’90, z. Hajdari, i rezistoi kohës dhe vazhdoi  të ishte një protagonist i rëndësishëm i ngjarjeve politike në vend. Megjithatë, në rrethana krejt të paqarta, ai u shua pikërisht para Partisë, të cilën e kishte themeluar dhe e kishte dashur shumë.
Sot shumë figura të rëndësishme të kësaj partie nuk janë më pjesë e saj. Megjithatë,  në lidhje me  atë që quhet procesi i rrjedhjeve nga  PD ka një dilemë të madhe, nëse ato janë larguar vetë apo janë pushuar? Shumë prej tyre ishin themelues të kësaj partie, tek e cila besonin shumë dhe për këtë arsye ato nuk kishin arsye pse të largoheshin.
Një fakt i rëndësishëm, që dëshmon, se ata nuk janë larguar vetë, është se thuajse të gjithë, me përjashtim Eduart Selamit, nuk është se me largimin e tyre nga kjo parti nuk janë marrë më me aktivitet politik, por, përkundrazi e kanë vazhduar aktivitetin e tyre politik me partickat e tyre. Duke pasur parasysh edhe rrjedhjen e fundit të rëndësishme, e cila u konkludua me themelin e partisë se re FRD (ose siç u pëlqen ta quajnë  Partia e Topit), rikonfirmon faktin se ato të gjithë janë pushuar dhe janë detyruar të largohen nga lidershipi i vjetër i PD.
            Kjo parti vazhdon të jetë një parti tipike komuniste dhe autoritare, por që vesh padrejtësisht maskën e demokracisë liberale. Teoria që përmendëm më sipër nuk është vetëm për regjimet diktatoriale, por edhe për partitë politike me natyrë krejt autoritare e diktatoriale, që simbolizohen dhe mbahen gjallë nga uni i i ekzagjeruar. PD duke pasur të gjitha cilësitë e një partie autoritare, ajo s’do të ekzistojë më nga momenti që lideri i saj nuk do të jetë më në gjendje të ketë sukses politik. Lideri i kësaj parti ka më shumë se një 20, që nga krijimi i saj, që është i padiskutuar dhe absolut. Rënia e tij politike do të shënojë edhe shkatërrimin e kësaj partie, e cila vetëm emrin ka parti demokratike, por asgjë nuk e lidhi me demokracinë.